Agron Kaja: Dikur shkonim larg në Europë, po sot ku do jemi?

190

VËZHGIM/ Krahasuar me Skënderbeun në grupet e Europa Ligë, sot jemi skeptikë për kualifikime të tilla

Sigal

Agron Kaja

“Kujtojmë Flamurtari-Barcelona 1-0 në vitin 1988, apo Tirana në 2020-2021, që kaloi në turin e tretë të UEFA Europa Ligë. Por kulmi do të arrinte në vitin 2017 kur Skënderbeu luajti ndeshje në Grupe në UEFA Europa Ligë.”

Kur i referohemi historisë së disa prej skuadrave të futbollit shqiptar që kanë luajtur në Europë, natyrisht që nostalgjia për ndeshje të veçanta, e mandej për kualifikime, sot është më shumë sesa një apel. Memorja historike natyrisht që në fillim të çon te skuadrat e mëdha Tirana, Partizani, Dinamo apo Flamurtari, që bënë emër të mirë me paraqitjet e tyre në Europë. Kalimi i një turi ka qenë objektivi primar gjatë kësaj historie, të paktën para vitit 1990, kur edhe transformimet në Shqipëri prekën topkëmbën në të gjithë dinamikën e saj. Dhe kujtojmë Flamurtari-Barcelona 1-0 në vitin 1988, apo Tirana në 2020-2021 që kaloi në turin e tretë të UEFA Europa Ligë, por kulmi do të arrinte në vitin 2017 kur Skënderbeu luajti ndeshje në Grupe në UEFA Europa Ligë, që një vit më pas u dënua për trukim ndeshjesh. E gjithë kjo panoramë në version të shkurtuar, më shumë kërkon që t’i përgjigjemi një pyetje: -Po sot, ku mendohet se do të shkojnë skuadrat e futbollit shqiptar gjatë paraqitjeve në Europë? Kësaj pyetje, ish-futbollisti e trajneri i Dinamos Faruk Sejdini, sot një specialist futbolli, është skeptik duke i quajtur përgatitjet e skuadrave në Europë si aksione me goditje të përqëndruar. Kjo ka qenë një shprehje e rregjimit komunist në Shqipëri, ku në çdo punë kërkoheshin aksione, të cilët cilësinë e kishin si fjalë të huaj.

Përpos nostalgjisë se, dikur shkonim larg në Europë, lind pyetja se: Po sot, ku do jemi? Përgjigjen e kësaj pyetje natyrisht që do ta marrim pas datës 20 korrik kur edhe mbyllet turi i parë eliminator në Ligën e Kampioneve për Partizanin, dhe në Konferencë Ligë për Tiranën, Egnatian e Vllazninë. Duke parë kalendarin e këtyre katër skuadrave, njëherësh edhe deklarimet që ato kanë bërë (të paktën mediatikisht), le të themi fillimisht se ndonjera prej të katërtave edhe mund ta kalojë turin e parë. Partizani duket si i gjunjëzuar para BATE Borisov, dhe më shumë shpreson te turi i dytë në Konferencë Ligë, sepse rregullorja e eliminimit në turin e parë të Ligës së Kampioneve të çon në turin e dytë të Konferencë Ligë. Pra, me Partizanin, Europa duket sa pranë aq edhe larg, ndërsa për Tiranën, skuadra Dinamo Batumi e Gjeorgjisë, në statistika duket e kalueshme, ndërkohë që në mediat sportive dhe kompanitë e basteve nuk e çojnë më shumë se sa barazimi në Elbasan dhe humbje në Gjeorgji. Për Vllazninë, realiteti dhe bastet janë negativë, ndërsa për Egnatian debutuese, duket se rëndësi më shumë do ketë historia e saj, se sa kualifikimi.

Gjithsesi, gjithçka mund të ndodhë për mirë dhe të gjithë këtë do të shpresojmë. Por, sa përputhen realitetet e këtyre skuadrave tona me parashikimet, apo me koefiçientët e kompanive të basteve në Europë? Këtë përgjigje do ta marrim pas datës 20 korrik.

Dinamo bën pazar në Shijak e Rrogozhinë

Ndërsa skuadra si Egnatia dhe Erzeni kanë vijuar punët e tyre në përgatitje dhe organizim për sezonin e ri, Dinamo nuk ka bërë asnjë ditë pushim në organizimin e skuadrës së saj për Abissnet Superiore. Kompletimi me elementë cilësorë ka qenë një nga “sulmet” e fundit drejtuesve dinamovitë, të cilët vetëm dje kanë bërë pazar te Egnatia dhe Erzeni, ku edhe kanë marrë tre futbollistë, që luajtën në Rrogozhinë e Shijak në sezonin e kaluar. Kështu, mesfushori letonez Emsis që luajti me Egnatian sezonin e kaluar, do të veshë fanelën e Dinamos në sezonin e ri. Ndërkohë, sulmuesit Nehar Sadiki e Devid Kapllani, që luajtën me Erzenin, në sezonin e ri bëhen pjesë e skuadrës së Dinamos.

Skuadra e Kukësit nuk ndalet nga “rrjedhjet”

Ditë më parë, në një panoramë të merkatos së verës në Abissnet Superiore, skuadra e Kukësit rezultonte me largime të shumta, dhe shumë pak afrime. Por kjo shifër duket se nuk do të mbetet në vend, pasi vetëm dje është konfirmuar një tjetër largim për skuadrën që do të drejtohet nga Rrahman Hallaçi. Emri i tij është Mirza Delimedjak, mesfushori serb që dje ka bërë prezantimin e tij në një skuadër në Bosnje Hercegovinë te skuadra e Tuzla Siti. Nga Kukësi ai është larguar si një lojtar i lirë dhe për skuadrën boshnjake ka nënshkruar kontratë tre vjeçare. “Jam i lumtur për këtë zgjedhje, sepse kam nënshkruar me një klub, që ka shumë ambicie për sezonin e ri”, është shprehur Delimedjak në prezantimin te Tuzla.

Skuadrat shqiptare në Europë

UEFA Champions Ligë

Turi i parë eliminator

Ndeshja e parë

Datë 11 korrik 2023

Partizani-BATE Borisov 20:45

Stadiumi: AIR Albania

Ndeshja e kthimit

Datë 18 korrik 2023

Konferencë Ligë

Turi parë eliminator

Ndeshjet e para

Datë 13 korrik 2023

Ararat (Arm)-Egnatia     17:00

Tirana-Dinamo Batumi   20:00

Stadiumi: Elbasan Arena

Linfild (Nir)-Vllaznia     20:45

Ndeshjet e kthimit

Datë 20 korrik 2023

Fqinjët e Ballkanit

Skuadra kosovare e maqedonase me trajnerë shqiptarë në Europë

Kampionët me trajnerë shqiptarë, Europa si fjalëkryq! Le të shohim, sepse në futbollin kosovar dhe atë maqedonas, skuadrat kampione respektive drejtohen nga dy trajnerë shqiptarë. FC Ballkani në Kosovë ka trajner Ilir Dajën, ndërsa Struga ka në bankinë Shpëtim Duron. Të dyja do të luajnë në turin e parë eliminator në UEFA Champions Ligë. Duke parë kundërshtarët, Ballkani duket në vështirësi ndaj bullgarëve të Ludogorets, ndërsa Struga ndeshet me një rivale ku futbolli thuajse ka nivele të barabarta. Në UEFA Konferencë Ligë, skuadra kosovare KF Dukagjini drejtohet nga Armend Dallku dhe në letër duket e favorizuar. Ndërkohë që si i barabartë mbetet edhe Gjilani ndaj Progres Niederkorn të Luksemburgut. Në Maqedoninë e Veriut, në raport me kundërshtarët, Shkupi dhe Shkëndija duken me udhëtime jo të vështira në Europë.