Agim Çiraku: Noti mori jetë, pas një viti të vështirë

187
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Presidenti i Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku, vlerëson aktivitetin dhe pjesëmarrjen e gjerë të sportistëve nga mbarë trevat shqipfolëse. 25 ekipe dhe mbi 300 notarë. 10 rekorde kombëtare të thyera.

“Noti mori jetë”. Ky është thelbi i intervistës së presidentit të Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku, dhënë për gazetën “Telegraf”, në përfundim të turneut mbarëkombëtar “Teuta Cup 2021”. Është aktiviteti i parë në pishina të hapura në vend, kjo pas një bllokimi të gjatë, për shkak të Pandemisë Covid-19. E, të paktën dhe sipas Çirakut, kishin nevojë të gjithë për këtë aktivitet, që solli mbi 300 fëmijë në Pishinën e Durrësit. E jo vetëm kaq, por dhe 25 ekipe. Që do të thotë se, të paktën në vendin tonë, ka masivitet në sportet e ujit. Ndaj dhe i pari i sporteve të ujit ndihet mirë me këtë aktivitet, ndërsa sipas tij, nuk ka munguar asgjë dhe gjithçka ka qenë në nivelin më të lartë të organizimit. Kledi Kadiu dhe Nikol Merizaj janë dy përfaqësuesit e Shqipërisë në Tokio, ose ndryshe në Lojërat Olimpike, ndërsa të paktën pritet thyerja e rekordeve dhe përmirësimi i rezultateve të tyre personale. Ja dhe intervista e plotë e presidentit të Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku.

  • Sapo ka përfunduar “Teuta Cup”. Cilësuar ndryshe si turneu mbarëkombëtar. Cili është vlerësimi i parë?
  • Pas një viti pandemie të gjatë dhe bllokimi të sportit mund të them me plot gojën se sporti në Shqipëri rilindi. Një aktivitet i përmasave të mëdha, atje ku ishin 25 skuadra, jo vetëm nga Shqipëria, por dhe Kosova e Maqedonia e Veriut. Një aktivitet, i cili solli në Pishinën e Durrësit mbi 300 fëmijë, që do të thotë se të gjithë kanë nevojë për sport dhe kjo na kënaq më shumë.
  • Cila ishte cilësia e aktivitetit?
  • Po ju them vetëm kaq, se janë dhjetë rekorde të thyera dhe, kuptojeni vetë. Një cilësi shumë e mirë, sepse të gjithë treguan se janë përgatitur dhe kanë bërë një punë të mirë edhe në kushte e pandemisë Covid-19, e cila ishte mbarë botërore dhe që bllokoi të gjithë sportin në vend. Për më tepër na penalizoi neve si not. Por them që tanimë jemi në rrugë të mbarë dhe do të dimë të kemi rezultate më të mira.

  • Çfarë mund të ishte bërë më shumë për ta bërë edhe më të madhërishëm këtë aktivitet?
  • Nuk mendoj se i mungoi gjë. Ishin marrë të gjitha kushtet e organizimit nga klubi shumësportësh Teuta dhe Pishina e Durrësit. Në tre ditë aktivitet, jo vetëm që u garua, por dhe u shtua dhe më shumë bashkëpunimi mes këtyre klubeve. Unë mendoj se kemi nevojë për aktivitete të përbashkëta, sepse rrisim cilësinë e njëri-tjetrit.
  • Ndërkohë jemi thuajse një muaj përpara Lojërave Olimpike “Tokio 2020”. Çfarë prisni nga Kledi Kadiu dhe Nikol Merizaj në këtë Olimpiadë?
  • Ata janë duke u përgatitur për këtë aktivitet madhor të sportit ndërkombëtar, kjo dhe me mbështetjen e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar. Ne presim që si Kledi Kadiu, ashtu dhe Nikol Merizaj, të përmirsojnë rezultatet e tyre dhe të thyejnë rekordet kombëtare në ato disiplina që do të konkurrojnë atje.
  • Së fundi, si do të jetë noti pas këtij turneu mbarëkombëtar?
  • Mendoj se masiviteti na bën që të kemi vazhdimësi në sportet e ujit. E jo vetëm kaq, por rritet dhe cilësia. Kemi nevojë për më shumë shtytje që noti të vazhdojë të marrë jetë, sikurse u arrit me “Teuta Cup 2021”.

Arjan Fetishaj: ‘Tirana’, brenda pritshmërive

‘Tirana’ ishte skuadra e tretë me numrin e medaljeve në total, ndërsa numëroi plot 51. Për kryetrajnerin e kësaj skuadre, Arjan Fetishaj, gjithçka ishte brenda pritshmërive. “Ne kishim mbi 40 sportistë në të gjitha kategoritë, ndërsa numërojmë 26 medalje ari. U dalluan një sërë notarësh që nga Dalvin Elezi, Telma Harshova, Even Qarri, Julia Xhako. Por mos harroni që te ‘Te Stela’, e cila është bashkuar me ‘Eagles’, ishte skuadra që nuk mund të mposhtej lehtë. Megjithatë, ne jemi të kënaqur me pjesëmarrjen, aq më tepër që vinim pas një viti të vështirë pandemie Covid-19. Kështu që kishte rëndësi masiviteti dhe gjithçka e bukur në këtë pjesëmarrje”. Për Fetishajn “Teuta Cup 2021”, ishte dhe si një test përpara Kampionatit Botëror të të rinjve, që do të zhvillohet në Romë. “Ishte si një përzgjedhje për kandidatët, që do të marrin pjesë në këtë Botëror. Dhe besoj se gjendja e tyre ishte e mirë”, ka përfunduar Fetishaj

Sadik Mema: 80 notarë nuk janë pak për një ekip si ‘Te Stela’

Sadik Mema, kryetrajneri i ‘Te Stela’, skuadra që ishte fituese e “Teuta Cup 2021”, shprehet i kënaqur për pjesëmarrjen në këtë aktivitet. “Të kesh 80 notarë në pishinë, nuk është pak për një skuadër si ‘Stela’. Kishim numrin më të madh të medaljeve, sepse ishte puna gjithëvjetore që ne bëjmë. Mos harroni që kemi thyer një sërë rekordesh. Po ju përmend Frenki Voglin, që ishte rekordmen për kategorinë e tij në 50, 100 dhe 200 metra. Kaltra Meça në 800 metra në kategorinë A fëmijë, ndërsa ka përmirësuar me 48 sekonda rekordin e të rejave në1500 metra stil i lirë. Po kështu Liana Muka, dy rekorde në 100 metra stil i lirë dhe 50 metra delfin. Apo Evie Asllanaj, Arla Dyrmishi, e cila ishte sportistja më e mirë për kategorinë e moshës, 2010-2011. Niklas Hoxha, Endi Kola, Paolo Priska, Paulo Andoni. Pra një sërë emrash, që na bëjnë të ndihemi mirë”, thotë Mema, i cili me syrin e specialistit ka vlerësuar dhe cilësinë e aktivitetit. “E rëndësishme – thotë Mema – është se kishte pjesëmarrje. Kishte përmirësime rekordesh. Mos harroni që vijmë pas një mbyllje të gjatë, kurse masiviteti, i bën mirë notit”. Dhe aktiviteti i radhës është Kampionati kombëtar i fëmijëve më 1-2 korrik, atje ku ‘Te Stela’ përsëri pretendon të jetë kampione. Në formë batute, skuadra që nuk po lë trofe në këmbë.

‘Teuta cup 2021’, festa e notit shqiptar

Pjesëmarrje e gjerë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Shpërblime financiare për tre vendet e para, sipas kategorive përkatëse.

Pishina e Durrësit këtë fundjavë ka patur të tjera ngjyra. Që nga e premtja pasdite e deri të dielën vonë, është konkurruar për turneun mbarëkombëtar “Teuta Cup 2021”. 25 ekipe pjesëmarrëse, që ishin ‘Te Stela’, ‘SC Step Prishtinë’, ‘Tirana’, ‘Teuta’, ‘SC Nemo Prishtinë’, ‘SC H2o Prishtinë’, ‘Vllaznia’, ‘MKD’, ‘Partizani’, ‘SC Mitrovica’ Mitrovicë, ‘SC Prishtina’ Prishtinë, ‘KSU Otrila’ Prishtinë, ‘SC Termopan’ Prishtinë, ‘SC Ferizaj’, ‘SC Ilirida’ Fushë-Kosovë, ‘ONIX’, ‘SC Shkolla Zenit’ Prishtinë etj, sollën në pishinën e qytetit bregdetar mbi 300 notarë. Është konkurruar në kategorinë e moshës ‘Open’, më pas për datëlindjen 2003-2004, 2004-2005, 2005-2006, 2006-2007, 2007-2008, 2008-2009, 2009-2010, 2010-2011 dhe 2012 e më të vegjël. Dhjetë rekorde kombëtare të thyera, ndërsa të shtunën e të dielën është konkurruar paradite dhe pasdite për të plotësuar programin e garave, që në fakt ka nisur të premten pasdite me ceremoninë e hapjes. Në këtë aktivitet kanë qenë të pranishëm jo vetëm Presidenti i Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku, dhe i notit kosovar, Astrit Haliti, por dhe qeveritarë të Kosovës, apo dhe zyrtarë të sportit në vend. E rëndësishme ishte se të gjithë ishin fitues, dikush më shumë, e dikush më pak. Por në tërësi, të gjithë u bënë miq e asnjëherë kundërshtarë.

Shpërblimet financiare

Federata Shqiptare e Notit ka treguar dhe shpërblimet financiare për tre vendet e para. Kështu, në Kategorinë A, femra e meshkuj, vendi i parë ka marrë 300 euro, i dyti 200 euro dhe i treti 100 euro. Në kategorinë B vendi i parë, gjithnjë për meshkuj dhe femra, 150 euro. I dyti 100 euro dhe i treti 50 euro. Për Kategorinë C, vendi i parë 100 euro, sikurse ishte dhe për kategorinë D. Kurse për Kategorinë E dhe F, vendi i parë 50 euro. Por përtej këtyre shpërblimeve, rezultatet e arritura dhe medaljet e fituara, ishin një tjetër gëzim për notarët pjesëmarrës në “Teuta Cup 2021”.

Astrit Haliti: Noti kosovar do të ecë përpara

Presidenti i Federatës së Notit të Kosovës: Ne shpresojmë të jemi cilësorë jo vetëm në not, por dhe nga kërcimet nga trampolina e zhytjet në ujë, por edhe në vaterpolo.  E pas katër vitesh të jemi me norma kualifikimi në Olimpiadë.

Astrit Haliti, presidenti i Federatës së Notit të Kosovës, është i kënaqur me pjesëmarrjen në “Teuta Cup 2021”. “Nuk mund ta them numrin e saktë të pjesëmarrjes, por krahasuar me dy edicione më parë ka pasur një bollëk pjesmarrësish. Po kështu, kanë qenë të shumta skuadrat kosovare dhe për këtë, na vjen mirë, sepse kështu shtojmë masivitetin dhe rrisim cilësinë”, thotë Haliti. “Ne nuk prisnim shumë, me përjashtim të përmirësimit të rezultateve. Sigurisht që e ardhmja e notit kosovar do të jetë e mirë, nëse llogarisim përmirësimin e infrastrukturës, ashtu sikurse kemi kërkuar. Dhe noti kosovar do të dallohet dhe në kërcimet nga trampolina, apo zhytjet në ujë. Kështu që jemi në rrugë të mbarë”. Eda Zeqiri dhe Olt Kondirolli do të jenë pjesëmarrësit e Kosovës në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”. “Ne shpresojmë që ata të përmirësojnë rezultatet e tyre dhe të thyejnë rekordet kosovare. Besojmë në paraqitjen e tyre dinjitoze, sepse ata janë notarët më të mirë të Kosovës, për momentin”, ka përfunduar Haliti.

Renditja e përgjithshme ekipore

  • ‘Te Stela’                            113 pikë
  • ‘Sc step Prishtinë                  77 pikë
  • ‘Tirana’                                51 pikë

Sportistët më të mirë individualë – meshkuj, kategoria F

  • Devi Shtaro (‘Teuta’)                                 619 pikë
  • Arbër Hysaj (‘Vllaznia’)                              567 pikë
  • Diell Desku (‘SC Step Prishtinë’)                 504 pikë

Sportistët më të mirë individualë – meshkuj kategoria E

  • Ajdin Loshi (‘Vllaznia’)                839 pikë
  • Juri Kapoli (‘Tirana’)                   815 pikë
  • Lajdi Allaraj (‘Partizani’)             808 pikë

Sportistët më të mirë individualë – meshkuj kategoria D

  • Niklas Hoxha (‘Te Stela’)                   1190 pikë
  • Lir Zeka (‘SC Step Prishtinë’)             1145 pikë
  • Kostandin Llazari (‘Vllaznia’)              1138 pikë

Sportistët  më të mirë individualë – meshkuj kategoria C

  • Mal Gashi (‘Sc step Prishtinë’)           1696 pikë
  • Sofian Sarag (‘Teuta’)                      1684 pikë
  • Alesandro Muka (‘Teuta’)                  1639 pikë

Sportistët më të mirë individualë – meshkuj kategoria B

  • Dalvi Elezi (‘Teuta’)                                        1788 pikë
  • Frenki Vogli (‘Te Stela’)                                  1780 pikë
  • Olt Kondirolli (‘Sc Nemo Prishtinë’)                  1776 pikë

Sportistët më të mirë individualë – meshkuj kategoria ‘Open’

  • Dalvi Elezi (‘Teuta’)                                     1788 pikë
  • Frenki Vogli (‘Te Stela’)                               1780 pikë
  • Olt Kondirolli (‘Sc Nemo Prishtinë’)               1776 pikë

Sportistet më të mira individuale – femra kategoria F

  • Evie Asllanaj (‘Te Stela’)                    439 pikë
  • Amia Bardhoshi (‘Te Stela’)                328 pikë
  • Evita Bujupaj (‘Onix’)                        226 pikë

Sportistet më të mira individuale – femra kategoria D

  • Kaltra Meça (‘Te Stela’)                       1791 pikë
  • Hana Beiqi (‘Sc h2o Prishtinë’)             1605 pikë
  • Liana Muka (‘Te Stela’)                        1471 pikë

Sportistet më të mira individuale – femra kategoria C

  • Jona Beqiri (‘Sc step Prishtinë’)             1715 pikë
  • Erina Idrizaj (‘Sc h2o Prishtinë’)            1571 pikë
  • Vivian Xhemollari (‘Te Stela’)                1542 pikë

Sportistet më të mira individuale – femra kategoria B

  • Eda Zeqiri (‘Sc step Prishtinë’)             1796 pikë
  • Sara Dande (‘Te Stela’)                       1631 pikë
  • Telma Harshova (‘Tirana’)                   1536 pikë

Sportistet më të mira individuale – femra kategoria ‘Open’

  • Eda Zeqiri (‘Sc step Prishtinë’)                1796 pikë
  • Kaltra Meça (‘Te Stela’)                          1791 pikë
  • Jona Beqiri (‘Sc step Prishtinë’)               1715 pikë