Agron KAJAVendi mbytet, futbolli kërkon të notojë!

493
Sigal

 VËZHGIM/ Situata me reshje e përmbytje në disa zona, çuditërisht e bëjnë “indiferente” topkëmbën tonë

Muaji shkurt i këtij viti ka nisur i vështirë, jo vetëm në problemet sociale që nuk po i ndahen ritmikës së jetës së qytetarëve shqiptarë, por referuar gjendjes së rënduar të motit me shira e borë. Situata e krijuar pas këtij moti, ka sjellë përmbytje të rrezikshme, për të cilat çdo qytetar ka shprehur keqardhjen, por në këto radhë nuk do të jetë objekt ana sociale e rënduar pas përmbytjeve që ndodhën në disa rrethe të vendit tonë. Ideja se a duhet të ketë veprimtari sportive në të tilla situata të jashtwzakonshme dhe më konkretisht, futbolli duhet të luajë në këtë javë në Vlorë dhe në Fier ku përmbytjet nga moti kanë sjellë situata të rënda për banorë në zona të veçanta. Më tej, a duhet të luhet në Shkodër që në këtë stinë tradicionalisht konsiderohet si “shtëpia” e reshjeve të shiut, apo në Elbasan? Unë them JO, dhe këtë mendim jo vetëm që do ta përshkruaj në këto radhë, por do të dwshiroja që këto të mos lexohen së prapi e të mos bien në veshët e shurdhër. Arsyeja e parë pse mendoj që futbolli të mos luajë këtë javë, është ndjenja qytetare solidarizuese që duhet të tregojë qeveria e futbollit shqiptar për ata njerëz në vështirës, të cilët njëherësh mund të jenë edhe tifozë të skuadrave të tyre. Më duhet të kujtoj një titull shkrimi të kolegut tim Xhevdet Zekaj, i cili nisur nga trukimet në javën e 19-të të Kategorisë Superiore shkruante: “Futbolli digjet, FSHF-ja krihet”. Për analogji, në këtë rast do të thosha se: “Vendi po mbytet, futbolli kërkon të notojë”! Ndërkohë që një arsye tjetër që e bën edhe më të pamundur lojën e futbollit në këtë javë është edhe pamundësia fizike e udhëtimit të skuadrave nga një qytet në tjetrin, ku më shumë se automjetet, duhet të përdorin varkat për shkak të përmbytjes edhe të rrugëve nacionale në disa akse rrugore. P. sh, epiqendra e përmbytjeve të tri ditëve më parë kanë qenë Vlora e Fieri, dhe si për “kapriço” e sfidë të situatës që po përshkruajmë, kalendari i javës së 21-të i ka vënë përballë skuadrat e Flamurtarit e të Apolonisë. Në këto kushte, jo vetëm tifozët e Apolonisë, por edhe vetë skuadra fierake nuk do ta ketë të lehtë të udhëtojë për në Vlorë, aq më shumë që meteorologjia ka parashikuar një mot me reshje të mëdha, pikërisht në ditën e diel kur duhet të luhet kjo sfidë, por edhe tre të tjera që kalendari i ka vendosur në këtë ditë. Pra, të dy këto faktorë nuk përfitojnë në këtë situatë, e cila realisht u troket për t’u ndalur. Një tjetër arsye, kjo më shumë teknike, është se, në të tilla kushte me reshje shiu, futbolli humbet cilësinë e tij, pasi fushat e lojës kthehen në moçale ku rëndom thuhet se janë të denja për lojën e vaterpolos. Natyrisht që fushat do të dëmtohen dhe do të duhet kohë që ato ta marrin veten për t’u rikthyer në normalitet, ndërsa për tifozët nuk mund të themi se kushtet e reshjeve ju ofrojnë atyre kënaqësinë që të sjell loja e futbollit. Kësisoj, duket se loja do të zhvillohet sa për të kaluar kalendarin, ndërkohë që duhet menduar edhe ndonjë e papritur që mund të vijë vetëm për shkakun e motit të keq në fushën e lojës e në shkallët e stadiumeve. Dhe jo vetëm këto janë arsye që duhet ta pengojnë zhvillimin e javës së 21-të, në ditën që përcakton kalendari i Kategorisë Superiore, por edhe ai i Kategorisë së Parë që sot rikthehet pas dy muajve, me 10 ndeshjet e javës së 13-të. Një arsye e veçantë është se të gjithë ata njerëz që quhen futbollistë, ata që quhen trajnerë apo aktorë të tjerë të lojës së futbollit, nuk e kanë psikologjinë e duhur njerëzore, nëse në këto përmbytje kanë njerëz të tyre të afërm, kanë miq e shokë. E veçanta është se ata nuk mund të kenë ndjenjë e duhur njerëzore që të luajnë kur të tjerët vuajnë. Në të tilla kushte, mes të cilëve mund të gjenden më shumë arsye të tjera, loja e futbollit nuk duhet të zhvillohet. Qoftë largu, por nëse ndodh diçka e pakëndshme, pse duhet që kjo lojë të quhet edhe si një “mallkim”. Për lojë në shi e në borë, të denja janë sportet me varka e ski, me të cilat futbolli është shumë larg.

Ndeshjet-Java e 21-të

Nesër, 8 shkurt 2015

Laçi-Kukësi                    14:00

Elbasani-Teuta               14:00

Vllaznia-Tirana              17:00

Flamurtari-Apolonia      17:00

Të hënën, 9 shkurt 2015

Partizani-Skënderbeu     18:00

Renditja

 

Skuadrat             Nd     Pikë

1.Kukësi               20      44

2.Tirana               20      41

3.Skënderbeu       20      40

4.Partizani            20      40

5.Laçi                    20      29

6.Flamurtari          20      25

7.Vllaznia             20      23

8.Teuta                 20      19

9.Elbasani            20      9

10.Apolonia          20      9

 

Grupi B

Kamza-Besa

Ada-Mamurrasi

Iliria-Kastrioti

Besëlidhja-Tërbuni

Burreli-Veleçiku

Grupi B

Lushnja-Dinamo

Tomori-Sopoti

Naftëtari-Shkumbini

Pogradeci-Butrinti

 

Kategoria e Parë/ Fillon “misioni superiore”, luhen të parat ndeshje për 2015-ën

 Pas më shumë se një muaji pushim, rikthehen përsëri në fushën e blertë skuadrat e Kategorisë së Parë për të thënë fjalën e tyre nëpërmjet topit. Mënyra se si u zhvillua dhe se si u mbyll faza e parë jep 1001 arsye për të ndjekur fazën e dytë dhe sidomos ndeshjet e ditës së sotme ku marrin stafetën të gjitha ekipet njëherësh, si nga grupi A dhe grupi B. Sa i përket grupit të veriut, është e pashmangshme të mos bjeri në sy takimi Besëlidhja-Tërbuni,ndërkohë që skuadra tjetër që zë vendin e dytë në renditjen e këtij grupi, Mamurrasi, ndeshet me Adën në Velipojë. Fitorja ndaj velipojakëve mund t’i japë një mundësi të mirë Mamurrasit që të fitojë avantazhin ndaj dy skuadrave të tjera, si Besëlidhjes ashtu edhe Tërbunit. Në këtë grup, janë vetëm këto tri skuadra që duket se luajnë në një ligë më vete, pa ndikimin e të tjerave, e kjo vihet re më së miri në distancën që kanë krijuar me ndjekëset më të afërta, ku Kastrioti i vendit të katërt ka plot 15 pikë diferencë me vendin e tretë, duke e bërë pothuaj të pamundur rikuperimin. Ndryshe qëndron situata në grupin B, ku ekipet janë shumë afër me pikë ndaj njëra-tjetrës. Mjafton të shohim vendet e para, ku pikërisht sot ndeshen me njëra-tjetrën Lushnja e vendit të parë me Dinamon e vendit të dytë. Një ndeshje e madhe për këto dy ekipe, ku sigurisht që fitorja është një detyrim për secilin ekip, duke parë që vetëm një pikë kanë diferencë.

Besnik Hasi zgjat kontratën si trajner i Anderlehtit deri në 2017-ën

Ish futbollisti i Kombëtares shqiptare dhe trajneri aktual i Anderlehtit të Belgjikës, ka zgjatur kontratën me këta të fundit deri në vitin 2017, duke i dhënë kështu një siguri skuadrës belge sa i përket drejtimit të ekipit në fushë. Nga ana tjetër, duke u bazuar gjithmonë te fjalët e Hasit, pasi kjo kontratë të mbarojë ndoshta e ardhmja e tij do të jetë pikërisht Kombëtarja e Shqipërisë, në një kohë që edhe De Biazi ndoshta do ta kryejë misionin që ka nisur. Por deri atëherë, si Kombëtarja edhe Anderlehti kanë sfida të tjera përpara.

Histori e shkurtër drejtimi, Taçi largohet nga Parma

Shumë pak ka zgjatur qëndrimi i Rezart Taçit tek skuadra e Parmës si president, ku më shumë u përfol ardhja e tij se sa zgjati në fakt qëndrimi. Borxhet e shumta, që mesa duket nuk paska qenë në dijeni të tyre, bënë që biznesmeni shqiptar të shiste me të shpejtë aksionet e klubit, të cilat i zotëronte. Në fakt duket se nuk ka nisur mirë historia e Taçit me blerjen e skuadrave italiane, ku pas shumë përfoljesh se do të blinte Milanin apo skuadër tjetër, e para që bleu rezultoi blerje e dështuar, aq shumë sa shitja nuk vonoi. Mbetet për tu parë nëse Taçi do të ndërmarrë tjetër blerje të ndonjë skuadre italiane.