Specialisti Fadil Kepi: Botohet në Fletoren Zyrtare ligji i ri për trajnimin suplementar të minatorëve të nëntokës, naftëtarëve dhe metalurgëve. Hyrja në fuqi pas datës 5 korrik dhe kushtet për të marrë shtesën e pensionit

2951
Sigal

Kategoritë e personave që mund të bëjnë sigurime vullnetare në bujqësi dhe leja e lindjes për burrat. Pensioni për fermerët, punonjësit e bankave, infermierët, nënat me shumë fëmijë dhe përmbajtja e Kodit të Punës

Botohet në Fletoren Zyrtare ligji për trajtimin suplementar të minatorëve të nëntokës, naftëtarëve e metalurgëve – Ja kushtet për të përfituar shtesë të pensionit

Ligji për minatorët e nëntokës, naftëtarët dhe metalurgët

Pyetje

Disa lexues të gazetës Telegraf shkruajnë: ditët e fundit nëpërmjet medias jemi informuar se është botuar në fletoren zyrtare ligji, i miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë më 23 maj të këtij viti, për pensionet suplementare të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës e të gazit dhe punonjësit që kanë punuar në metalurgji. A mund të na sqaroni më hollësisht mbi përmbajtjen e ligjit të mësipërm?

Përgjigje

Po, më 20 qershor të këtij viti është botuar në fletoren zyrtare nr.88, ligji nr.29/2019: “Për trajtimin financiar, suplementar të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë, të punonjësve të industrisë të naftës e të gazit dhe atyre që kanë punuar në metalurgji”. Ligji i mësipërm ka 15 nene, i botuar në 5 faqe.

– Sipas nenit 6: Masa e përfitimit të shtesës mbi pensionin e pleqërisë, për punonjësit e nëntokës, është 1% mbi pensionin e pleqërisë, kurse për punonjësit e industrisë së naftës e të gazit dhe punonjësve të metalurgjisë është 0.6% e masës së pensionit të pleqërisë, për çdo vit pune.

– Shtesën mbi pension, e përfitojnë të gjithë personat që kanë jo më pak se 6 vite në profesionet e mësipërme, të përcaktuara në këtë ligj.

– Përfitimet, pavarësisht nga shuma, së bashku me pensionin e zakonshëm nuk tatohen.

– Përfitimet sipas këtij ligji indeksohen çdo vit, sa herë indeksohen nga qeveria edhe pensionet e tjera sipas ligjit të sigurimeve shoqërore.

– Kërkesa fillestare nga të interesuarit për të përfituar pension suplementar si më sipër bëhet në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore të vendbanimit të tyre, sipas përcaktimeve të vendimit të Këshillit të Ministrave dhe rregulloreve të Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

– Kuvendi i Shqipërisë ka ngarkuar Këshillin e Ministrave që brenda 2 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë aktet nënligjore.

– Ligji “Për trajtim financiar e suplementar të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës e gazit, dhe punonjësve të metalurgjisë” hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në fletoren zyrtare, pra me datën 5 korrik.

– E drejta për të përfituar pension dhe shtesën mbi pension, sipas këtij ligji, nuk parashkruhet.

– Kur kërkesa në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore paraqitet brenda 1 viti nga dita e lindjes të së drejtës, pensioni fillon nga dita që ky ligj ka hyrë në fuqi. Ndërsa kur kërkesa paraqitet pas 1 viti nga lindja e së drejtës, pension fillon nga dita që është bërë kjo kërkesë.

– Përfitimet e caktuara, por të patërhequra paguhen në çdo kohë por jo më shumë se 3 vjet.

– Nga ligji i mësipërm parashikohet të përfitojnë 23.400 persona.

Sqarime më të hollësishme mund të gjeni në fletoren zyrtare nr.88, internet, biblioteka, në agjencitë e drejtoritë rajonale, Institutin e Sigurimeve Shoqërore dhe në Qendrën e Botimeve Zyrtare.

Kushtet e daljes në pension dhe llogaritja e tij

Pyetje

Tre punonjëse në bankat e nivelit të dytë pyesin: Cilat janë kushtet për të përfituar pensione këtë vit dhe në vitin 2020? Sa është paga minimale dhe maksimale e llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore dhe si llogariten pensionet?

Përgjigje

Deri në fund të këtij viti femrat dalin në pension 60 vjeçe e 10 muaj, ndërsa burrat 65 vjeç, dhe për pension kërkohen 15 deri 36 vjet e 8 muaj punë të siguruara për të dy gjinitë. Në vitin 2020 femrat dalin në pension 61 vjeçe duke e shtuar moshën e pensionit me 2 muaj, ndërsa burrat dalin 65 vjeç, dhe për pension të plotë kërkohen 37 vjet punë të siguruara, nga mosha 16 vjeç. Para daljes në pension, punonjësit marrin lejen e zakonshme dhe deri një pagë mujore shpërblim kur punojnë në institucione buxhetore. Në rastet kur punojnë në sektor privat, shpërblimi është në kompetencë të qendrës së punës. Pensioni llogaritet mbi pagën bruto dhe nuk ka tavan, por varet nga vitet e punës dhe paga mesatare bruto mujore e të gjithë periudhave të siguruara, mbasi pagat e çdo viti shumëzohen me koeficientet e përcaktuara në vendimin e Qeverisë nr.571, datë 3.10.2018 dhe nr.184. datë 4 prill 2018, botuar në fletoren zyrtare 48, duke shtuar dhe një pension social. Kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore për vitin 2019 paguhen mbi pagën minimale bruto 26.000 lekë në muaj deri në pagën maksimale 114.670 lekë. Çdo muaj punëmarrësit i mbahen nga paga 11.2%, ndërsa punëdhënësi paguan 16,7% në kufijtë e pagave të mësipërme, pra gjithsej 27,9%. Bazuar në nenin 19 të ligjit të sigurimeve shoqërore nr.104/2014, për çdo muaj që një punonjës vazhdon të punojnë mbi moshën e pensionit përfiton 0,5% shtesë, baras me 6% në vit. Ndërsa kur del në pension dhe ripunësohesh në një punë tjetër në sektor privat përfiton pensionin dhe indeksimet që bëhen me vendime Qeverie së bashku me rrogën, por do të vazhdosh të paguash kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore njëlloj sikur nuk ke dalë në pension. Para daljes, ju rekomandoj që për dokumentet që duhen plotësuar dhe afatet të paraqiteni në agjencitë e sigurimeve shoqërore.

Kushtet e përfitimit të pensionit për nënat me shumë fëmijë

Pyetje

Jam infermiere në spitalin “Nënë Tereza”, shkruan zonja Aida: Në korrik të këtij viti plotësoj moshën 54 vjeçe. Kam lindur 6 fëmijë dhe i gjashti është 5 vjeç. Gjithsej, sipas librezës së punës bëhen 29 vjet punë të siguruara. Pyes, kur i plotësoj kushtet për të përfituar pension si nënë me shumë fëmijë?

Përgjigje

Sipas ligjit nr.104/2014 të sigurimeve shoqërore: “nënave, të cilat kanë lindur e rritur 6 e më shumë fëmijë dhe gjashtë nga këta i kanë rritur mbi moshën 8 vjeç u lind e drejta të dalin në pension të plotë në moshën 55 vjeçe kur kanë 30 vjet punë të siguruara.” Pra, ju, meqenëse fëmija i gjashtë është 5 vjeç, ju lind e drejta për pension 57 vjeçe në vitin 2022, kur fëmija i gjashtë të bëhet 8 vjeç dhe meqenëse vazhdoni punën ju bëhen mbi 30 vjet punë të siguruara…

Për më tepër lexoni “Telegraf”