Sindikata e Policisë së Shtetit/ Do bllokojmë në Gjykatën Kushtetuese projektligjin që largon nga puna policët që mbushin 55 vjeç

1575
Punonjësit e Policisë së Shtetit nuk mund të jenë pronë e titullarit dhe eprorit
Sindikata e Policisë: Bllokojnë në Kushtetuese projektligjin për policët që mbushin 55-vjeç
Sindikata e policisë kundërshton ligjin për trajtimin financiar  të policëve mbi 55 -vjeç. Sindikata e Punonjësve të Policisë së Shtetit i ka dërguar një letër Kuvendit ku deklarojnë se nuk është marrë mendimi i tyre për hartimin e projektligjit,  ndërsa kërkojnë disa ndryshime. Sindikata kundërshton përcaktimin që punonjësi i policies, që me këtë ligj del në pension,  të ketë detyrimin të kryejë 700 orë punë dhe pikën tjetër që i jep të drejtën një titullari, pra drejtuesit të institucionit që të ketë vendimmarrje për të nxjerrë në pension një vartës mbi 55 -vjeç.
Letra e Sindikatës drejtuar Kuvendit
Projektligji “Për trajtimin Financiar  të Punonjësve të  Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Brendshme pas ndërprerjes së marrëdhënieve të punës”, që ka kaluar nga komisioni parlamentar i sigurisë, për mendimin tone, si Sindikatë e punonjësve të Policisë së Shtetit, është paraqitur pranë jush, për ta kaluar  në seancë plenare me disa shkelje, si Kushtetuese, ashtu dhe ligjore, si më poshtë: Sindikatës së Punonjësve të Policisë së Shtetit, si përfaqësuese e vetme e punëmarrësve në Policinë e Shtetit, me statusin e drejtpërdrejtë të grupit të interesit, nuk i është marrë asnjë mendim për këtë projektligj dhe dijeni kemi marrë vetëm me publikimin e tij në faqen zyrtare të qeverisë.
Sigal

Kërkesat e Sindikatës të Policisë së Shtetit
Duke parë pamundësinë  tonë për të ndikuar  sado pak në hartimin e ndryshimin e këtij projektligji  kërkojmë:
a) Heqjen e pikës 1 e 2 të nenit 7, të Projektligjit, ku shkruhet: “Detyrimet e përfituesit, sipas këtij ligji”,  se: “Punonjësit e Policisë kanë detyrimin të aktivizohen në shërbim deri në 700 orë në vit dhe gjatë kësaj periudhe, kanë të njëjta të drejta e detyrime si punonjësit e tjerë të shërbimit përkatës, me përjashtim të trajtimit financiar”,  ndërsa:
Pika 2 e këtij neni, shpreh se: “Mosplotësimi i detyrimit të këtij neni është shkak për ndërprerjen e trajtimit financiar sipas këtij ligji” Projektligji po u miratua ashtu siç ka kaluar i miratuar nga Komisioni  Parlamentar  i Sigurisë, shkel haptazi nenin 26 të Kushtetutës, Kreu II, Liritë dhe të Drejtat Vetjake,  ku thuhet se: “Askujt nuk mund t’i kërkohet të kryejë një punë të detyruar, përveçse në rastet e ekzekutimit të një vendimi gjyqësor.”  Zoti Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, ç’faj kanë bërë punonjësit e policisë që qeveria dhe parlamenti kërkojnë t’i dënojnë me ligj, me punë të detyruar ?!  Për shkak se kanë mbushur moshën 55 -vjeç dhe kanë 30 vite karrierë në polici?!  Pika 2 e nenit 46, i ligjit 108/2014, i ka të përcaktuara qartë rastet kur punonjësi i policisë ndërpret marrëdhëniet e punës. Neni 46, “Ndërprerja e marrëdhënieve të punës”- Pika 2; -Punonjësi i policisë lirohet nga policia në rastet kur:
a) mbush moshën për pension pleqërie;
b) deklarohet i paaftë për punë nga komisioni kompetent mjekësor, sipas ligjit;
c) kërkon vetë të lirohet;
d) shkurtohet funksioni në kuadër të pakësimit të limitit të përgjithshëm organik të policisë;
c) konstatohet pavlefshmëria e aktit administrativ të pranimit etj.
Nga pika 4 e nenit 4: – “Kriteret e përfitimit të trajtimit financiar”,
-Trajtimi financiar përfitohet, me kërkesë të punonjësit, ose “me kërkesë të titullarit të institucionit përkatës”.
b)-Të hiqet togfjalëshi “ose me kërkesë të titullarit të institucionit përkatës”.
Si mundet që  një punonjës policie, në asnjë rast, të ndërpresë marrëdhëniet e punës me kërkesë  të titullarit  të  institucionit  pa shkaqe ligjore?! Nuk mund ta besojmë që Parlamenti mund të kalojë një shkelje të tillë, duke i dhënë një eprori të një institucioni një kompetencë të tillë, në shkelje të të drejtave, për t’i ndërprerë karrierën punonjësit të tij “Për çfarëdolloj arsye”, pa përmbushur kriteret e nenit 46 të ligjit të Policisë së Shtetit. Punonjësit e policisë, “nuk mund të jenë pronë e titullarit”, “eprorit”, që mund t’i largojë kur të dojë ai nga puna, me një kërkesë të tij, duke ia ndërprerë karrierën 10 vjet para kohe?!