KONFERENCË LIGË/ Në prag të ndeshjeve të dyta në turin e dytë, flet për “Telegraf” Mjeshtri i Madh, Artan Bano
Agron KAJA

Të enjten luhen ndeshjet e kthimit të turit të dytë në Ligën e Konferencës, si e presin tre skuadrat tona?
Unë mendoj se nuk ka skuadra të dobëta në këtë kompeticion, akoma më shumë kur ka rezultate pozitive në takimet e para. Duhet kujdes nga të treja skuadrat tona, sepse ndeshjet luhen për t’u kualifikuar. Nuk ka favoritë në fushë, çdo gjë e hapur.
Cila skuadër (Egnatia, Dinamo, Vllaznia) e ka më të lehtë kualifikimin dhe pse?
Egnatia dhe Dinamo e kanë më të lehtë kualifikimin, por duhet kujdes i madh edhe prej tyre, sepse këto nuk janë ndeshje kampionati. Në eliminatore duhet përqëndrim, korrektesë e seriozitet. Pra, në letër të dyja skuadrat duken favorite.
Po skuadrën që ka shkallën e lartë të vështirësisë, cilën mendoni ju?
Për Vllazninë do jetë pak më e vështirë, sepse ka mungesa të shumta dhe Largime. Por besoj se trajneri Martini duhet të gjejë alternativat dhe të bëjë gjithçka për rikuperimet, se mbi të gjitha kualifikimi rrit vlerat e klubit dhe atë financiare.
Sa ndikim do kenë rezultatet e ndeshjeve të para të këtij turi të dytë?
Patjetër që do kenë ndikim, e sidomos tek Egnatia që ka arritur një fitore të pastër në ndeshjen e parë. Edhe tek Dinamo e Vllaznia ndikimi do ndjehet, por ky ndikim nuk duhet të ketë nënvleftësim. Skuadrat të hyjnë në fushë vetëm për kualifikimin.
Nëse ju pyes si në parashikime të basteve, 1X2, si i parashikon tre ndeshjet e dyta të skuadrave tona?
Nëse do ta bëja një parashikim të tillë, mendoj se Egnatia del 1, po ashtu edhe Dinamo. Ndërsa për Vllazninë e vendos një X të fortë, i cili është kualifikim për skuadrën shkodrane. Mua parashikimet gjithmonë më dalin të sakta.
Si përfundim, mund të kemi suksesin e kualifikimit të tre skuadrave tona në turin e katërt të Ligës së Konferencës?
Patjetër që po. Jam besimplotë, por dua të përsërit edhe një herë sa u shpreha më sipër. Si profesionist, unë do doja që edhe tre skuadrat tona të tregohen të tilla në këto ndeshje. Vlerësim e seriozitet për kalimin e turit.
Për skuadrat që luajnë në Europë, sa kohë u mbetet të jenë të gatshme në startin e sezonit më 23 gusht?
Mbetet kohë, sepse sa më tepër që ato të luajnë në Europë, aq më mirë është. Nuk e kanë problem gjëndjen fizike dhe atë taktike, besoj pak ditë pushimi janë të plota për stabilizimin e gjëndjes. Do uroja që një skuadër e jona të kualifikohet në grupe.
Skuadrat e tjera të Superiores po zhvillojnë përgatitjet brënda dhe jashtë Shqipërisë, si është ritmika e tyre?
Më pak informacion ka për këto skuadra se çfarë po bëjnë andej nga kanë shkuar për fazën përgatitore të tyre. Por edhe për këto që janë këtu në Shqipëri, ritmika përgatitore është në dorën e stafit teknik. Përshtatja e programeve me lojtarët.
Janë luajtur edhe ndeshje miqësore, çfarë shohin më shumë trajnerët te skuadrat e tyre?
Ndeshje miqësore duhet të zhvillohen sa më shumë, me qëllim që në kampionat lojtarët të hyjnë në ritmin e lojës. Koha nuk është shumë e gjatë, sepse dy javë para kampionatit konfigurohet skuadra. Koha e ndërprerjes nga sezoni i kaluar ishte e gjatë.
Bastet e kuotojnë Vllazninë me koefiçientë jashtë Europës
Vllaznia do të përballet me Vikingurin këtë të enjte. Ndeshja në Islandë do të nisë në orën 20:45. Kompanitë e basteve kanë publikuar kuotat e para për këtë ndeshje dhe janë disi të çuditshme. Kështu fitorja e Vikingurit me koeficientin 1.3 duket sikur bëhet fakt. Në anën tjetër është fitorja e Vllaznisë me koeficientin e lartë 7.5. Barazimi ka kuotën 5. Vllaznia ndërkohë e fitoi 2 me 1 ndeshjen e parë në “Loro Boriçi”. Kuqeblutë ia dolën me përmbysje falë golave të Bajramit dhe Malës

Liga e Kampioneve
Turi parë kualifikues
Datë 8 korrik 2025
Egnatia-Breidablik 1-0
Datë 15 korrik 2025
Breidablik (Isl)-Egnatia 5-0
Egnatia në Konferencë Ligë
Liga e Konferencës
Turi i Parë kualifikues
Datë 10 korrik 2025
Kalju-Partizani 1-1
Vllaznia-Daugavpils 0-1
Datë 17 korrik 2025
Daugavpils-Vllaznia 2-4
Partizani-Kalju 0-1
Partizani eliminohet
Turi i dytë kualifikues
Datë 24 korrik 2025
Atletik (And)-Dinamo C 1-2
Vllaznia-Vikingur (Ice) 2-1
DinamoM (Blr)-Egnatia 0-2
Datë 31 korrik 2025
Dinamo C-Atletik (And) 20:45
Vikingur (Ice)-Vllaznia 20:45
Egnatia-DinamoM (Blr) 21:00
SHORTI-TURI I TRETË
Olimpija L (Slo)-Inter E (And)
/ Dinamo M-Egnatia
Vllaznia-Vikingur (Ice)
/ H. Tfelag (Fai)-Brondby (Dan)
Zire (Aze)-Hajduk (Kro)
/Atletik E-Dinamo C
Në Rrogozhinë, kryesor një bilbil debutues nga Irlanda

Tre skuadrat tona luajnë këtë të enjte ndeshjet e kthimit të turit të dytë në Ligën e Konferencës. Për ndeshjen ndaj Dinamo Minsk që do të luhet në stadiumin e Rrogozhinës, UEFA ka caktuar gjyqtarë nga Irlanda. Kryesor do të jetë Kevin O’Sallivan, i cili gjykon për herë të parë në kompeticionet europiane për klube. Ndërsa në “Elbasan Arena” në sfidën Dinamo City-Atletik Eskaldes të Andorrës, bilbil i parë do të jetë luksemburgezi Jasin Subotiç. Për Vllazninë, që luan në transfertë me Vikingur të Islandës, UEFA ka caktuar arbitër kryesor hungarezin Mihali Kaprali. Në të treja sfidat, asistentët janë nga vëndet e arbitrave kryesorë. Egnatia, Vllaznia dhe Dinamo do të provojnë shancet e kualifikimit.
Dëmtohet kapiteni, Dinamo pa qëndërmbrojtësin Hoxha


Para ndeshjes së kthimit ndaj Atletik D’Eskaldes të Andorrës në Ligën e Konferencës, skuadra e Dinamos ka humbur shërbimet e titullarit të mbrojtjes, Rustem Hoxha. Kapiteni është dëmtuar në gju gjatë stërvitjes së ditës së hënë dhe mendohet se ky dëmtim mund ta mbajë gjatë larg fushës së lojës. Dje Hoxha ka qënë në klinikë për rezonancat magnetike që përcaktojnë me saktësi shkallën e dëmtimit, por gjithsesi mendohet se ai do të jetë për një periudhë të gjatë jashtë fushave për të rikuperuar nga dëmtimi. Kështu, për Dinamon shtohen telashet për ndeshjen e kthimit, sepse edhe alternativat e tjera në repartin e prapavijës janë të pakta për trajnerin Ilir Daja. Me dëmtimin e Hoxhës, klubi do të hyjë në merkato.





















