Sot dita ndërkombëtare e emigracionit. Një ndër 29 persona emigron

893
Sigal

Në mbarë botën shifrat tregojnë se një ndër 29 persona, është emigrant.

Sot dita ndërkombëtare emigracionit

-Aktaulisht rreth 30% e popullsisë së Shqipërisë është në emigracion

-Vitet e fundit dërgesat e emigrantëve në atdhe kanë qenë 600 milion dollar

– Me normën e 20 viteve të fundit të largimit, emigrantët ndërkombëtarë në mbarë botën në vitin 2050 mund të arrijnë deri në 405 milionë

Albert Z. ZHOLI

Sot mbushen 29 vjet nga emigracioni masiv i shqiptarëve në botë. Edhe emigracioni ka ditën e tij. Ndoshta fundviti që bën bilancet ekonomike bën dhe bilancet emigruese. Ndoshta për këtë arsye dita e emigracionit është lënë për 18 dhjetor. Kjo ditë është quajtur Dita Ndërkombëtare e Emigracionit. Tashmë emigracioni është bërë një fenomen mbarëglobal. Lëvizjet e njerëzve dhe popujve nga një shtet në një shtet tjetër dhe nga një kontinent në një kontinent tjetër janë bërë mesë normale. Duke parë masën e madhe të emigrimit janë piketuar (cilësuar) dhe vendet kryesore ku pikësynojnë si emigrantët e ligjshëm dhe refugjatët. SHBA, Angli, Francë, Itali, Gjemani, Zvicër, Kanada, Spanjë, Australi, Zelanda e Re janë vendet ku synohet nga të gjitha kategoritë e emigrantëve. Në këtë kontekst, globalizmi, europianizmi, emigracioni dhe përzierja e kulturave dhe e kombeve po merr përmasa gjithnjë e më të mëdha. Përzierja dhe shkëmbimi i kulturave është bërë një fenomen i zakonshëm. Në këtë lëvizje të gjerë që në pamje të parë duket kaotike, vendet europiane zënë një pozicion të veçantë. Bile pritet që në dhjetëvjeçarin e tretë të këtij mijëvjeçari, numri i emigrantëve të rritet më shumë, pasi pritet që Afrika të kalojë temperatura në rritje që do të bëjë të shterojnë rezervat e ujit dhe popullsia të mos durojë nxehtësinë e madhe.

Aktualisht në Evropë
Aktualisht në Evropë ka shtete që dikur ishin vende eksportuese të emigracionit masiv, ndërsa sot janë kthyer në vende emigrant importues. Për këtë nuk shkojmë larg por dy fqinjët tanë Italia dhe Greqia (të cilët sot mbajnë ¾ e emigrantëve shqiptarë), jo më shumë se 26 vjet më parë kanë qenë vende emigrant eksportues. Në ditën ndërkombëtare të emigrantëve, gazeta “Telegraf”, Instituti i Emigracionit Shqiptar, e vlerësojnë pozitivisht kontributin global të emigrantëve dhe rolin e tyre të shumanshëm në shoqëritë anembanë botës. Faktori emigracion sot përbën thelbin e mirëqenies së familjeve në çdo vend të varfër nëpërmjet lidhjeve ekonomike dhe njerëzore mes vendeve pritëse dhe atyre të origjinës.

Numri i emigrantëve në botë dhe dërgesat
Gjatë 40 viteve të fundit, numri i personave që jetojnë jashtë vendit të tyre është dyfishuar, duke e çuar në 270 milionë njerëz kontigjentin e tyre. Në mbarë botën shifrat tregojnë se një ndër 29 persona, është emigrant. Emigracioni ushtrohet kryesisht për arsye ekonomike dhe të ardhurat e punës së emigrantëve kanë ndikuar në zhvillimin dhe zbutjen e varfërisë së vendeve të prejardhjes së tyre. Fluksi global i dërgesave vlerësohet në shumën 238 miliardë dollarë dhe realisht është tre herë më i lartë se dërgesat zyrtare (nëpërmjet bankave dhe postës së sigurt). Të ardhurat dhe investimet e emigrantëve kanë sjellë përparësi në rritjen e standardit të jetesës, në përmirësimin e ushqimit, strehimit, kujdesit shëndetësor dhe arsimimit. Ato, gjithashtu kontribuojnë në zhvillimin e vendeve të tyre të origjinës duke sjellë aty eksperiencën, risitë dhe njohjet e nevojshme që kanë fituar jashtë vendit të tyre nëpërmjet kthimit virtual dhe real, të përhershëm apo të përkohshëm. Të dhënat e mësipërme i publikon Banka Botërore në “Global Ekonomik Prospects”, 2008. Sipas Bankës Botërore transferimi i parave të emigrantëve tek familjet e tyre është një armë e fuqishme për luftimin e varfërisë. Rreth 177 miliardë dollarë kanë arritur gjatë vitit të kaluar në vendet në zhvillim. Me këtë shifër, vendet në zhvillim morën nga emigrantët dyfishin e të hollave që marrin nga organizatat ndërkombëtare si ndihmë për zhvillim. Në shumë vende në zhvillim, të hollat që dërgojnë emigrantët përbëjnë burimin më të madh të kapitalit të jashtëm. Madje në disa shtete, si Moldavi apo Bosnje Hercegovinë, këto të holla përbëjnë një të tretën e prodhimit kombëtar bruto. Por në të gjithë botën, shumica e të hollave transferohet në Indi. Në vend të dytë e të tretë vijnë Kina dhe Meksika. “Për Gjermaninë shtetet e ish-Jugosllavisë dhe ato të Bashkimit Sovjetik janë shumë interesante. Por edhe Turqia dhe vendet aziatike si Kina dhe Vietnami, kanë filluar të luajnë një rol të rëndësishëm”, thotë Jan Hillered, ish- shefi i filialit evropian të bankës Ëestern Union. Shumica e të hollave të emigrantëve transferohen nga vendet e pasura në ato të varfra. Për të përfituar edhe më shumë, Banka Botërore u ka propozuar vendasve në zhvillim, që të nënshkruajnë marrëveshjen me shtetet ku ndodhen emigrantët e tyre . Nëpërmjet këtyre marrëveshjeve, emigrantët mund të dërgojnë më lehtë të holla në atdhe si edhe të gjejnë më shpejt punë në vendet ku ndodhen. Sepse emigrantët janë të dobishëm edhe për vendet ku punojnë : “Transferimi i të hollave nga emigrantët, financon nga njëra anë eksportet e shteteve të industrializuara, sepse vendet në zhvillim kanë kështu më shumë të holla në dispozicion për të importuar artikuj nga këto shtete. Nga ana tjetër transferime të tilla influencojnë në mënyrë pozitive kursin e këmbimit”, thotë Florian Vadean, këshilltar pranë Bankës Botërore. Transferimi i të hollave rrit jo vetëm fuqinë blerëse në një shtet, por edhe besueshmërinë e tij për kredinë. Në çdo vend ku ndodhen transferime të rregullta, institucionet financiare mund ta lirojnë aksesin për kapital dhe t’i ulin taksat për dhënien e kredive. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë dërgesat e emigrantëve shqiptarë në vendin e tyre janë rritur nga viti në vit. N.q.s në vitet 1996-2000 ata dërgonin 650-850 milion dollarë në vit, viti 2007 shënoi suksesin më të madh të dërgesave duke i kaluar 1 miliardë dollarët. Viti 2010 shënoi një rënie.

Krahasimet
Dhe pse Shqipëria përbën ndër rastet më të veçanta të emigracionit për frymë të popullsisë, sërishmi ky fenomen nuk përbën një risi as për shqiptarët dhe as për shumë vende të tjera në mbarë globin. Bile edhe ato vende që deri dje ishin emigrant eksportues dhe sot kanë ndryshuar kah, sërishmi nuk mund të lënë pa përmendur ndihmën ekonomike që kanë dhënë emigrantët e tyre (bile edhe japin pasi nuk janë kthyer të gjithë si në rastin e Greqisë), për vite të tëra. Emigracioni sot është një fenomen mbarëglobal, por me një ndryshim nga vitet e tjera të fundit të mijëvjeçarit të dytë, është bërë dhe po bëhet në mënyrë më të kontrollueshme dhe me një performancë legale. Gjatë kësaj periudhe, në Shqipëri emigrimi neto, në përqindje në krahasim me popullsinë e përgjithshme të vendit, ka qenë 9,2%, në Bullgari 0,4%, në Jugosllavi 3,7% dhe në Rumani 0,8 %, në një kohë kur mesatarja e të gjitha vendeve të Europës Lindore ka qenë 0, 7%. Intensiteti i proceseve emigruese gjatë periudhës së tranzicionit në Shqipëri ka qenë më i lartë se i vendeve të tjera të Europës Lindore. Aktualisht Shqipëria zë vend të parë në botë për emigracion për frymë të popullsisë. Kjo ndoshta se në krahasim me këto vende, prapambetja ka qenë më e madhe, kolapsi ekonomik më i thellë dhe niveli i pagave dhe të ardhurave reale të popullsisë më i ulët. Një faktor tjetër, që ka ndihmuar fuqishëm në këtë drejtim, është se në vendet e tjera të Europës Lindore pas Luftës së Dytë Botërore, emigracioni ndërkombëtar ka qenë pjesërisht i kufizuar, ndërsa në Shqipëri pothuajse nuk ekzistonte fare. Për periudhën 1991- 1993 emigrimi neto në vendet e Europës Lindore ka qenë 2,6 milionë veta (mesatarja vjetore 850 mijë veta), ndërsa në periudhën 1950- 1990 ka qenë 13 milion veta (mesatarja vjetore 325 mijë veta), gjë që dëshmon se ato gradualisht kanë filluar të integrohen në tregun ndërkombëtar të punës shumë kohë më parë. Karakteristikë për Shqipërinë është hyrja shumë shpejt dhe në mënyrë shpërthyese në tregun ndërkombëtar të punës, por me vonesë prej afro gjysmë shekulli dhe në kushte jo të favorshme për integrim, si rrjedhojë e uljes së kërkesave për forcat e punës nga vendet pranuese. Aktualisht në 38 vende të botës janë 1. 008. 000 emigrantë që tashmë përbëjnë bërthamën e emigracionit duke mos marrë parasysh numrin e emigrantëve me punësim sezonal, çka e rendit Shqipërinë në vendin e parë në botë (Europë) për emigracion në raport me numrin e përgjithshëm të popullsisë. Ky numër përbën 30% të popullsisë dhe afërsisht 59% të rinisë. Pjesa më e madhe e shqiptarëve që kanë emigruar dhe dëshirojnë të emigrojnë i përkasin moshës 20-24-vjeç (49 %) dhe 15-17 vjeç (42,7 %). Ndërsa në raport me vendet e tjera lindore postkomuniste Shqipëria është vendi që e ndjeu më shumë peshën e rëndë të ideologjisë komuniste, e cila në kohën e sistemit e izoloi gjeografikisht dhe e rrënoi ekonomikisht, ndërsa pas përmbysjes sërishmi e renditi atë në vendin me emigracion më të lartë.

Emigracioni masovik shqiptar
Në kulturën e migrimit global, emigracioni masovik shqiptar ka një moshë relativisht të re. Edhe pse shqiptarët kanë emigruar gjatë gjithë historisë së tyre, fluksin më të madh të emigracionit Shqipëria e njohu pas viteve ‘90-të. Ikja e parë ishte ajo e 2 korrikut të vitit 1990 dhe ikja e dytë e madhe pasoi në Mars të vitit 1992 duke u shoqëruar me një emigracion të përhershëm, që në fillim emërtohej me termin klandestinitet dhe tashmë prej pak vitesh i është kthyer termit emigracion i kontrolluar. Në këto 19 vite, rreth 37% e shqiptarëve kanë emigruar në Greqi, Itali, Gjermani, Francë, Amerikë dhe pothuajse në çdo vend të botës, duke e çuar numrin e tyre në 1.180 mijë (me emigrimin e hershëm mbi dy milion shqiptarë). Ky fenomen për shkak të klisheve komuniste në fillim u demagogjizua duke i cilësuar emigrantët e parë si “jashtëqitje e kombit” term që terrorizoi popullatën dhe familjet e të ikurve. Me emancipimin e jetës shqiptare dhe me ndryshimet politike që pasuan në Shqipëri, nisën të evidentohen dhe përparësitë e mëdha të emigracionit. Ndihmesat që i kanë sjellë emigrantët Shqipërisë kanë qenë të dukshme. Sot ato mbajnë me të ardhura me mijëra familje në Shqipëri duke i rritur si nivelin ekonomik dhe standardet e jetesës. Aktualisht emigrantët shqiptarë dërgojnë në vendin e tyre afërsisht 1 miliardë dollarë. Aktualisht në Greqi ndodhen rreth 600 mijë emigrantë shqiptarë ndërsa në Itali 294 mijë.

Emigracioni solli dhe krijimin e një elite
Ndihmat e tyre janë si në sektorin e investimit dhe në atë të mirëqenies së familjeve të tyre të origjinës, duke sjellë dhe ndihmesa të konsiderueshme në investimet e biznesit privat. Një kontribut të rëndësishëm emigrantët shqiptarë e kanë dhënë dhe në krijimin e një ure lidhëse mes biznesit të huaj dhe atij vendas duke sjellë një eksportim të konsiderueshëm të eksperiencës botërore. Emigracioni solli dhe krijimin e një elite me aftësi të veçanta në art, sport, letërsi e shumë sfera të tjera. Një pjesë e mirë shqiptarësh arritën të individualizohen në sfera të artit apo dhe fushave të tjera, duke u kthyer në ambasadorë të paqes dhe mirëkuptimit të vendeve me njëri tjetrin dhe duke krijuar një imazh të ndryshëm për emigracionin shqiptar. Imazh që i kishte rrënjët tek paragjykimi ndaj këtij fenomeni që në trungun shqiptar dhe u pasuan dhe me disa bëma bashkëatdhetarësh, të cilët u bënë pre e trafikimit dhe fitimeve të lehta. Gjatë këtyre viteve ç’ nuk është thënë për shqiptarët! Ndodhitë reale janë tërkuzuar dhe mbas kaq shumë vitesh analistët i cilësojnë këto fenomene si tranzicion dhe të huajt më së fundi si një pjesë që i takon së kaluarës.

Largësia me tokën mëmë
Por ndërsa ne shqiptarët cilësohemi tashmë si emigrantë pozitivë duke u evidentuar në vendet e reja ku jetojnë tashmë ajo që përjetohet negativisht nga emigrantët është largësia që ka kjo shtresë me shtetin shqiptar. Ndonëse kategoria e emigrantëve është përfolur shumë, realisht ato janë një shtresë e braktisur nga shteti shqiptar. Emigrantët vetëm janë përdorur nga politika, ndërkohë që arritjet e tyre janë individuale dhe shumë të vështira. Është këmbëngulja, karakteri dhe stërmundimi që i kanë çuar në këto rezultate të deritanishme. Realisht, emigrantët shqiptarë vuajnë nga mungesa e përfaqësimit dinjitoz, ato trajtohen si ekstrakomunitarë dhe keqtrajtohen vazhdimisht si nga pronarët e huaj, si nga administrata e huaj dhe pa dyshim që dhunohen në mënyrë të heshtur e të vazhdueshme nga shtetet e huaja. Këtu mund të përmendim sorollatjet në ambasada për legalizim dokumentesh apo për bashkim familjar.

E ardhmja

Numri i njerëzve që kanë lënë shtëpinë e tyre në kërkim të një pune ose një jete më të mirë në nivel global dhe ndaj rreziqeve të rënies ekonomike ndërkombëtare dhe krizës në tregje si varfëria, stigmatizimi, diskriminimi dhe abuzimi , sipas një studimi nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin, pritet të arrijë në 405 milionë deri në vitin 2050, ose 7% të popullsisë së botës. “Në dekadat e ardhshme migrimi ndërkombëtar do të ndryshojë në shkallë, hapësirë dhe kompleksitet. Nëse popullsia emigrante vazhdon të rritet me normën e 20 viteve të fundit, të gjithë emigrantët ndërkombëtarë në mbarë botën mund të arrijnë deri në 405 milionë deri në vitin 2050, “thekson  raporti i OKB-së

Në këtë ditë
Pikërisht në këtë ditë, gazeta “Telegraf”  kërkon të tërheqë vëmendjen e shtetit ndaj emigrantëve. Më shumë lehtësira fiskale, më shumë mbrojtje dhe mbi të gjitha një ligj dinjitoz që ti mbrojë ata kudo që ndodhen dhe punojnë. Dhe mbi të gjitha dëshira e emigrantëve është standardizimi i Shqipërisë me vendet ku ato kanë emigruar, në mënyrë që të zhduken problemet ekonomike dhe më së fundi emigrantët të vendosin të kthehen në Shqipëri, ose më saktë të zgjedhin Shqipërinë si një vend ku ato duan të jetojnë. Kjo është një sfidë që të gjithë emigrantët me punën dhe djersën e tyre ia kërkojnë shtetit dhe qeverisë shqiptare prej kohësh.