Gazeta TELEGRAF
Profesori dhe pedagogu i drejtësisë shqiptare Ismet Elezi sot më 5 prill, mbush 103 vjeç. Është kënaqësi dhe privilegj i veçantë që kemi midis nesh një dijetar, shkencëtar, pedagog, mik të shtypit dhe medias, bashkëpunëtor të palodhur e modest në kërkesa, por me kontribute të jashtëzakonshme në themelimin, zhvillimin dhe konsolidimin e shkencës të së Drejtës në përgjithësi dhe të së Drejtës Penale në veçanti në Republikën e Shqipërisë. Profesori Ismet Elezi, ka vlera për punën e gjatë dhe të palodhshme pedagogjike e shkencore, shërbimin publik për qeverinë, formimin e mbi gjashtë dekadave të juristëve, botimet e shumta të teksteve universitare, veprave shkencore që do të vlejnë gjithmonë për drejtësinë shqiptare dhe Kanunin e Labërisë që do t’i vlejë brezave të ardhshëm të shoqërisë.
Profili profesional, arsimimi dhe titujt shkencorë.
Profesori Ismet Elezi, ka kontribute në lëndët “E Drejta Penale e Posaçme”; “E Drejta Penale e Përgjithshme; “E Drejta Proceduriale Penale”; “E Drejta Administrative”; “E Drejta Kushtetuese”, etj. Ka qenë oponent dhe draftues i legjislacionit shqiptar, pedagog universitar dhe pasuniversitar, këshilltar ligjor i qeverive shqiptare para dhe pas vitit 1990 dhe libërshkrues shkencor i pashtershëm i të Drejtës. Mësimet e para i ka marrë në vendlindje fshati Fterë dhe në fshatin Piqeras të Sarandës. Në vitin 1942 ka kryer Liceun e Tiranës me rezultate të larta. Gjithashtu, në vitin 1942 ka fituar konkursin për të drejtë studimi në Firence të Italisë në Fakultetin e Letërsi-Filozofisë ku ka mbaruar vitin e parë me notën 29 kur nota maksimale ishte 30. Pas përfundimit të vitit të parë nuk u kthye për vazhdimin e studimeve për shkak se u përfshi në Luftën Nacionalçlirimtare me rininë antifashiste të fshatit. Gjatë periudhës tetor 1946 deri në korrik 1951 përfundon studimet universitare në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Leningradit (sot St. Petersburg) Rusi, ku diplomohet “Jurist” me diplomë të shkëlqyer (Otlitcno). Në vijim, gjatë viteve 1957-1960, shkon përsëri po në atë Fakultet pranë katedrës penale për kualifikim pasuniversitar për gradë shkencore, ku mbron disertacionin në dhjetor të vitit 1960. Mbrojtja përfundimtare e disertacionit është bërë në Këshillin Shkencor të Universitetit të Tiranës dhe i jepet grada shkencore “Kandidat i Shkencave”. Kjo gradë është miratuar në vitin 1961 nga Komisioni i Lartë i Atestimit në Ministrinë e Arësimit. Në vijim ka marrë titullin “Bashkëpuntor i vjetër shkencor” në Institutin e Shkencave dhe titullin “Docent” në Universitetin e Tiranës. Në vitin 1972 merr titullin “Profesor” për kontribute të veçanta.
Veprimtari pedagogjike. Profesori ka zhvilluar veprimtari pedagogjike për më shumë se 60 vjet në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës. Në vitet 1952-1956 ka dhënë leksione për bazat e Shtetit dhe të së Drejtës në Institutin e Lartë Ekonomik, për të cilën botoi edhe tekstin përkatës. Nga viti 1972 por edhe pas shpalljes së pavarësisë të Kosovës, ka dhënë leksione në Fakultetin Juridik të Prishtinës. Që nga krijimi i Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 1957, ka dhënë kryesisht lëndën e së Drejtës Penale të Posaçme dhe të Përgjithshme, por edhe lëndë të tjera të së drejtës, për studentët e ditës dhe të korrespondencës. Ka udhëhequr pedagogët dhe anëtarët e katedrës penale të Fakultetit të Drejtësisë për marrjen e gradave e të titujve shkencorë, juristë, diploma studentësh, masterash e doktoratura deri në fund të vitit 2013. Ka dhënë leksione në Shkollën e Magjistraturës dhe në disa universitete private të çelura pas vitit 1990.
Veprimtari shkencore. Profesori ka kryer punë kërkimore-shkencore për më shumë se 70 vjet. Ka botuar mbi 400 shkrime në shërbim të kulturës juridike shqiptare. Nga këto shkrime vlen të përmenden 14 tekste universitare, 27 vepra shkencore, 16 libra të tjerë me bashkautorë, artikuj, referate, kumtesa, etj. Veprimtarinë shkencore e ka zhvilluar kryesisht në dy fusha kryesore të shkencës të së Drejtës në Shqipëri:
- E Drejta Penale Shqiptare;
- E Drejta Zakonore Shqiptare.
Botimet kryesore shkencore janë: “E Drejta Penale, pjesa e posaçme”, botuar mbi 14 herë me ripunime të vazhdueshme gjatë dhjetëvjeçarëve të zhvillimit gjysëmshekullor të legjislacionit penal shqiptar. Monografitë kryesore shkencore janë: “Mbrojtja juridike penale e jetës së njeriut në Shqipëri”; “E drejta zakonore penale e shqiptarëve” vlerësuar me çmimin e Republikës të shkallës së dytë; “E drejta zakonore e Labërisë”; “Zhvillimi i legjislacionit penal”; “Kanuni i Labërisë”; “Mendimi juridik shqiptar” etj, etj.
Vlerësime ndërkombëtare e kombëtare. Qendra Ndërkombëtare e Biografive në Kembrixh (Angli) në vitin 1998 e ka shpallur “Njeriu Ndërkombëtar në Shkencë”. Shoqata Ndërkombëtare e Penalistëve me qendër në Paris (Francë) e ka shpallur “Kryetar Nderi i grupit të Penalistëve në Shqipëri e në Kosovë”. Fakulteti Juridik në Prishtinë i ka dhënë Medaljen e Mirënjohjes për merita të veçanta. Kolegji Gjilan-Prishtinë i ka dhënë titullin “Doctor Honoris Causa”. Kolegji Evropian-Prishtinë i ka dhënë çmimin e ekselencës. Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë i ka dhënë medaljen “Nderi i Akademisë së Shkencave”. Ka certifikata të mirënjohjes nga disa institucione dhe shoqata të ndryshme.
Funksione publike. Profesor Ismet Elezi ka kryer funksione të rëndësishme publike brenda kuadrit të profesionit të tij në degën e kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë gjatë periudhës 1951-1952, të prokurorit te kasacionit pranë Gjykatës së Lartë për krime ordinere 1952-1955. Ka qenë sekretar shkencor i Institutit të Shkencave në vitet 1955-1957 dhe sekretar shkencor i Universitetit të Tiranës që nga krijimi i tij gjatë periudhës së viteve 1957-1966. Nga viti 1966 deri në vitin 1985 ka kryer detyrën e “Kryetarit të Byrosë Juridike” në Këshillin e Ministrave. Ka dhënë kontribut të veçantë në fushën e ligj bërjes të legjislacionit të përgjithshëm shqiptar dhe posaçërisht për ligjin penal duke filluar me Kodin Penal të viteve 1952 e 1967 deri në reformën e vitit 2001, pjesëmarrës në reformën kushtetuese të vitit 1966 dhe në vijim. Mbas qershorit të vitit 1985 kur ndërpreu marrëdhëniet e punës me Këshillin e Ministrave, iu përkushtua tërësisht shkencës shkruese dhe pedagogjisë mësimdhënëse në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës si dhe draftimit të “Kanunit të Labërisë”. Për hartimin e këtij “Kanuni” ka punuar mbi 30 vjet të jetës së tij akademike. Kanuni është botuar në vitin 2006 dhe do të shërbejë edhe për shekujt e ardhshëm të Shqipërisë si një vlerë e shtuar në të Drejtën tonë Zakonore. Presidenti i Republikës së Kosovës Zoti Hashim Thaçi, e ka dekoruar me: “Medalja Presidenciale e Meritave për kontributin e dhënë në fushën e shkencës”.
Dr. Ina Zhupa uron Prof. Dr. Ismet Elezi, ikonën e Fterrës dhe nderin e “Labërisë” në 103 vjetorin e lindjes


Si deputete dhe si vajzë e Fterrës, uroj nga zemra Prof. Ismet Elezin në këtë ditë të veçantë të lindjes, shëndet dhe mirësi në jetën tuaj Profesor! Gjithashtu në këtë ditë të veçantë do të sugjeroja që vlerësimi më i përshtatshëm për prof. Ismet Elezin do të ishte ‘Dekorata e Flamurit Kombëtar’ që u jepet personaliteteve për merita të jashtëzakonshme për lartësimin e shtetit dhe të kombit shqiptar, pasi në këto 30 vite demokraci, askush nuk është kujtuar për vlerësimin e tij. Prof. Ismeti, është modeli i intelektualit të pashëmbullt, themeluesit të ndërtimit të shtetit të së drejtës, mbrojtës i kulturës, traditës, gjuhës, prejardhjes dhe historisë shqiptare, ekspertit të procesit të ligjbërjes dhe si veprimtar aktiv në sistemin e drejtësisë. Edhe 100 Profesor !