Speciale nga Prof. Dr. Agim Binaj, Fahri Dahri / Janë shitur e blerë deputetë e ministra, po çmënduria më e madhe mbetet shitja dhe blerja e partive pasi u kthyen në interesa grupesh, në biznes. Në 36 vjet asnjë hap pozitiv në mbrojtje, zhvillim të pronës dhe pasurive natyrore. Nuk po krijojmw dot një shtet ligjor dhe investitorët e brendshëm dhe të huaj, po ikin pasi mungon garancia e hedhjes së kapitalit.
-Janë shitur e blerë deputetë e ministra, po çmënduria më e madhe mbetet shitja dhe blerja e partive pasi u kthyen në interesa grupesh, në biznes.
– Në 36 vjet asnjë hap pozitiv në mbrojtje, ruajtje dhe zhvillim të pronës, përkundrazi problemet janë shtuar.
Baza e mirëqenies së shqiptarëve ka qenë toka, pasuritë e tjera natyrore dhe zbatimi i ligjit për krijimin e një shteti ligjor.
– Në planin ekonomik e të zhvillimit po pengohen investitorët e brendshëm dhe të huaj, pasi mungon garancia e hedhjes së kapitalit.
Nga Prof. Dr. Agim Binaj
Fahri Dahri, ekspert ekonomie.
Dihet se për të siguruar të ardhme më të mirë, duhet të njohësh gabimet e të shkuarës e t’i ndreqësh ato. Viti 1990 hapi një botë të re dhe për shqiptarët. U gëzuam për rendin e ri demokratik që do të çonte në mirëqenie, mbrothësi e profetësin e ëndërruar nga të parët tanë për shumë dekada. Por ky entuziazëm e gëzim për këtë rend të ri, filloi të venitet shpejt nga gabimet që filluan të dalin në pah hap pas hapi. Në drejtim pronës mbi tokën, të shkatërrimit të aseteve të shumta të pasurisë kombëtare duke e zëvendësuar me kioskat ose të quajturat kasolle të tregtise të lirë; të dëmshpërblimeve të ish-çifligarëve (feudalëve) që e kishin fituar pronën mbi tokën “me fermane të Sulltanëve për shërbimet ndaj Perandorisë Osmane”, dhe që llogariten rreth 10 miliardë euro, pronat që u përkasin shqipëtarëve; në drejtim të zbatimit të ligjit e legjislacionit, të sistemit të drejtësisë në përgjithësi por edhe të luftës kundër korrupsionit që tashmë është në përmasa galopante; të problemeve sociale, kujdesit e ruajtjes së familjes, respektit për ‘të dhe statusin e saj të shtenjtë, të politikave fiskale dhe luftës ndaj evazionit fiskal.

Qëndrimi ndaj pronës mbi tokën dhe shkatërrimet e pasurisë kombëtare
Në 36 vjet asnjë hap pozitiv në mbrojtje, ruajtje dhe zhvillim të pronës. Me ndërrimin e sistemit, u vrapua për të kryer “Reformën Agrare”, që njihet me emrin “Ligji 7501 i Tokës”, i cili, me amendamentet e bëra më pas, vërtetoi se ishte një goditje e rëndë për demokracinë në parimin themelor të saj, në shtyllën më kryesore të saj, të së drejtës mbi pronën e tokës. Reforma Agrare ka dy anë; ç’pronësimin e çifligarëve (feudalëve) dhe dhënien e tokës atij që s’ka, kryefamiljarit. Prona mbi tokën jo vetëm u copëzua, por iu dha atyre që nuk u takon. Humbi e drejta zakononore shekullore mbi pronën për tokën, u shua tradita e kryefamiljarit për zotërimin e pronësisë mbi tokën, që sollën pasoja tejet të rënda në ekonomi dhe shoqëri, ndezën nga një anë konflikte edhe brenda në familje, nga ana tjetër ç’interesin për tokën saqë sipërfaqe të tëra toke mbetën djerr (pa punuar), përpos problematikave në familje e shoqëri dhe deri te tronditja në siguritë e sovranitetit. Në planin ekonomik e të zhvillimit u penguan invesitorët e brendshëm dhe të huaj, mungoi garancia e hedhjes së kapitalit. Akoma më shumë kur aty ku do të investohej mungonin pronarët ligjorë. Ligjërim të ligjit 7501 dhe sidomos i mballomave të më pasme të tij, që dihej e ardhmja antidemokratike pasojat negative iu vërtetuan në këto tri dekada në pasoja katastrofike, më e keqja është se asnjëra nga qeveritë nuk ndërmori veprime e nisma ligjore për ta ndaluar e ndrequr këtë katastrofë, për të bërë zgjidhjet përkatëse sipas eksperiencave të vendeve të tjera, sidomos atyre të Lindjes, që ashtu si ne dolwn nga komunizmi, dhe në veçanti sipas eksperiencës së Kosovës.

Mbas vitit 1992, me ndërrimin e pushtetit, që iu besua së djathtës, me bindjen se ajo do përfaqësonte demokracinë, për fat të keq filluan shkatërrimet në çdo gjë të arritur më parë, me moton “Të shkatërrohet çdo gjë e ndërtuar në komunizëm”. U shkatërruan kombinate, uzina, fabrika, industria ushqimore dhe e lehtë, etj. U prenë, u dogjën vreshta, pemëtore, u prishën rezervuarët për ujitje, kolektorët, kanalet kulluese etj., dhe në vend të kësaj pasurie të krijuar prej shqiptarëve me punë prej “skllavi” u mbollën kjoskat, kasollet për tregti, duke hequr dorë nga prodhimi në miniera, në bujqësi, në blegtori, etj. U cënuan ligjet e klasifikimit të tokave, të cilat kaluan nga toka bujqësore (ara) në toka ndërtimi. Për justifikimin e këtij shkatërrimi masiv, meqë justifikimi se ato asete ishin të periudhës komuniste, vunë në lëvizje pseudo teoricienë për të argumentuar e propaganduar me “çekun e bardhë” e me “teorinë e terapisë së shokut”, “gjithçka do niset e do të ripërtërihet nga zero”, për ta pësuar edhe neve si vendet e tjera që zgjodhën po këtë model të terapisë së shokut. Ndërsa vendet si Sllovenia, që zgjodhën modelin e tranzicionit të butë që nuk shkatërroi, edhe që ato që nuk i privatizoi i mbajti si pronë shtetërorë, fituan edhe ecën drejt suksesit. Ndaj ka ende kohë e mundësi qw të studiohet ky model. Koha tregoi se këto teori ishin mashtruese, të qëllimta në dëm të shqiptarëve, të varfërimit të tyre ekonomikisht, për dobësimin e shtetit dhe me synime destabilizuese për të cënuar sovranitetin. Në vend të “çekut të bardhë”, lulëzoi droga, trafiqet e armëve, të naftës, të qënieve njerëzore, filloi korrupsioni dhe pasiguria për njerëzit.

Nuk mbetën pa u dëmtuar e vjedhur thesari i shtetit dhe bankat, që nga ajo Kombëtare.
U kryen veprime jashtë ligjeve dhe normave për qarkullimin e parave. Riviheshin në qarkullim paratë e dëmtuara, nuk regjistrohej emëtimi i parave, nxirreshin në tregun e zi për këmbime valutore në përfitime nepotike. Bankat u trajtuan thjesht si prona personale, si biznes vetjak. Për veprimet shkatërruese, përgjegjësit nuk u dënuan me argumentin se kishin “sjellje të mira me fqinjët”. Për popullin qëndrimet ishin të habitshme, por pushtetarët veprimet i kryenin të paramenduara. Demokracia u godit rëndë në nervin e saj kryesor, te “vota e lirë”. Vota e zgjedhësve, tjetërsohej me ndërrime kutish, me blerje e shitje votash, me mashtrime në numërime, fenomene negative që kanë “ymër” dhe sot. Shiteshin e bliheshin deputetë e ministra, po çmënduria më e madhe ishte shitja dhe blerja e partive. Partitë u kthyen në interesa grupesh, në biznes. Nuk flitet më për të djathtë e të majtë. Dora antidemokraci u shtri pa droje edhe në sektorin e ushtrisë, u dëmtuan ndërtesat, u trafikuan armatimet, u shitën për skrap, etj. Humbjet e pësuara llogariten afërsisht në 70 miliardë dollarë, investim 45-vjeçar në fushën e mbrojtjes. Zgjidhja kërkon rivendosjen realisht të shtetit të së drejtës, duke filluar nga sistemi i drejtësisë dhe Reformë Agrare mbi bazën e parimit të Aristotelit apo të tjerëve, Korifej të mendimit se “kujt i takon toka që e ka krijuar natyra dhe si duhet të ndahet ajo”? Duhet të ndahet një herë e përgjithmonë pronësia mbi tokën, të ndahet ai që e ka pronën mbi tokën me djersën e tij (me blerje), nga ai që e ka me tituj pronësie me ferman sulltani për shërbimet që i ka bërë Perandorisë Osmane. Këtu duhet parë me kujdes edhe pronësia mbi tokën e institucioneve fetare. Për vakëfet (pasuri e paluajtshme e një institucioni fetar) të tregohet kujdes dhe vëmëndje e veçantë, duke siguruar burimet e pronësisë, nëse ato janë të blera nga institucionet fetare, të dhuruara nga besimtarët, apo të dhuruara nga fermane sulltanësh, etj.




















