Barazimi dramatik, Shehi: Treguam karakter, ja përse prekja e Radasit nuk ishte penallti

380
Sigal

Trajneri i Skënderbeut, Orges Shehi ka folur pas barazimit dramatik në transfertë ndaj Teutës.

Në një prononcim për emisionin “Gol pas Goli” në Supersport, tekniku i korçareve u shpreh i kënaqur me lojën e skuadrës bardhëkuqe e cila sipas tij ka treguar forcë karakteri.

“Po, sigurisht jam i kënaqur. Të parën e mbyllëm me një penallti të pësuar. Sapo filluam të dytën, morëm një gol tjetër. Më vjen mirë që skuadra tregon shpirt gare dhe forcë karakteri, që e kemi pasur javët e para. Jam i kënaqur për egon që rikthyem, jo vetëm për pikën e marrë”, tha fillimisht ai.

“Sigurisht, është pikë me vlera për moralin e skuadrës dhe vazhdimësisë. Edhe me Tiranën jemi ndëshkuar nga mos përqendrimi. Këtë kam kërkuar gjithë javën, përqendrim maksimal. Kemi bërë një ndeshje të mirë, dhe shpresoj të jetë pikë nisje për të rikthyer atë Skënderbe të madh”, vijoi ai.

Momenti i penalltisë, prekja me dorë e Radasit…

Nëse ka dikush që thotë që kjo është penallti, nuk e besoj se ka. Është distanca shumë e afërt. E pashë që në fushë, dhe lojtarët. Pas pjesës së parë ishin shumë të revoltuar. Por, i kërkova qetësi, sepse ajo nuk zhbëhet më.

Të jep shpresë loja, për ndeshjen tjetër ndaj Kukësit?

Sigurisht, jo vetëm për pikën, më pëlqen grinta e skuadrës dhe shpirti i skuadrës. Kemi humbur shumë pikë në fund, na vjen me plas, gjatë gjithë këtyre kohëve. Në Krujë, në Vlorë, me Tiranën. Nuk është se na bën gjë të madhe kjo pikë, por duhet të vazhdojmë me këtë ritëm. Kampionati ka treguar që nuk ka ekipe të lehta. Më vjen mirë që është Kukësi, të ruajmë këtë shpirt gare. Vetë kundërshtari, ta imponon që të mos heqim këmbën nga gazi.