Xhevat Mustafa: Dorëheqja, apo largimi i Edi Ramës, jo gjëmë, por festë kombëtare!

379
Sigal

 

Nëse ka akoma burra dhe gra në  PS-Rilindje, që u vjen keq e turp për gjendjen, në të cilën e kanë katandisur partinë dhe vendin e tyre, atyre u takon të pranojnë burrërisht apo shqiptarisht se 7 vitet e qeverisjes së Edi Ramës kanë djegur jo vetëm atë individualisht dhe si ekip, por edhe të gjithë “të majtën”.

Edi Rama duhet të kishte dhënë dorëheqje të paktën 6 herë. Po i përmbledh fare shkurt këto 6 arsye.

Arsyeja e parë, lidhet me skandalin në Austri, më 17 e 18 maj 2019, që detyroi kancelarin Sebastian Kurz dhe gjithë qeverinë e tij të jepnin dorëheqjen dhe për kalimin në zgjedhje të parakohshme politike. Referimi tek kjo ngjarje kishte si qëllim për t’i kujtuar kryeministrit  Edi Rama se fjala dhe praktika dorëheqje, për shkak qoftë edhe të një skandali të vetëm e jo më të një zinxhiri të gjatë skandalesh, ekzistojnë edhe në fjalorin dhe arkivin politik dhe qeverisës të vetë PS-së.

Arsyeja e dytë, ishte “harresa” nga Edi Rama e bunkerit të madh, mbushur me premtime, me të cilat erdhi në pushtet, më 23 qershor 2013 dhe më 25 qershor 2017.

Arsyeja e tretë, lidhet po me njërin nga premtimet kryesore të Edi Ramës dhe taborrit të tij politik dhe qeverisës, se do të krijonin shtet ligjor të vërtetë, të fortë, funksional, që do t’i detyronte bosët e krimit, trafiqeve, korrupsionit,  të kërkonin fshehje e shpëtim nëpër “vrimat e minjve”. Por, në të kundërt, ai futi plot prej tyre në parlament, në rradhët e grupit të tij të deputetëve dhe në përbërje të qeverisë, si ministra, zv.ministra, drejtorë të përgjithshëm. Të tjerë, i bëri kryebashkiakë, prefektë, kryekomisarë të policisë, kryedoganierë, kryetatimorë, drejtorë agjencis. I mbrojti, sikur t’i kishte vëllezër, kur i propozoi dhe emëroi, por nuk reshti duke i mbrojtur edhe kur iu hoqën “petat lakrorëve” të tyre dhe u dolën pisllëqet e shumta nga e shkuara nëpër burgje dhe nëpër dosjet e drejtësisë në Shqipëri e në vende të tjera.

Arsyeja e katërt, lidhet me kanabizimin e mbarë vendit gjatë 7 viteve të qeverisjes Rama.

Arsyeja e pestë, lidhet me korrupsionin e pafre gjatë 7 viteve të qeverive Rama. Shumica e shqiptarëve që i dhanë votën Edi Ramës më 23 qershor 2013 dhe 25 qershor 2017, besuan dhe shpresuan se ai do të ishte i sinqertë dhe i suksesshëm edhe në premtimin për t’i bërë gjëmën korrupsionit në të gjitha nivelet e piramidës politike: qeverisëse, administrative, shtetërore në Shqipëri. Por sot, besoj se shumica e tyre janë bindur se korrupsioni  jo vetëm që nuk u ul dhe kufizua, por mori përmasa edhe më të frikshme e më rrënuese dhe ka ngjitur nivele marramendase në të gjitha qelizat e shtetit dhe të administratës.

Arsyeja e gjashtë, për dorëheqjen e Ramës lidhet me skandalin Bechetti. Më 14 dhe 15 maj 2019 biznesmeni italian Francesco Bechetti fitoi gjyqin në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg dhe 110 milionë euro gjobë për Shqipërinë, për shkak të vendimeve arbitrare  të kryeministrit  Edi Rama, në qershor 2015,  për t’i ndërprerë investimet dhe projektet e Bechettit  në Shqipëri. Qysh nga 24 maj 2019, gjatë vitit të tretë të mandatit të tij të dytë, fare të kotë, plotësisht të dështuar, mbushur me skandale e PPP, që qelben era korrupsion deri në Uashington, Bruksel, Berlin, Edi Rama vetë dhe si ekip qeveritar, u tregua “bujar” për të na dhënë arsye të tjera për dorëheqien e tij dhe si qeveri. Lista e tyre është e gjatë. Ja disa: tërmeti i 26 nëntorit 2019, coronavirusi dhe coronakomedia me masat e egra, absurde dhe absolutiste në kuadër të pandemisë, mosmbajtja e premtimeve për mbështetje të shpejtë e të ndjeshme për viktimat e tërmetit dhe të pandemisë. Lidhur me këto, lulëzimi i tenderave, koncensioneve dhe PPP-ve me procedura të përshpejtuara, krejt formale, dhuruar ortakëve apo oligarkëve të partisë dhe të qeverisë, shoqëruar edhe me djegie arkivash, si në rastin e freskët në Ministrinë e Shëndetësisë. Lista vazhdon me mos ndezjen e dritës jeshile edhe këtë pranverë për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE, me “vrasjen qysh në fetus” të  Reformës në Drejtësi, SPAK-un, OFL-në. Arsye të tjera për dorëheqjen e tij shumë të merituar dhe të vonuar, falur po nga vetë Edi Rama, janë qëndrimi i tij konstant në mbështetje të Hashim Thaçit dhe të Vuçiçit, për skenarin e vjetër serbo-rus, reklamuar si një “shans i artë” për paqen e përjetshme Serbi –Kosovë, të  bisedimeve me “fund të lumtur” shkëmbimin e territoreve, me shumë gjasa, duke rrëmbyer Serbia Mirtovicën e veriut, përfshirë Trepçën.

Por, edhe për mbështetjen e Thaçit dhe të Vuçiçit edhe për t’ia shkurtuar jetën qeverisë së Albin Kurtit e për ta detyruar atë të hiqte taksën 100% për mallrat nga Serbia dhe Bosnja. Dhurata  më e freskët dhe kulmore e Edi Ramës qe shembja e Teatrit Kombëtar më 17 maj 2020 dhe dhuna kafshërore e treguar nga policët e Sandër Lleshajt ndaj aktorëve, regjisorëve dhe qytetarëve, mbrojtës të kësaj vepre emblematike të trashëgimisë sonë kulturore, teatrore dhe kinematografike, që po atë ditë, jo rastësisht, shënoi edhe fundin e “corona-komedisë”. Por dorëheqjen e Edi Ramës e bën edhe më të domosdoshme dhe urgjente edhe vetë cv-ja dhe paaftësia e tij për atë post. Është absurde, paradoksale dhe thuajse aventurë popull-vrasëse, që edhe sot e kësaj dite, në vendin më të varfër në Europë, vazhdon të jetë prej 7 vitesh kryeministër një piktor, me përfolje dhe probleme nga adoleshenca e rinia, nga ditët shtruar në Spitalin Neuro-Psikiatrik apo Nr.5 në Tiranë, e nga kartela e tij mjeksore, bërë publike në medie dhe rrjete sociale, në Shqipëri, Kosovë, Greqi, e tj., më 2017-2019  dhe më freskët më 23 dhe 24 maj 2020, nga avokat Ilir Malindi, nga vitet e emigracionit në Francë; nga lidhjet e mëparshme bashkëshortore apo si bashkëjetesa, te firmat dhe vulat rreth 22 viteve si Ministër i Kulturës, kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe si kryeministër. Dhe për më tepër, në këtë vend prej rreth 10 vitesh në krizë me rënie drastike, në perspektivë deri minus 9 të treguesve kryesorë të zhvillimit dhe të ardhurave, si rrjedhojë e tërmetit të 26 nëntorit 2019, pandemisë së coronavirusit, rritjes së pandalshme të borxhit publik, të PPP-ve skandaloze, etj.

Një arsye tjetër e vjetër dhe e re është paaftësia e qeverisë dhe institucioneve të saj, për të ndaluar fluturimin e çmimeve të shumicës së artikujve të konsumit të përditshëm  jetik, dhe të faturave të energjisë elektrike, të ujit, paketave të internetit dhe të telefonave celularë, të ilaçeve, karburanteve, biletave të avionëve drejt qiellit, duke na i zhvleftësuar ato rimbursime apo rritje qesharake pagash e pensionesh, jo rastësisht, çdo 1 prill, nga qeveria Rama, deri aty sa shumë pensionistë t’i luten e përgjërohen:“Aman, kryeministër, mos na i rrit më pensionet!”                                                    E logjikshme, e pritshme dhe e lavdërueshme do të ishte sikur të ndodhte mrekullia që Edi Rama, me tejngopje të ambicieve dhe dëshirave, edhe përtej ëndrrave dhe pritshmërive të tij të kuptonte e  pranonte, pa ia lënë në derë fajet dhe përgjegjësitë të tjerëve, se kishte dështuar plotësisht, se ishte krejt i paaftë për ta qeverisur vendin në kushtet e krizave të thella shumëformëshe e me një të ardhme edhe më të rëndë, si rrjedhojë e thellimit të tyre. Ai mund të fitonte pikë, nëse do të dilte  para shqiptarëve dhe t’u thoshte me dorën në zemër: “Më falni, o vëllezër e motra! Kaq dita e kaq bëra. Fundja një piktor e ish-basketbollist jam!Unë po jap dorëheqjen! Mendoni për një kryeministër shumë më të aftë se unë dhe për qeveri shumë më të mira se të miat!” Nuk mund të merret me mend se kush i fryn në vesh  apo me mesazhe më shumë Edi Ramës, që të qëndrojë si “shkëmb graniti në fron” e të mos i “dëgjojë” këmbanat për dorëheqje. Vetvetja, ambiciet cinike, frika e ndëshkimit  për ato që ka bërë e nuk ka bërë? Shokët dhe shoqet e “tufës”, ortakët, oligarkët, bosët e çfarëdollojshëm, që kanë qenë ndër të fituarit më të mëdhenj prej firmave dhe vulave të tij dhe që do të jenë humbësit më të mëdhenj nga mungesa e tyre? “Baronë”, “pronarë” ndërkombëtarë, si Sorësët at e bir, të cilëve nuk u ka plotësuar 100% misionin, detyrat, kërkesat për ta bërë Shqipërinë ferr për shumicën e qytetarëve të thjeshtë të të gjitha ngjyrave dhe bindjeve partiake dhe parajsë për bosët e krimit, të trafiqeve, korrupsionit, “prostitucionit politik” si dhe “kafshatë” lehtësisht të kapërdijshme për të ngopur orekset e reja aneksioniste të Serbisë dhe Greqisë…?

 

Dorëheqja e vullnetshme e Edi Ramës mund t’i shërbente edhe PS-Rilindjes  për ndërgjegjësimin se pas përgjegjësive  individuale dhe ekipore të tij, me shokë e shoqe, pas dështimeve dhe skandaleve të tyre, shprehen dhe gjenden lehtë edhe fajet dhe përgjegjësitë e tyre partiake. Nëse ka akoma burra dhe gra në PS-Rilindje, që u vjen keq e turp për gjendjen, në të cilën e kanë katandisur partinë dhe vendin e tyre, se sa keq i kanë mashtruar dhe shfrytëzuar mbështetjen e anëtarësisë, të militantëve dhe votuesve të tyre, atyre u takon të pranojnë burrërisht apo shqiptarisht se 7 vitet e qeverisjes së Edi Ramës kanë djegur jo vetëm atë individualisht dhe si ekip, por edhe të gjithë “të majtën”. Nëse do të arrinin deri në këtë shkallë ndërgjegjësimi, do të të kishin kurajo të ftonin opozitën, shoqërinë civile, elitën intelektuale të pavarur, diasporën shqiptare, për t’u mbledhur e për të diskutuar seriozisht dhe jo me llogje komisionesh parlamentare, për të krijuar një qeveri të re me koalicion të gjerë partiak, por me figura me të vërtetë  të reja e të pakonsumura. E kam fjalën për t’u hapur zemrat, mendjet dhe dyert  një kontigjenti të ri politik dhe qeverisës, me arsimim, edukim, emancipim, mentalitet perëndimor, modern, progresiv dhe demokratik, natyrisht jo të llojit apo standartit Elisa Spiropali, Rudina Hajdari. Fatmirësisht, dorëheqja e Edi Ramës nuk do të linte një gropë të pambushëshme. Vetë PS, PD dhe opozita, shoqëria civile, elita intelektuale shqiptare, diaspora shqiptare i kanë me bollëk njërëzit e aftë, me CV, diploma, vlera, merita, kontribute djerse të pastër. Këta  mund t’i kryenin shumë më mirë, shumë më me përgjegjshmëri, ndershmëri, ndjeshmëri  njerëzore  dhe sociale, funksionet e Edi Ramës me shokë e shoqe. Shqipëria ka nevojë për “qeveri teknike” “qeveri të shpëtimit kombëtar” apo edhe me emra të tjerë, me kryeministër dhe ministra- eskspertë të njohur, sidomos nga fusha ekonomi-financa-informatikë, inxhinieri, jurispundencë dhe jo nga mjekësia, piktura e sportet, mundësisht  jo kukulla e të varur nga kryetarët  apo e kaluara e tyre nëpër dosje inkriminimesh dhe drejtësie në vend e në botë.  Nëse Edi Rama do të bindet  vetë apo detyrohet  të japë dorëheqje  “humbet” vetëm ai, familja e tij, kontigjenti  i njerëzve  të lidhur me atë nga interesa dhe “tela” ngushtësisht karrieriste, financiare, ortakërore, klienteliste. Por, nëqoftëse largohet me dëshirën e vet, humbja e tij do të jetë shumë më e vogël dhe e përkohshme, sepse do të tregonte emancipim politik, demokratik, intelektual, qytetar. Nga ana tjetër, shumë shpejt do të bëhet e qartë se do të fitojnë ndjeshëm Shqipëria, të gjithë shqiptarët, kombi. Prandaj, dorëheqja dhe largimi i tij ka më shumë arsye të përjetohen  jo si gjëmë, por si festë kombëtare.