Agim Canaj: Rëndësia dhe vlera e Superkupës, të domosdoshme në futbollin tonë

FINALJA/ Egnatia-Dinamo City mbyll vitin 2025 në futbollin shqiptar, flet fituesi i parë Agim Canaj.

Agron KAJA

Sigal

Nga starti i parë i Superkupës së Shqipërisë e deri më 28 dhjetor 2025, numërohen 31 finale të luajtura, ndërsa në 5 raste nuk janë zhvilluar, për arsye të rregullores dhe të situatave. Fituesja e parë është Dinamo në vitin 1989, e cila në ndeshjen e luajtur në 11 janar 1990 fitoi 2-0 ndaj Tiranës. Ndërkohë që fituesja e Superkupës së fundit është Egnatia, e cila më 20 dhjetor 2024 fitoi 2-0 ndaj Kukësit. Dhe një ndër protagonistë të Superkupës në Shqipëri, Agim Canaj, dje për gazetën  “Telegraf” u shpreh se ky është një trofe simbolik, të cilin ai në karrierën e tij si futbollist me Dinamon, ka patur fatin që të fitojë Superkupën e parë në futbollin shqiptar. “Unë mendoj se Superkupa është një moment shumë i mirë në këtë fundviti, një ndeshje përmbyllëse për një trofe sa simbolik, aq edhe të rëndësishëm. Kam patur fatin që në vitin 1989, përbërjen e Dinamos ta fitoj Superkupën e parë në futbollin shqiptar. Atë vit, Dinamo bëri tripletë, sepse fituam Kampionatin, Kupën e Shqipërisë dhe Superkupën. Ka patur disa sezone që kjo Superkupë nuk është luajtur në futbollin shqiptar, por pavarësisht arsyeve, rëndësia dhe vlera e saj mbeten të domosdoshme në futbollin tonë”, kështu e nisi dje bisedën ish-mesfushori e më pas trajneri i Dinamos, Agim Canaj, i cili më pas thksoi se nisur nga çifti Egnatia-Dinamo, do presim një ndeshje të bukur. “U shpreha se Superkupa është një trofe simbolik në kuptimin se ndeshen dy skuadrat më të mira të sezonit, fituesja e kampionatit dhe e Kupës. Nisur nga niveli i Egnatias si kampione e sezonit 2024-2025, dhe e Dinamos si fituese e Kupës së Shqipërisë në atë sezon,  do jetë një ndeshje e bukur, sepse janë dy skuadra që kanë investuar shumë në këtë sezon. Janë skuadra të mirëndrejtuara dhe financiarisht të mbështetura, çka duket në elementët që kanë dhe në lojën që prodhojnë në fushë”. Po cilën skuadër dëshiron Canaj që ta fitojë këtë Superkupë? “Patjetër që dëshiroj Dinamon. Jo vetëm si një dinamovit, por edhe pse Dinamo e këtij sezoni është një nga skuadrat më të mira në futbollin shqiptar, dhe më kompakte. Nuk mendoj se do ndikojë humbja që Egnatia i shkaktoi në kampionat në fazën e dytë”, ishte kjo biseda me specialistin e futbollit Agim Canaj. Egnatia e Dinamo nuk janë ndeshur asnjëherë në Superkupë, ndërsa në dy fazat e para të kampionatit në këtë sezon, Egnatia ka fituar në fazën e parë 1-2, në fazën e dytë kanë dalë barazim 0-0.

FAKTE DHE REALITETE

 

HISTORIA

Fituesi i parë

Dinamo           1989-1990

Finalja, 11 janar 1990

Dinamo-Tirana            2-0

Fituesi i fundit

Egnatia            2023-2024

Finalja, 20 dhjetor 2024

Egnatia-Kukësi           2-0

 

Në foto: Dinamo, fituesja e parë e Superkupës së Shqipërisë, viti 1989

 

NUK ËSHTË LUAJTUR

Viti 1993: Nuk jepet Trofeu, Partizani fiton Kampionatin dhe Kupën.

Viti 1995: Finalja Tirana-Teuta nuk u luajt.

Viti 1996: Nuk jepet Trofeu, Tirana fiton Kampionatin dhe Kupën .

Viti 1997: Finalja Tirana-Partizani nuk u luajt.

Viti 1999: Nuk jepet Trofeu, Tirana fiton kampionatin dhe kupën.

Viti 1999: Nuk jepet Trofeu, fiton kampionatin dhe kupën.

Ndryshimi i datave të zhvillimit të Superkupës

Tri finalet e para të Superkupës së Shqipërisë, të viteve 1989, 1990 dhe 1991 janë zhvilluar në datën 11 janar, pikërisht në atë që konsiderohej si “Festa e Republikës”. Por më pas, nisur nga viti 1992 data ndryshoi dhe Superkupa u  zhvillua përpara fillimit të sezonit. Në dy sezonet e fundit, finalja e Superkupës së Shqipërisë është duke u luajtur në fundin e muajit dhjetor.

Superkupa sot duket më shumë si një test force për Egnatian, e cila në dy sezonet e fundit ka qënë e “gjithë pushtetëshme” në fitimin e trofeve sezonalë. Ndërsa për Dinamon, kjo finale është për lavdinë e saj në kërkim të trofeut të tretë.

FITUESIT NË VITE

Tirana              12 herë

Skënderbeu     3 herë

Partizani          3 herë

Dinamo           2 herë

Teuta               2 herë

Vllaznia           2 herë

Flamurtari        2 herë

Egnatia            1 herë

Kukësi             1 herë

Laçi                 1 herë

Elbasani           1 herë

Besa                1 herë

 

PËRBALLJE DIREKTE

EGNATIA-DINAMO

Ndeshje gjithsej           30

Fitore Egnatia             15

Barazime                     10

Fitore Dinamo             5

Golavarazhi          37:19

 

SUPERKUPA E 32-të

Datë 28 dhjetor 2025

Egnatia-Dinamo C      19:00

(Stadiumi “Air Albania”)

 

Nga starti dhe sot, Supërkupa luhet nga Dinamo tek Dinamo!

Kryesisht pas vitit 1990 kur u lejua lëvizja e lirë e futbollistëve, në finalet e Superkupës së Shqipërisë kanë qënë shpesh edhe trajnerë të huaj, që kanë drejtuar skuadrat shqiptare të futbollit. Por kjo ritmikë në Superkupë ndryshon në dy ekstremet e saj. Sepse në vitin 1989 tek Dinamo ka qënë trajner Bejkush Birçe, ndërkohë që në Superkupën e vitit 2024, tek Egnatia fituese ka qënë Edlir Tetova. Edhe këtë sezon, të dy trajnerët janë shqiptarë: Edlir Tetova tek Egnatia dhe Ilir Daja tek Dinamo. Nga starti dhe sot, Superkupa luhet nga Dinamo tek Dinamo!