KATEGORIA E PARË/ Në ndeshjet e javës së 29-të kishte edhe surpriza, fundi mbetet ende i komplikuar.
Kategoria e Parë e sezonit 2025-2026 është duke luajtur javët e fundit të saj. Deri tani, janë luajtur 174 ndeshje, dhe mbeten 24 të tjera për ta mbyllur kampionatin. Referuar javëve të luajtura, thuajse të gjitha skuadrat kanë patur ulje e ngjitje, që nga Skënderbeu kryesues e deri te AF Luftëtari që mbyll tabelën e renditjes. Të shtunën dhe të dielën u luajtën 6 ndeshjet e javës së 29-të, në të cilën u shënuan 21 gola, një mesatare e mirë në këtë fund të kampionatit me 3.5 gola për ndeshje. Por java e 29-të e Kategorisë së Parë solli lëvizje vetëm tek skuadrat e fundit të renditjes që rrezikojnë mbijetesën, ndërsa për kreun asnjë befasi me “tridhëmbëshin” që vazhdon të kryesojë për shumë javë. Kështu, Skënderbeu ka fituar në minutat e fundit në Korçë përballë Ilirisë, në shifrat 1-0 me anë të një penalltie, dhe e ka ruajtur diferencën me vëndin e dytë që është Laçi. Kurbinasit kanë marrë një fitore bindëse 3-1 ndaj Burrelit, dhe në tabelën e renditjes ndodhet në mes të kryesuesve, 3 pikë më pak nga Skënderbeu dhe 3 pikë më sipar nga Pogradeci. Sepse liqenorët edhe këtë javë nuk e ndalën marrshin e fitoreve, këtë herë ndaj Kastriotit 5-1. Nga vëndi i 4-t në vëndin e 6-të, që quhet zona Play-off për ngjitje në Superiore, skuadrat duken më të qeta sa i përket rrezikshmërisë, por asnjëherë të sigurta. Sepse është skuadra e Kukësit që po “ringjallet” dhe po bën hapa të dukshëm në renditje. Me 27 pikë, skuadra kuksiane renditet në vëndin e 9-të dhe ka dalë nga pozicioni i rënies direkte dhe mbetet sfidant në Play-out. Ndërsa te skuadrat që renditen në zonën e fundit të tabelës, në këtë javë të 29-të Lushnja ka marrë një fitore të çmuar në betejën për mbijetesën, duke mposhtur 2-1 Korabin.
Në ndeshjen e fundit të javës në Gjirokastër, Luftëtari vendas nuk e nisi mirë ndeshjen. Pas disavantazhzhit 0-2 arriti barazimin në pjesën e dytë, ndërsa në minutat shtesë ndodhi përmbysja e rezultatit në 2-3 për Besën, duke mbyllur kështu një javë me dhunë në fushë dhe me kartonë të kuq për rekord në një ndeshje. Kategoria e Parë rikthehet të luajë të shtunën më 11 prill me javën e 30-të të saj, ku “derbi” Kastrioti-Laçi, si kryendeshje do të vendosë për skuadrën ndjekëse të Skënderbeut kryesues, Laçin apo Pogradecin. Ndryshime te mbijetesa dhe vazhdimi i kryesimit me “tredhëmbëshin”, këto do ti bëjnë edhe më interesante katër javët e mbetura të Kategorisë së Parë.
KUPA E SHQIPËRISË
Atmosferë e ndezur në mesjavë, 25 trofe në dy gjysmëfinalet
Pasi në fillimin e muajit mars u njohën me shortin e ndeshjeve gjysmfinale në Kupën e Shqipërisë 2025-2026, të mërkurën datë 8 prill 2026, katër skuadra të Superiores do të kërkojnë që ta mbrojnë sezonin në këtë kompeticion që të çon edhe në Europë. Dinamo City-Vllaznia dhe Egnatia-AF Elbasani, janë dy çiftet gjysmëfinalistë që ditën e mërkurë do të sjellin emocionet e këtij trofeu, i dyti për nga rëndësia në futbollin shqiptar. Në historinë e tyre, të katërta këto skuadra janë fituese të Kupës së Shqipërisë, me Dinamon që e ka fituar 14 herë, Vllaznia 7 herë dhe Egnatia me Elbasanin nga 2 herë. Tirana është fituesja e parë e trofeut të Kupës së Shqipërisë në vitin 1939, dhe e fundit është Dinamo në vitin 2025. Pra, në këto gjysmëfinale janë 25 kupa të fituara nga këto katër skuadra. Të dyja çiftet, Dinamo-Vllaznia dhe Egnatia-Elbasani, nuk janë ndeshur asnjëherë në finale mes tyre për trofeun e Kupës, ndërsa në turin e 1/8-va të gjitha këto kanë eliminuar edhe skuadra fituese, si Tirana, Partizani dhe Teuta. Duke ju referuar tabelës së renditjes në Abissnet Superiore në 30 javët e luajtura, të katërta këto skuadra janë në luftë për një vënd në zonën “Final 4”. Ndeshjet e para për të dyja këto sfida, do të luhen të mërkurën e 8 prillit, në ora 18:00.
Ecuria e gjysmëfinalistëve
DINAMO CITY
Turi i 1/8 e finaleve
Dinamo City-Besa 3-0
Turi i 1/4 e finaleve
Tirana-Dinamo C 0-2 0-2
VLLAZNIA
Turi i 1/8 e finaleve
Vllaznia-Pogradeci 1-0
Turi i 1/4 e finaleve
Bylis-Vllaznia 0-1 1-2
Gjysmëfinalet e para/ E mërkurë, 8 prill 2026
Dinamo C-Vllaznia 18:00 Egnatia-AF Elbasani 18:00

Ecuria e gjysmëfinalistëve
EGNATIA
Turi i 1/8 e finaleve
Egnatia-Apolonia 1-0
Turi i 1/4 e finaleve
Teuta-Egnatia 1-2 0-0
AF ELBASANI
Turi i 1/8 e finaleve
Elbasani-Flamurtari 2-1
Turi i 1/4 e finaleve
Elbasani-Partizani 0-1 3-1
Përmbysja në Gjirokastër, me tension dhe kartonë të kuq
Ndeshja e fundit e javës së 29-të të Kategorisë së Parë, F Luftëtari-Besa 2-3, veç 5 golave u përshkrua edhe nga tensioni, që nisi nga bankina gjirokastrite e deri te tifozeria vendase. Kjo ndodhi pasi Çinedu iu drejtua tifozëve pas golit të tij në minutën e 90+2’, e për këtë u ndëshkua me kartonin e kuq. Por kartonët u shoqëruan nga të tjerë në të dy stafet drejtuese, ku ndeshja u ndëpre për disa minuta. Për Luftëtarin, kjo ishte një shpresë e humbur për mbijetesën.

Me 21 gola, dukuri që shton dritëhijet e fundkampionatit
Në ndeshjet e javës së 29-të u shënuan 21 gola, një mesatare me 3.5 gola për ndeshje. Por më shumë se ky numur i lartë i golave të shënuar në një javë të kampionatit, evident është fakti se në këtë fund të tij, dritëhijet e rezultateve po sjellin shumë vibrime në tabelën e renditjes. Besa ngjitet në vëndin e 6-të, zona Play-off, ndërsa AF Luftëtari mbetet në vendin e fundit të renditjes. Dukuri me shumë dritëhije.
KATEGORIA E PARË
SEZONI 2025-2026
Rezultatet-Java 29
E shtunë, 4 prill 2026
Skënderbeu-Iliria 1-0
Laçi-Burreli 3-1
Pogradeci-Kastrioti 5-1
Lushnja-Korabi 2-1
Kukësi-Apolonia 2-0
E dielë, 5 prill 2026
AF Luftëtari-Besa 2-3
RENDITJA
Skuadrat Nd P
1.Skënderbeu 29 70
2.Laçi 29 67
3.Pogradeci 29 64
4.Iliria 29 38
5.Kastrioti 29 36
6.Besa 29 34
7.Burreli 29 33
8.Korabi 29 32
9.Kukësi 29 27
10.Apolonia 29 26
11.Lushnja 29 25
12.AF Luftëtari 29 22






















