Atmosferë Europiane/ Trajnerët Tetova e Daja kanë gjithçka të hapur

Edlir Tetova: Barazimi, rezultat pozitiv për ndeshjen e kthimit

NOA

Skuadra e Egnatias zhvilloi një ndeshje të kujdesshme dhe me shumë pjekuri taktike në stadiumin “Stozice”, duke mbajtur të paprekur portën dhe duke lënë gjithçka të hapur për sfidën e kthimit në shtëpi. Pas përfundimit të takimit 0-0 ndaj Olimpias së Ljubljanës, trajneri Edlir Tetova u shpreh i kënaqur me mënyrën se si skuadra i përballoi 90 minutat ndaj një kundërshtari me përvojë ndërkombëtare.

“Një ndeshje e vështirë dhe kemi një rezultat pozitiv për ndeshjen e kthimit. Olimpija është një ekip i mirë, por jemi optimistë se do të kualifikohemi”. Nëse arrin të kalojë Olimpijan, Egnatia do të përballet me humbësin e çiftit Linkoln (Gjibraltar)-Noah (Armeni), duke pasur kështu një shans real për të bërë historinë dhe për të prekur fazën e grupeve.

 

Ilir Daja: Humbja 2-1 në fushën e Hajdukut nuk është keq

Pas ndeshjes me Hajdukun në mbrëmjen e së enjtes, trajneri i Dinamos, Ilir Daja, u tregua realist për kronikën e rezultatin, por u shpres se shpresat për kualifikim janë të hapura. “Ishte një eksperiencë e mirë për ne pas gati 15 vitesh mungesë në Europë, shumë lojtarë luanin për herë të parë në një kompeticion europian. Bëmë disa gabime në pjesën e dytë, duke ia dhuruar topin kundështarit. Mund të bënim më mirë, por ndikuan edhe mungesa e Karambës dhe ikja e Itodos. Humbja 2-1 në fushën e Hajdukut, ekip me shumë eksperiencë në Europë, nuk është keq. Janë edhe 90 minuta. Kemi dhe ndeshjen e kthimit në Tiranë, ku mendoj se mund të bëjmë më mirë. E kemi thënë që favorit është Hajduku, por është e hapur gjithçka dhe ne besojmë”.