SPAK të hetojë kontratën e miliardave të Check-up, vulosur nga Ilir Beqaj

634
Sigal

Spitalet pa ilaçe kurse koncensionarët e shëndetësisë me vila luksoze në Evropë. PPP-të e shëndetësisë që iu bënë dhuratë oligarkëve kur në krye të ministrisë ishte Ilir Beqaj, të denja edhe për “Gines”, pasi të bëjnë miliarder edhe kur nuk punon. Koncesionari i check-up ka marrë 8.5 milionë euro për 580 mijë kontrolle të pakryera. “Telegraf”, gati dosjet për në SPAK dhe Strasburg

SPAK të nisë hetimet për kontratën e miliardave të Check-up, vulosur nga Ilir Beqaj

 

Spitalet pa ilaçe, koncensionarët e shëndetësisë me vila luksoze në Evropë

 

Kontrata e ministrisë së Shëndetësisë të Ilir Beqajt bëri miliarder edhe pa kryer asnjë shërbim koncesionarin e Check-up. A do nisë SPAK hetimin e thelluar për 3 vila, një në Peleponez të Greqsië, një në Bernë të Zvicrës dhe një në Torino të Italisë? Koha të verifikohet se kush e dhuroi dhe kujt iu fal vila në Bernë të Zvicrës? Koncesionet në shëndetësi janë dhe do të mbeten ‘gropa e zezë’ e qeverisjes së Rilindjes, nëpërmjet të cilës taksapaguesve shqiptarë u janë marrë miliona euro për një shërbim që jo vetëm nuk solli të veçantë, por përkundrazi krijojë një gjendje shumë herë më të rënduar sesa më parë. As korrupsioni, as paratë nën dorë, as blerja e medikamenteve në farmacitë rreth spitaleve nuk u ndaluan. Gazeta “Telegraf” ka qenë shumë kritike në lidhje me këto koncesione shëndetësore, personazhi kryesor i nënshkrimit, mbrojtjes institucionale dhe propagandës së shfrenuar për mirqenie mbetet ish-ministri i kohës në shëndetësi Z.Ilir Beqaj. Më poshtë po publikojmë raportin e ministrisë së Financave dhe atë të KLSH-së në lidhje me ketë megaskandal si dhe kërkesat e vazhdueshme që gazeta “Telegraf” u ka dërguar zyrtarisht ministrive të Shëndetësisë, Financave, Ekonomisë dhe ISKSH-së për zbardhjen e kontratës së plotë dhe bërjen publike të numrit të vizitave dhe kontrafirmat e të gjithë qytetarëve. Kjo do të ndihmojë edhe në qartësimin dhe hedhjen poshtë të hipotezave se shumë persona figurojnë më Check-up të bërë por nuk kanë shkuar realisht për ta kryer. Minimalisht të krijohet mundësia që secili qytetar të verifikojë emrin e tij, nëse i është përdorur apo jo certifikata apo numri i kartës për llogari të Check-up? Kush është autoriteti që kontrollon Chec-up dhe mbi bazën e cilës kontratë e ushtron këtë kontroll? Nëse SPAK nuk e shikon të arsyeshme të nisë hetimin, Gazeta “Telegraf” do t’i drejtohet nëpërmjet zyrës avokatore këtij institucioni dhe organeve të tjera të mbrojtjes së të Drejtave të Njeriut me qendër në Strasburg dhe atyre pranë OKB-së.

 

Koncesionari i Check-up ka marrë 8.5 milionë euro për 580 mijë kontrolle të pakryera

 

Shteti e ka paguar koncesionarin e Kontrollit Bazë Mjekësor (check-up) për 580 mijë kontrolle të pakryera përgjatë periudhës 2015-2018. Kjo shifër është bërë e ditur në një raport për koncesionet të publikuar nga Ministria e Financave. Për këtë kontratë Partneriteti Publik Privat në nivel vjetor janë parashikuar 475,000 përfitues të shërbimit, pra 39,583 raste në muaj, për të cilat kompania koncesionare i merr pagesat, pavarësisht nga fakti, nëse ato realizohen apo jo. Por, numri real i kontrolleve të kryera për periudhën 2015-2018 ka qenë shumë më i ulët, përkatësisht;

244,420 në vitin 2015;

329,555 në vitin 2016;

316,601 në vitin 2017,

428,891 në vitin 2018,

 

Në total, për këto 4 vjet, diferenca mes kontrolleve të paguara dhe atyre të realizuara rezulton 580,533. Koncesionari paguhet çdo vit 876 milionë lekë ose 1,844 lekë për çdo kontroll të planifikuar. Si rrjedhojë, sipas përllogaritjeve të Monitor, rezulton se koncesionari ka marrë rreth 1.1 miliardë lekë (8.5 milionë euro) në periudhën 2015-2018 për kontrollet që realisht nuk i ka kryer! Ministria e Financave e pranon në raport që “Rreziku i kërkesës do të jetë i lartë në rastin e këtij shërbimi, pasi ky projekt nëpërmjet kësaj kontrate AK i garanton një mbështetje financiare koncesionarit deri në 475.000 kontrolle në vit”. Ashtu si në rastin e koncesionit të sterilizimit risku financiar sërish është marrë përsipër nga shteti. Sipas raportit, “ky projekt është propozim i kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, i nënshkruar në vitin 2015 me shoqërinë koncesionare “3P Life Logistic” dhe ka kohëzgjatje prej 10 vitesh. Kjo kontratë ka filluar të implementohet në datë 31.03.2015 dhe zbatimi i projektit ka ecur sipas afateve të përcaktuara në të. Në bazë të kësaj kontrate, shoqëria koncesionare ka marrë përsipër të ndërtojë, pajisë me aparaturat mjekësore të nevojshme, operojë dhe menaxhojë 20 laboratorë. Në lidhje me këtë megaskandal të Check-up, për të cilin organet e drejtësisë kanë filluar disa herë hetimet dhe çuditërisht i kanë mbyllur ato. Gazeta “Telegraf” i ka kërkuar publikisht Prokurorisë së Përgjithshme, KLSH-së, krimit ekonomiko-financiar, ministrive të linjës si ajo e Shëndetsisë, Financave, Ekonomisë (që kur ishin të ndara ku njëra likuidon paratë dhe tjetra ndjek kontratën), Drejtorisë së ISKSH-së, të bëhet publike Kontrata e CHECK-UP, pasi është e pamundur që kjo kontratë të gjendet.

Ja dokumenti që i është dërguar nga gazeta “Telegraf” – ministrisë së Shëndetësisë dhe FSDKSH, më 24. 04. 2017, ku i kërkohej transparencë për miliardat e taksapaguesve, të cilat, sipas organeve të kontrollit, rezultojnë me abuzime.

Lënda : – Informacion, lidhur me Koncesionin mjekësor “Chek-up”, që financohet nga taksapaguesit shqiptarë, nëpërmjet Shtetit Shqiptar

 

Drejtorisë së Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH)

Për dijeni: Ministrisë së Shëndetësisë

 Gazeta “Telegraf”, në përmbushje të detyrës së saj për informimin e publikut dhe në zbatim të së drejtës tonë ligjore për të kërkuar e për të na dhënë informacion, kërkojmë, sa më poshtë vijon:

  1. Kopje të plotë të Kontratës Koncesionare të shërbimit “Chek-up”.
  2. Procesverbalin e Vendimit të Këshillit të Ministrave, të firmosur nga ministrat në mbledhjen e këshillit të ministrave dhe diskutimet e tyre, lidhur me propozimin dhe miratimin e shërbimit të “Chek-up”
  3. Vendimin e shoqëruar me procesverbalin përfundimtar të shpalljes fituese, të firmës koncesionare, të firmosur nga anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO) të Ministrisë së Shëndetësisë
  4. Akt vlerësimin financiar të kostos dhe afatit kohor për shërbimin koncesionar “Chek-ap”, me firmat e grupit të punës.
  5. Vendimin për shpalljen (jo shpalljen në Buletinin e Prokurimit Publik), për garën e koncesionit.
  6. Informacion shkresor për dosjet e pjesëmarrësve, në garën për koncesionin e “Chek-up”
  7. Numrin total të shtetasve shqiptarë që kanë kryer “Chekup”-in, deri në datën 31 dhjetor 2016
  8. Numrin e shtetasve shqiptarë, që kanë kryer “Chekup”-in deri në datën 31 dhjetor 2016, sipas qendrave mjekësore të çdo Bashkie, Rrethi e Qarku
  9. Vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë, për të miratuar ndarjen e aksioneve të koncesionit me shoqërinë e karburanteve dhe mbetjeve spitalore “3P LIFE LOGISTIC” Shpk, të administruara nga z. Altin Fani
  10. Informacion, lidhur me qendrat spitalore e laboratorike private, ku sipas kontratës koncesionare, duhen bërë kontrollet e “Chek-up”
  11. A ka marrë kompania koncesionare, regjistrat e shtetasve nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile dhe me çfarë urdhri dhe ligji?
  12. A i janë bërë ndryshime kontratës koncesionare të “Chekup”?
  13. A përputhet vlera e paguar nga shteti, me numrin e shtetasve që kanë kryer “Chek-up”?
  14. Procesverbalet ditore të evadimit dhe asgjësimit të mbetjeve të aktivitetit të “Chek-up” sipas qarqeve
  15. Numrin e punonjësve të siguruar të kompanisë “3P LIFE LOGISTIC” shpk, që kryejnë vetëm shërbimin e “Chek-up”
  16. Shlyerjen e detyrimeve fiskale në shërbimin tatimor prej kompanisë koncesioanre “3P LIFE LOGISTIC” shpk., për detyrimet ligjore kontraktuale të “Chek-up”
  17. Informacion, nëse Ministria e Financave, ka bërë pagesa të këtij koncesioni, përpara shlyerjes së detyrimeve të kompanive të tjera shqiptare e të huaja që presin prej 2-3 vitesh radhën e shlyerjes dhe a ka dijeni ministri aktual i Financave, për këtë tejkalim renditjeje
  18. Informacion, mbi raportimin në Ministrinë e Shëndetësisë si autoritet kontraktor dhe në Kryeministri, si organ që ka miratuar këtë koncesion
  19. Raportet e ballafaqimit të veprimtarisë së koncesionit në Komisionin Parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese dhe në Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë
  20. Raportet e ballafaqimit të veprimtarisë së koncesionit në Komisionin Parlamentar të Ekonomi Financës, si financim nga Buxheti i Shtetit
  21. Akt Kontrollet e Ministrisë së Shëndetësisë, për zbatimin e kontratës koncesionare “Chek-up”, si shërbim shëndetësor
  22. Praktikat e shlyerjes së pagesave të bëra nga Ministria e Financave, referuar ligjit, që çdo pagesë në kontratat koncesionare, shoqërohet me raport mbi volumin dhe korrektesën e shërbimit, firmosur nga institucionet publike shëndetësore, ku institucioni fundor është Ministria e Shëndetësisë.
  23. Informacion, nëse sipas ligjit përputhet ose jo gjendja penale dhe administrative ligjore e shoqërisë “3P LIFE LOGISTIC” shpk dhe e administratorit të saj Altin Fani, lidhur me veprimtaritë në biznese e koncesione të tjera brenda dhe jashtë Shqipërisë
  24. Informacion, nëse ka nisur ndonjë hetim prej Institucionit të Prokurorisë, lidhur me ligjshmërinë e futjes në veprim, mbi procedurat e shpalljes së fituesit, për vlerat financiare dhe zbatimin e koncesionit “Chek-ap”
  25. A ka lidhje kjo kompani apo ortakët e saj me skandalet e bizneseve ndërkombëtare të naftës Bruto dhe trafikun e naftës së ish-diktatorit Sadam Hysein?
  26. A ekzistojnë lidhje midis Kompanisë së telefonisë rurale “HERMES”, kompanisë së cigareve dhe Check-up?
  27. A ka lidhje midis këtyre kompanive dhe “Firmës Everst Oil”?
  28. Kush e mban përgjegjësinë për ndryshimin e Kontratës me rritjen dhe uljen e moshës. A mendoni se kjo ka kompromentuar kontratën fillestare dhe është bërë fitues në mes të rrugës kompania aktuale, ndryshe nga çfarë kishte paraqitur në kontratën fillestare?
  29. Mbi bazën e çfarë fature tatimore bëhen likuidimet bankare. Kush e lëshon faturën, kush e verifikon, a ka procesverbale dhe kush i disponon ato?
  30. LISTËN E PERSONAVE QË KANË KRYER Check-up ? ( Jo përgjigjet e analizave por vetëm listën emërore )