Artur Çobani: Lushnja mbijeton, bazuar te tradita, te dëshira e mundësitë

522
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” ish-sulmuesi i Dinamos, sot Koordinator i skuadrës myzeqare në Superiore, nuk mendon rënien nga kategoria
Lushnja në datën e planifikuar nuk e luajti ndeshjen me Vllazninë, si është shfrytëzuar kjo hapësirë dy javore te skuadra juaj?
Ne ishim të përgatitur të luanim të mërkurën, por duke qenë se nuk u luajt në ditën e programuar, nga stafi teknik është mbajtur intensiteti në stërvitje. Të shtunën (sot) luajmë në fushën tonë me Flamurtarin, dhe në vëmendjen stërvitore ka qenë kjo ndeshje.

Pse u shty ndeshja me Vllazninë për mesjavën e ardhshme, 22 nëntor?
Normalisht, ajo shtyrje u bë me konsensus, me kërkesën e Vllaznisë dhe dakordësinë e FSHF-së. Stadiumi “Loro Boriçi” kishte një gjendje që nuk lejonte të luhej, pasi bari ka disa ditë që është mbjellë. Në këto kushte, për ta ruajtur atë, u kërkua shtyrja për datë tjetër.

Pse nuk kërkuat të luhej në fushë asnjanëse, por në datën e caktuar?
Sepse fusha asnjanëse u bë e pamundur, pasi Laçi e Tirana nuk pranuan, në Krujë ishte e papërshtatshme si fushë, në Lushnje nuk u luajt, e kështu që ramë dakord të zhvillohet më 22 nëntor në Shkodër.

Ndërkohë që sot luhet java e 11-të, Lushnja ka luajtur vetëm 9 ndeshjet e fazës së parë, me 5 pikët e grumbulluara ishin pritshmëritë tuaja?
Ne faktikisht nuk mundnim ti parashikonim pikët që do të grumbullonim në fazën e parë, por në këtë fazë të parë synonim që të merrnim më shumë pikë, si në ndeshjen në Vlorë, me Kukësin e Kamzën. Kështu që prisnim edhe një renditje më të mirë.

Si Koordinator i kësaj skuadre, çfarë mendoni se ju ka munguar në 9 ndeshjet e fazës së parë?
Fushat asnjëanëse ku kemi luajtur, njëherësh dhe mungesa e kushteve stërvitore, mendoj se janë disa arsye. Dhe, duke përfshirë këtu edhe eksperiencën e pakët që kanë futbollistët në Superiore, vetëm 3-4 lojtarë kanë luajtur më parë, këto janë mbledhur bashkë për këtë situatë në fundin e renditjes.

Dhe nisur nga kjo situatë, periudha 10 ditore pa ndeshje zyrtare i ka shërbyer rikuperimit të Lushnjes për vazhdimësinë?
Natyrisht që po, sepse trajneri Dedja është i ri në stolin e Lushnjes, dhe kjo periudhë i ka shërbyer atij për ta njohur më mirë skuadrën. Mendoj se ai tashmë i ka vënë pikat mbi “i” dhe na mbetet që të kthehemi te fitorja.

E mendoni këtë rezultat që në ndeshjen e së shtunës (sot) me Flamurtarin, në “Roza Haxhiu”?
Objektivi ynë është që ta fitojmë këtë ndeshje. Ne tashmë kushtet i kemi, tifozët i kemi dhe na mungon vetëm rezultati. Nuk mund të them se kështu e nënvleftësojmë Flamurtarin, por përkundrazi, vlerësimi ynë është maksimal, dhe objektivi mbetet i tillë.

Me Hysen Dedjen në bankinë, janë shpresat që Lushnja të mbijetojë në Kategorinë Superiore?
Për deri sa ne e pranuam që Dedja të ishte trajner i skuadrës së Lushnjës, natyrisht që edhe pritshmëritë janë pozitive, për të mbijetuar në Superiore. Ne nuk ndjehemi jashtë luftës për të qëndruar në këtë kategori, sepse janë edhe tre faza për tu luajtur. Bazuar te tradita, te dëshira e mundësitë, ne jemi të bindur se Lushnja do të mbijetojë në Kategorinë Superiore.
Ne nuk ndjehemi jashtë luftës për të qëndruar në këtë kategori, sepse janë edhe tre faza për tu luajtur. Bazuar te tradita, te dëshira e mundësitë, ne jemi të bindur se Lushnja do të mbijetojë në Kategorinë Superiore

KATEGORIA SUPERIORE
Ndeshjet-Java e 11-të
Të shtunën, 18.11.2017 
Lushnja-Flamurtari 14:00
Të dielën, 19.11.2017
Luftëtari-Laçi 14:00
Skënderbeu-Kamza 17:00
Teuta-Vllaznia 17:00
Të hënën, 20.11.2017 
Kukësi-Partizani 14:00
RENDITJA 
Skuadrat Nd P
1. Skënderbeu 10 26
2. Kukësi 10 19
3. Flamurtari 10 17
4. Kamza 10 16 
5. Laçi 10 14
6. Partizani 10 11
7. Teuta 10 11 
8. Luftëtari 10 8
9. Vllaznia 9 6
10. Lushnja 9 5
E prapambetur, 22.11.2017
Vllaznia-Lushnja 14:00
Sigal