Agron KAJA/ TVSH-ja jep “shah” në finish, kur vetë është “mat”!

501
Sigal

 OPINION/ Në prag të reformimit dhe të “Botërori 2014”, hokatarët e RTSH-së bëjnë “shou” në emërime

Në 6 muajt e parë të qeverisjes së re, kam shkruar hapur mendimet e mia për çka shoh, dëgjoj e lexoj lidhur me RTSH-në, e në veçanti për TVSH-në e Radio -Tiranën, të paktën që nga 23 qershori 2013 e deri më sot. E thuajse një vit më pas, kur Rilindja “dehu” miliona shqiptarë me premtimet e saj, njëherësh “dehu” edhe profesionistët e medias gjithëpërfshirëse në Shqipëri, të cilët menduan se ajo rrokopujë mediatike që u bë nga qeverisja e kaluar, do të stopohej shpejt. Por përsëri, sikundër 6 muaj më parë, shpreh habinë personale, se në harkun e ndryshimeve që po ndodhin në këtë periudhë qeverisëse, nuk kemi dëgjuar asnjë paragraf publik se si do të hyjë në “korridoret e Rilindjes” tempulli mediatik shtetëror, RTSH-ja, kjo ”gogla” më e ngatërruar nëpër këmbët mediatike të politikës. Kësisoj, duket se paskam folur për “veshë të shurdhër”, pasi edhe në këto 4 muaj të tjerë, në tërësi në 10 muaj qeverisje, nuk ka as edhe një lëvizje që të afrohet me programin e ASHE-së për këtë institucion mediatik shtetëror. Në pritje të një vendimi të Kuvendit të Shqipërisë për ta bërë institucion mediatik shtetëror, jo politik, dëgjojmë nga miq e kolegë se, drejtuesit aktualë, nisur nga kjo qetësi (në dukje) dhe të ndodhur në një livadhisje totale pa asnjë kontroll, qoftë edhe administrativ, po përfitojnë dhe po bëjnë emërime duke marrë në punë njerëz të rinj, ku më i spikatur është vendi i drejtorit të sporteve në RTSH. Pa asnjë xhelozi për vendin e për personin në fjalë, por si një nga njerëzit që e kam propozuar këtë post dikur në RTSH, them se kjo lëvizje e sferës sportive duhet të ishte bërë vite më parë, si një lëvizje e mirë dhe e domosdoshme. Por, që t’i japësh “shah” qeverisë tani në finish, kur vetë je në pozicionin “mat”, kjo është një lojë tinzare, pa rregullat e atij që të financon, shtetit shqiptar. Ky shtet që, në kuadrin e reformimit, po e zgjat kaq shumë Rilindjen në RTSH, sa që hokatarët e qeverisjes së kaluar të luajnë “domino” me emërime të reja. Duhet që këta ta vazhdojnë misionin e tyre disavjeçar me erë politike, me paturpësinë profesionale se në 8 vitet e kaluara nuk folën një herë në RTSH-në që drejtuan (Televizion e Radio) për gënjeshtrat e ish- kryeministrit me sportin, këta që nuk thanë një herë një fjalë për telat e çakorduar në sportin e pushtetit të tyre, që nuk gjetën një minutazh për një emision respektues për ata që i kanë dhënë vlera këtij televizioni, në sport e më gjerë. Sot, këta po bëjnë “show” për interesa të tyre. Janë po këta “legjionarë” të politikës humbëse një vit më parë, që sportin e kufizuan vetëm me një Rubrikë Sportive (dhe kjo më shumë është merita profesionale e vajzës gjirokastrite që profesionalisht çau murrin e betonit politik), janë këta që në sport na u përfaqësuan me gazetarë e komentatorë të shpifur kur i dëgjon, të panjohur fare në median sportive, pa asnjë lidhje me sportin dhe me ekranin sportiv (përjashto ndonjë syresh). Madje aty, në ekranin e TVSH-së, për të marrë honorare të mira, njerëz të afërt me drejtues të RTSH-së dhe të qeverisjes së kaluar, dhe me detyra e poste shtetërore në sport, sillen si të zotët e shtëpisë duke dalë në ekran të dielën në TVSH, pasi të shtunën kanë bërë të njëjtën gjë në televizione private. Se ka edhe më keq në raport me etikën profesionale televizive, kur një individ drejton dy apo tre emisione në TVSH, si gazetar natyrisht, por më parë si i afërm i ish-qeveritarëve. Këta do të jenë edhe në emisionin që është gatitur enkas për “Botërori 2014”, se mjegulla që u qëndron larg nuk u pastrua në kohë, e kështu ju la dorë të lirë që ta bëjnë edhe këtë emision në qejfin e tyre. Kur i dëgjon këto “Breaking News” të vjetruara në bojë e në përmbajtje, ndjehesh në siklet si pjesë e shkollës së RTSH-së në vitet e kaluara, kur aty punonin profesionistët e vërtetë. E nëse do të ketë individë që do të preken nga këto radhë, le ta mbajnë ndonjë qejf mbetje duke e kthyer pak kokën pas. Unë do tu thosha se koha për të ndryshuar nuk është kohë për të mbyllur gojën, dhe nëse këto reshta ata do t’i lexojnë qartë dhe do të marrin prej tyre kuptimin e duhur, le ta bëjnë kthesën para se Rilindja t’u kërkojë të hapin krahun. Nuk jam duke folur në emër të Rilindjes, e në fund lutem që këto bëma të mos kenë edhe ndonjë prapavijë a ndikim të ri nën rrogoz, por gjej mundësinë  të rikujtoj disa rreshta me vlerë të shkruara 4 muaj më parë: “… Qeveria e re e drejtuar nga Edi Rama ka deklaruar se do të ketë për këshilltar ish-Kryeministrin britanik Toni Bler. Ky fakt ndoshta na bën të mendojmë se do të kemi një RTSH të orientuar tek niveli i BBC-së…”. Kur?!

Tefik Osmani firmos me Skënderbeun

 Tefik Osmani do të jetë pjesë e Skënderbeut për sezonin e ardhshëm. Mbrojtësi korçar dhe presidenti i skuadrës juglindore, Ardian Takaj kanë arritur marrëveshjen e cila do të konkretizohet me prezantimin e futbollistit pasditen e sotme në ambientet e Tropikal në Durrës, ku kampionët e Superligës do të grumbullohen në kuadër të përgatitjeve për pjesëmarrjen në Champions League. Tefik Osmani kthehet pas 11 vjetësh në qytetin e lindjes, ku hodhi hapat e parë drejt futbollit profesionist. Në kampionatin shqiptar ai është aktivizuar me shumë skuadra, ku mund të përmenden emra të traditës si Teuta, Tirana, Partizani, Elbasani dhe Vllaznia, ndërsa në sezonin 2005-2006 pati një eksperiencë të shkurtër në kampionatin ukrainas me Metalurg Zaporozhjen. Sezonin e fundit Osmani ishte pjesë e Teutës, e cila nuk arriti asnjë objektiv, madje mbeti edhe jashtë zonës europiane.

 Shaqiri me flamurin shqiptar

 Mesfushori i Bajernit të Munihut ka dëshmuar sërish se nuk e harron vendlindjen e tij dhe këtë e tregoi që në ditën e parë të ushtrimeve në Brazil. Mesfushori i Bajernit në çantën e tij të udhëtimit është shfaqur me flamurin e Zvicrës, Kosovës dhe Shqipërisë, flamuj këta që i mban edhe në këpucët e lojës sa herë që paraqitet në fushën e blertë.

Interi arrin marrëveshjen me Behramin

 Inter-Valon Behrami, një bashkëpunim që pritet të nisë brenda pak ditësh. Mesfushori me origjinë shqiptare duket vetëm një hap larg skuadrës zikaltër. Behrami është një prej emrave më të ndjekur nga trajneri Valter Maxarri: Napoli ka dhënë sinjale se nuk do të dorëzohet lehtë duke kërkuar të paktën 10 milionë Euro për të lënë të lirë lojtarin.