Ndaj unë them që Lufta e 16 marsit 1941 në Pezë, pas rezistencës së 7 prillit 1939 në Durrës, me Mujo Ulqinakun në krye, “Heroin e Popullit” rënë në këtë rezistencë, bashkë me 14 të vrarët e tjerë këtu dhe në portet e tjerë shqiptare, që lufta që nisi me pushkën e parë të Myslim Pezës, dhe vazhdoi me të plagosurin e parë të saj, të birin e tij, Skënder Pezën, me 5 dëshmorët e parë të saj, 5 të plagosurit e parë dhe 2 “dëshmorët” e vegjël të papërmendur.

Në fillim të qershorit (5 qershor), 1940, Babë Myslimi bashkë me Kajan Karafilin dhe Sulë Jonuzin u hodhën në ilegalitet dhe me luftëtarë të tjerë, formuan çetën e Pezës që në dimër të atij viti do të kishte në radhët e saj 72 veta, burra e djem të thekur për luftën (M. Peza, “Kur dhashë besën”). Më 6 gusht 1940, shefi i zyrës ushtarake pranë Mëkëmbësisë së Përgjithshme, raportonte: “Myslim Peza, tani së fundmi ka krijuar një çetë të armatosur me tetë persona” (AQSH, 1940, cit.).
Ja si shprehet Myslim Peza në kujtimet i tij, sjellë në librin “Kur dhashë besën”: “E ndava mendjen ta filloj luftën. Ato ditë kishte ardhur vetë Duçja për t’u dhënë zemër ushtarëve të vet që po thyheshin në frontin grek. Vendosa që aksionin e parë ta kryej ditën e enjte, më 13 mars. Zgjodha shtatë shokët më të fortë: Sadi Sinanin, Kajan Karafilin, Sulë Jonuzin, Rremë Hakën, Hamdi Grorin, Vath Korrikun, Zyber Pezën dhe tre të tjerë që doja t’i përgjakja me fashistët (në fakt asnjëri prej tyre nuk doli i hajrit). Komandant të njësitit caktova Sadi Sinanin. Ky ishte burrë i pjekur dhe e njihte mirë vendin. Shokët u armatosën me pushkë, bomba e revolver, u pajisën me litarë, sharra e sopata dhe mbasdreke u nisën drejt Pezës së Vogël. Aty vendosëm ta bëjmë aksionin. Njësiti arriti në Pezë të Vogël afër mesit të natës dhe filloi menjëherë nga puna. Nga kthesa e rrugës për në Pezë, ku sot ngrihet lapidari, deri në Qafën e Çeljes, në drejtim të Ndroqit, shokët tanë e prenë në dy tri vende telin e trashë të telefonit, që lidhte Tiranën me Romën, prenë edhe disa shtylla telefoni që lidhnin Tiranën me krahinat e tjera të vendit. Në Qafën e Çeljes njësiti goditi dhe dy vetura me oficerë brenda. U plagos lehtë Konti Kampello dhe presidenti i Institutit Nacional “Luçe”, Agustino Fançeti”. Komanda e Karabinierisë Durrës, pasi konstatoi sulmin dhe kontrolloi në vend dëmet e tij, njëherësh gjykoi se “…autorët e dy episodeve ishin të arratisurit e zonës së Pezës së Madhe”. (Nënkolonel Karlo Garoi, Komandant i Karabinierisë Durrës” AQSH, 1941-1943, cit.).
Më 15 mars, Myslim Peza do t’i shkruante një letër përfaqësuesit të forcave të majta që po lindnin në atë kohë në Shqipëri, Enver Hoxhës, që nuk mbërriti kurrë në destinacion, pasi ditën që korrieri i çetës, Xhaferrr Durishti, do ta çonte për në Tiranë, ai u vra në luftën e Pezës së Madhe: “Siç patëm bisedue, ne e filluem luftën me nji aksion. Presim të na bien italianët në Pezë. Kemi vendosë t’i presim me pushkë…”
“Duke parë te çeta e Pezës një armik të rrezikshëm, pushtuesit vendosën ta asgjësonin atë dhe të nënshtronin fshatarët që e përkrahnin… Për këtë qëllim fashistët italianë organizuan një operacion të gjërë spastrimi me forca të shumta e të zgjedhura karabinierësh, që arrinin në 700 veta. Komanda e operacionit në planin e vet parashikonte që pasi të afronte forcat natën, të maskuara, dhe pa zhurmë, me formacione paraluftimi, duke pasur dy kollona përpara dhe një prapa, në befasi, të rrethonte dhe të asgjësonte çetën në Pezë të Madhe. Me masa sigurimi të operacionit, në prag të fillimit të tij, në Tiranë u bënë kontrolle të forta në hyrjet dhe daljet nga qyteti, sidomos në drejtim të rrugës së Kavajës (sot “Konferenca e Pezës”) prej nga do të niseshin forcat e pushtuesit. Lidhur me përgatitjet që bënte armiku, çetës i vajtën nga Tirana të dhëna për qëllimet dhe planet e tij për ta sulmuar dhe për ta asgjësuar çetën e Pezës” (Historia e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar, 1984, fq. 196-197).
Dhe kështu ndodhi. Italianët me 700 forca të armatosura me armatimin më të mirë për kohën, sulmuan Pezën. Por intuita prej luftëtari, që kurrë s’e la të gabonte Myslim Pezën; doemos dhe të dhëna direkte, apo të tërthorta të përgatitjeve të armikut për hakmarrje, si këto të sapocituar më lart nga Historia e LANÇ të popullit shqiptar, për të cilat me siguri, ai që e kishte bërë hesapin për të luftuar armikun, i kishte marrë ato në konsideratë, e aq më tepër me siguri që kishte siguruar të dhëna, që të mos e zinin në befasi Myslim Pezën dhe çetën e tij.
Me luftëtarët e Çetës së Pezës, të organizuar në disa grupe e priti Myslim Peza sulmin fashist të 16 marsit në Pezë të Madhe. “Më 16 mars të 41-shit ne patëm qenë vetëm 35 veta dhe i mbajtëm gjithë ditën në grykën e Pezës 700 karabinierë e malicë fashistë” (M. Peza kur dhashë besën).
Ishte lufta e parë e luftëtarëve të lirisë, përballë pushtuesve fashistë. Por jo vetëm! Një çetë patriotike, pa organizim shtetëror ushtarak dhe pa asnjë mbështetje, me 35 luftëtarët e saj trima, bën një Luftë Epope në Pezë Epope qe edhe Lufta e Vigut, me 5 heronjtë e saj! E ndodhur në kohë tjetër!
E diskutoi këtë me luftëtarët e tij, dy ditë më parë në shtëpinë e tij, ku rrinte pjesa më e madhe e luftëtarëve të çetës. Diskutuan dhe vendosën që fashistët italianë do t’i prisnin në Pezë, nëse do të sulmonin, si hakmarrje ndaj sulmit të çetës së Pezës në Qafën e Çeljeve, në Pezë të Vogël. Ndaj dhe bëri organizimin e përsosur të forcave të luftëtarëve të Çetës, që solli dhe fitoren e parë të lavdishme të saj dhe njëherësh evidentoi cilësitë prej strategu ushtarak të Komandantit të saj, Myslilm Pezës.
Po a ka betim më solemn dhe njëherësh njerëzor e shpirtëror se ky, takim burrash trima dhe të besës!? Mos u mundoni! Nuk do të gjeni, jam thuajse i sigurtë; edhe po të kërkoni! A, po! Nëse do të më thonit për historinë e Oso Kukës, apo për familjen Jashari. Ashtu po! Se i tillë qe betimi i atyre burrave trima, atë natë prag lufte, që nuk i dihej se kush do të shpëtonte prej saj!?
***
U zhvillua lufta e parë e përgjakshme, thuajse frontale, kundër 700 karabinierëve fashistë, si sprovë e parë e artit luftarak, ku spikatën aftësitë luftatarake të të gjithë luftëtarëve të Çetës. Spikati posaçërisht talenti i shkëlqyer i komandantit të saj, Myslim Peza. Ai u prezantua me cilësitë e strategut të luftës. Ranë në këto luftime 5 dëshmorët e parë: Hasan Peza, Sadi Sinani, Muharrem Haka, Vath Korriku dhe Xhaferr Durishti. Në këtë luftë u plagosën dhe mbetën tërë jetën invalidë të luftës: Skënder Peza, Emin Çelmeta, Shkurt Rexha, Lul Brahja dhe Qemal Deliallisi. Nga ana e karabinierisë italiane u vranë 84 vetë dhe shumë të tjerë u plagosën (M. Peza, S. Verdha).
Ranë 5 dëshmorët e parë të luftës për liri. Pesë nga luftëtarët që kishin filluar organizimin e rezistencës kundër pushtimit fashist. Gati 2 vjet pas rezistencës së filluar në ditën e pushtimit fashist nga Mujo Ulqinaku në Durrës…
Ja ç’kujton ndër të tjera Myslim Peza për atë luftë: “…Në grykën e përroit të Pezës u arrit të gërshetohej një zjarr nga Shkurt Rexha e dy shokë të tij nga njena anë dhe Hasan Pezës e Kajanit nga ana tjetër. Ne u thirrëm grave të dilnin. I pamë ato, si dolën me djepet në krahë dhe i ndoqëm me merak. Ishin një tufë e madhe: familja ime, e Shyqyrisë, e Dyrrit dhe e Hasanit. Kur gratë e fëmijët u dukën te Pellgu i Bekës, karabinierët poshtë nesh filluan të shtinin. Veçanërisht po e ndiqnin të shoqen e Dyrr Pezës. Veç të ishit aty të shifnit se si ecte Xhirja përmes plumbave që e ngrinin ujin përpjetë. Ne s’dinin ça me ba…, vetëm thërrisnim: – Bjeru, o Shkurt, bjeru! O Hasan, shif mor vlla, shif nga pylli! Gratë të mbrojtura nga zjarri i shokëve tanë, i hidhnin djepet me fëmijë te bregu matanë lumit e, nëpër plumba, i rrëmbenin prapë. Futeshin në një pyll masandaj. Gratë e fëmijët dolën pa asnjë dam nga rrethimi…”
Historia e Shqipërisë e ka shkruar Epopenë e Luftës së 16 marsit 1941 në Pezë. Siç e ka shkruar edhe komandanti e luftëtari trim, Myslim Peza, në librin e tij “Kur dhashë besën”…
Është e shkruar historia e luftës së 16 marsit 1941 në Pezë edhe në tekstet e Historisë së Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar (prill 1939 – dhjetor 1944): “… në mbrëmje çeta u tërhoq në fshatin Pajanë. Në këto luftime dhanë jetën 5 luftëtarë të çetës. Ndërsa armiku la të vrarë 84 karabinierë të zgjedhur italianë”; që nuk tregon as emrat e të rënëve në këtë luftë, të luftëtarëve të çetës së Pezës!
Për historinë e kësaj lufte kanë shkruar edhe: Sali Verdha, Sherbet Karuli, Xhevdet Çelmeta, Prof. Luftulla Peza, Emin Çelmeta, Rrapush Çelmeta etj…
E ka shkruar historinë e kësaj lufte, vetë çeta e Pezës me gjakun e 5 dëshmorëve të parë të saj dhe të plagosurve në këtë luftë, si dhe me terrorin që panë me sytë e tyre dhe hoqën gratë dhe fëmijët e familjeve të fisit “Peza” në këtë luftë.
Pa pretenduar të bëj histori, po sjell momente të jetuara nga një bashkëkohëse e kësaj lufte, znj. Lemçe Abdurahim Peza, e cila në atë kohë ishte vetëm 10 vjeç dhe që për pak u bë viktimë e kësaj lufte, bashkë me një pjesë të familjes së saj dhe të familjes së Shyqyri, Myslim dhe Hasan Pezës.
Lemçe Peza tregon: “… Ishte 16 mars 1941. Sapo kishte zbardh dita. Xhandarët kishin mbërrit deri në fundin e çaires sonë, në breg të përroit të Pezës. Babë Myslimi e kishte organizuar çetën, sipas strukturës që përshkruan vetë Ai, në librin e tij “Kur dhashë besën”. Mbaj mend, që Babë Myslimi dhe xha Hasani, kishin zënë pritë tek Kodra e Postës. Në një moment, Babë Myslimi i thërret Skënderit, të birit të tij, që të merrte fishekë, që i dinte dhe ai se ku ishin. Babë Myslimi i kishte lënë fishekët tek varret, pranë Teqesë. Ka pas varre pranë teqes së Baba Hasan Pezës. Në këtë kohë, për pak ishte duke zbardh dita. Baba im, Dyrri, që kishte qenë roje tek ura e përroit të Pezës gjatë natës, bashkë me Avdi Kasallin, sipas organizimit që kishte bërë Babë Myslimi, dalloi xhandarët dhe milicët që po vinin në drejtim të pozicioneve që kishin zënë luftëtarët e çetës. Dhe menjëherë erdhi dhe njoftoi Babë Myslimin. Në një moment të veprimeve pasi mori njoftimin, Babë Myslimi që nga pozicioni që kishte zënë, iu drejtohet xhandarëve dhe milicëve me pyetjen:
– Kush jeni ju, që po vini të armatosur dhe po na kërcënoni?!
– Jemi të qeverisë, – qe përgjigja e tyre.
– Jo, jo, – i thotë Baba. – Peza është e pezakëve dhe këtu s’ka vend për qeverinë.
Në këto e sipër, fillojnë të shtënat. Fillojnë luftimet. Gjithë ditën luftë u bë. Nga agimi deri në darkë. Gratë dhe fëmijët e familjes së xha Myslimit, xha Shyqyriut, xha Hasanit dhe familja jonë, e Abdurahim (Dyrr), Pezës ishin për gjatë gjithë ditës të rrethuar nga xhandarët dhe milicët që luftonin me trimat e çetës. Rreth shtëpive tona, zhvilloheshin luftime të ashpra të luftëtarëve të çetës së Pezës dhe xhandarëve e milicëve që kishin ardhur nga Tirana. Kështu, deri masdite vonë. (Shtëpia e Babë Myslimit dhe shtëpia jonë ishin fare pranë njëra tjetrës).
Vonë, Xha Hasani dhe dy jabanxhij që jetonin tek ne në atë kohë, Bajram Çerma dhe Vath Durishti, na marrin ne gratë dhe fëmijët e katër familjeve tona që të na nxirrnin matanë lumit të Pezës. Motrën time, 3 muajshe, Miden, e mora unë me kopan në dorë. Laken (Lefterinë) 3 vjeç e mori në krahë nëna ime, Xhirja. Secila nga gratë mori fëmijët e vet për të dalë matanë përroit dhe për t’i shpëtuar rrethimit të shtëpisë dhe luftimeve që bëheshin rreth saj. Kujtoj që ishte shumë ftohtë. Në ujin e Pezës ende s’kishte shkri akulli. Fati e deshi, që në breg të përroit të Pezës ishte shembur një vidh i madh me hardhi, (rrush), që kacavirej rreth trungut të tij. Trungu i vidhit kishte rënë “shul” mbi lumë, nga njëra anë deri në anën tjetër të tij. Ne kaluam mbi të. Duke kaluar mbi trungun e vidhit, i nxorëm të gjitha gratë dhe fëmijët matanë lumit, për t’u larguar mundësisht sa më larg shtëpisë sonë, në ndonjë bazë të sigurtë. E shoqja e xha Shyqyriut, Feridja me fëmijët: Luçije dhe djalin e vogël, Hysenin, (vdiq 6 muajsh, në vitin 1941). E shoqja e Babë Myslimit, Zenepja, me djalin e vogël, Namim, (vdiq 6 muajsh në vitin 1941). E shoqja e Dyrrit, nëna Xhirja me 5 fëmijët: mua (Lemçe), Gani, Nazmije, Lefteri, Hamide. E shoqja e xha Hasanit, Ismetja me djalin e saj, Luftulla. Mbaj mend që, Feridja, e shoqja e xha Shyqyriut, e mori djalin e saj të vogël me djep, deri tek “Pellgu i Bekës”. Por mbaj mend gjithashtu mirë, nënën time, Xhiren, gruan e fortë e tepër të zonjën, që na nxorri të gjithë ne fëmijët e saj matanë lumit, të gjallë dhe mirë…
E thënë fare thjeshtë sot. Myslim Peza bëri strategjinë dhe realizoi komandimin operativ të luftimeve ndërmjet 35 luftëtarëve të Çetës së tij të organizuar në disa grupe efektive, kundër 700 forcave armike. Me një bilanc tashmë të ditur: 5 luftëtarë të vrarë dhe 5 të plagosur të Çetës, përfshirë dhe 2 fëmijë të vegjël të kësaj familje, që humbën jetën gjatë raprezaljeve të nënave të tyre nga ndjekjet e armiqve fashistë, nëpër bazat ku ato u përpoqën të strehoheshin pas luftës së Pezës; kundrejt 84 karabinierëve të vrarë nga forcat armike.
Krahasuar kjo me 14 të vrarë (dëshmorë të atdheut) në rezistencën e bërë në Durrës nga Garnizoni i këtij Porti, me iniciativën e Heroit të Popullit, Mujo Ulqinakut, apo në portet e tjera shqitare, rënë në këtë rezistencë. Ushtria e një shteti, me 30060 ushtarë të organizuar që kishte në vitin 1938, në rezistencën e saj në Durrës, la 12 fashistë italianë të vrarë, që po zbarkonin nga luftanijet e tyre për në Durrës, e më tej për pushtimin e Shqipërisë.
Ndaj unë them që Lufta e 16 marsit 1941 në Pezë, pas rezistencës së 7 prillit 1939 në Durrës, me Mujo Ulqinakun në krye, “Heroin e Popullit” rënë në këtë rezistencë, bashkë me 14 të vrarët e tjerë këtu dhe në portet e tjerë shqiptare, që lufta që nisi me pushkën e parë të Myslim Pezës, dhe vazhdoi me të plagosurin e parë të saj, të birin e tij, Skënder Pezën, me 5 dëshmorët e parë të saj, 5 të plagosurit e parë dhe 2 “dëshmorët” e vegjël të papërmendur.
Ishte lufta e parë e luftëtarëve të lirisë, përballë pushtuesve fashistë. Por jo vetëm!
Një çetë patriotike, pa organizim shtetëror ushtarak dhe pa asnjë mbështetje, me 35 luftëtarët e saj trima, bën një Luftë Epope në Pezë!
Epope qe edhe Lufta e Vigut, me 5 heronjtë e saj! E ndodhur në kohë tjetër!
A thua të ketë ndikim koha kur ndodhin ngjarjet, në vënien e emrit që meriton heroizmi!? Për ata që kryejnë heroizma, duke e shoqëruar këtë me gjakun e derdhur në altarin e lirisë?! Për më tepër, po ato që humbin bijët disa muajsh në këtë luftë, apo si rezultat i kësaj epopeje!?
Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, më dt. 05.09.2002, me dekret 3468, nderoi me “Dekorata e Artë e Shqiponjës” me motivacion: “Për trimëri, heroizëm dhe guxim të rrallë të treguar në Luftën Nacionalçirimtare” dëshmorët: Hasan Peza, Sadi Sinani, Muharrem Haka, Vath Korriku dhe Xhaferr Durishti.























