Arben Kasolli: Ju tregoj ‘magjistarin’ Tim Krul

644
Sigal

 Trajneri tiranas jeton prej 22 vjetësh në Holandë. “E njoh Timin qysh kur ai ishte 16 vjeç”

Edhe pse ka luajtur vetëm një minutë, Tim Krul, me dy penaltitë e pritura që i dhanë kualifikimin në gjysmëfinale Holandës, është shndërruar në portierin më të mediatizuar të Botërorit. Shqiptari Arben Kasolli, i cili jeton prej 22 vjetësh në Holandë, e ka njohur nga afër Krulin, madje qysh në fillimet e tij, kur “gjiganti 193 cm” ishte një djalë njomëzak 16 vjeç. Kasolli, një ish-portier i të rinjve të Tiranës dhe më pas i Naftëtarit, me një të kaluar në Greqi, ka veshur në Holandë fanellën e Ajaksit në kohën kur e drejtonte Luis van Gal (ishte portieri i tretë), ndërkohë që, ka mbrojtur portën e ADO Den Haag, pikërisht skuadrës ku është formuar edhe Tim Krul. Arbeni është një trajner profesionist portierësh, i licencuar me Federata Holandeze e Futbollit dhe ka formuar akademinë e tij të portierëve “Kasolli Goalkeeping Academy”. Arben Kasolli ka punuar si trajner portierësh tek Ajaksi në vitet 2005-2008.

 – Arben, Kampionati Botëror është në kulmin e tij, pasi tashmë janë caktuar katër skuadrat gjysmëfinaliste, ku përballë njëri-tjetrit do të jenë Brazil-Gjermani dhe Argjentinë-Holandë.

– Mendoj se në gjysmëfinale kanë mbërritur ekipet më të mira të këtij Botërori, pasi nuk duhet të harrojmë faktin se disa prej skuadrave të mëdha të konsideruara favorite u larguan qysh në fazën e grupeve, të tilla si Spanja, Italia apo Anglia. Më pëlqen fakti, që në katër më të mirat, dy janë nga Amerika Latine dhe dy nga Europa. Tashmë është disi e vështirë të përcaktosh se, cilat nga skuadrat do të jetë në finalen e madhe të 13 korrikut.

– Por, nëse tre ekipet e para, Brazili, Gjermania dhe Argjentina e siguruan biletën përmes minutave të ndeshjeve, Holanda e preu atë pas gjuajtjeve të penalltive, ku një rol përcaktues luajti portieri zëvendësues Tim Krul. Ju jetoni në Holandë prej më shumë se dy dekadash. Duke qenë një ish-portier dhe tani një trajner portierësh, a keni pasur rastin ta njihni Tim Krulin?

– Sigurisht, e kam njohur Tim Krulin, madje në fillimet e tij. Kur ai ishte vetëm 15-16 vjeç dhe ishte pjesë e akademisë së moshave të klubit të njohur holandez, ADO Den Haag. Bëhet fjalë për vitin 2003, pra gati 11 vjet më parë. Unë shkova të ADO Den Haag për të dhënë disa stërvitje për portierët, në bazë edhe të një marrëveshje që kisha me drejtuesit e atij klubi, ndërkohë që punoja në Akademinë e themeluar nga Klarens Sedorfi.

– Çfarë përshtypje ju krijoi djaloshi Krul?

– Në fakt, unë bëra disa javë stërvitje me portierët e Akademisë së ADO Den Haag. Tim Krul dallohej që, kishte cilësi të mira tipike për një portier race: ishte i dobët, por shtatlartë: i qetë dhe një tip që nuk emocionohej. Edhe në rekomandimin tim, por dhe në bisedat me drejtuesit e Akademisë ADO Den Haag, e vlerësova si një talent të madh, pavarësisht se për të tjerë ai ishte thjesht një portier i mirë. Ai kishte rënë në sytë e skauterve të Njukasëll Junaitid në Angli, të cilët vendosën ta rekrutonin në kampionatin anglez të moshave. Dua të theksoj faktin, se Krul është thirrur me të gjitha ekipet kombëtareve të moshave në Holandë, nga U-15 e deri të U-21, për të vazhduar më pas me Kombëtaren e madhe në vitin 2011.

– Holanda është dalluar për portierë, duke filluar nga Van der Saar e deri te Shtekelenburg…

– Në vitet e para të karrierës së Tim Krulit si profesionist, Kombëtarja e Holandës nuk e thirri atë, për shkak të moshës së tij të vogël, pavarësisht se ai dallohej në Angli me të rinjtë e Njukasëllit. Në vitin 2001, kur Holanda po përgatitej për Europianin e vitit 2012, trajneri Bert van Marvijk e thirri si portier të dytë Tim Krulin, pasi i parë ishte Marten Shtekelengburg. Para nisjes për në Kampionatin Europian, që u zhvillua në Poloni dhe Ukrainë, si shumë njerëz të tjerë të futbollit holandez takova Uesli Shnajderi, Rafael van der Vaartin, dhe midis tyre edhe Tim Krulin, atëherë 24 vjeç.

– Si reagoi Timi?

– Ai më njohu menjëherë dhe unë kënaq shumë që, unë isha trajner tek ADO Den Haag, klub ku Timi ishte rritur. Kruli më tha: “Ke qenë ndër të vetmit që ke thënë për mua se kam talent”. Më pas dolëm edhe në fotografi. Më pas nuk jam takuar, pasi unë u transferova në Arabinë Saudite, si dhe u mora me zhvillimin e Akademisë sime, por sa herë që Fulhami luante kundër Njukasëllit, i thosha trajernit Martin Jol t’i bënte të fala Timit. Gjithsesi, tani do të kem shansin ta takoj më shpesh pasi do të punoj sërish për ADO Den Haag, që tani është blerë nga një kompani e fuqishme kineze. Tim Krul vjen shpesh në Den Haag, pasi aty është lindur dhe ka jetuar.

– Ju keni qenë për pak kohë portier tek Ajaksi, në kohën kur e drejtonte trajner Luis van Gaal. Si e mbani mend atë?

– Unë kam qenë tek Ajaksi në periudhën shtator-dhjetor 1992, ndërkohë që Luis van Gaal e drejtoi atë për më shumë se gjashtë vjet (1991–1997). Edhe pse bëhet fjalë për një periudhë 22 vjet më parë, ende e kam parasysh atë, me rreptësinë dhe disiplinën e jashtëzakonshme. Ai mbetet numri një për disiplinën e hekurt. Unë qëndrova shumë pak tek Ajaksi, pasi duke qenë portieri i tretë, dëshiroja të aktivizohesha. Kështu që, vendos të shkoja tek Haarlemi, një klub satelit i Ajaksit. Unë jam martuar me një holandeze dhe kështu që bashkë edhe me gruan vendosëm se ishte më mirë që, unë të aktivizohesha, pasi kontratat këtu në Holandë kanë të bëjnë shumë me aktivizimin, përfshirë dhe minutat.

– Van Gaal fitoi admirimin e gjithë Botës me atë që bëri, duke zëvendësuar në minutën e 120-të portierin e parë, Silisen me Krulin. A e prisnit këtë?

– Në fakt, pamjet televizive nga transmetimi i ndeshjes e dhanë që Tim Krul po stërvitej me trajnerin e portierëve Frans Hoek, dhe unë e pata një parandjenjë se ai do të futej në rast se ndeshja Holandë-Kosta Rikë do të shkonte te gjuajtjet e penalltive. Fillimisht Silesen u mërzit Tim Krul u tregua në lartësinë e duhur, edhe pse u soll si arrogant ndaj kundërshtarëve. Por, ajo ishte më shumë si një lojë psikologjike. Për mua, Van Gaal është trajneri më i mirë në këtë Botëror. Po, eliminoi Argjentinën, të jeni të bindur që Holanda e fiton Kampionatin Botëror. Herën e fundit ishte në finale dhe po të mos gabonte Robenin në minutën e fundit të kohës së rregullt do ta fitonte ajo dhe jo Spanja pas kohës shtesë.

 Të gjithë janë “çmendur” në Holandë

 Mediat dhe populli holandez janë bërë si të “çmendur” gjatë këtyre ditëve të Botërorit. “Në fakt, nuk e prisnin këtë ecuri. Van Gaal ka formuar një grup të bukur që, funksionin i gjithi si një familje. Janë të gjithë për një qëllim, ndryshe kur më parë ka pasur edhe probleme brenda grupit. Që të gjithë japin maksimumin. Sigurisht, që unë si tifoz i Holandës dëshiroj ta fitojë ajo, por të shohim nëse të mërkurën do ta kalojmë Argjentinën e Lionel Mesit”, – tha Arben Kasolli.

 Mbreti i Holandës me lojtarët

 Mbreti i Holandës, Vilem-Aleksandër Klaus, së bashku me bashkëshorten e tij, Maksima Zorreguieta Cerruti, u bënë një vizitë lojtarëve pas fitores 3-2 të Holandës ndaj Australisë.

 Kur Kasolli punonte për Krujfin

 Arben Kasolli, që nga viti 1999 punon si trajner i portierëve në Holandë. Ish- portieri shqiptar me punën që ka bërë në skuadrat Ajax e Den Haag, në akademinë e legjendës holandeze Johan Krujfit, “Cruyff Court” dhe së fundi në akademinë e tij “Kasolli Goalkeeping Academy”. Arben Kasolli është i vetmi trajner i huaj portierësh në Holandë, nga duart e të cilit kanë dalë portierë të një niveli të lartë, të cilët janë pjesë e skuadrave të ndryshme holandeze. Në vitin 1992 Kasolli u martua me një vajzë nga Holanda, ku edhe e vazhdoi karrierën si portier. Ai iu bashkua Ajaxit, ku u stërvit nga trajneri i njohur i portierëve, Frans Hoek, për t’u bërë portieri i tretë i gjiganti holandez, pas Stanley Menzo e Van der Sarit. Pas klubit të njohur holandez, Kasolli mbrojti ngjyrat e skuadrave si; HFC Haarlem, AZ Alkmaar, Fortuna Sittard e NEC Nijmegen.