Analizë nga Evdal Nuri: Varfëria e uria janë çështje të rëndësishme në Shqipëri dhe shkak është mungesa e politikave shtetërore në ekonomi, bujqësi. Vendi po plaket, rrogat dhe pensionet rriten me pikatore kurse çmimet e ushqimeve, ilaçeve, energjisë, naftës, ujit dhe taksat në mënyrë skandaloze. Sa dhe deri kur do të shtrëngojmë rripat ?

“Vëzhgova rripin e pandallonave e vrejta se kishte 5-vrima. Më parë përdorja vrimën e tretë, pastaj vajta tek e katra, tani po përdor të pestën. Më s’ka ku të vejë ! Një shok më tha, se dhe mua kështu më ka ndodhur, por hapa një vrimë tjetër me gozhdë. Kaluan disa ditë vrima u shqye, vura duart te xhepat mos më binin pandallonat e vajta në shtëpi.”
1-Sa, dhe deri kur “ do të shtrëngojmë rripat ?”
Kemi një situatë të rënduar ekonomike. Të gjithë ankohen për rritjen e çmimeve. Kjo është tema kryesore në familje, shoqëri, kafene media, por këto bjenë në vesh të shurdhët. Vite më parë në Gjimnazin “B.D Karbunara” Berat kam dhënë” Ekonomi Tregu “.
Aty thuhet që çmimet në ekonominë e tregur i vendos tregu , por në asnjë mënyrë Qeveria s’është e përjashtuar nga përgjegjësitë për të rregulluar tregun. Bile kjo është detyra kryesore e saj! E theksoj këtë se disa herë Kryeministri e ka përjashtuar veten nga përgjëgjësia! Qeveria ka përgjegjësi për gjithçka që ndodh në vend e që s’ecën mirë. Në fushatë na është premtuar shumë. Ne i besuam dhe i dhamë votën. Asnjëherë nuk na u tha, se nuk marrim asnjë përgjegjësi nëse çmimet e ushqimeve, karburanti, transporti rriten. Tani na thuhet, përderisa njerëzit blejnë, kanë lekë! Vërtet njerëzit blejnë, se nuk do vdesin, por blejnë më pak dhe ushqehen më keq! Shikoni Kosovën na thuhet. Pse s’krahasohemi me shtetet e tjera por me më të varfërin? Vajta për të psonisur tek shitësi i lagjes Dulja. Shikoj çmimet: specka 280 lekë, tranguj 250 lekë, domatja 260 lekë, brokulla 300 lekë e kështu me rradhë . Kur e pyeta, pse kaq çmime të larta , më sqaroi se shumica kanë ardhur nga Turqia, Greqia e vende të tjera. Të vret transporti, dogana, por dhe spekullimi që bëjnë tregëtarët. Vijnë” goxha burra “ e marrin tre mollë, pesë karrota katë tranguj! Si shpjegohet që jemi më pak se tre milion, me të gjitha kushtet klimaterike e tokësore e importojmë gjithçka nga jashtë ? Këto ditë fermerët e Beratit, Lushnjes e Fierit dolën në rrugë në protestë ku ankoheshin për mungesën e ndihmës nga shteti. Tek ne ndodh e padëgjuara. Kur ka prodhime ato prishen, si mollët, patatet, qepët në Korçë, domatja, trangujt speckat në “Ultësirën Perëndimore”, që fillon nga Shkodra e deri në Vlorë. Shpenzimet, mundi dhe djersa shkojnë kot! Tregëtarët ja marrin me 30-40 lekë kg e domates apo mollëve dhe i shesin mbi 100 lekë duke fituar 3-4 fishin !

2- Mungon politika shtetërore në bujqësi.
Ç’ndihmë konkrete i ka dhënë Qeveria fermerëve? Pse ata ankohen se punimi i tokës, plehrat e shërbimet deri tek vjelja që kushtojnë më shumë se shitja e tyre? Pse shumë fermerë me përvojën e tyre marrë jashtë vendit erdhën me dëshirën e mirë dhe kanë falimentuar e kanë vendosur të largohen përsëri. Qeveria e ka për detyrë kryesore të marri masa e të krijojë kushte që të rriti prodhimin vendas duke ndihmuar në ç’do drejtim fermerët e të krijojë mirëqënie për të gjithë. Unë nuk i besoj, por kam dëgjuar se Qeveria është e interesuar të rriten sa më shumë çmimet pasi përfiton 20% nga TVSH. Edhe çmimet e bulmetit si kosi, qumështi, djathi, gjiza do të rriten sërisht, dhe shkaku kryesor thonë është rritja e energjisë, naftës, plastikës dhe heqja e skemës së kreditimit prej 6%. S’mjaftojnë këto, por kompanitë kanë lajmëruar që nga një Marsi, çmimet do të rriten me rreth 10%, sepse kostot janë rritur shumë. Çmimi për lëndën e parë është rritur mjaft, duke rritur koston e qumështit të prodhuar nga fermerët. Po ashtu çmimi i energjisë elektrike po ndikon direkt te kostot, pasi në industrinë tonë kërkohet përdorim i lartë i energjisë elektrike. Mirë këto janë të verteta, por ne s’na i mban xhepi! Thjesht s’kemi mundësi. Nuk na del paga, apo pensioni!

3- Varfëria dhe uria janë çështje të rëndësishme në Shqipëri.
Në Shqipëri, ka pothuajse gjysmë milionë njerëz që jetojnë në varfërisë dhe kjo përfaqëson gati 15% të popullsisë. Në shkallë kombëtare, familja mesatare shpenzon 58.5% të buxhetit të tyre për shpenzimet e ushqimit. Megjithatë, sa më i ulët buxheti i familjes, aq më e madhe është përqindja e buxhetit, që përdoret për ushqim të përditshëm. Familjet e varfëra përdorin deri në 80% të buxhetit të tyre për ushqim. Shqipëria është vendi me numrin më të lartë të fëmijëve në varfëri në Europë e në Ballkanin Perëndimor. Ky është rezultati i raportit të publikuar nga organizata ndërkombëtare “Save the Children” për vitin 2020. Me krizën pandemike gjendja është përkeqësuar mbasi pothuajse çdo familje ka hequr pasojat e pandemisë dhe shpenzimet, që shpesh herë kanë qenë aq të mëdha sa janë detyruar të futen në borxhe që një Zot i di se kur do t’i shlyejnë! Pra, pandemia dhe tërmeti e bënë me agresive varfërinë në Shqipëri. Sipas vlerësimeve të fundit të Bankës Botërore mbi varfërinë relative, popullsia, që jeton me më pak se 5,5 dollarë në ditë në Shqipërisë i janë shtuar midis 28 mijë dhe 112 mijë të varfër në 2020-n. 60% e rinisë duan të emigrojnë! Kjo dëshirë për të lënë vendin është më e lartë tek të rinjtë se te grupmoshat e tjera. Instituti Shqiptar i Statistikave ka raportuar se vitin e kaluar, 25.5% e të rinjve nga mosha 15 – 24 vjeç nuk ishin as në shkollë dhe as në punë. Shqipëria renditet ndër 10 vendet e para në botë për normën e emigracionit të personave me aftësi të larta, duke e pasur këtë tregues 38.1%, që sipas tabelës së OECD pozicionohet në vendin e tetë në botë për normën e largimit të intelektualëve. Shqipëria prej dekadash është prekur nga emigracioni masiv i popullsisë, kurba e të cilit nuk po njeh zbutje, por ikja e të arsimuarve është në nivele alarmante. Në këto kushte “Shqipëria po plaket “-Pagat po na varfërojnë edhe pse thuhet që po i rritim kaq e aq! Pagat vërtetë po rriten, por çmimet po rriten më shumë se pagat. Në këto kushte niveli i jetesës ulet edhe pse t’i merr më tepër lekë, çon në shtëpi më pak të mira materiale. Vendet e Ballkanit kanë pagat 15 herë më të ulta se vendet e B.E. Paga mimale mujore në vendet e rajonit të Ballkanit janë ndër më të ulta në Evropë. Pensionet më të ulta se kudo. Rritja me 2- 3% është e papërfillshme me rritjen e kostos të jetesës në të gjitha drejtimet. Shqetësim është se dhe parashikimet janë të “zymta”.





















