Përfaqësues të Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, Presidenti dhe themeluesi i Universitetit, Akademiku Anastas Angjeli, Prorektori Prof. Asoc. Dr. Arben Cici dhe Zv. Dekanja në Fakultetin e Shkencave Ekonomike Dr. Elona Shehu, morën pjesë në edicionin e XIII-të të Global Baku Forum, në Azerbajxhan.
Forumi XIII-të i Bakusë, platformë e rendësishme e dialogut politik ekonomik dhe diplomatik
Forum i XIII Global i Baku tashmë një nga platformat e rëndësishme ndërkombëtare e dialogut politik, ekonomik dhe diplomatik, ku liderë globalë, ish-presidentë, ish-kryeministra, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, akademikë dhe ekspertë mblidhen për të diskutuar zhvillimet më të rëndësishme të kohës. I organizuar nga Nizami Ganjavi International Center dhe synon të nxisë dialogun global mbi sfidat strategjike të shekullit XXI-të.

Punimet e forumit u hapën nga Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, ndërsa gjatë disa ditëve u zhvilluan një sërë panelesh dhe diskutimesh me pjesëmarrjen e figurave të rëndësishme të politikës dhe diplomacisë ndërkombëtare. Debatet u përqendruan në çështje me rëndësi të veçantë për rendin global, si siguria ndërkombëtare dhe balanca e fuqive, kriza e multilateralizmit dhe sfidat e bashkëpunimit ndërkombëtar, roli i Organizatës së Kombeve të Bashkuara në arkitekturën globale të qeverisjes, ndikimi i ndryshimeve klimatike, zhvillimi i qëndrueshëm dhe transformimi i shoqërive nën ndikimin e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale. Pjesëmarrja e përfaqësuesve të Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë në këtë forum krijoi një mundësi të rëndësishme për shkëmbim idesh dhe përfaqësim akademik në një nga arenat më të rëndësishme të diskutimit global, duke kontribuar në thellimin e dialogut ndërkombëtar dhe në kuptimin më të mirë të sfidave që përballon sot bota.
Në kuadër të Global Baku Forum, përfaqësues të Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë organizuan një sërë takimesh dhe bisedash të rëndësishme me disa nga personalitetet më të njohura të jetës politike dhe institucionale ndërkombëtare. Të rëndësishme ishin takimet me me Drejtorin e Përgjithshëm të World Health Organization, Tedros Adhanom Ghebreyesus, me ish-presidenten e Letonisë, Vaira Vīķe-Freiberga, e cila drejtoi vendin e saj në periudhën 1999–2007, si dhe me Ivo Josipović, President i Kroacisë në vitet 2010–2015 dhe mbajtës i titullit “Doctor Honoris Causa” nga universiteti.

Këto figura të rëndësishme ndërkombëtare, të cilat janë njëkohësisht pjesë e komunitetit akademik dhe institucional të Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, vazhdojnë përmes aktivitetit të tyre publik dhe diplomatik të kontribuojnë në trajtimin e sfidave më të mëdha që përballin sot marrëdhëniet ndërkombëtare, qeverisjen globale dhe stabilitetin ndërkombëtar. Prania dhe bashkëpunimi i tyre në këtë aktivitet përfaqëson një tregues të rëndësishëm të zgjerimit të procesit të ndërkombëtarizimit të institucionit (UMSH) dhe të lidhjes së tij me rrjete akademike dhe institucionale të niveleve ndërkombëtare.
UMSH vlerëson kontributin global të Rebeca Grynspan me titullin “DOCTOR HONORIS CAUSA”

Një nga momentet më të rëndësishme të pjesëmarrjes së përfaqësuesve të UMSH në forum ishte ceremonia e dhënies së titullit të lartë akademik “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë për znj. Rebeca Grynspan, Sekretare e Përgjithshme e Konferenca e Kombeve të Bashkuara për Tregtinë dhe Zhvillimin. Ky vlerësim u akordua në shenjë mirënjohjeje për kontributin e saj të shquar në fushën e zhvillimit ekonomik global, për vizionin strategjik në promovimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe për rolin e saj në avancimin e politikave të zhvillimit të qendrueshëm ekonomik.
Përmes punës së saj në institucionet ndërkombëtare, znj. Grynspan ka kontribuar në promovimin e një sistemi ekonomik dhe tregtar më gjithëpërfshirës dhe më të drejtë, duke mbështetur veçanërisht vendet në zhvillim në përpjekjet e tyre për rritje ekonomike dhe përmirësim të mirëqenies sociale. Vlerësimi i dhënë nga Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë thekson gjithashtu rolin e saj në forcimin e kapaciteteve institucionale të vendeve në zhvillim dhe në promovimin e politikave ekonomike që synojnë reduktimin e pabarazive globale.
Rebeca Grynspan është njëkohësisht kandidate e mbështetura nga vendet e Amerikës Latine për postin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB, mandat që pritet të fillojë më 1 janar 2027. Ajo përfaqëson një personalitet të spikatur të diplomacisë dhe ekonomisë ndërkombëtare, me një profil të konsoliduar akademik, politik dhe institucional. Ceremonia e dhënies së titullit në kuadër të Global Baku Forum i dha këtij vlerësimi një dimension të veçantë ndërkombëtar, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit mes institucioneve akademike dhe figurave globale në promovimin e zhvillimit ekonomik dhe të dialogut ndërkombëtar.
Forcohet bashkëpunimi akademik mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit në fushën e kërkimit shkencor dhe projekteve
Në kuadër të vizitës së tij në Baku më 13 mars 2026, akademiku Anastas Angjeli, kryetar i Komisionit të Ekonomisë në ASHSH, u prit në Akademinë e Shkencave të Azerbajxhanit nga presidenti i saj, akademiku Isa Habibbayli. Takimi u zhvillua në një atmosferë bashkëpunimi dhe dialogu konstruktiv, ndërsa akademik Angjeli ishte i shoqëruar nga Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Azerbajxhan, Besart Kadia, këshilltari i Ambasadës Dorian Koçi, dhe Prof. Arben Cici.

Gjatë bisedimeve u diskutua mbi mundësitë konkrete për forcimin e bashkëpunimit shkencor dhe institucional ndërmjet dy akademive, duke u bazuar edhe në kontaktet dhe diskutimet paraprake të zhvilluara në janar 2026. Të dy palët shprehën vullnetin për të nënshkruar në një të ardhme të afërt një marrëveshje bashkëpunimi që synon nxitjen e shkëmbimeve akademike, realizimin e projekteve të përbashkëta kërkimore dhe organizimin e aktiviteteve shkencore në fusha me interes të ndërsjellë.
Ky takim përfaqëson një hap të rëndësishëm në drejtim të thellimit të bashkëpunimit ne kerkimin shkencor, kulturor dhe intelektual te dy vendeve. Dialogu ndërmjet përfaqësuesve të institucioneve shkencore synon jo vetëm intensifikimin e shkëmbimeve akademike, por edhe ndërtimin e projekteve të përbashkëta kërkimore që mund të kontribuojnë në avancimin e dijes dhe në zhvillimin e studimeve shkencore në fusha me interes të përbashkët.
Njeherazi, ky bashkëpunim hap rrugë për një komunikim më të drejtpërdrejtë dhe nxit mobilitetin e studiuesve, aktiviteteve shkencore të përbashkëta, si dhe shkëmbimin e përvojave në fusha të ndryshme të kërkimit. Një qasje e tillë kontribuon në krijimin e urave të qëndrueshme te bashkëpunimit ndërmjet dy akademive, duke forcuar dimensionin ndërkombëtar të veprimtarisë së tyre shkencore.






















