Agostineli piketon 5 lojtarë të Superiores: Janë për Serinë A

478
Sigal

Andrea Agostineli e cilëson si shumë pozitive aventurën e tij njëvjeçare në Shqipëri, fillimisht me fanellën e Partizanit e më pas me atë të Skënderbeut, edhe pse pas largimit të tij nga stoli i të dy skuadrave, nuk është ndjerë shumë mungesa e teknikut italian.
Në një intervistë të dhënë për faqen e gazetarit sportiv italian Alfredo Pedulla, Agostineli e ka cilësuar Shqipërinë një vend të vështirë për të arritur rezultate, por që gjithsesi kishte bërë shumë hapa para në krahasim me të kaluarën.
“Ishte një eksperiencë mjaft pozitive, që më ka dhuruar shumë gjëra. Arrita të hyja në një vend të ndryshëm nga i yni, ku nuk është e lehtë për një trajner që vjen nga jashtë të sigurojë rezultate mjaft të rëndësishme. Ndaj e cilësoj veten të kënaqur”, tha ai.
“Ndryshimi mes Italisë dhe Shqipërisë? Qëndron te cilësia. Në Shqipëri futbolli është shumë fizik, ndërsa në Itali është shumë më teknik. Ndërsa në nivelin organizativ, Shqipëria kë bërë hapa gjigand në 5-6 vitet e fundit. Klubet vendase janë mjaft të organizuara, unë kam parë gjëra pozitive nga shumë pikëpamje të ndryshme. Edhe Kombëtarja, e drejtuar në mënyrë të shkëlqyer nga Xhani De Baizi, ka treguar se futbolli shqiptar është në rritje të vazhdueshëm në periudhën e fundit”, tregoi trajneri italian, raporton Panorama.
I pyetur nëse shihte emra futbollistësh shqiptarë të Superiores të cilët mund t’i bashkoheshin klubeve në Serinë A, Agostineli ka treguar të preferuarit e tij.
“Padyshim që ka. Mund të them emrin e ndonjë lojtari që kam pasur kënaqësinë të drejtoja gjatë eksperiencës time. Për shembull Latifi dhe Jashanica të Skënderbeut, dy lojtarë shumë të mirë dhe të rëndësishëm për skena të rëndësishme. Ndërsa te Partizani kishte shumë të rinj mjaft interesantë për të ardhmen si Fili, Ramadani dhe Bardhi”, ishin përzgjedhjet e Agostinelit i cili konfirmoi se ishte në kërkim të një skuadre tjetër, mundësisht në Itali.