Kryetari i Shoqatës “Labëria”, Agim Çiraku evidentoi se si Vajza e Vlorës, fshati i Ali Asllanit shndërrohet në një qendër të rëndësishme kulturore, artistike dhe turistike. Sot si lab, si vlonjat dhe si Kryetar i Shoqatës Labëria “Nderi i Kombit” ndihem i vlerësuar dhe i nderuar që marr pjesë në një festë të tillë. Ndihem i mrekulluar pasi, kur miqte e mi, tashmë te mirënjohurit, z. Sokol Sadushi dhe Kryetari i Bashkise Selenice Z. Netil Bellaj më dërguan ftesën dhe pashë programin ngela i befasur. Tri ditë festë në një fshat të vogël. Tri ditë festë me një program të ngjeshur artistik me shfaqje të filmave artistik e dokumentar, një shfaqje teatrore, biseda me aktorë e regjizorët , recitime të disa poezive të Ali Asllanit, ekspozime të pikturave të disa piktorëve vlonjat, këngë polifonike të grupeve të fshatit, të zonës, si edhe të një grupi nga arbëreshët e Italisë, një shfaqje teatrore për fëmijë, etj, përbëjnë një ansambël ndërkombëtar që nuk mund ta organizojë asnjë parti, asnjë organizatë dhe asnjë shoqatë veç ajo e Labërisë dhe Bashkia Selenicës. Sa hyra në Vajzë më bëri përshtypje zbukurimi i fshatit. Nga fillimi në fund dukesh sikur shikon një nuse të bukur Labërie në ditën e dasmës. Kjo tregon se tashmë është krijuar një traditë e mirë që në çdo fundgushti, Vajza e Vlorës, fshati i Ali Asllanit shndërrohet në një qendër të rëndësishme kulturore, artistike dhe turistike. Jashtë politizimeve e dashuruar me vendin, traditat, Vajza këto ditë ka në gjirin e saj dhe artistët më të mirë shqiptarë që do të kishte dëshirë t’i kishte mes tyre çdo qytet apo fshat. Ndodh rrallë t’i takosh dhe në Tiranë figura të tilla si Mevlan Shanaj, Yllka Mujo, Piro Milkani, Marjeta Ljarja, Ndriçim Xhepa, Kristaq Skrami, Agron Dine, Edmond Kojani, Engjëll Dine, Helidon Haliti. Vajza, ky emër kaq i bukur që të kujton bukurinë njerëzore dhe ripërtëritjen e jetës po aq dhe legjenda e vendosjes së emrit. Por më shumë Vajza kujtohet e nderohet për njerëzit e saj, për diturinë, trimërinë, bujarinë dhe traditat e veçanta.
“/Fshat o fshati im i bukur/, fshati im hane, hane, / fshati që s’paska një të dytë,/ në këtë mavri jallane.”/ Janë vargjet e të pavdekshmit Ali Asllani, djali i fshatit Vajzë që i ka shkruar vendlindjes, dhe fshati ia ka vënë portretin dhe poezinë në ballë të vendit. Kur lexon Ali Asllanin fshati Vajzë, të vjen parasysh fshati barikadave, rrëzë Beunit historik, në malin“Tartar”, ku në këto male mban të shënuar në historinë e vet ngjarje dhe data historike, bij që i kanë dhënë e lënë vepër e emër, jo vetëm këtij fshati, por edhe historisë së vendit…
Ali Asllani dhe Perlat Rexhepi janë dy emrat që e kanë lartësuar shumë Vajzën, por edhe Shqipërinë. Kalimtarët ndalin qëndrimin dhe marrin qëndrim nderimi përballë dy figurave të ndritura të Labërisë, Vlorës dhe të vendit, pendëartit; Ali Asllani dhe pushkëndriturit, Perlat Rexhepi. Vajza është fshati i 22 dëshmorëve si rrallë kush në Shqipëri. Në këtë vend trimat janë mëkuar me qumështin e nënës për atdhedashuri. Ndërtuar mbi dy mijë vjet me parë në shpatin perëndimor të malit te Beunit. Fshatarët e Vajzës, bashkë me themelet i dhanë besën atdheut se do japin jetën për të. Fshatarët e vajzës kanë marrë pjesë në shumë luftime historike për mbrojtjen e Atdheut. Në luftën kundër grekëve në Kuç e Bolenë, kanë marrë pjesë mbi 15 vetë. Fshati i Vajzës ka dhënë edhe shumë ndihma në luftën e 1913-1914, si dhe ka strehuar një numër muhaxhirësh nga fshatrat e Kurveleshit. Populli i Vajzës ka meritë të veçantë për mbledhjen që u bë në Beun në ëaj të vitit 1920. Në këtë mbledhje morën pjesë edhe patriotë nga Vajza si Rexhep Sulejmani, Kalo Veselaj, Muhamet Meska, Shako Nazaj e Sadik Brahimaj. Historia e Vajzës është e Artë. Nga gjiri i saj kanë dalë intelektualë që kanë lartësuar jo vetëm emrin e saj, por edhe të Labërisë dhe të Shqipërisë. Vetëm nga programi i këtyre tre ditëve shikon se si po i ruan traditat ky fshat magjik. Ruan kostumet popullore, këngën e famshme labe, gatimet tradicionale, veglat muzikore tradicionale, ruan gjuhën e bukur shqipe dhe flamurin kuq e zi…
Ti gëzoni këto tri ditë feste miqtë e mi. Ju me këtë festë po i tregoni Labërisë dhe Shqipërisë se aty ku ka vullnet të mirë, ku ka dëshirë të mirë, ku ka organizim të mirë, mund të ndërtohen ura lidhëse që forcojnë atdhedashurinë dhe ruajnë traditat e të parëve tanë. Edhe njëherë gëzuar dhe vazhdoftë në shekuj kjo traditë e shkëlqyer.























