Sot, ora 11.00 në Muzeun Historik Kombëtar, promovohet libri i Suzana Jahollarit dhe Kujtim Boriçit: Gratë oficere në rrjedhën e Historisë

771
Sigal

Libri “Gratë oficere në rrjedhën e historisë” me autor Suzana Jahollari, Kujtim Boriçi

Mirënjohje dhe falënderim

Pas një pune njëvjeçare, mundëm që të botojmë pjesën e dytë të librit “Gratë oficere në rrjedhën e historisë…”. Sigurisht, ndërmarrje të tilla të vështira, nuk mund të ndërmerren e realizohen pa kontributin e gjerë të të interesuarve e dashamirësve, studiues, publicistë, drejtues të institucioneve shtetërore, të vetë grave oficere brenda e jashtë Shqipërisë. Dhe ndonjë hezitim apo pengesë aty ku dhe nuk pritej, nuk mundi të pengojnë këtë angazhim të një grupi shumë të madh të të interesuarve Ka qenë ndihma e pakursyer dhe angazhimi i dhjetëra kolegëve, ushtarakë madhor, drejtues të rëndësishëm të institucioneve shtetërore, shkrimtarë e historianë, që u bënë pjesë e stafit që përgatiti këtë libër, duke qenë dhe garanci dhe për pretendimin e të qenit të tij, sa më cilësor.. Ndaj falënderimi jonë si autorë të librit, shkon për të gjithë ata që u angazhuan në mënyra e forma të ndryshme, u bënë pjesë e këtij libri gjatë përgatitjes, deri në botimin e tij. Pa pretenduar dhe në pamundësi ti përmendim të gjithë, falënderimi jonë është për Zëvendësministrin e Mbrojtjes Petro Koçi; Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, gjeneral Bardhyl Kollçakun; Presidentin e SHKURSH, Thoma Konduri; z. Rustem Peçi, Kryetar i Komitetit Kombëtar të Veteranëve; profesorin e historianin Bernard Zoto; ushtaraken e pedagogen e talentuar e të papërtuar, Liliana Mero që ka një ‘peshë’ të konsiderueshme në këtë projekt; ushtarakun e njohur e mikun tonë Perikli Koliçi; ‘Kryekomisar’ Skënder Doda, oficer madhor në Ministrinë e Brendshme, publicist e autor librash; pedagogun e Akademisë Ushtarake “Skënderbej”, Agim Gjini; z. Zyhdi Kroj, President Nderi i SHKURSh; shkrimtarin dhe poetin ushtarak, mikun tonë Arben Duka; shkrimtarin dhe poetin e njohur ushtarak Sali Frangu; të palodhurin, poetin emigrant në SHBA, Veri Talushllari; kolegen Nadire Xhakolli; Drejtorin e Gazetës “telegraf”, z. Engjëll Musai; të talentuarën, oficeren e poeten kombëtare Ilirjana Sulkuqi; Prof. Dr. Luan Nikollarin, mjekun e funksionarin e lartë në Institucionet Shëndetësore të Ministrisë së Mbrojtjes; Aqif Bozhiqi, kreu i Shoqatës së Ushtarakëve në Greqi; gazetarin e kolegun Xheladin Çelmeta, ushtarakun e publicistin Gëzim Loka; oficeret e reja në karrierë Anisa Ndoci, Ervjena Sevdari, Erisa Ferko, Kristina Dajko, Pavlina Lala etj… Mirënjohje e falënderim për të gjithë…

Për pjesën e tretë të këtij libri që është në proces, lutemi të gjithë grave shqiptare oficere (aktive dhe në rezervë) dhe të tjerëve që duan të sjellin materialet me jetëshkrim, dëshmi ngjarje apo kujtime për ‘to, të kontaktojnë me autorët në rrjetet sociale apo si më poshtë: Numrat telefonikë 0682097756 dhe 067306983; e-mailet: [email protected], [email protected] dhe [email protected]. Faleminderit!

Autorët e Librit: Suzana Jahollari, Kujtim Boriçi

*****

Kursi i parë i vajzave oficere në vitet 1967-1969 dhe risitë që sollën në Shkollën e Bashkuar

Nevruz Sako

Ish pedagog e më pas komisar i shkollës

 Viti 1967 ka shënuar një ngjarje të veçantë jo vetëm për Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha” ku përgatiteshin kuadrot oficerë për repartet dhe njësitë e ushtrisë, pasi në këtë vit, për herë të parë në këtë institucion arsimor ushtarak, pranohen të studiojnë e më pas të titullohen oficere edhe vajzat. Vendimi i qeverisë së kohës, u shoqërua me masa të shumta strukturore, organizative, logjistike, të personelit dhe në shumë aspekte, pasi futja masive e femrave në ushtri, në funksione të ndryshme, kundrejt një praktike pothuaj krejt mashkullore deri tani në historinë e ushtrisë shqiptare, pasi ndryshimet e pritshme nuk do të ishin të vogla dhe ecej në një rrugë të panjohur në vend dhe që ishte praktikuar në masë të vogël e pak vende të kontinentit. Futja e femrave si studente kandidate për oficere në vitin 1967, që solli nisjen e menjëhershme të mësimit nga rreth 70 maturante nga i gjithë vendi, fillimisht në shkollë, më pas dalë-ngadalë dhe në ushtri, do të sillte risi të shumta. Në këtë aspekt, koha do ta vërtetonte shumë shpejt se një hap I tillë ishte pozitiv, solli risi të reja në Forcat e Armatosura, më tepër qytetari e kulturë, më shumë mundësi bashkëpunimi e bashkërendimi mes hallkave komanduese e bazës, deri dhe më shumë gjallëri në aktivitet e përmirësim në mentalitet. Novruz (Turku) Sako, ka qenë ndër pedagogët e parë që mësonte e stërviste vajzat studente ushtarake, duke u dhënë një nga lëndët më të vështira, sidomos atyre të specialitetit gjitharmësh.

*  *  *

Në vitin 1967, erdhi kondigjenti i pare i vajzave që do të studionin për oficere të Ushtrisë Popullore. Ashtu si djemtë që mbaronin shkollën shtatëvjeçare me mesataren 8 e lart, edhe vajzat zgjidheshin për oficere, me këto kritere. Ardhja e tyre në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve, “Enver Hoxha”, ishte një ngjarje dhe një ndryshim i madh në jetën dhe veprimtarinë ë shkollës. Kështu e mendonim dhe e diskutonim ne oficerët, por edhe studentët, sepse në ambientet e shkollës do të jetonin, stërviteshin dhe mësonin edhe vajzat për oficere. Dhe sjellja e qëndrimi ynë (nga një ambient tërësisht mashkullor), tani do të kishte ndoshta disa ndryshime në sjelljen me femrat studente, në krahasim me studentët. Një numër i konsiderueshëm i oficerëve, ishin në moshë të re, sapo kishin mbaruar Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve, “Enver Hoxha, të përafërt me moshën e vajzave. Pastaj kishte shumë oficerë që ishin beqarë; për shembull, në katedrën e taktikës gjitharmëshe dhe të përgatitjes së zjarrit, ishin shumica te rinj, nga të cilët unë isha i fejuar.

Në periudhën 1967-1971, unë zhvilloja mësime dhe stërvitje taktike të luftimit, përveç dy togave të zbulimit, edhe në klasat e specialiteteve, si ndërlidhje, prapavije, xhenio etj. Kur filluan studimet, togat e vajzave për oficere, mua më caktuan të jepja mësimet dhe stërvitjen e taktikës së luftimit me togat e studenteve. Vajzat studente ishin më të angazhuara, më të mobilizuara, më korrekte dhe më të përkushtuara për stërvitjen e mësimet. Ato edhe kur kishin probleme shëndetësore, nuk do të shmangeshin nga stërvitja. Në klasë dëgjonin me vëmendje dhe studionin me vullnet, ndërsa në terren, zor se dalloheshin nga djemtë në veprimet praktike. Ato përballonin vështirësitë në shi, në të ftohtë, po kështu në mot të nxehtë e në kushte të vështira terreni. Vajzat studente ushtarake, ishin korrekte dhe të sjellshme në marrëdhëniet me oficerët dhe me djemtë studentë. Ato ishin vajza me karakter dhe të ndershme. Te gjitha veprimet ditore, i kryenin sipas orarit të veprimeve, njëlloj si gjithë efektivi i shkollës. Në të gjitha rreshtimet, ishin të inkuadruara në një kompani më vete, në batalionin e specialiteteve. Uniformën e mbanin të pastër dhe gjithmonë të hekurosur. Kur u graduan oficere, kondigjenti i parë, në 1979, komanda emëroi disa oficere që të punonin me kompaninë e vajzave. Për mësimet dhe stërvitjen e taktikës së luftimit emëruan oficeren Liljana Konomi,( Mero), një vajzë dhe oficere e shkëlqyer, e përgatitur ushtarakisht, korrekte, detyrat i zbatonte me disiplinë dhe shumë e saktë, e përkushtuar për detyrat dhe karrierën ushtarake. Po kështu, u emëruan oficere për përgatitje zjarri dhe për komandante e komisare të kompanisë së vajzave. Liljanën, që jepte taktikën e luftimit, e porositën që të bashkëpunonte me mua për të shkëmbyer përvojë mësimore. Kështu, kur nuk kishte ngarkese mësimore, ajo merrte pjesë si vëzhguese kur unë zhvilloja mësime e stërvitje me togat e zbulimit etj. Gjithashtu edhe unë merrja pjesë në mësimet që ajo zhvillonte me togat e vajzave. Liljana ishte një pedagoge e shkëlqyer për mësimdhënie, metodiste , e zgjuar, e shkathët dhe e ditur, e zotëronte lëndën dhe shpjegonte qartë. Që në vitin e parë, në procesin e punës dhe dhe mësimit, disa shokët tanë oficerë u njohën dhe u lidhen me studentet dhe me to krijuan familjet e tyre.

****

Gratë ushtarake në medie

Rajmonda Maleçka, publiciste, gazetare, shkrimtare

dhe fotografe e luftërave të shqiptarëve në Ballkan

Raimonda Maleçka, pjesëmarrëse si gazetare e luftëtare në luftën e UÇK-së dhe në Maqedoni, mbahet mend si reportere e luftës në front, si shkrimtare e poete që I ka kushtuar luftës, heronjve dhe luftëtarëve të saj edhe disa libra, por dhe si një luftëtare që provoi torturat dhe qëndroi muaj të tërë në burg për shkak të aktivitetit të saj atdhetar. Ajo ka parë me sytë e sajë heroizmin e luftëtarëve në front, rënien në vijë të parë të frontit të trimave të lirisë, heronjve e dëshmorëve të saj, duke i përcjellë sistematikisht në medie. Një bisedë me Rajmondën, për jetën dhe aktivitetin e saj, vjen krejt natyrshëm…

Fëmijëria

Fëmijëria e brezit tim në Tiranë lidhet me interesa të dukshme për shkollën dhe letërsinë në veçanti. Shkolla ishte aktive ngaqë aktivitetet ishin të përditshme, ku gjeje mundësi për të plotësuar vetveten. Kam qenë një fëmijë që më ka pëlqyer leximi i librave, soditja e natyrës dhe mirësia njerëzore prej nga ka rrjedhur dhe poezia ime e parë. Kam pasur një kujtesë të mrekullueshme nga prindërit për të plotësuar prirjet e mia në shkollë dhe jashtë saj. Pra kam pasur një fëmijëri, e cila më së shumti është jetuar mes moshatarëve të mi.

Rinia

Ndoshta më së pari duhet t’ju shpjegoj se ç’jam sot për të shkuar tek rinia ime, edhe pse ende në ujërat e rinisë “Jetoj”. Pa gabuar aspak, atë Rajmondë që shihni sot është zgjatimi i karakterit tipik dhe interesave të jetës në gjimnaz dhe vrullin rinor. Jam shkolluar me një gjimnaz të njohur për nivelin, interesin e talentet që ka nxjerrë. Gjimnazi “Partizani” ka qenë dhe mbetet shtëpia ime e dytë ku mori rrugën dhe forcoi “krahët” drejtimi im për jetën intelektuale. Do të lidhesha përjetsisht me dashurinë për librat dhe historinë e vendit tim. Dalëngadalë Kosova dhe Çështja Kombëtare do të shndërrohej në objektin kryesor të jetës sime. Brezi im rinor dhe sot vazhdon të jetë pjesa më aktive e zhvillimit të Shqipërisë dhe ringritjes së Kosovës. Është koha kur kam investuar gjithçka në leximin e librave, në të shkruarit poezi. Është një kohë që tek unë ka lënë vrullin, fuqinë për të bërë çfarë quaj të arsyeshme dhe të mundur. Është një kohë për të cilën gjithmonë ndjen rrëmbim sa herë kthen kokën pas. Ndoshta në këtë moshë, babai im dhe familja ime gjeti momentin e duhur për të na lidhur më shumë me vlerat kombëtare dhe të rëndësishme me të cilat ishin përballur të parët e familjes sonë që nga koha e Skënderbeut e deri sot. Unë sot kam zbuluar se pjesë e krerëve që Skënderbeu i ka pasur në rreshtin e ngushtë të tij ka qenë dhe një nga të parët e derës sime sot, pra një nga Maleçkët për të cilët do të gjej rastin dhe vendin dhe do të flas më gjatë.

Familja

Familja ime jam unë dhe tre shokë të mirë. Pra, janë babai, nëna dhe im vëlla. Më pëlqen t’i quaj shokë, ngaqë kurrë s’më kanë penguar pasionin dhe interesat e mia intelektuale për të bërë këtë që kam bërë deri sot. Nuk besoj se mund të gjendet (femër si unë), më e mbështetur dhe e mirë kuptuar me familjen e vet për të punuar. Jetojmë si qytetarë të thjeshtë duke ruajtur traditën e familjes dibrane prej nga e kemi prejardhjen. Me Dibrën vazhdojmë të mbajmë lidhjet e çdo kohëshme. Im atë, unë dhe po kaq dhe nëna ime Xhumja, e cila nga origjina është tiranase, asnjë rast që vjen, në dasma apo në fatkeqësi, apo rast tjetër nuk e lënë pa e nda pritjen me zakonet e Dibrës dhe të Tiranës, po ashtu dhe kuzhina ajo është. Pra, dhe pse familja ime ka shumë kohë që ka ardhur në Tiranë, pasi kemi pasur dhe shumë prona e tregti në Tiranë, para çlirimit, lidhjet tona janë me Dibrën sikur të kishin ardhur dje nga ai vend, i cili ka pasur dhe ka cilësi të rralla shqiptare. Ështm ë nder i madh me qenë nga Dibra dhe dibran apo dibrane.

Arti

Përpiqem të jem vetvetja falë bashkëpunimit që kam me njerëzit e artit dhe të kulturës. Kam botuar njëmbëdhjetë tituj librash, secili është pjesë e jetës sime. Ç’ka dua të them, lidhjen e fortë që arti përcjell me atë që vjen përherë rastësisht e herë nga vëzhgimi. Kam kërkuar të shkruaj një lirikë të thjeshtë, një copë shpirti të hedhur mbi letër. Ndryshe ndodh me poezinë e luftës e cila ka një realitet tjetër, me dhimbjen dhe preludin njerëzor. Atë që gjendet në poezinë time duhet ta besoni se unë e kam prekur më parë. Librat me Poezi “Tungjatjeta Kosovë” dhe “Prelud Pavarësie” janë realiteti më i prekshëm i jetës sime. Ka qenë dhe mbetet një poezi që më ka afruar edhe me kronikën, prej nga janë gatuar librat e tjerë që unë i kam shkruar posaçërisht për luftën, qoftë si “Nëpër ditët e dhimbjes dhe lirisë së Kosovës” qoftë tjetri “Ora e Kombit” apo “Tokë Arbnore”. Gjithë kjo masë ndjesish i ka plotësuar me një lëndë të bollshme punën time si publiciste, gazetare, madje dhe si fotografe e luftërave të shqiptarëve në Ballkan”. Unë ja kam kushtuar jetën librit. Pra koha ime është brenda tyre, për këtë jam e gëzuar dhe e lumtur, pasi në një farë mënyre e kam “fiksuar” kohën, e kam ndalur dhe e kam shndërruar në vlerë të prekshme. Këtë avantazh ka një krijues dhe një shkrimtarë, kulturolog apo historian. Në këtë rast dua t’ju tregoj edhe disa libra të tjerë që kam botuar pas Pavarësisë së Kosovës. Libri “Hasi mes luftës dhe lirisë” (2010), përveç se është libri im më emblematik, më i vështirë, është dhe libri më i lodhshëm. Është folur e shkruar për Hasin, njërën nga shtigjet më të rëndësishëm të luftës së UÇK-së, për njerëzit e tij, për ngjarje, rrethana, personazhe të njohur, për kompleksin e luftës. Ai është një libër shumë-zëshëm ku për këmbejnë njëra-tjetrën, stili monografik, analiza, dëshmia, kujtimet, rrëfimet dokumenti dhe fotografia. Është një nga librat që peshon shumë në punën time shkrimore. Në vitin 2013 kam botuar një monografi për dëshmorin e kombit, Safet Peci-Boletini dhe vëllimin e parë të serisë poetike “Mbollën gjak mbijnë këngë”- një libër voluminoz me 383 balada për dëshmorët e Trojeve Etnike. Libri i 14 është i titulluar” Një President në Blliçe”-(2016), një reportazh historiko-bashkëkohorë, kushtuar origjinës së familjes time në Dibër. Besoj këto tituj librash janë një copëz jetë për një vajzë të moshës time.

E kaluara

Besoj se pak a shumë i thashë ato që mund të krijojnë një vizatim të thjeshtë për të kaluarën time. Ndoshta më mirë se kudo, e kaluara e njerëzve të mi është e mishëruar tek unë. Ne kemi qenë një familje besimtarësh në Dibër dhe atdhetarësh të njohur që prej viteve 1430 e më pas në Lidhjen e Shqiptarëve të Prizrenit. Dibra në këtë kohë ka qenë treva që ka prodhuar lajme dhe kronika të çuditshme. Me këtë lloj edukacioni dhe kuptimësie unë e kam përvetësuar historinë e familjes sime, me çfarë ndjehem mirë ç’kanë bërë ato për ne.