Sezoni turistik në Durrës mes ndotjes, Covid-19, dhe krizës

465

Raporti i vitit 2019  nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, ngre alarmin për ndotjen e bregdetit, ja plazhet më të ndotura

Sigal

Banorët ankohen: Vija e bregdetit për plazh është zvogëluar, po lahemi ngjitur me ujërat e zeza

Ndërsa sezoni turistik ka nisur vakët dhe të gjithë shohin turistët si të vetmen shpresë për t’i dhënë pak frymëmarrje ekonomisë, Durrësi është kthyer në një bombë të vërtetë mjedisore. Me gjithë përpjekjet e privatëve për të joshur sa më shumë pushues me oferta, duket se qyteti më i vizituar në vend, ka pak se çfarë u ofron këtë verë që të gjithëve atyre që do të zgjedhin të kalojnë pushimet verore në Durrës. Me mbeturina që kanë pushtuar rrugët, inertet ngado dhe pallatet fantazmë që të kujtojnë tërmetin e 26 nëntorit, plazhet publike të papastruara, ujërat e zeza që kanë pushtuar bregdetin, premtojnë një sezon turistik të vakët për qytetin që e ka bazuar ekonominë, pikërisht tek turizmi. Është korrik dhe pushuesit në qytetin e Durrësit numërohen me gishtat e dorës. Bizneset private i kanë marrë të gjitha masat, kanë vendosur shenjat paralajmëruese  kudo, shezlongët  respektojnë distancat dhe janë në pritje të pushuesve, që këtë vit nuk po duken. Gjergji ka lindur dhe është rritur në zonën e plazhit. Së bashku me të shoqen frekuenton plazhin publik, që edhe këtë vit nuk është pastruar. “Erdhën ata të bashkisë para ca ditësh, vendosën tabelën “plazh publik”, por nuk e pastruan. Ju e shikoni vetë, si mund të bësh plazh këtu?”,- pyet skeptik Gjergji, banor i zonës së plazhit, ndërsa tregon bregun e detit, i cili është pushtuar nga leshterikët.

Mbetje të hedhura pa kriter pranë detit në Durrës

Pushuesit e paktë që kanë zgjedhur të bëjnë plazh me “çadër me vete”, siç preferon ta quajë kryeministri Rama, duket se e kanë të vështirë të gjejnë pak rërë ku të ngulin çadrën. “Nuk ka ndodhur asnjëherë kështu, po futemi në gusht dhe plazhi është i papastruar”, – rrëfen më tej Gjergji. – “Pastaj këta thonë plazh publik, por këtu nuk ka një tualet, nuk ka një dush…”, – thotë ai.

Ndryshe nga pjesa publike, ajo që u përket privatëve “shkëlqen”.

Majk Kulla, menaxher  i “Palace Hotel”, një prej strukturave më serioze në këtë zonë, shprehet se për pastrimin e pjesës së rërës në plazh ka kontraktuar një firmë private. “Pjesën e rërës së plazhit e pastrojmë vetë ne si biznes,  pasi klientët që vijnë këtu meritojnë një plazh të pastër dhe ne këtë e ofrojmë. Ndërsa për pjesën e detit s’kemi se si e pastrojmë ne ujin”, -thotë ai. Ekspertja e turizmit, Flora Xhemani, rendit një sërë problemesh të tjera që kanë bizneset që operojnë në zonën e plazhit, ku përveç ndotjes, atyre u duhet të përballen edhe me një sërë mangësish të tjera. “Problematikës së mbartur të ndotjes i shtohet këtë vit edhe problematika e re e rindarjes së plazheve  70/30 në favor të plazheve publike, gjë që ka sjellë me vete edhe mungesën e mirëmbajtjes  nga strukturat lokale, që është një gangrenë e vjetër. Plazhet private duket që kanë problemin e abuzimit e të uzurpimit të hapësirave në mënyrë të padrejtë shpeshherë, duke mos u dhënë mundësi atyre që nuk i duan shërbimet e tyre, ta vendosin çadrën ku të duan. Por në mungesë totale të mirëmbajtjes së mjediseve publike, tualeteve publike, madje edhe pikave të organizuara ku mund të merreshin së paku çadra me qira modeste, (sepse jo të gjithë kanë çadra për plazh), plazhet private duket të jenë më superiorë për sa i përket shërbimeve. Ky kaos, që e ka ndarë edhe popullatën përgjysmë, si në çdo gjë tjetër, mungesa e theksuar e pushuesve në disa zona të caktuara, mungesa e infrastrukturës në zona të tjera, ku ka kërkesë nga pushuesit, gjobat e shumta, të cilave i trembeshin të gjithë .Ç’t’iu them tjetër?”- thotë me të drejtë ekspertja e turizmit, Flora.

Në bregdetin e Durrësit duket se ndotja e bregdetit të lë për të dëshiruar, ku pushteti vendor ka pastruar  vetëm disa pjesë rëre dhe pjesa tjetër pastrohet privatisht nga bizneset dhe hotelet e zonës. Bashkia Durrës mohon se plazhi është i papastër dhe shprehet se ky institucion ka bërë pastrimin e të gjithë rërës së bregdetit. Ujësjellës Kanalizimet Durrës për një prononcim në lidhje me situatën mjedisore shkaktuar nga ujërat e zeza, sidomos gjatë bregdetit të këtij qyteti në këtë sezon veror, thanë shkurt se: “Nuk ka derdhje të ujërave të zeza, sepse punon impianti që nga 2014”, – thanë zyrtarët e këtij institucioni.

Ujërat e zeza teksa derdhen në zonën e Plepave.

Por, Klaudio Hyseni nga qendra “Durrësi Aktiv”, i cili është duke kryer një sërë vëzhgime  në terren, nuk mendon kështu. Sipas tij, vëzhgimet faktojnë që kemi të bëjmë me një ndotje mjedisore dhe ndikim në jetesën dhe shëndetin e banorëve dhe për verifikime shkencore të gjendjes  të bregdetit, ai tregon se raporti do të jetë gati në pranverën e vitit 2021, ku do t’i adresohet më pas Bashkisë Durrës. “Zonat më të ndotura në qytetin e Durrësit janë disa. Shëtitorja “Taulantia”, ujëra të papërpunuara shkarkohen 24 orë në 24  nga “Ujësjellës Kanalizime sh.a Durrës” dhe nga biznese të ndryshme që ndodhen në këtë zonë, të cilët kanë bërë kanale nëntokësore që kalojnë poshtë shëtitores dhe përfundojnë në det. Hidrovori në Porto Romano, ndotja vjen nga shkarkimi i ujërave të papërpunuara në kanalet kulluese që janë përdorur për vaditje të tokave bujqësore, “Ujësjellës Kanalizime sh.a”, Durrës bën shkarkimin e ujërave të ndotura në këtë kanal, dhe biznese të ndryshme që bëjnë kontaminimin me ujëra të ndotur dhe hera-herës zbrazin hidrokarbure në këtë kanal, të cilat përfundojnë në det. Kanali në zonën e Plepave shkarkon ujërat e papërpunuara nga banorët dhe nga bizneset e ndryshme në det. Biznese dhe firma të ndryshme ndërtuese përgjatë gjithë vijës bregdetare nga stacioni i parë i autobusit në plazh deri në Golem kanë bërë kanale të ndryshme nëntokësore, që përfundojnë në det. Ndotja që vjen nga anijet e ndryshme, të cilat shkarkojnë në det mbetjet hidrokarbure, ujë të ndotur dhe mbetje të ndryshme”,  -tregon Klaudio. Ai vetë është lindur e rritur në qytetin bregdetar, ndaj ia njeh problematikat deri në deje këtij qyteti sa të bukur, aq edhe të lënë pas dore në disa drejtime specifike, siç është ai mjedisor.

Sipas tij, zonat ku niveli i ndotjes është më i lartë janë disa:

1.Stacioni nr.8 i pompimit pranë Portit Detar Detar në Shëtitoren “Taulantia” në lagjen nr.1.

2.Porto Romano Lagja nr.18,  tek hidrovori  i cili bën shkarkimin e ujërave të Ish-Kënetës, Spitallës dhe Shkozetit.

3.Në Plepa ndodhet dhe një kanal grumbullues i ujërave të ndotura i cili bën shkarkimin në det.

Ashtu si Klaudio Hyseni, Olsi Nika, me profesion biolog, është përshirë si ekspert për matjen e nivelit të ndotjes në kanalet e zonës së Kënetës, ku shpjegon se aty rezultatet nuk mund të jenë surprizë. “Aty është një zonë e tmerrshme dhe ndotja është stratosferike dhe dallohet edhe me sy të lirë, megjithatë ne synojmë të matim deri në çfarë niveli arrijnë parametrat e ndotjes dhe në fund të kemi një të dhënë më të qartë se çfarë ndodh me shëndetin e atyre që jetojnë në atë zonë”, -shpjegon Nika.

Gjithashtu Qendra  “Durrësi Aktiv”, po bashkëpunon  me “Klinikën e Ligjit, Durrës”,  mbështetur  nga Lëvizja “Albania” dhe Fondacioni  “Shoqëria e Hapur për Shqipërinë”  për zgjidhjen e këtyre problematikave mjedisore që shqetësojnë banorët e zonave.

Raporti i vitit 2019 nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, ngre alarmin për ndotjen e bregdetit

Por ndotja në vijën bregdetare të Durrësit, është një problematikë që thuajse çdo vit del edhe në raportin vjetor të mjedisit, që hartohet nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit. Gjatë matjeve të kryera përgjatë  2019-ës, në 21 stacione monitorimi, në 7 prej tyre rezultojnë të kenë nivele të larta të ndotjes.

“Pikë e ndotur mikrobiologjikisht vazhdon të jetë pika pas Kanalit tek Plepat, u vu re prani e shkarkimeve të ujërave urbane të pa trajtuara në ujërat pritëse bregdetare në mënyrë direkte”, thuhet në këtë raport. Raporti citon se nga “Nga të dhënat laboratorike  vërehet ngarkesë mikrobike të Escherichia Coli (FC), dhe të Enterococus  Intestinalis (IE)) në pikën e 15-të të monitorimit që i korrespondon zonës pas Kanalit tek Plepat; në pikën e 16 të monitorimit që është Shkëmbi i Kavajës; në pikën e 3 të monitorimit që është Plazhi i Zhironit; në pikën e 7-të të monitorimit që është Plazhi Gostivari. Në raportin e publikuar së fundmi, theksohet se ndonëse në vijën bregdetare të plazhit në qytetin e Durrësit, brezi ranor ishte i pastruar nga ana e Bashkisë, në disa stacione mostrimi vërehej prani e leshterikëve si dhe mbetjeve nga deti siç janë Currilat, si dhe prani e pakët e koshave dhe e tualeteve.

Plazhi i Lalëzit sipas këtij studimi ka rezultuar i pastër në të tre pikat e monitorimit, por ndërkohë në plazhet e Kavajës, që është një vazhdim i plazheve të Durrësit, situata nuk është shumë e mirë.

Raporti i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, që bën çdo vit një vlerësim në rang kombëtar për thuajse të gjithë parametrat e mjedisit ka dalë në përfundimit se zonat pas Kanalit (Plepa) dhe Shkëmbi i Kavajës në Durrës, janë të kategorisë D, pra cilësi shumë e keqe dhe rekomandojnë marrjen e masave të menjëhershme, madje edhe mbyllje provizore të tyre.Ndërkohë që në kategorinë C që konsiderohet cilësi e mjaftueshme janë Plazhi Zhiron; Plazhi Gostivari; Apollonia-Hotel Grand; Plazhi Benilva në Durrës. Sipas ekspertëve që kanë hartuar këtë raport “faktori kryesor i ndotjes së ujërave bregdetarë të larjes mbeten shkarkimet e ujërave urbane të patrajtuara në trupat ujorë pritëse bregdetare në mënyrë direkte dhe indirekte.

 Ujërat e zeza, një problem i pazgjidhur edhe tek Gjiri i Lalzit

Nëse keni zgjedhur për t’u larë në ujërat e Gjirit të Lalzit dhe mendoni se i jeni shmangur ndotjes, gaboni. Gjatë periudhës së pandemisë në kompleksin e vilave Lura, filloi të hapej një kanal i madh, i cili pasi kalon buzë vilave luksoze të qeveritarëve shkon e derdhet në det. Bëhet fjalë për devijimin e lumit Tarin, i cili tashmë derdhet në brendësi të fshatit turistik dhe mbledh me vete ujërat e zeza dhe të ndotura të fshatrave Armathë dhe Rrotull, si dhe mbetjet e një ndërmarrje pularie në fshatin rrotull.

Situata e ndotjes nga Lumi Tarinë pranë kompleksit Lura, në Gjirin e Lalzit.

Erla Mëhilli, këshilltare e ish-kryeministrit Berisha, e cila prej vitesh jeton në këtë zonë e ka konsideruar “masakër mjedisore” dhe e ka denoncuar publikisht atë që po ndodh në këtë zonë, por aktualisht lumi Tarin derdhet  i qetë në shtratin e ri që kalon mes për mes vilave luksoze të gjirit të Lalzit. Pas denoncimit u bë një vëzhgim në terren, dhe jo vetëm që plazhi është ende i pa pastruar, por ujërat e zeza të Tarinit kanë pushtuar të gjithë zonën.

Mbetje të ndryshme përgjatë bregdetit të plazhit në Gjirin e Lalzit.

Banorët e vilave në këtë zonë, shprehen të pafuqishëm për të ndryshuar diçka, megjithëse ata kanë investuar shumëçka aty. “Jemi ankuar, por ku të gjejmë zgjidhje”, na thonë banorët të cilët referojnë të qëndrojnë anonimë. Ata ankohen se si pasojë, vija e bregdetit ku mund të bëjnë plazh është zvogëluar edhe më. “Ç’të bëjmë, kjo ishte pjesa publike, dmth, nëse nuk do të marrësh një çadër me pagesë, mund të zgjidhje çadrën tënde, por tani jemi të detyruar të marrim një çadër me pagesë, se nuk do të lahemi ngjitur me ujërat e zeza.

Shpëtimi nga kriza që solli Covid- 19, një ëndërr e largët

Duket se trinomi, ndotje, Covid 19 dhe kriza e sivjetshme e turizmit, do të krijojë një situatë aspak të këndshme jo vetëm për pushuesit që aktualisht janë të paktë në numër, por edhe për bizneset që presin me padurim t’i mbijetojnë këtij sezoni të vështirë, si kurrë më parë. Majk Kulla, menaxher i “Palace Hotel”, një prej strukturave më serioze në këtë zonë, shprehet se që prej 7 vitesh që ata operojnë, ky është viti më i keq i mundshëm. “Ky vit ka qenë skandaloz. Nuk ishte menduar ndonjëherë se mund të vinte edhe një vit i tillë, – thotë Kulla.  Ne e kishim verën të mbyllur duke filluar që nga 15 qershori deri në 15 shtator dhe thuajse 70%  na u anuluan”. Sipas tij, këtë sezon nuk bëhet fjalë për fitime, por vetëm për mbijetesë.

Ashtu si edhe hotelet e tjera në këtë zonë, edhe tek “Virginia”, gjithçka është bosh. Çadrat e sistemuara bukur dhe rëra e pastruar, ende nuk janë shkelur nga asnjë këmbë pushuesi. “Po çfarë thua, ku kemi punë? Maksimumi kemi pasur dy dhoma të prenotuara gjatë të gjithë kësaj kohe, që nga hapja. Nuk kemi parë si ky vit”, pohon më tej ai. I gjendur në vështirësi ekonomike, Erisi, thotë se janë menduar disa herë të reduktojnë edhe stafin. “I kemi marrë në punë, por nuk kemi me çfarë i paguajmë. Edhe nëse i heqim kemi frikë se kur të fillojë puna nuk kemi pastaj ku t’i gjejmë. Nëse nuk vijnë kosovarët, ne kemi marrë fund…”, përfundon Erisi, i cili nxiton të takojë inspektorët  me dokumentacionin në dorë. Kamerierë që presin me ankth në këmbë ndonjë pushues, lokale të boshatisura dhe ndonjë pushues i rrallë është pamja e trishtueshme që të shoqëron jo vetëm përgjatë zonës së plazhit në Durrës, por edhe në zonën e urës së Dajlanit. “Nuk ka pas aq punë nëse do ta krahasojmë me punën në të njëjtën kohë një vit më parë. Njerëzit tani edhe kur vijnë pinë kafe janë si të stresuar, plus që për ne punonjësit e shërbimit, muajt e verës janë ato më domethënësit, ku përveç rrogës presim edhe ndonjë bakshish, por duket sikur ky detaj mirësjellje është harruar tanimë nga njerëzit që frekuentojnë barin tonë”, – tregon Luisi, kamerier i një bar-restoranti pranë zonës së Urës së Dajlanit.

Edhe shitësit ambulantë në “ditë të hallit”

Por duket se kriza që ka shkaktuar pandemia globale e Covid -19 nuk ka ndikuar vetëm tek hotelet, baret e restorantet e zonës së plazhit në Durrës, por ka ndikuar gjithashtu, mbase edhe shumë më shumë tek shitësit ambulantë. Qazim Murati, shitës ambulant prej 18 vitesh në këtë zonë, vjen vërdallë me karrocën e tij të ngarkuar dingas. Meqë nuk ka asnjë blerës, po hap një rrugë të vogël në plazh që ta ketë më të lehtë jo vetëm të kalojë karrocën e tij, por edhe nënat me fëmijë që mund të vijnë.“Këtë fundjavë harxhova 2000 lekë për të blerë disa gjëra dhe kam bërë vetëm 800 lekë. Kurrë nuk ka ndodhur kjo situatë”, – na tregon Qazimi. – “Vitet e kaluara mesatarisht  fitoja 3000 lekë, pasi vetëm 3 muaj në verë punojmë”, -rrëfen ai.

P.S. Ky raport  mund të ishte edhe për 2020.