Shpendi Topollaj: Kërkojmë pak dinjitet zotërinj, asgjë më shumë

351
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Tridhjetë vjet nuk janë pak në jetën e një shteti, ecuria e të cilit mbështetet në parimet e demokracisë. Kjo kohë, në mos qoftë e mjaftueshme për ta çuar Shqipërinë në rangun e vendeve të zhvilluara, pa tjetër që ka qenë mëse e bollshme për të krijuar një profil të nderuar dhe të respektuar mes tyre. Do ishim të padrejtë sikur të mohonim ndryshimet që janë bërë gjatë kësaj kohe, pas daljes nga mjerimi i “socializmit fitimtar” që i kishte shpallur luftë gjithë botës. Ashtu sikurse, nuk mund të mbyllim sytë para një sërë të metash serioze në planin social – ekonomik, të cilat nxitën korrupsionin, babëzinë për fitime të padrejta, përçarje politike, prostitucion, trafiqe gjithfarësh e krime pafund, ç`ka i ka dhënë përparësi përpjekjeve, kryesisht të të rinjve, për t`u larguar nga atdheu, në kërkim të një pune dhe jete më të mirë. Por ajo që është më e rënda dhe që nuk na falet, e cila na poshtëron në sytë e botës, mendoj se është nënshtrimi i turpshëm para të huajve. Të vësh në dyshim orientimin tonë perëndimor, duhet ose të jesh jo normal ose keqdashës. Po ashtu, nuk ka sesi të mos i jemi në jetë të jetës mirënjohës forcave të NATO – s, me në krye SHBA, të cilat me 78 ditët e bombardimeve mbi Beograd, i gjunjëzuan hordhitë barbare të kriminelit Millosheviç dhe çliruan Kosovën tonë të shtrenjtë. Përfshirja në strukturat e tyre ushtarake, ku rol të rëndësishëm për ta luan edhe pozicioni ynë gjeostrategjik, është tërësisht në interesin tonë. Ashtu sikurse edhe ndihma që ata japin në fusha të ndryshme, me qëllim plotësimin e kushteve për çeljen e bisedimeve për pranimin në BE, ku natyrisht, interesat janë të ndërsjellta. Por, krijimi i idesë se ne jemi vend i vogël dhe nuk mund të ecim përpara të pavarur, është tërësisht e papranueshme. Duhet ndarë një herë e mirë nocioni i aleatit nga ai i mikut. Pikësëpari, si me mikun ashtu edhe me aleatin zbatohet parimi bazë i reciprocitetit.  Në marrëdhëniet mes shteteve dhe popujve nuk ka të mëdhenj e të vegjël, të pasur e të varfër apo të fortë e të dobët. Henri Brooks Adams, ai që shkroi historinë e Amerikës (shek. 19 – të), ka thënë se “Një mik me pushtet është një mik i humbur”. Dhe nëqoftë se ti e lejon atë që këtë epërsi, pra këtë pushtet, ta ushtrojë edhe mbi vendin tënd, ky është një gabim tragjik. Pikë së pari, ku e more autorizimin që të marrësh vendime ti zoti politikan, pa pyetur bashkatdhetarët e tu? A nuk thonin romakët e vjetër “Vox Populi vox Dei”? Si mund të vesh, sikurse thotë diku akademiku Rexhep Qose, si Oso mbas daive. Aspak nuk vlen justifikimi se ne jemi vend i vogël dhe s`mund të bëjmë politikë të madhe.

“Shqipëria dhe shqiptarët tregohen me gisht si delja e zezë. kjo thjesht për fajin tuaj, o politikanë. Se ne, ndofta jemi shumë më fisnikë dhe më të ditur se ata, por imazhi që ju keni krijuar me nënshtrimin tuaj, këtu të çon . Ju, ulni shpinën për hir të karriges tuaj, pasi pandehni se po nuk u servilosët”

Po kush ua ka kërkuar politikën e madhe? Në rreth dyqindetridhjetë shtete që ka bota, ka shumë më të vegjël se ne, dhe as e kanë shkuar ndërmend ndonjëherë që të luajnë ndonjë rol të rëndësishëm në politikën e jashtme. Ata janë mjaftuar duke parë punët e tyre; ku vendimet i kanë marrë vetë, pra si e kanë parë ata më të leverdisshme dhe kaq është dashur që edhe ata më të fortët t`i nderojnë. Dhe as që e kanë shkuar ndonjëherë ndërmend të pyesin të huajt apo të marrin urdhëra prej tyre. Po ashtu, nuk i kanë lejuar diplomatët e ndryshëm të bëjnë ligjin në vendin e tyre. Ne jemi rasti më unikal në gjithë historinë e diplomacisë që me vullnet të lirë, kemi hequr dorë nga parimi i reciprocitetit. Prandaj, në arenën ndërkombëtare, Shqipëria dhe shqiptarët tregohen me gisht si delja e zezë. Kudo që shkojmë, na përbuzin, na shpërfillin, na fyejnë. Dhe kjo thjesht për fajin tuaj, o politikanë. Se ne, ndofta jemi shumë më fisnikë dhe më të ditur se ata, por imazhi që ju keni krijuar me nënshtrimin tuaj, këtu të shpije. Ju, ulni shpinën për hir të karriges tuaj, pasi pandehni se po nuk u servilosët, do i lini shëndetin asaj. Diplomatët e huaj e njohin si Shekspirin ashtu dhe atë postulatin e tij se “Një dënim i zgjedhur me vullnet të lirë është gjithmonë i drejtë”. Kështu që ata nuk ka përse t`i vrasë ndërgjegja ngaqë po e teprojnë me ndërhyrjet e tyre, dhe nuk kanë përse të ndihen fajtorë para nesh. Pastaj, ata e kanë në gjen, ndjenjën e supremacisë qysh nga koha kur zotëronin ngado koloni. Unë nuk dua ta besoj, por ka qenë Henry J. t. Palmertston ai që na kujtonte se: “Nuk kemi armiq shekullorë, nuk kemi miq shekullorë. Vetëm interesat tona janë shekullore dhe detyra jonë është t`u shërbejmë”. Ama, në qoftë se ju e konsideroni atdheun tonë të pushtuar dhe për pasojë, me nevojën për guvernatorë, na e thoni hapur që ta dimë. Se atë, që jeni fare të pazotët ta drejtoni këtë vend, kjo duket qartazi. Më vjen keq që shprehem kështu, se ne jemi vëllezër, por fakti i trishtuar ky është. Edhe sikur të mos pajtohem me ndonjë drejtues të vendit tim në gjykime, nuk do të pranoja kurrë që atë ta stigmatizojnë e ta vënë përpara të tjerët. Po ashtu, kurrë nuk mund të jem i një mendjeje me këdo që deri mat`anë oqeanit na mëson se kë duhet të marrë në ndjekje penale drejtësia jonë “e reformuar”. E vë në thonjza këtë fjalë, pasi po të kishin sado pak ndershmëri, pavarësi dhe kurajë qytetare, trupa e gjyqtarëve nuk do pranonte të tilla ndërhyrje të papreçedent. Statueta e Temidës që ata mbajnë mbi tavolinat e sallave të gjyqit, krahas shpatës dhe peshores, mban edhe jetull në sy, për të mos parë titullin e atij që gjykojnë. Por fatkeqësisht kjo harrohet. Janë ca gjëra që ngado ta vërtitësh, sjellin reperkursione të pariparueshme. Nuk e di në kanë qenë po këto rrethana, kur G. A. Naseri, ndofta dhe me shaka, është shprehur se “Talenti i diplomatëve amerikanë qëndron në atë se nuk bëjnë lëvizje idiote, por lëvizje të ndërlikuara idiote, që na bëjnë të pyesim veten, mos vallë ata dinë diçka që ne nuk e dimë?” Por sido që të jetë, fajin po ne e kemi, pasi nuk dimë të ruajmë dinjitetin e atdheut tonë. Me këtë rast, po sjell një shembull nga koha e Ali Pashë Tepelenës, i cili kur takoi një nënoficer rus nga San Peterburgu, i cili ishte mjaft i zgjuar, i propozoi të qëndronte në oborrin e tij, duke i premtuar grada, ofiqe e favore të mëdha. Por e dini si iu përgjigj ai? “Nuk mund ta pranoj ofertën tuaj Pasha, pasi kur ne po flisnim, ministrat tuaj qëndronin në këmbë pas jush, kurse unë rrija i ulur përballë, si i barabartë. Dhe këtë mundësi ma jep dinjiteti i  uniformës së vendit tim”. Dhe të jeni të bindur se me këtë dinjitet, edhe aleatët tanë  (se sa për miq, më duket disi e tepruar se na konsiderojnë seriozisht), më shumë do na vlerësojnë dhe vetë neve, shumë më mirë do të na shkojnë punët dhe ndofta më shpejt do të na hapen dyert e Evropës, e cila edhe vetë, sipas mitologjisë e mori këtë emër, nga që guxoi të niset nga Fenikia për t`u bashkuar me një botë të panjohur.