Shpendi Topollaj: Lamtumirë miku dhe mësuesi ynë Bejkush Birçe

25
Sigal

U nda nga jeta në moshën 87 vjeçare mësuesi ynë i shtrenjtë dhe i paharruar Bejkush Birçe. Vlerat e tij njerëzore dhe profesionale si dhe kontributi i tij në ecurinë e sportit shqiptar njihet anë e kënd Shqipërisë. Shkrimtari natyralist francez Gi de Mopasan, diku në krijimtarinë e tij ka vërejtur se “Mosha dhe përvoja e bëjnë njeriun gjakftohtë dhe të matur.” Kjo është dhe përshtypja që të linte profesori i edukimit fizik, sportisti shumëplanesh dhe trajnieri i disa ekipeve në lloje të ndryshme sporti, deri dhe i atij kombëtar, Bejkush Birçe. Por, tjetërsoj ka qenë ky burrë trupvogël e shpirtmadh në rininë e tij, kur erdhi si mësues i përgatitjes fizike në shkollën “Skënderbej”, aty nga viti 1957. Nëqoftëse do të na duhej ta përcaktonim atë vetëm me një fjalë, më e gjetura do të ishte: I zjarrtë!

I lindur në 15 dhjetor të vitit 1936, në fshatin e vjetër Markoviç që më pas u quajt Bolenë dhe që mesa duket e mori këtë emër nga një perëndi lufte e ilirëve, Bejkushi, u rrit dhe edukua deri në shtator të vitit 1944, sikurse shkruan në librin e tij Servet Tartari, mes atyre njerëzve ku “kushtet e vështira të jetesës, për shkak edhe të terrenit të vështirë malor, si dhe lufta me të huajt, kanë zhvilluar … ndjenjën e solidaritetit, të miqësisë e mirëkuptimit, të mikpritjes e besnikërisë ndaj njëri – tjetrit.” Atje, asnjëherë nuk u shuajt jehona e shtatë Leskodukajve që herë i quanin male që kthejnë stuhi, herë lisa që presin vetëtima, herë lumenj që zbresin me furi, herë shtatë yje që i shkruan emrat me gërma ari në gjithë krahinën e Kurveleshit e tërë Labërinë. Veç të tjerash, thuhet se edhe vetë mbretëresha e Anglisë, Ana Bolena, gruaja e Henrit të VIII, ishte me origjinë nga ky fshat. Trimërinë që vijoi nga brezi në brez, Bejkushi qysh fëmijë e përjetoi dhe e nguliti në mendje gjatë luftës nacional – çlirimtare, ku fshati i tij nxorri aq luanë dhe aq dëshmorë.

Rrethanat familjare bënë që ai fill pas lufte, të dërgohej në shtëpinë e Fëmijës në Tiranë, ku qëndroi deri në vitin 1951. Këtu, ai u njoh e miqësua me shokë të rinj dhe u mësua me jetën kolektive. Pasi kishte kryer shkollën e mesme, në vitin 1960, duke parë rezultatet e tij, e dërgojnë për studime të mëtejshme në Institutin e Kulturës Fizike “Lezgaft” në Leningrad, sot Shën Petërburg së bashku me Naim Pilkun, Napoleon Llallën etj. Kuptohet që djaloshit të ardhur nga Tirana e atyre viteve, ky qytet i krijuar me aq merak e sqimë nga Pjetri i madh qysh në vitin 1703, i la mbresa të veçanta.

Por, as shkëlqimi i Prospektit Nevskij, as gurgullima e shatërvaneve të pafund, as gjelbërimi i pyjeve pranë liqenit Ladoga, as lulishtet, që ende ruanin sharmin e kohës së carëve, as arti hyjnor i Ermitazhit, as vezullimi i Petrodvorecit, as kumbimi i këmbanave të katedrales së Shën Pjetrit, as enigma dhe zymtësia e Petropavllovskut, as madhështia e skulpturave vigane dhe as vetë hija e rëndë e historisë së pallatit të Dimrit me jehonën e pashuar të topave të Aurorës, nuk mundën t`ia cënonin sado pak dashurinë për vendlindjen. Për të, Lumi i Bardhë i Kaonisë, pra Shushica, kullotat alpine të vargut malor Çipin, Bego, Kunjovë, rrethuar me ato kodra plot me pyje shekullore, këmbora e cjapit që prin kopenë, njerëzit e asaj ana me virtytet e tyre, apo historia që ata shkruan me gjak, shtëpitë e tyre të thjeshta që sikur qeshnin kur vinte miku, dhe rrugët gjithë gurë e gropa të fshatit, ishin shumë më të shtrenjta, ndaj dhe porsa ndodhi ajo prishja e madhe me ish Bashkimin Sovjetik, pa asnjë mëdyshje, u kthye së bashku me shokët në Atdhe. Në Tiranë, Bejkushi, studimet i vazhdoi dhe i përfundoi në Institutin e Kulturës Fizike në degën e futbollit. Pas një viti si mësues në Vlorë, ai fillon punë në shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej”, ku qëndroi deri në vitin 1985, me ndonjë ndërprerje të vogël, për shkak të angazhimeve të tij si trajnier i ekipeve të futbollit.

Bejkushi, këtu vinte pas një përvoje të gjatë sportive: ai qysh në vitin 1951 ishte aktivizuar me skuadrat e të rinjve në boks, ku ka marrë pjesë edhe në spartakiadën e ushtrive të vendeve mike në Lajpcig dhe ka arritur të jetë edhe anëtar i ekipit përfaqsues. Gati në të njejtën kohë, ai është marrë me futboll, ku është shpallur edhe kampion kombëtar, ka qenë pjestar i ekipit “Puna” të Vlorës dhe ekipeve të tjera si “Shpresa” e “Partizanit”. Por ai, ka qenë mjaft aktiv edhe në volejboll, basketboll, not, kërcim nga trampolina dhe gjimnastikë, duke mos harruar se Bejkush Birçen e mbajnë mend edhe si shahist, skiator, atlet etj. Është për t`u shënuar se edhe pse nuk kishte ndonjë shtatlartësi, përsëri Bejkushi në volejboll dhe basketboll, ka arritur të jetë pjestar i ekipit të kategorisë së parë, gjë që ilustron më së miri atë konstatimin se ai ishte i zjarrtë nga brenda.

Por këtë zjarr, profesor Bejkushi e shkriu gjatë punës si mësues i edukimit fizik në shkollën “Skënderbej”, ku punoi me një përkushtim të spikatur, me vullnet e këmbëngulje dhe sidomos me shembull personal, sikur ishte i prerë për atë parimin e madh pedagogjik të Ralf Ëaldo Emersonit se “Njeriu që është i aftë, t`i bëjë gjërat e rënda të ndjehen të lehta, është edukator.” Bejkush Birçe u lartësua në sytë tanë, jo vetëm pse u bë njësh me skënderbegasit, jo vetëm pse e çoi më përpara veprimtarinë sportive të asaj shkolle, duke propozuar që edhe në programe, përgatitja fizike nga dy orë, të bëhej gjashtë orë, por se edhe mori përsipër dhe kreu me sukses të plotë detyrën e  vështirë të përgatitjes së disa ekipeve të futbollit, si ai i të rinjve të “Partizanit” që ishte i gjithi me skënderbegas, nga i cili në vitin 1969 u fitua titulli kampion, me ekipin e të rriturve të “Partizanit”, ku kishte shumë nga nxënësit e tij, me atë të “Naftëtarit” të Kuçovës, “Flamurtarit” të Vlorës, “Lokomotivës” së Durrësit, “Dinamos” së Tiranës, trajnier i ekipit kombëtar “Shpresa”, i të rinjve e deri atij përfaqësues të Shqipërisë nga viti 1990 deri në 1994. Trajnier, Bejkushi ka qenë edhe me ekipet e basketbollit, volejbollit, gjimnastikës të kategorisë së parë apo të boksit të “Partizanit” që përfaqësohej nga skënderbegasit dhe që ka dalë nën stërvitjen dhe drejtimin e tij, dy herë kampion kombëtar. Të gjithë i kujtojmë me nostalgji ato ndeshje dinjitoze të skuadrave tona me trajnier Bejkush Birçen: katër herë me ekipin e “Partizanit”, dy herë me atë të “Dinamos” dhe një herë me atë të “Flamurtarit” në Kupat e Evropës dhe në vitin 1992 – 1994 ato të ekipit kombëtar, në eliminatoret e kampionatit botëror.

Trofetë e tij janë domethënëse: me “Partizanin”, kategoria e parë dy herë kampion dhe një kupë Republike, me “Dinamon” një herë kampion, dy herë fitues i kupës së Republikës dhe një herë fitues i superkupës, kurse me “Flamurtarin”, finaliste e kupës së Republikës. Emri i profesor Bejkushit është parë shpesh në shtypin tonë dhe në librat që ka botuar, njëri nga të cilët i kushtohet pasionit të tij të madh, futbollit. Por, duke parë punën, rezultatet dhe vlerat e tij si kuadër dhe njeri, ai është dekoruar edhe me Urdhrin “Naim Frashëri” i klasit të III, Urdhri “Ylli i Kuq” i klasit të II, medaljen e Artë për merita në fushën e sportit, është shpallur “Simbol i Vlerave Humane” dhe “Nderi i Sportit Shqiptar”. Gjithashtu, Presidenti i Republikës e ka nderuar profesor Bejkushin edhe me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh i Punës”.

Duke i hedhur një vështrim të shpejtë dinamizmit të jetës së profesor Bejkush Birçes, m`u kujtua një thënje e Leo Buschialias se “Të jetosh do të thotë të bësh duart pis. Të jetosh do të thotë të hidhesh në ujë me kurajo. Të jetosh do të thotë të biesh e të thyesh hundën. Të jetosh do të thotë të synosh të shkosh larg mundësive të tua… Të fluturosh mes yjeve.” Dhe ai, me atë që bëri për sportin tonë, do të mbetet përherë në qiellin e kujtesës tonë, si shpirt i madh që fluturon mes yjeve.