Shkatërrimi i Laboratorit të naftës, rrezik për automjeteve

Flet ish-Drejtori i Uzinës së Përpunimit të Naftës Kuçovë Shpëtim Nishani: Pas viteve 1990, Laboratori Shkencor ishte i vetmi që u akreditua për rreth 160 analiza të nënprodukteve të naftës. Shteti ndoqi politikën e privatizimit të uzinave të Kuçovës, Cërrikut dhe Ballshit, por duhet të mbante nën kontroll Laboratorin si e vetmja garanci, pasi tek privati mungon interesi për të kontrolluar cilësinë.

  • -Si u shkatërrua Laboratori Shkencor si edhe uzina e përpunimit të naftës Kuçovë, Cërrik dhe Ballsh.
  • Parrulla “Nafta çan bllokadën” ishte e drejtë pasi edhe nga bitumi fitohej valutë.
  • Në vitin 1988, në Kuçovë Adil Çarçani tha: Nafta mbulon 35% të buxhetit të shtetit.
  • – Në vitet 1970, u hap filiali i degës së teknologjisë së naftës në Berat dhe në Fakultetin e Shkencave të Natyrës.
  • -Kombinati i Ballshit solli përmirësimin e cilësisë së benzinës, vajgurit ndriçues, vajgurit të avionave dhe të gazoilit për automjete.
  • – Pas viteve 1990 Laboratori Shkencor ishte i vetmi institucion që u akreditua për rreth 160 analiza që i bëheshin nënprodukteve të naftës, si benzinës, gazoilit, vajrave.
  • – Shteti shqiptar ndoqi politikën e privatizimit të uzinave dhe interesi i privatit për të kontrolluar cilësinë e karburanteve ra.
  • – Në vitin 1918, një inxhinjer gjeolog, pjesëtar i repartit ushtarak austriak, të vendosur në Kuçovë, pa shenja nafte dhe e bëri publik këtë fakt.
  • – Në Kuçovë ka funksionuar Laboratori Shkencor i Kimi –Përpunimit promotor i studimeve shkencore.
  • – Që nga viti 1918 e deri në vitin 1924, në Kuçovë erdhën shumë shoqëri kërkuese nafte si një shoqëri Anglo-Persiane, Shoqëria Amerikane e Naftës si dhe shoqëri franceze, etj.
  • – Në vitin 1928 në vendin që sot quhet “Dikatër” (D4) Kuçovë, u shpua e dha naftë pusi i parë në Shqipëri.
  • – Që nga ky moment Kuçova u hodh në hartat gjeologjike të botës si vendburim nafte dhe më vonë edhe në hartat politike dhe ushtarake.
  • – Që nga viti 1928 e deri në vitin 1943, vendburimi i Kuçovës u shfrytëzua nga shoqëria italiane AIPA. Kjo shoqëri bëri marrëveshje me qeverinë e Mbretit Zog I, që nëse prodhimi i naftës në vit do t’i kalonte 50 000 tonët, kjo shoqëri do të ngrinte në Kuçovë një rafineri.
  • -Por ndonëse prodhimi i kaloi 170 000 tonët, rafineria nuk u ngrit, përkundrazi nafta e nxjerrë nisej për t’u përpunuar në Itali.
  • – Zhvillimin më të madh Kuçova e ka njohur pas Luftës së Dytë Botërore, sidomos në vitet 1975 – 1990.
  • -Popullsia e rrethit në fund të viteve 1980 arriti 22 000 nga 6 400 banorë që ishte në vitin 1938.
  • – Në vitin 1951, me vendim të veçantë të Qeverisë Shqiptare, në Kuçovë u krijuan 11 ndërmarje ekonomike.

NOA

Intervistoi: Albert Z. ZHOLI

Lajmi se në Shqipëri ishte zbuluar naftë ishte aq tronditës për kohën, saqë në Rumani pati protesta, me pretendimin se shpimi i puseve shqiptare mund të shteronte naftën atje! Ishin vitet 1920 kohë kur italianët dy vjet më herët e kishin shpuar pusin e parë në Drashovicë. Në fakt fqinjët e përtej detit, shumë të vëmendshëm për burimet tona natyrore, i kishin filluar kërkimet, duke dërguar shkencëtarët dhe gjeologët e tyre që në vitet 1903-1913. Pas 1920 e gjithë historia politike e vendit gërshetohet pazgjidhshmërisht me atë të naftës. Lufta e Vlorës, ngritja e Zogut në pushtet, rikthimi i tij pas revolucionit të qershorit 1924, marrëdhëniet me italianët kanë në prapaskenë këtë burim natyror. Pas konfirmimit të burimeve naftëmbajtëse, qeveritë dhe shoqëritë më të njohura nga Anglia, Franca, SHBA dhe Italia u përfshinë në një beteje të gjatë diplomatike për koncesionet shqiptare të naftës. Lufta e padukshme për naftën shqiptare u mbyll më 1930, italianët e futën në dorë përfundimisht atë, ashtu si do të bënin me të gjithë Shqipërinë nëntë vjet më vonë. E mirënjohura për kohën kompania AIPA më 1930 nisi kërkimet dhe më 1934 shfrytëzimin e burimeve në Kuçovë. Kulmi i shfrytëzimit u arrit më 1941, vit në të cilin ata nxorrën nga nëntoka shqiptare 148 mijë ton naftë bruto. Ari i zi shqiptar nuk do të ishte as jashtë vëmendjes së pushtuesve gjermanë, por koha e shkurtër e pushtimit nuk solli ndonjë rezultat. Ardhja e qeverive komuniste pas 1945 bashkë me konfiskimin e pasurive private sigurisht që përfshiu edhe shoqëritë italiane të naftës. Në pak vite komunistët shqiptarë do ta zhvendosin disa herë pikën e gravitetit të shfrytëzimit të naftës në varësi të zbulimeve të reja. Për ta nafta ishte burimi që “çante bllokadën”, ndaj shfrytëzimi shkoi në shifra shumë të larta. Rekordi u arrit më 1974, vit në të cilin nga nëntoka shqiptare u nxorën plot 2,248,227 ton naftë bruto. Si nxirrej nafta në socializëm dhe si punohej në laboratorët e uzinave të përpunimit? Sa nënprodukte të naftës nxirreshin nga përpunimi? Si ishte cilësia e naftës shqiptare në monizëm? Si punohej në atë system për naftën? Po në Demokraci çfarë ndodhi me naftën shqiptare? Sa naftë nxirret? Sa rafineri ka? Kush e kontrollon sot naftën shqiptare? Shumë prej kçtyre pyetjeve do i gjeni në këtë intervistë me inxhinierin, specialistin Shpëtim Nishani…

1.Nafta në monizën kishte shumë përparësi. Qeveria e asaj kohe i kushtonte shumë rëndësi përgatitjes së personelit inzhiniero-teknik. Kur keni filluar punë në sektorin e naftës dhe në çfarë detyre?

Unë kam studjuar për degën  “Teknologji nafte dhe gazi” , në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, UT, në vitin 1971-1975.

Kam filluar punë në Uzinën e Përpunimit të Naftës, Kuçovë, në vitin 1976, pas përfundimit të stazhit, të cilën e bëra po në këtë uzinë.

1976 – 1980     Inxhinjer reparti në Uzinën e Përpunimit të Naftës Kuçovë.

1980 – 1990 Drejtor në Uzinën e Përpunimit të Naftës Kuçovë.

1990 – 1992 Shef kabineti në Sektorin Shkencor Kimi – Përpunim, Kuçovë.

1992 – 1994    Kryetar i Bordit Drejtues në Sektorin Shkencor Kimi – Përpunim.

1992 – 1996    N/drejtor në Sektorin Shkencor Kimi – Përpunim, Kuçovë.

1999 – 2002     N/kryetar i Këshillit Mbikqyrës të Shoqërisë “AMRO” Sh.A Fier.

Në muajin nëntor 1996 fillova punë si N/kryetar Bashkie në Kuçovë dhe punova deri në muajin qershor 2018, ku dola në pension.

Pra unë kam punuar në sektorin e naftës rreth 21 vjet.

2.Si ka qenë organizuar sektori i naftës në sistemin komunist?                                    

Në vitin 1918, një inxhinjer gjeolog, pjesëtar i repartit ushtarak austriak, të vendosur në Kuçovë, pa shenja nafte dhe e bëri publik këtë fakt. Që nga viti 1918 e deri në vitin 1924, në Kuçovë erdhën shumë shoqëri kërkuese nafte si AIPA (Azienda Italiana Petroli Albania), një shoqëri Anglo-Persiane, Shoqëria Amerikane e Naftës si dhe shoqëri franceze etj.

Në vitin 1928 në vendin që sot quhet “Dikatër” (D4) u shpua e dha naftë pusi i parë në Shqipëri. Që nga ky moment Kuçova u hodh në hartat gjeologjike të botës si vendburim nafte dhe më vonë edhe në hartat politike dhe ushtarake. Që nga viti 1928 e deri në vitin 1943, vendburimi i Kuçovës u shfrytëzua nga shoqëria italiane AIPA. Kjo shoqëri bëri marrëveshje me qeverinë e Mbretit Zog I, që nëse prodhimi i naftës në vit do t’i kalonte 50 000 tonët, kjo shoqëri do të ngrinte në Kuçovë një rafineri. Por ndonëse prodhimi i kaloi 170 000 tonët, rafineria nuk u ngrit, përkundrazi nafta e nxjerrë nisej për t’u përpunuar në Itali.

Në historinë e Shqipërisë, Kuçova përmendet edhe si qyteti ku është organizuar greva e parë e punëtorëve në vitin 1936. Zhvillimin më të madh Kuçova e ka njohur pas Luftës së Dytë Botërore, sidomos në vitet 1975 – 1990. Popullsia e rrethit në fund të viteve 1980 arriti 22 000 nga 6 400 banorë që ishte në vitin 1938.

Në vitin 1944, për stabilizimin e gjendjes shumë të rënduar në Kuçovë si pasojë e djegieve dhe shkatërrimeve të bëra nga pushtuesi, Qeveria e Përkohshme e Beratit urdhëroi ngritjen e një Komisariati të Jashtëzakonshëm për naftën. Ky komisariat do të kishte atributet e një drejtorie të përgjithshme, e cila do të vinte në punë të tërë sistemin e shfrytëzimit të vendburimeve.

Në vitin 1951, me vendim të veçantë të Qeverisë Shqiptare, në Kuçovë u krijuan 11 ndërmarrje ekonomike, ndërsa në vitin 1970 rradhitej ndër qëndrat më të zhvilluara në shkallë vendi.

3.15 ndërmarrjet më të rëndësishme në Kuçovë.

Në këtë periudhë në Kuçovë shtrinë veprimtarinë e tyre 15 ndërmarrje ku më të rëndësishmet ishin Uzina e Përpunimit të Naftës, Uzina Mekanike e Naftës, Shpim Shfrytëzimi, Ndërmarrja e Nxjerrjes së Naftës, TECI, Transporti, Ndërtim Montimi, Laboratori Shkencor i Naftës, Naftësjellësi, Fabrika e Tullave (ndër të paktat në Shqipëri që prodhojnë tulla me përqindje të lartë argjile), Shkolla e mesme politeknike (kjo shkollë ka arsimuar nxënës të ardhur nga të gjithë rrethet, shumë prej të cilëve kanë qenë funksionarë dhe pedagogë të rëndësishëm dhe me emër në universitetin e Gjeologji-Miniera) etj.

4.Sigurisht nafta kalon në disa procese, që nga zbulimi, nxjerrja, përpunimi shpërndarja. Mund të na i thoni këto procese?

Sistemi i naftës ka qenë një sistem kompleks për vetë natyrën që ka. Ajo do studjuar, zbuluar, duhet të nxirret në sipërfaqe dhe të depozitohet në rezervuare, duhet të përgatitet për përpunim dhe të përpunohet në impjante distilimi dhe rafinimi, për të nxjerrë produktet e saj në shërbim të ekonomisë.

Pas çlirimit deri në vitet 1970, në Kuçovë egzistonte Kombinati i Naftës (Drejtoria e Përgjithshme e Naftës), nga vareshin të gjitha ndërrmarjet e naftës, që ishin në Kuçovë dhe në gjithë teritorin e vendit. Pas viteve 1970, kur pesha e nxjerjes së naftçs kaloi në Patos – Marinzë, edhe Drejtoria e Përgjithshme e Naftës u tranferua në qytetin e Patosit. Të gjitha ndërrmarjet e ngritura ishin në shërbim të sektorit të naftës, që nga zbulimi, nxjerja, transportimi dhe përpunimi i saj për të prodhuar produkte cilësore. Kështu nqs Ndërmarja Gjeologjike dhe Koarotazhi bënin kërkim – zbulimin e shtresave naftëmbajtëse, Ndërmarja e çpim-kërkimit çponte puset që do të nxirnin naftën, Ndërrmarja e Nxjerrjes së Naftës, nxirrte naftën nga nëntoka, e grumbullonte në rezervuare mbitokësore, Ndërrmarja e Naftësjellësit e përgatiste naftën bruto për përpunim duke i larguar mbeturinat mekanike dhe ujin dhe në fund Uzina e Përpunimit të Naftës përpunonin naftën bruto dhe prodhonin nënprodukte nafte sipas kërkesave të ekonomisë. Por nuk duhen harruar ndërrmarjet ndihmëse si TECI, që furnizonte Uzinën e Përpunimit me avull, një element shumë i rëndësishëm për distilimin e naftës dhe sigurimin teknik, Uzina Mekanike e Naftës që mirëmbante gjithë sistemin e naftës duhe prodhuar paisje dhe pjesë këmbimi, Ndërrmarja e Transportit, që mbulonte transportin e punëtorëve, por edhe të paisjeve të ndryshme, Ndërrmarja e Ndërtim Montimit, që prodhonte paisje të madhësive të mëdha si depo, rezervuare,etj, për të gjitha këto ndërrmarje ishin në shërbim të sektorit të naftës.

5.Në monizëm ishte parulla “Nafta çan bllokadën”. Përse u hodh kjo parrullë e tillë, çfarë rëndësie kishte nafta shqiptare në monizëm?

Unë mendoj se kjo parullç ka qenë e drejtë, sepse nënproduktet e naftës, por veçanërisht bitumi eksportohej dhe fitohej valutë. Me vënien në punë të KPTHN-se, u realizua rritja e pikës së shfrytëzimit të naftës bruto, (prodhimi i produkteve mç me vlerë, benzinë, vajguri e gazoil) nga rreth 25 % në impiantin e distilimit primar, në 50% si dhe përmirësimi shumë i madh i cilësisë së benzinës, vajgurit ndriçues, vajgurit të avionave dhe të gazoilit për automjete, të cilat shtuan të ardhurat në valutë dhe kjo mori rëndësi të veçantë pas vitit 1978, kur u prishën marrëdhëniet me Kinën dhe ne ngelëm një vend i izoluar.

Në vitin 1988, në Kuçove u bë një takim me gjithë drejtuesit e ndërrmajeve të sistemit të naftës dhe në këtë takim mori pjesë dhe ish-kryeministri i asaj kohe Adil Çarçani. U trajtuan shumë probleme, por mua më ka bërë përshtypje vlerësimi që bëri ish-kryeministri se sistemi i naftës mbulon rreth 35% të buxhetit të shtetit të asaj kohe. Kjo nuk është një vlerë e vogël po të krahasosh numrin e punonjësve të sistemit të naftës me numrin e punonjësve të të gjithë vendit.

6.Kush nga ish- udhëheqësit monistë kujdesej drejpërdrejt për sektorin e naftës?

Për mendimin tim ministri përkatës ishte i pari, që interesohej për problemet e sistemit të naftës, por në analizat 6/mujore dhe vjetore që bëheshin në Ministrinë e Industrisë dhe Minierave, merrte pjesë dhe z/kryeministri Pali Miska.

7.Si punohej në laboratorët e naftës në monizëm dhe më pas në demokraci? A kishte përgjejgjësi dhe specialistë të mirëfilltë?

Çdo uzinë përpunimi kishte laboratorin e vet, që kontrollonte cilësinë e lëndës parë (naftës) dhe cilësinë e nënprodukteve, që prodhohej gjatë përpunimit të naftës. Në këto laboratorë punonin laborantë që kishin mbaruar shkollën e mesme profesionale dhe drejtoheshin nga personeli inxhinjero teknik, që kishin profesionin teknollog nafte ose kimist. Në vitet e para personeli inxhinjero teknik kishte studjuar jashtë në Francë, Rusi, Rumani, Itali, Kinë. Më vonë, në vitet 1970, u hap filjali i degës së teknologjisë së naftës në Berat dhe në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Po këtë vit u hap dega e “teknologjisë së naftës” ku nxori tre breza inxhinjerësh dhe më vonë u mbyll.

Gjithashtu në Kuçovë ka funksionuar Laboratori Shkencor i Kimi –Përpunimit , që në vite ka patur vartësi dhe emetime të ndryshëm, vetëm funksionin nuk e ndryshoi asnjëherë. Ky laborator ka qenë promotor i studimeve të ndryshme që bëheshin nëpër mikroimpiante për përmirçsimin e cilësisë së nënprodukteve të naftës, për prodhime produktesh të reja dhe për ndërtimin e impianteve të reja. Këtu punonin specialistë të lartë që kishin mbaruar shkollën e lartë, në degën përkatëse në Shqipëri dhe disa prej tyre ishin specializuar jashtë shtetit me kurse të ndryshme dhe shkolla.

Pas viteve 1990, kur u shtuan makinat dhe kërkesa për karburante u rrit, filloi importimi i karburantave nga jashtë. Laboratori Shkencor i Kimi-Përpunimit  edhe para viteve 1990 kontrollonte cilësinë e karburanteve në pikat e karburantit , por pas viteve 1990 ishte i vetmi institucion që u akreditua për reth 160 analiza që i bëheshin nënprodukteve të naftës, si benzinës, gazoilit, vajrave, etj.që vinin nga importi, por edhe prodhimeve tona.

Kjo punë vazhdoi deri në vitin 2000, pastaj filluan të hapeshin laboratore të tjerë private dhe intensiteti i bërjes së analizave ra, interesi i shtetit ra, sepse disa uzina ishin mbyllur si ajo e Kuçovës dhe e Cërrikut. Gjithashtu shteti shqiptar ndoqi politikën e privatizimit të uzinave dhe interesi i privatit për të kontrolluar cilçsinë e karburanteve dhe prodhimeve të tjera ishte i ulët. Ky degradim vazhdoi për këtë laborator deri sa u privatizua nga Rezart Taçi, i cili e transferoi këtë laborator (me paisje dhe personel) në Uzinën e Përpunimit të Naftës Fier. Sot godina e këtij laboratori është shkatërruar, si edhe uzina e përpunimit të naftës Kuçovë, Cërik dhe Ballsh.

Nesër do lexoni:

Katër uzinat e përpunimit prodhonin 25 nënprodukte.

– Nafta e vendit tonë ka qenë naftë e rëndë, që ka patur pikë shfrytëzimi (benzinë, vajguri, gasoil).

– Nafta jonë dhe veçanërisht e Kuçovës ishte me përbërje asfaltiko-rëshinore dhe bitumi që prodhonim kishte cilësi të mirë dhe shërbente për asfaltimin e rrugëve.