Bedri Omuri: Java e 34-ët, vendimtare për skuadrat në zonën e mbijetesës

INTERVISTA / Ish-mesfushori i Tiranës, Bedri Omuri, në analizën e “derbi”-t dhe të javës së 33-të të Superiores.

Agron KAJA

Sigal

Si i përshkruani rezultatet e ndeshjeve të javës së 33-të të Superiores, në të cilën u shënuan edhe 15 gola?

Në këto ndeshje mu duk e habitshme fitorja e Vorës në Rrogozhinë me Egnatian, dhe ajo e Flamurtarit me Dinamon. Nuk besohej se, si Egnatia dhe si Dinamo, të ishin kaq të dobëta ndaj tyre. Por, në futboll ndodh me raste të tilla.

Në cilën prej tyre mendoni se doli jashtë pritshmërive, dhe a keni një këndvështrim teknik?

Ndoshta vetëm dy ndeshjet që i përmënda më sipër mbeten jashtë pritshmërive të javës së 33-të. Sepse Flamurtari dhe Vora nuk kanë kualitete në përbërjet e tyre që të fitonin ndaj këtyre kundërshtarëve, kryesisht Vora në transfertë ndaj Egnatias.

Java e 33-të e Superiores luajti “derbi”-in e kryeqytetit Tirana-Partizani 2-1, si e përshkruani përfundimin e tij?

Mendoj se ishte një “derbi” i luftuar, i ndarë në të dyja pjesët e lojës. Tirana e ka marrë shumë veten pas fazës së tretë, dhe ardhja e Shehit në bankinë tregon se kjo skuadër e meriton të mbijetojë. Edhe pse rreziku qëndron në tre javët e mbetura.

Si ish-futbollist me Tiranën, sa herë e keni luajtur “derbi” kundër Partizanit,  dhe si i kujtoni?

Me fanelën e Tiranës (17 Nëntori), kam luajtur në 10 vite dhe kanë qënë shumë ndeshje “derbi” kundër Partizanit. Por ishin ndeshje të bukura dhe të ekuilibruara, me një tifozeri ku stadiumi “Qemal Stafa” nuk kishte vënd për ti mbajtur të gjithë.

Në fundin e fazës së katërt të Superiores 2025-2026, ku e mendoni Tiranën në tabelën e renditjes?

Janë tre javë me ndeshje shumë delikate, kryesisht për skuadrat që kërkojnë mbijetesën. Në javën e 34-ët do ketë shumë sfida, ku disa skuadra rrezikojnë të humbasin shancet e tyre, por në këto javë doja që fjala “tolerim” të humbasë në fushën e lojës.

Nisur nga renditja pas ndeshjeve të javës së 33-të, si e mendoni ecurinë e skuadrave?

Nisur nga renditja, nga një këndvështrim teknik kam mendimin se java e 34-ët do jetë shumë vendimtare, kryesisht për skuadrat që luftojnë në zonën e mbijetesës. Pikët e plota, apo edhe barazimet, do jenë shpresë e madhe për kalimin e rrezikut.

Java e 34-ët do t’i luajë të gjitha ndeshjet në të njëjtën ditë dhe orë (të shtunën në 16:00), pse mendoni ju?

Është vendosur ky orar, sepse FSHF-ja kërkon që të minimizojë ndonjë tolerim në ndeshje të veccanta, Kjo ndodh edhe në Botë, dhe unë mendoj se në këtë rast nuk është diçka për alarm. Orari i njëjtë i ndeshjeve i jep më shumë luftë sportive garës.

Nga kreu në fundin e renditjes, sa verdikte mund të përcaktohen në ndeshjet e javës së 34-ët?

Po sigurisht që do kemi edhe verdikte që mund të ndryshojnë, por vetëm për javën e 34-ët. Do jenë ndeshje të forta, dhe shpresoj pa tolerime.

Tre javë para përfundimit, si e mendoni renditjen e skuadrave në javën e 36-të, nga kreu në fundin e tabelës?

Mendoj se pas javës së 34 mund të flasim për një renditje përfundimtare. Kjo do jetë javë vendimtare dhe këtu pikët do kenë shumë vlera.

 

Egnatia, skuadra e tretë për në “Final 4”

Pas rezultateve në ndeshjet e javës së 33-të në Superiore, është mësuar edhe emri i skuadrës së tretë që hyn në zonën “Final 4”, e cila do të luajë për titullin kampion. Egnatia i është bashkuar Elbasanit dhe Vllaznisë, duke pasur 9 pikë diferencë ndaj Dinamo City dhe Partizanit, që e ndjekin me pikë të barabarta. Por fakti se kryeqytetaset luajnë ndaj njëra-tjetrës në javën e fundit, bën që rrogozhinasit të kenë sigurinë se të paktën një prej tyre nuk e arrin.

ABISSNET SUPERIORE

SEZONI 2025-2026

Ndeshjet-Java 34

E shtunë, 2 maj 2026

Dinamo City-Egnatia  16:00

Partizani-Flamurtari    16:00

Teuta-Tirana                16:00

Vllaznia-Bylis             16:00

Vora-AF Elbasani       16:00

RENDITJA        

Skuadrat                    Nd       P

1.AF Elbasani              33        62

2.Vllaznia                    32        60

3.Egnatia                     33        54

4.Dinamo City             33        45

———————————–

5.Partizani                   33        45

6.Teuta                        33        38

7.Tirana                       33        35

———————————–

7.Vora                         33        35

———————————–

8.Bylis                         33        35

10.Flamurtari               33        32

RIVALITETI

Dy “galdiatorë” për “Këpuca e Artë”, Balaj apo Maksuti?

Ndërsa këtë fundjavë do të luhen ndeshjet e javës së 34-ët të Abissnet Superiore, edhe snajperat e golit kanë nisur rivalitetin mes tyre për trofeun “Këpuca e Artë”. Nisur nga rrjetat e tundura prej tyre, kryesuesi Bekim Balaj është në kërkim të trofeut të tij të tretë si golashënuesi më i mirë i kampionatit. Ndërsa Erald Maksuti i Flamurtarit, me tripletën që shënoi në fundjavë ndaj Dinamos, tregoi se do ti “ngjitet” Balajt edhe më pranë në këto tre javë të mbetura të kampionatit. Dhe i treti në këtë renditje është Irgi Kasalla i Vorës, i cili me 10 golat e tij të deri tanishëm, ende nuk ka qënë vendimtar që skuadra vorake të largohet nga ethet e mbijetesës. Ndryshe është situata për Dejvi Bregun e Dinamo City, sepse vlonjati ka shënuar më shumë gola përcaktues se sa gola për statistikë individuale. Por janë edhe tre javë deri në mbylljen e kampionatit dhe trendi mund të ndryshojë këtë renditje, ose ta mbajë në këto pozicione. Rivaliteti vazhdon, ndaj duhet të presim.

GOLASHËNUESIT KRYESUES

Bekim Balaj (Vllaznia)           13 gola

Erald Maksuti (Flamurta)        11 gola

Irgi Kasalla      (Vora)              10 gola

Dejvi Bregu (Dinamo C)        9 gola