Suplementi Pena Shqiptare/ Preç Zogaj: E di se ajo erdhi

155
Sigal

 

Ne ramë në mëkat se nuk e dimë kur zgjohemi!
Më kot i shënojmë ditët me emra, më kot.
Sot është e hënë, por mund të jetë e premte,
sikurse mund të jetë e diela një fanitje.

Por prapëseprapë e di se ajo erdhi –
një shpirt që kur pat ikur pa kujdes
në viset e thella gjermanike,
krejt dashurinë që patëm vetë e mbajti:
Ty nuk të duhet, nuk të vlen! – pat thënë.

Por prapëseprapë e di se ajo erdhi…
Një çast të vetëm shkrepi si yll
në gjithë lëkurën time dhe u zhduk.
Njëzet e katër orë pas unë fërkoj sytë
dhe vetëm dritë më kullon për faqe.
A thua m‘u në trup atë e mbylla?

Ora e dashurisë

Ora e dashurisë:
Kjo ora e dashurisë
ka mbetur qyqe në emrin e një stine!
Në emrin e një stine të nxehtë e lakuriqe,
që iku prej këtu, u dynd e tmerruar
nën turrin e mallkuar të pluhurit dhe mërisë.

Unë nuk e di më kur shndrit në kraharorë
feneri që ndjell buzët e djegura për shpirt.
Këto lartësi u zhdukën dhe vetëm baltë ka rrotull,
Dhe sytë po protestojnë dhe s’është e largët dita
të marrin arratinë ose të shuhen në gropa.

Tani në shkapërcejmë nga maji në dhjetor
sa çel e mbyll sytë, as tokas, as flurorë.
Është kaq e ngjeshur koha sa nuk kemi kohë
të shohim ndonjë endërr!
Është kaq e pakët koha
dhe vonë është për të gjitha,
sidomos të rrimë përballë mallit tonë
i bërë qelqe akulli
në dritare të mbyllura.

Sigurisht gruaja është, prani e gjallë joshjesh,
dhe endja jonë akoma s’është shuar krejtësisht.
Por ora e dashurisë, kjo ora e dashurisë
ka mbetur në pigmentin e barit veror,
ka ngecur në të puthurën e mbrëmjes që s’po kthehet,
ka vdekur, ehuuuu, në prehërin e një Eve,
ku zemrat patën rrahur duke rimuar fytyr..

Nuk do t’i frysh zjarrit

Nuk do t’i frysh zjarrit
perëndeshë e re.
Ashtu si trupin
ti mbulon edhe trillet
me një hutim fëmije.

Por kur nganjëherë
del në botë dhe ngjyhesh
me gjithë trishtimin
e mjerimit të sotëm,
dhe s’ke fuqi tjetër
veç të marrësh plagë-
Ti bëhesh femër
deri në rrëzë të flokëve,
si fluger dridhen
nga zjarrmia jote.

Asnjë fjalë s’mbetet gjallë,
shpirti jerm përpëlitet
n’ato kohë shumëvjeçare
ku veç emra trashëguam.

Shiu më thërret të nisem

Shiu më thërret të nisem diku… nuk di se ku!
Në viset pa njeri, në rrugët pa fund,
nuk rrihet në shtëpi,
nuk rrihet askurrkund…

Ja, rigat si fildish përpara mallit tim
vrapojnë e zgjojnë kujtime, që s’më përkasin mua.
Borëbardha mijëvjeçare, që nuk i ka parë kurrë
syri i njeriut… Prandaj s’janë vjetruar!

Po gjithë ky zgjim e mall nuk ka si vjen nga prapa.
Shiu i butë përshkon përqiellshëm në zemra
kohën pa cak përpara, kohën e pakapshme
me gjëra që pulsojnë, por ende nuk kanë emra.

E kotë t’i bësh bisht asaj endjes së fshehtë,
që vetëtin përbrenda kur bota mbytet në shi.
Prapë u përmbush mëkati, prapë vjen Noeja me arkë,
dhe Ararati tjetër është lart mbi vjetërsi.

 

Këngë e parregullt

“Asgjë s’ka ndryshuar dhe gjithçka është tjetër1
Çdo gjë është njëlloj dhe asgjë si më parë”.
Epoka është re kurse jeta e vjetër,
prapë qajmë duke qeshur e qeshim duke qarë.

N’ekran Komisariati na thotë papushim,
se afër është triumfi, në mos jemi në të.
Mbyll sytë që ta shijoj në terr si vizatim
por veshët, ah, veshët, gjëmojnë: jemi në dje!

Atëherë vetvetiu afrohem të dritarja!
E njëjtë është lartësia prej xhamit në tokë.
Por ndryshe, krejt ndryshe, si thonë, pa të shara
do të ishte një kalim i shpejtë në atë botë.

Por dreq si më mban hovin në çastin e guximit
nijeti kokëfortë i një ëndrre flu.
Ajo nuk ka shanse t’i shpëtojë tërbimit,
se vetëm epopera ne dimë të bëjmë këtu!

 

Harmoni

Gruaja që dua kurrë s’ka qenë në parajsë!
Shën Pjetrin s’e ka njohur dhe as ndonjë hero tjetër biblik,
më kohë ka shpëtuar nga endrra boshe për një jetë tjetër.
Ajo është e fortë, dashuria e saj është kostante.
Ajo është e lumtur me mua, ia ka arritur qëllimit
të dashurohet pavarësisht, pavarësisht, pavarësisht…

Gjer më sot nuk e ka truar zgjimin,
asnjëherë s’ka menduar të braktisë shtëpinë.
S’ka patur ide as qejf të më tradhëtojë.
Ora na pakëson shtatin dhe kohën.
Bashkë me martesën tonë rrotullohen
pemët e përkulura nga gjethet që ikin,
qiejtë e verës prej rërë të kaltër përveluese,
kodrinat që lundrojnë, vazhdimisht lundrojnë!
Shtëpia që tronditet, vazhdimisht tronditet.
Buka që kursehet, vazhdimisht kursehet.
Rruga që tepron, vazhdimish tepron.
Ditët e sazgjuara, ëndrrat e harruara-
Jeta na sheh nga të gjitha anët.

 

Të rrosh si gjithë bota

Të rrosh si gjithë bota, Marije!
Është mirë të rrosh si gjithë bota:
Të kesh busullën, lejen, pishtarin,
të kesh shtëpinë, bregun, mburojën,
të kesh thikën dhe jo veç litarin.

Lindur prej prindërish të urtuar paq.
në kohë kurbanesh jetojmë pa kurbane.
Ndanë epopeve kalojmë si dëshmitarë.
Secili prej nesh i kanë të shtatëdhjetat
në garën e jetës, që nuk ka finale.

Të rrosh si gjithë bota, Marije!
Është mirë të rrosh si gjithë bota!
Por të rrosh si gjithë bota nuk është e lehtë;
Nuk është e lehtë të rritësh fëmijë
kur ninullat i merr gjumi në buzë…
Rrëzohen atje si nga shkrepi
dhe –ajme!- përgjaken ninullat!

Fëmijët nuk duan të flenë.
Përse këmbëngulin ne
Pse?

 

Gazmore për orën pesë

Dy dhe një bëjnë tre.
Tre dhe dy bëjnë pesë.
Në orën pesë zgjohet nata,
përherë e njëjtë ora pesë.
Me një habi primitive në sy
na thotë mirëmëngjes gruas dhe mua.
Qumësht blen, cigare ndez, plehra flak.
Me foshnjën në krah niset nga gjashta,
sekond mbi sekond shpon këmbët e shkathta.
Hopa! Hopa! Duke tërhequr zvarrë
betimet e së djelës për një fillim të mbarë.
Po sa vjen e hëna betimet e shkreta
i kryqëzon me akrepa.

Nesër nuk ngrihem më në orën pesë,
ta di se plas vaji dhe shamata,
ta di se bjerr si prind e qytetar,
ta di se më kap Kodi Familiar.
Do rri symbyllur në shtrat deri vonë,
të loz, të rrotulohem në një karrusel të ri,
të ndalem, të marr frymë buzë një ylli
ku fjalë nga të mijat herët u bënë fli.
Nëqoftëse prapë ashtu symbyllur
ora pesë në radhë del,
cigare ndez, qumësht blen, phehra flak,
me foshnjën në krahë niset nga gjashta…
Mendoni: shumë aventura bën edhe natyra.

 

I fundit

I fundit nuk ndjehet
fatkeq sa ç’është.
Pak kush e sheh: një ngushëllim!
Ai vrapon: dy ngushëllime!
Pa frikë shkel korsitë e tjera,
Europë, Azi, Amerikë, Afrikë
Ç’triumf i rrallë
larg finishit.

Ka raste rregullohet ndryshe
me hipnozë, me marifet.
I vjen shiritit nga e kundërta,
ose së prapthi seç e ndjek-
me shpinë e pret.

Keqardhjen pra s’e meriton,
kurse mëshirën ca më pak.
I shkrep të ndalet dhe ja shpejt:
telekronisti me zë gjoksi,
operator-masazhatori…
Me një fjalë klubi krejt
e ngrenë n’altar
si ngadhnjimtar.

E prapë nëqoftë i mangë suksesi;
i fundit, fillikat me fat,
pa konkurentë në pyll vrapon,
dhe natyrisht shpallet kampion!
Merr medalje, dekorata,
tufa më lule dhe lëvdata
në atë festë bot e bot
mbytur në lot.

 

Ke ardhurbtë më marrësh me vete

Frangat në xhep dhe biletën,
bohemën në shpirt gjithashtu!
Ke ardhur të më marrësh me vete
dhe unë s’të pyes se ku?

E di se mirë është gjithkund
me ty gjithandej e gjithherë,
por di ndërkohë se s’do mund
ta le lë këtë vend të mjerë.

Si klithëm nga pas do na vijë
në fund të dheut po shkuam.
Me ne si fantazëm do rrijë
deri në fund po duruam.

Jo, jo, mos m’i hidh ato sy,
ku viset vrapojnë si pulëbardha.
E rëndë ardhja me ty
edhe më e rëndë mosardhja.

Kështu mes dy fatkeqësish
dënuar jam të jem vetëm.
Mallkim dhe zëri që grish,
mallkim dhe fati që s’jepem.