2014-a, vit i artë për futbollistët e Kombëtares shqiptare

521
Sigal

Një vit i artë ishte 2014-a për futbollin përfaqësues të kombit, ku Kombëtarja jonë përveç se u shfaq e fortë si ekip, vazhdon që edhe nëpërmjet individëve të saj të shfaqet e tillë, ku nuk kanë munguar performancat e vazhdueshme pozitive të tyre që si pasojë kanë vetëm arritje të mëdha, që shkojnë deri në aktivizimin e skuadrave më me emër. Lajmi me i fundit që vjen është padyshim transferimi i Bekim Balaj në kampionatin kroat tek skuadra e Rijeka, duke lënë atë çek me skuadrën e Slavias së Pragës. Një lëvizje e tillë sigurisht që është një hap përpara në karrierën e të riut shqiptar, ku sigurisht synimi mund të jetë edhe për më lart. Sa i takon futbollistëve të tjerë, mund të përmendim se së fundmi, Ermir Lenjani u bashkua me ekipin e Renes në Francë, ku edhe pse është në vendin e tetë të renditjes, përsëri është një nga ekipet që ka treguar një formë të mirë deh aktivizimi i Lenjanit këtu do të thotë një rritje në nivelin e tij si futbollist, por duke mos anashkaluar edhe faktin se edhe skuadra franceze përfiton shumë nga shërbimet e njeriut “gol” ndaj Danimarkës. Por tjetër “bum” i futbollit shqiptar mban emrin e Lilës, që në heshtje të plotë bëri një kalim tek Parma, duke shtuar edhe një tjetër futbollist në SerieA, ku në fakt militojnë shumë nga legjionarët tanë. Kalimi i kavajasit në Itali nga skuadra greke flet shumë për vlerat e tij si futbollist dhe faktin se të gjithë lojtarët shqiptarë e kanë mundësinë të ecin, mjafton vetëm puna dhe vullneti, ashtu siç e tregon dhe vetë Lila. E duke vazhduar më tej, ç’mund të thuash më shumë se çfarë është thënë për Elseid Hysaj dhe Gashin e Bazelit. Të futbollistë që këtë vit kanë pasur një shpërthim, ku 20 vjeçari që aktivizohet në Itali ka realisht shanse të shkojë e të luajë në Torino, por jo tek Torinoja por tek Juventus, e diçka e tillë është reale, po aq sa janë reale edhe zërat se Juventus ka shprehur pëlqimin për këtë futbollist. Sa për Gashin, jo më kot është futbollisti shqiptar më me “peshë” sa i përket vlerës në treg, duke u bërë një faktor tek skuadra e tij, Bazeli, që ia doli të kualifikohej në fazën e 16-të më të mirave në Ligën e Kampioneve. Ecuria e këtyre dhe të tjerë futbollistëve ka bërë që pjesa përbërëse e skuadrës në tërësi të jetë më e fortë dhe sigurisht të japë një shpresë për më të mirën e futbollit të Kombëtares, ku synimi fillestar dhe më madhori tani për tani, është kualifikimi në Euro 2016 në Francë e kështu si po vijohet, duket se drejtë asaj rruge po shkohet

Skuadra e vitit 2014, mbizotërojnë gjermanët

 Dje u shpall formacioni i vitit 2014, ku morën pjesë votuesit nga mbarë bota, për të cilësuar 11-shen më të mirë në çdo pozicion. Duke filluar që nga portieri, padyshim që më i vlerësuari dhe më i votuari do ishte Manuel Neuer që është edhe një nga tre kandidatët për Topin e Artë 2014, ndërkohë që në mbrojtje janë votuar më së shumti Serxho Ramos, Philipp Lahm, David Alaba, Diego Godin. Në mesfushë nuk mund të mungonte prania e Toni Kroos, Arjen Robben, Angel Di Maria. Sa i përket sulmit, dy kandidatët për Topin e Artë, Cristiano Ronaldo dhe Leo Messi bashkëshoqërohen në këtë votim nga Zlatan Ibrahimovic, duke e plotësuar edhe për 2014-ën formacionin më elitar në futboll. Bajerni i Mynihut për klube është skuadra që ka më shumë përfaqësues, me 4 të tillë, nuk ngelet pas as Reali i Madridit që ka 3 përfaqësues, Atletiko Madrid ka një përfaqësues, po aq sa Mançester Junajtid dhe Barcelona.

Taulant Xhaka zgjat kontratën me Bazelin deri në 2018-ën

 Futbollisti i Kombëtares shqiptare, Taulant Xhaka, ka zgjatur kontratën me Bazelin deri në vitin 2018-ë, duke vazhduar të jetë pjesë e kësaj skuadre edhe për tre vite të tjera. Paraqitjet e mira që ka bërë Xhaka kanë sjellë garanci në skuadrën zvicerane, ku ndeshjet e tij të mira kanë ndikuar pozitivisht edhe në ecurinë e skuadrës si në kampionatin vendas ashtu edhe në Ligën e Kampioneve. Në skuadrën e Bazelit, Xhaka nuk është i vetmi futbollist që aktivizohet për Kombëtaren shqiptare, pasi është edhe Shkëlzen Gashi

Dinamo shfaqet në merkato, blerje për rikthimin në Superligë

 Duket se nga të gjitha skuadrat në grupin B të Kategorisë së Parë, është Dinamo ajo që po punon më së shumti që të marrë në ekip futbollistë sa më cilësor në mënyrë që të jenë më të përgatitur në fazën e dytë të kampionatit, ku siç edhe kanë pretendimet e tyre, nuk duan të llogarisin as Lushnjën dhe as Sopotit që aktualisht janë skuadrat që qëndrojnë më afër në renditje, me lushnjarët që kanë mbyllur 2014-ën në vendin e parë. Largimi i Igli Allmuçës nga Kukësi i bëri një nder skuadrës dinamovite që nuk ngurroi që ta merrte në skuadër, e një futbollist me cilësitë e tij dhe me përvojën që ka, sigurisht që nuk mund të lihej i lirë, kur mundësia ishte që të përfitoje nga shërbimet e tij. Por nuk kanë ngurruar tiranasit që pas Allmuçës të sillnin edhe një tjetër futbollist, për tu bërë siç duket “të frikshëm” në grupin e tyre. Daniel Xhafaj është zyrtarizimi më i fundit i bërë nga ekipi kryeqytetas që siç duket, pak e nga pak po e stabilizojnë skuadrën që të jetë gati jo vetëm në fitoren e titullit, por edhe në vazhdimësinë pozitive të mëtejshme, nëse ia dalin të kalojnë në Superligë.