Agustin Kola: Kampionati është i bukur, por përgatitjet janë të dobëta

INTERVISTA/ Ish-sulmuesi i Tiranës dhe i Kombëtares, Mjeshtri i Madh Agustin Kola, pret më shumë nga trajnerët

Agron KAJA

Sigal

Në karrierën tuaj si ish-futbollist i 17 Nëntorit, i kishit parë skuadrën e Tiranës me Dinamon në këto ekstreme të renditjes?

Në kohën kur unë luaja me Tiranën, ishin disa skuadra të forta, si Partizani, Vllaznia, Dinamo etj. Mes tyre, Tirana ka qënë në renditje më sipër se tani, atëhere kur ishim profesionistë të vërtetë, dhe kjo është e veçantë për këtë situatë.

Sa herë keni luajtur ju ndeshjet “derbi” me Dinamon, si kanë qënë ato në lojë dhe në rezultate?

Kanë qënë shumë ndeshje, nisur nga viti 1976 e deri në vitin 1998 që u largova si futbollist. Janë shumë “derbi”, por ishin ndeshje që priteshin shumë nga tifozeria, që atëhere ishte e zjarrtë. Dhe këtë herë, tifozeria nuk ishte në vlerën e “Derbi”-it.

Kjo ishte sfida e 156-të në Superiore dhe e 187-ta në total, si e përshkruani për lojën e rezultatin?

Sot, skuadrat nuk kanë lojtarë nga akademitë e tyre, dhe kjo u mungon. Ndeshja u bë e bukur, ku Tirana tregoi se ka një ngritje duke luajtur edhe futboll të mirë. Ka luajtur çdo ndeshje si finale, ku vlerësoj trajneri Shehi që ka bërë shumë të mirë.

Cilat ishin pritshmëritë tuaja për këtë ndeshje “derbi” të kryeqytetit që fiksoi rezultatin 1-1?

Ndeshjet “Derbi” kështu kanë dalë në të shumtën e rasteve. Por që u bë lojë e bukur nga të dyja skuadrat, kjo duhet evidentuar. Më vjen keq kur lexoj e dëgjoj disa servilë të presidentëve që flasin me fjalë që nuk i afrohen realitetit.

Mbeten 4 ndeshje deri në mbylljen e kampionatit, Tirana këtë javë luan “derbi”-in tjetër të kryeqytetit me Partizanin, si i parashikoni?

Unë i shoh ndeshje si të radhës, kryesisht bazuar në renditje. Është periudha e kampionatit ku çdo ndeshje duhet si finale, dhe Tirana kështu i ka deri në mbylljen e kampionatit. Me Partizanin kam një shpresë të mirë për fitore. E pres!

Në katër javët e mbetura, çfarë mund të presim nga Tirana për ti shpëtuar rënies nga Superiorja?

Në këto javët e mbetura, jo vetëm se do të luajë katër finale, por mes tyre në asnjë ndeshje nuk duhet të lerë pikë, dhe nuk duhet të dalë pa marrë pikë me fitoren prioritet. Janë edhe 12 pikë në lojë dhe Tirana duhet në 70% të tyre të jetë pozitive.

Në grupin e skuadrave për zonën “Final 4”, cilën prej tyre e shikoni si pjesë e saj: Dinamon apo Partizanin?

Mendoj se në zonën “Final 4”, mund të jetë edhe Partizani, por edhe Dinamo. Si lojë, thuajse kanë luajtur në nivele të njëjta, por befasitë janë gjithmonë të pranishme në futboll. Në këto ndeshje fiton qetësia, ndaj kampionati është i bukur.

Po renditjen përfundimtare të Superiores për javën e 36-të, si e parashikoni?Kur shprehem se kampionati është i bukur, mendoj se deri asnjë verdik final nuk dihet, se kush skuadër del në krye dhe cila në fund. Kështu do shkojë deri në ndeshjen e fundit për çdo skuadër, pavarsisht nga renditja.

Në mesjavë do të luhen ndeshjet e dyta gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, cilat skuadra parashikoni se kualifikohen për finale?

Janë katër skuadrat kryesuese të Superiore, të cilat në vlera duket se janë të barabarta. Nisur nga kjo barazi, të dyja ndeshjet mbeten të hapura dhe rezultati është vështirë të përcaktohet. Unë uroj të fitojë loja e mirë dhe golat e shumtë.

 

DUKURI E JAVËS 32

Në Superioren shqiptare, futbollistët e huaj në maxhorancë!

Duke ndjekur ndeshjet e javës së 32-të, një fakt për futbollistët e huaj që ishin në formacionet fillestare të këtyre ndeshjeve, duhet thënë. Numrat e tyre në raport me lojtarët shqiptarë ishin në maxhorancë. Vllaznia 4, AF Elbasani 6, Egnatia 8, Dinamo City 5, Partizani 6, Teuta 2, Tirana 8, Vora 1, Bylis 8, Flamurtari 9. Pra, në 10 skuadra ku në fushën e lojës ishin 110 futbollistë, 57 prej tyre ishin të huaj=me 51%, ndërsa 53 prej tyre ishin shqiptarë=me 49%. Nisur nga këto shifra, a nuk është ky një tregues nga i cili dalin shumë përfundime.

ABISSNET SUPERIORE

SEZONI 2025-2026

Ndeshjet-Java 33  

E shtunë, 25 prill 2026

Tirana-Partizani                       19:00

E dielë, 26 prill 2026

Bylis-Teuta                              16:00

Egnatia-Vora                           19:00

E hënë, 27 prill 2026

AF Elbasani-Vllaznia              19:00

Flamurtari-Dinamo C             19:00

RENDITJA        

Skuadrat                    Nd       P

1.Vllaznia                    32        60

2.AF Elbasani              32        59

3.Egnatia                     32        54

4.Dinamo City             32        45

———————————–

5.Partizani                   32        45

6.Teuta                        32        38

7.Vora                         32        32

———————————–

8.Bylis                         32        32

———————————–

9.Tirana                       32        32

10.Flamurtari               32        29

 

 

KUPA E SHQIPËRISË

Të enjten përcaktohen finalistët, trofeu “peng” në katër skuadra

Ndërsa sezoni futbollistik 2025-2026 është drejt përfundimit, edhe Kupa e Shqipërisë si trofeu i dytë në futbollin shqiptar është drejt përcaktimit të finalistëve. Mes historisë së fituesve të Kupës së Shqipërisë: Dinamo 13 herë, Vllaznia 8 herë, Egnatia dhe Elbasani nga 2 herë, në gjysmëfinalen e Kupës së 74-ët janë këto skuadra, të cilat në total e kanë fituar 25 herë këtë trofe. Të enjten do të luhen ndeshjet e dyta gjysmëfinale, të cilat në takimet e para janë ndarë të barabarta 1-1. Ndërkohë që, sipas ndarjes që ka bërë FSHF-ja, ndeshjet e kthimit do të luhen në dy ditë, të mërkurën më 22 prill do luhet gjysmëfinalja AF Elbasani-Egnatia, ndërsa të enjte Vllaznia-Dinamo City. Nga të dyja këtpo përballje do të dalin edhe emrat e dy skuadrave finalist të Kupës. Në histori, Dinamo e ka fituar 14 herë, Vllaznia e ka fituar 8 herë Elbasani 2 herë dhe Egnatia 2 herë.

GJYSMËFINALET

Ndeshjet e para

E enjte, 8 prill 2026

Dinamo City-Vllaznia 1-1

Egnatia-AF Elbasani   1-1

Takimet e kthimit

E mërkurë, 22 prill 2025

AF Elbasani-Egnatia   19:00

E enjte, 23 prill 2026

Vllaznia-Dinamo City 19:00