11 pikë diferencë pas 29 javësh, e pamundur që Interi të gabojë

198
Sigal

Derisa matematika ta konfirmojë tek Interi fjala “titull kampion” është e ndaluar. Besëtytnia është e madhe, sidomos në një maniak të punës siç është mbi të gjithë Antonio Konte, por ndoshta edhe ndonjë prej liderëve të fushës së skuadrës së tij. Prandaj, për të mbajtur disi më të qetë dhe për të ulur ndoshta presionin në radhët e zikaltërve, “Gazzetta dello Sport” ka bërë një studim mbi kampionatet kur Seria A ka pasur 20 skuadra (nga sezoni 2004-2005 e në vazhdim), por nuk ka gjetur asnjë precedent në të cilin kryesuesja ka pasur 11 pikë nga ndjekësja më e afërt, pas 29 javëve të para.

Por, duke lënë menjanë avantazhin madhështor të Interit, e përditshmja prestigjioze ka marrë tri shembujt më flagrantë, kur kryesuesja ka humbur titullin, pas javës së 29-të. Rasti i parë është ai i sezonit 2011-2012, kur Milani i cili kryesonte me +4 pikë ndaj Juves, në fund e pa veten të parakalohej nga bardhezinjtë që drejtoheshin pikërisht nga Antonio Konte. Duke zgjeruar horizontin, në sezonin 1998-1999, Milani bënte përmbysjen e çmendur, duke parakaluar Lacion, i cili kryesonte me 7 pikë kur kishin mbetur 7 ndeshje nga fundi.

Akoma më e hidhur ka qenë përmbysja e pësuar nga Juventusi në dëm të Lacios, në sezonin 1999-2000, kur pas 26 javësh kishte 9 pikë avantazh, por në fund, në pellgjet e ujit të Peruxhas u dhuronte kryeqytetasve trofeun. Shkurt, nuk ka shanse që me 11 pikë avantazh pas 29 javësh Interi të mos ngrejë titullin.