Thoma Goga: “Aristrokratët” e vendit tim

101
Sigal

Jetë ku bëjnë qef, politikani, mjeku, gjykatësi dhe qeni

Qen, djaloshi im, ne jemi si rracë aristokrate, hajde të puth mami, o shpirti im i vogël.

Ka plasur qenëria… më mirë trajtohet qeni se burri.

Fejton nga Thoma Goga

Një ditë, teksa ecja sipër digës së liqenit, xhytur në mendimet e mia që më vinin si dallgët e detit të egër, dëgjoj nga pas një monolog:

– “Të keqen mami, sillu mirë. Ja mbrëmë bëre një gabim, po unë ta fala. Detyrat që të kam dhënë duhen bërë. Hë më thuaj, çfarë të mungon? Këto këshilla i kam zgjedhur dhe nga leksionet e psikologjisë. Duhet të dallohemi që kur ecim, kur flasim, kur…Ti nuk je si ata të tjerët. Edhe çiçin duhet ta bësh ndryshe. Se ne jemi dhe si rracë aristokrate. Hajde të puth mami, o shpirti im i vogël.”

Fjala “aristokrat” më bëri kureshtar e ktheva pak kokën. Po ç’të shoh?! “Aristokrati” ishte një qen (i vogël sa një dash), që kishte ngritur këmbën e pasme dhe po bënte çiçin, njësoj si qentë e rrugës, apo si ata të Çeços tim në stan.

Ja ky fakt u bë shkas të hedh këto rreshta. Tashmë “qenëria” është kthyer gati-gati në një mani, për të mos thënë sëmundje. Ka plasur një qenëri që s’ka bërë vaki. Zonja, zotërinj, por edhe fëmijë duan në shtëpi nga një qen. Ca e bëjnë për shoqëri, ca e bëjnë për fobi, ca një dreq e di…Po se mos mbajnë vetëm nga ato konet e bukur! Jo ore jo, ka qen sa një dash, ka leshko e zagarë që ta shpallin kur i sheh. Domosdo është e drejtë e tyre. Janë të lirë. Por pa cënuar edhe lirinë e të tjerëve, apo jo?

Më ka rastisur të udhëtoj dhe në autobusa urbanë brenda në kryeqytet. Hipën një zonjë, hipën dhe qeni. Një fëmijë u tremb e filloi të qajë me të madhe. Indiferenca dhe injoranca janë motra binjake. Kurse e zonja e qenit nuk e prishi terezinë fare. Qeni zuri një ndenjëse, duke u krekosur edhe më shumë. Në fund të fundit atij nuk i kërkojnë as biletë. Një fatorino goxha djalë, që donte të ishte “në rregull” me rregulloren, i kërkoi zonjës të zbriste bashkë me qenin. Po kur e pa që edhe ajo ishte rracë llapaqëne, si për inat i kërkoi biletë edhe për qenin.

– Kërkoja vetë Bushit, -ia priti ajo.-Ai është me llogari më vete…

Dhe fatorinua, kur e pa ironinë e zonjës, hyri në lojë me një tjetër stil.

– Po sikur ta kërkoj ty…

– Bëje provë, po të hidhet Bushi në grykë. Apo nuk është xheloz?!T’i merr Bushi ato gjyslyqet në gojë si të xha Beqos te filmi “Kapedani”.

Nejse, tjetër gjë i kërkoi ai, në tjetër vend i vajti mendja asaj.

Një ditë tjetër, po shëtisja nga parku “Rinia” me “kundërshtarin” tim Selim. Bashkë kemi menderosur dhe një si punë sondazhi gjatë zgjedhjeve, mbase ju kujtohet. Tani pas zgjedhjeve s’kemi ç’bëjmë; do shikojmë si mbahen premtimet. Pastaj u ulëm në një stol, siç bëjmë çdo ditë. Përballë nesh, si në një teatër kukullash, dy qenë. Një dukej qartë se ishte qen “aristokrat” që vëzhgohej rreptë nga e zonja e tij, ulur në një stol tjetër. I kishte dhënë vetëm pak “liridalje”. Kurse qeni tjetër ishte nga ata të rrugëve fare. Në fillim qëndruan disi larg njëri-tjetrit, pastaj u miqësuan. E po, një gjuhë kanë.

– E sheh,- prishi qetësinë Selimi, – ja dhe qentë. Shtresa të ndryshme, si i thonë llafit, “opozitarë”, po bëhen vëllezër. E gjetën gjuhën. Jo si politikanët tanë që zihen si qentë…

– Rroftë demokracia,- i erdha pas avazit “kundërshtarit” tim Selim e sa për të shtyrë kohën, e pyeta. – A je në gjendje “ta përkthesh” ç’i thonë njëri- tjetrit tani?

– Posi jo,- tha hazër xhevap Selimi. – Ja ky “aristokrati” po i thotë: “Si je, si shkon?”

– “Si qen”, ia kthen tjetri.

– “Çfarë hëngre mbrëmë?”.

– “Te restoranti i lagjes kishte një festë. Prisja jashtë kockat që hidhnin ata nga brenda”.

– “Ham, ham, ham. U, po aty brenda festohej ditëlindja ime…”.

Atë çast e zonja e qenit i futi një të klithur:

– Raxhi, eja te mami, se do marrësh ndonjë virus…

– Mjaft o miku im, se na hape barkun, – i ndërpreva Selimit në çast dialogun imagjinar.- Po ti Selim, çfarë hëngre mbrëmë?

– Tani që jam në “opozitë” po ha kos, të holluar me ujë… Po ti?

– E, unë që jam “në pushtet” po zhdëpem, po ha mish natë për natë…

– Ruhu nga tensioni, nga kolesteroli ore! Hëngre shumë?- pyeti seriozisht “kundërshtari” im Selim.

– Po nja dy gota të ftohta, nga ai që edhe hahet, edhe pihet…

Qeshi Selimi, qesha unë. Më duket “qeshën” edhe qentë. Kot nuk thonë jetë qeni. Po varet se çfarë qeni; “aristoktrat” apo nga ata të rrugës. E po një jetë kanë të gjithë; si ne si ata. Po ama, secili në vendin e vetë…