Prof. Dr. Qemal Lame: Evropa me strategjinë e sigurisë

Ndryshimet drastike gjeopolitike dhe gjeostrategjike, rendi i ri botëror shumëpolar dhe lufta në Ukrainë kanë pasoja të rëndësishme për marrëdhëniet ndërkombëtare, sigurinë dhe paqen e brishtë, e cila kërcënohet gjithnjë e më shumë nga interesat e njeanëshme të superfuqive në konkurrencën e tyre për pushtet, sfera ndikimi dhe zotërime territoriale – madje edhe përmes ndryshimeve kufitare duke përdorur forcën ushtarake.

SHBA nuk do të jetë mbështetja kryesore e mbrojtjes evropiane pas vitit 2027

Sigal

Evropa nuk do të mbështetet në të ardhmen e afërt nga SHBA. Ky është një vendim i njohur dhe i qartësuar nga vetë Presidenti Donald Trump. Këtë e dëshmojnë edhe publikimi i fundit i strategjisë së re të sigurisë së SHBA-së dhe mbështetja e SHBA-së për pozicionet ruse në luftën për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Ndërsa strategjia e sigurisë nuk e vë në dyshim anëtarësimin e SHBA-së në NATO, dokumenti thotë, për shembull, se ditët kur Shtetet e Bashkuara “mbështetën të gjithë rendin botëror si Atlas” kanë mbaruar. Motoja është “Amerika e Para” – SHBA-ja vjen e para.

BE-së i duhet një strategji e re sigurie dhe një ushtri evropiane

Bashkimi Evropian duhet t’i përgjigjet braktisjes së Evropës nga Uashingtoni me një strategji të re sigurie. Viti 2025 është një vit vendimtar në histori, siç demonstrohet nga strategjia e sigurisë e Donald Trump.

Evropa qëndron e ekspozuar në një botë të ftohtë plot stuhi e ciklone që kërcënojnë ekzistencën e bashkësisë nga brenda nga grupimet ultranacionaliste që duan të vinë në pushtet e të realizojnë ndarjen, si dhe nga jashtë me shpërbërjen me mbështetjen që u bëhet për këtë qëllim të djathtës ekstreme. Ekziston vetëm një pasojë e mundshme. Ne duhet të ndalojmë së formësuari politikat tona bazuar në dokumentet e Uashingtonit. Edhe pas Trump, asnjë administratë amerikane nuk do t’i zgjidhë problemet ekzistenciale evropiane. BE me marrëveshje të gjerë të gjithë shteteve të saj është e domosdoshme të shkruajmë strategjinë e sigurisë evropiane, të rivlerësojmë arkitekturën e Evropës së Re dhe më në fund të veprojmë me besim dhe guxim për të sotmen dhe të ardhmen më të sigurtë për gjithë kontinentin.

BE ka nevojë për përparim të konsiderueshëm në ndërtimin e një shtylle të sigurtë mbrojtëse evropiane. Në reflektim të analizës nga Lufta në Ukrainë, është e mundëshme janë të gjitha mundësitë për masa të shpejta e konkretisht në prokurimin e përbashkët të armatimeve dhe ndërtimin e një muri evropian kundër dronëve. Në këtë sfidë të përbashkët, po veprohet në drejtimin e duhur, por jo mjaftueshëm shpejt. BE po bën përparime të dukshme.

Problem themelor mbeten bindja e politikanëve udhëheqës dhe marrja e vendimeve të guximshme për hapa shumë më të mëdhenj drejt një ushtrie evropiane. Një shtet, supershtet apo bashkësi nuk arrin të ketë pushtetin e domosdoshëm pa Forcat e Armatosura. Fuqia ushtarake është edhe ndikimi në politikën e jashtëme dhe sidomos në përballjen me shtetet e tjera në raste krizash, lufte apo arritjen e marërveshjeve për paqe. Bisedimet e SHBA me Rusinë për planin e paqes në Ukrainë, pa BE dhe shtetet e saj më të fuqishme, tregojnë edhe mosvlerësimin e saj e fuqinë e pamjaftueshme për mbrojtjen e interesave evropaine për ndalimin e luftës barbare që po zhvillohet në Evropë.

Evropa e ardhshme si një fuqi gjepolitike dhe gjeostrategjike nuk mund të funksionojë e të pranohet ndërkombëtarisht pa një ushtri që të garantojë pavarësinë në mbrojtjen e saj. Pozitive është bindja se ushtria evropiane është e nevojshme dhe do të jetë pjesë përbërëse dhe mbështetje e fuqishme e NATO-s.

Shefi i NATO-s: Rutte e konsideron të panevojshme mbrojtjen autonome të BE-së

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, në një intervistë të dhënë për median gjermane, sot më 26.12.2025, beson se, pavarësisht kursit aktual të administratës së Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, BE-ja nuk ka nevojë të bëhet plotësisht e pavarur nga Shtetet e Bashkuara për çështjet e mbrojtjes. SHBA-të presin që Evropa të marrë më shumë përgjegjësi dhe të shpenzojë më shumë para për mbrojtjen, tha Rutte në një intervistë me Agjencinë Gjermane të Shtypit. Në fund të fundit, megjithatë, bëhet fjalë për ta bërë këtë së bashku me SHBA-në. SHBA-të qëndrojnë plotësisht në mbështetje të NATO-s dhe do të mbeten në aleancë dhe në Evropë.

Rutte iu përgjigj me këto fjalë pyetjes nëse ndante pikëpamjen e politikanit të CSU-së, Manfred Weber, mbi situatën aktuale. Kryetari i Partisë Popullore Evropiane (PPE) kishte bërë thirrje së fundmi që BE të zgjerohej në një NATO evropiane, duke argumentuar se SHBA-të nuk mund të mbështeteshin më pa kushte.

Rutte tani tha se e vlerësonte shumë Manfred Weber. Megjithatë, për këtë çështje, ai kishte një perspektivë disi të ndryshme. “Jam absolutisht i bindur se SHBA-të e mbështesin plotësisht NATO-n. Nuk ka dyshim për këtë,” deklaroi ai.

Ish-kryeministri holandez iu referua gjithashtu samitit të NATO-s në Hagë në verë, në të cilin të gjithë aleatët u zotuan të rrisnin shpenzimet e tyre të mbrojtjes në pesë përqind të produktit të tyre të brendshëm bruto deri në vitin 2035. “Unë besoj se kjo mbetet një nga arritjet më të mëdha të politikës së jashtme të Presidentit Trump deri më sot,” tha ai.

Britania e Madhe, Norvegjia dhe Kanadaja janë gjithashtu anëtarë të NATO-s

Rutte theksoi gjithashtu se NATO nuk përbëhet vetëm nga SHBA-të dhe shtetet anëtare të BE-së. “Kur bëhet fjalë për Evropën dhe NATO-n, është më shumë sesa vetëm BE,” tha ai. BE-ja është shumë e rëndësishme. Por nëse shikoni produktin e përgjithshëm bruto të brendshëm, 23 shtetet anëtare të BE-së brenda NATO-s përbëjnë vetëm rreth një të katërtën e prodhimit të përgjithshëm ekonomik të NATO-s. “75 përqind është ende jashtë BE-së”, tha Rutte, duke iu referuar anëtarëve të NATO-s si Britania e Madhe, Norvegjia, Kanadaja dhe gjithashtu SHBA-ja.

Reformimi dhe forcimi i BE-së

Evropa mbetet e vetme me distancimin e SHBA. Nuk është asgjë e re që Europa duhet të veprojë përballë kërcënimeve ushtarake, pasigurive strategjike dhe ndryshimeve të thella demografike, teknologjike dhe mjedisore. Por nëse e marrim seriozisht Strategjinë e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Evropa përballet me “asgjësimin e saj civilizues”. Ky është një gjuhë drastike që e detyron Evropën të mbrojë veten dhe të zhvillohet me përparësi.

Tre propozime konkrete:

Së pari, është koha e duhur për të çliruar politikën e jashtme të BE-së nga letargjia e parimit të unanimitetit. Nëse jo të 27 shtetet anëtare bien dakord se ka ardhur koha për veprim, ideja e “Evropës bërthamore” ofron një zgjidhje: një grup pionier për të çuar përpara integrimin. Një grup i tillë mund të demonstrojë se është e mundur të flitet me një zë. Kjo jo vetëm që do t’i dërgonte një sinjal të fortë Uashingtonit, por edhe pikërisht mesazhin e duhur Moskës dhe Pekinit. Për më tepër, mund të nxisë një nivel të ri të bashkëpunimit ndërkufitar, veçanërisht në sektorin e teknologjisë.

Propozimi i dytë ka të bëjë me gatishmërinë për të mbrojtur Evropën përtej kornizës institucionale të BE-së. Kjo duhet të përfshijë Mbretërinë e Bashkuar, si dhe partnerë të tjerë të NATO-s dhe BE-së që janë të gatshëm dhe të aftë të marrin pjesë në një “koalicion të të vullnetshmëve”. Ky rreth joformal udhëheqës mund të ndërtohet mbi BE-3 ose mbi grupin e krerëve të shteteve dhe qeverive evropiane që u takuan në Shtëpinë e Bardhë në gusht.

Supershteti federal evropian është së treti, por në fakt propozimi i parë, që garanton të ardhmen e kontinetit dhe të gjithë shteteve që kanë e ruajnë vlerat evropiane dhe detyrohen të realizojnë vullnetin e përbashkët të popujve të tyre për zhvillim e mirëqënie me garanci e siguri dhe në paqe e miqësi me vetveten dhe shtetet e popujt e tjerë të botës.