Shoqata Labëria Dega Fier ndjek me përgjegjësi kalendarin e aktiviteteve. Aktivitetet e shumta rrisin cilësinë e punës dhe përgjegjësinë e shoqatës në realizimin e detyrave

Në realizimin e programit vjetor të punës së Shoqatës Labëria, dega Fier në jubile të 80-vjetorit të çlirimit, për të rritur frymën atdhetare dhe edukative, nxitur nga dëshira për t’i shërbyer më mirë, kemi realizuar vizita, takime brezash, pjesëmarrje në përvjetore të dëshmorëve, heronjve, si dhe udhëtime në krahina të Labërisë e trojeve shqiptare. Kjo punë ka tërhequr vëmendjen e shumë njerëzve, labërve e myzeqarëve të Fierit që jetojnë e punojnë në harmoni të plotë me komunitetet. Në bashkëpunim me shoqatat e tjera, si psh. Myzeqeja, Çamëria, Mallakastra, me veteranë e pasardhës të dëshmorëve janë organizuar aktivitete të përbashkëta. Në fillim të këtij 6-mujori realizuam një vizitë në “Kongresin e Manastirit” me një grup prej 25 vetash. U njohëm nga afër me bukuritë dhe historinë e trevave shqiptare. Një vit më parë ishim në 16-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, si dhe në qytetin e Janinës- Greqi duke marrë shumë mbresa dhe kujtime. Pjesëmarrja në Margëlliç, në zonën e qytetit të Patosit ku është zhvilluar një nga betejat luftarake të rrethit të Fierit dhe Mallakastrës, nga më të mëdhatë, ku mbeti i vrarë komisari bilbil i Brigadës së Gjashtë Sulmuese Mustafa Matohiti, më 29 mars 1944, sot hero i popullit. Në vendin e ekzekutimit është ngritur busti i pavdekësisë. Së bashku me shoqatën Labëria Patos dhe nga zona përreth bëmë homazhe, vendosëm kurora me lule…

Në këtë betejë ranë heroikisht dymbëdhjetë bijë nënash, tre i nderojmë si heronj dhe nëntë të tjerët dëshmorë. Morëm pjesë në inagurimin e monumentit të dëshmorëve të pikës kufitare të Peshkpisë (Gjirokastër), në 30- vjetorin e rënies,10 prill 1994. Më 10 prill 2024 në kujtim të të rënëve: Fatmir Shehu(Tepelena), Arsen Gjini (Semani i Fierit), të vrarë nga grupi terrorist”Vorio-epirjot”, i përbërë nga shtetas grek e shqiptar me banim në Athinë, përgjegjësia nga drejtësia e dy vendeve nuk ka hedhur dritë akoma.

Sigal

Në emër të shoqatës foli z. Fatmir Rrapaj. Kujtimi i dëshmorëve nuk harrohet,-theksoi ai, por do të ngelet në zemrat tona dhe familjarëve të tyre. Ky akt kriminal, vrasja makabër nuk mund të cënojë miqësinë dhe marrëdhëniet historike midis dy popujve vëllezër, Shqipërisë dhe Greqisë. Është për t’u theksuar, se në Greqi jetojnë e punojnë 700 mijë shqiptarë në harmoni e miqësi të plotë, duke bërë dhe krushqi, japin shembullin e një bashkëjetese në BE.

Një tjetër aktivitet i shoqatës sonë ishte pjesëmarrja në festën e Amantias Ploçë të Vlorës. Më 25 maj 2024 ku në pritje ishte deputeti me reputacion popullor z.Vullnet Sina dhe kryetari i bashkisë së Selenicës z. Nertil Ballaj.

Në këtë festë pjesëmarrja ishte e madhe, me një organizim të përsosur, me valle e këngë labe, lojëra popullore e sportive, që i ngjanin një dasme të vjetër labe. Ajo që ra në sy ishte panairi me prodhime blegtorale dhe ushqimore nga banorët e fshatit Ploç, si djath i njomë pa kripë e me kripë, gjizë, dhallë, byrek, petulla, revani, llokume ku mund t’i provoje pa siklet dhe gratis.

Mbresa interesante na la fisi Abazaj me histori patriorike e atdhetare: Demir Abazaj(1864-1934)kishte studiuar në Mejtep(Berat) dhe më vonë në Janinë. Ai ishte një intelektual kohe, bënte pjesë në parinë e Vlorës, jetonte mirë ekonomikisht. Bashkë me Osman Haxhinë përkrahën Ismail Qemalin në Shpalljen e Pavarësisë. Ishte i pari që denoncoi princ Vidin për vjedhjen e monumenteve të kulturës së Amanties antike. Bashkë me Qazim Kokoshin dhe Ali Asllanin morën pjesë në komandë të luftës së Vlorës(1920)kundër pushtuesve italianë ku mbeti i vrarë Selam Musa Salaria dhe vëllai i tij Mehmet Abazaj, sot dëshmor i atdheut. Ky fis patriotik dhe luftarak, i rritur me ndjenjën e lirisë për atdheun, u rreshtuan në formacionet luftarake të LANÇ-it, si: Nure Abazaj, Hasan Abazaj, Alem Abazaj, Gani Abaza, Faslli Abazaj, Jaçe Abazaj, Bego Abazaj.

Nga këta 5 veta dhanë jetën për çlirimin e vendit, sot dëshmorë të atdheut. Pas lufte fisi Abazaj kanë shkuar me banim në Vlorë, Tiranë, Durrës, Fier ,Patos, kurse në vendlindje 73-vjeçari Jaho Abazaj, rrënja e këtij fisi, me një histori patriotike e kontribut gjaku për lirinë dhe kombin përbën një thesar trimërie, krenarie për vendin, labërinë, brezat e saj.

Pjesëmarrja në fshatin Dukaj, Tepelenë, në inagurimin e bustit të heroit Memo Nexhipi(3 gusht 2024), i vrarë në provokacionin e gushtit 1949, në 76-vjetorin e rënies. Të pranishëm ishin familjarë të heroit, të afërm, miq, bashkëfshatarë, patriotë dhe simpatizantë, ardhur nga shumë qytete dhe emigracioni.

Nderuan me pjesëmarrjen e tyre z.Tërmet Peçi, kryetari i bashkisë Tepelenë; kryetari i qarkut z.Dino Selimaj, grupi lab këndoi për heroin. U mbyll me një koktej nga Bashkia Tepelenë.

Përfaqësues të shoqatës sonë nuk munguan edhe në takim brezash në zonën e Lopsit, Sinanaj, Tepelenë,më 24 gusht 2024, si Baftjar Abazaj, Fatmir Rrapaj, Bilbil Elezi, Estref Gjika të lidhur me vendlindjen dhe origjinën e prindërve të tyre. Ky takim me këngë e valle krijoi emocione me të afërmit, bashkëfshatarët, shokë të familjarëve duke gërshetuar dashurinë, mallëngjimin, nostalgjinë, që mbart vendlindja si një pemë me dashuri të përhershme.

Po në takim brezash, aktivitet tjetër u realizua në fshatin Nivicë-Tepelenë, më 28 gusht 2024. Shoqata jonë ka shumë familje nivicjote që jetojnë në Fier, Levan, Frakull e Ferma Çlirim(Qenas), ardhur pas çlirimit të vendit dhe demokracisë për një jetë më të mirë në zonën e Myzeqesë. I tillë është intelektuali Halil Bega, militant i shoqatës sonë ku 40 vite i kaloi në vendlindje si agronom dhe mësues, në kohën e Demokracisë me të njëjtin profesion punoi në qytetin e Fierit. Për kontributin e dhënë në shoqatën tonë është nderuar me certifikatë mirënjohjeje në këtë takim brezash.

Grykë e Kuçit,grykë e keqe…udhëtimi mbresëlënës duke shijuar bukuritë natyrore të Labërisë malore, Labërisë së ashpër në rrugën e re të lumit të Vlorës…

Të gjitha këto aktivitete janë paraprirë nga k. i shoqatës-dega Fier: z. Baftjar Abazaj, me ndihmën e intelektualit veteranë: Faik Memushi, Pandeli Fejzo, Hate Goxhaj, Bashkim Duka dhe militantët veteranë: Novrus Dule, Sulltana Llakaj, Vladimir Lulaj, Estref Gjika etj. Puna jonë dhe sukseset presin jubileun e 80-vjetorit të Çlirimit me arritje objektivash e përgjegjshmëri në edukimin atdhetar, si dhe me traditat dhe zakonet e trevave të Labërisë që mbahen ndezur në çdo kohë dhe u përcillet brezave në vijimësi.

 

Sekretari i shoqatës Labëria, dega Fier

Fatmir Rrapaj