Urdhëri i Pavarësisë së Kosovës/ Presidenti Thaçi i dorëzon Prof. Dr. Anastas Angjeli, ish-ministër i Financave dekoratën e 20-vjetorit të Çlirimit

807
Sigal

Presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi dekoron personalitete mbarëshqiptare

 

Presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi organizoi një ceremoni dekorimi me rastin e 20 vjetorit të çlirimit të Republikës së Kosovës. Institucione të Republikës së Shqipërisë, personalitete, akademikë përfaqësues të shoqërisë civile, ish-pjesëmarrës dhe përkrahës të drejtpërdrejtë të luftës çlirimtare, të cilët dhanë një kontribut të çmuar dhe të veçantë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës,  u dekoruan nga Presidenti Hashim Thaçi. Në mes tyre ishte dhe Akademik, Prof. Dr. Anastas Angjeli, themelues i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, i cili u dekorua me Urdhrin e Pavarësisë së Kosovës. Ky urdhër u jepet personave  që kanë dhënë kontribut të lartë në pavarësinë e Kosovës.

Kontributi patriotik i Prof. Dr. Anastas Angjeli

Prof. Dr. Anastas Angjeli, mbante postin e Ministrit të Financave të Shqipërisë, gjatë luftës për çlirimin e Kosovës dhe ndërhyrjes së NATO-s. Gjithashtu ai ushtronte detyrën e Ministrit të Ekonomisë gjatë përpjekjeve për konstituimin e të shtetit të Kosovës dhe përgatitjet për shpalljen e pavarësisë në vitin 2008. Në fjalën e tij Presidenti Thaçi në mes të tjerave u shpreh “Të jeni të sigurt se kur kombi shqiptar u bashkua rreth luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe popullit të Kosovës për liri, atëherë edhe ndërkombëtarët u vunë në lëvizje dhe këtu kemi dëshmitarë të këtyre angazhimeve, përfaqësuesit më të denjë të këtij angazhimi kombëtar për liri, për pavarësi të Kosovës. Prandaj, u shpreh mirënjohje secili prej juve personalisht për rolin e jashtëzakonshëm edhe diplomatik, edhe politik, edhe ushtarak, edhe të gjithë segmenteve që ndikuan që bota të na përkrahë edhe më tepër”.

Akademik Prof. Dr. Anastas ANGJELI

 

Profesor në fushën e ekonomisë dhe të financës, me një kontribut të shquar, veçanërisht në atë të financave publike dhe të reformave strukturore në ekonomi. Prej vitit 1982 e më pas, ka kontribuar në profesoratin e Fakultetit të Ekonomisë së Universitetit të Tiranës e më tej, pas vitit 1990 me angazhimet e tij në politikë. Deputet i Kuvendit të Shqipërisë për disa mandate që nga 1991 në vazhdim, Ministër i Ekonomisë, Ministër i Financave dhe Ministër i Punës dhe të Çështjeve Sociale. Prof. Dr. Angjeli është themeluesi i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë dhe anëtar i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë dhe anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve (European Academy of Sciences and Arts). Është afirmuar si një nga ekonomistët më të shquar, veçanërisht në aplikimin e reformave të ekonomisë së tregut në Shqipëri. Kontributi i tij i veçantë për reformën buxhetore e fiskale, për zhvillimin e sistemit financiar (bankar dhe jo bankar), për zbatimin e politikave fiskale në dobi të zhvillimit të biznesit dhe të investimeve vendase e të huaja në Shqipëri, për zhvillimin e lirisë ekonomike, për kryerjen e reformave strukturore dhe privatizimin e ekonomisë, për liberalizimin e integrimin e ekonomisë Shqiptare në atë rajonale dhe evropiane. Gjatë periudhës së tranzicionit është vlerësuar jo vetëm nga opinioni publik vendas por edhe nga institucionet ekonomiko – financiare ndërkombëtare. Profesor Angjeli është autor dhe bashkautor i shumë artikujve shkencorë, brenda dhe jashtë vendit, i disa librave universitarë dhe monografive.