Sejmen Gjokoli: Ermioni Mërkuri, Diva Polifone e Bregut

275
Sigal

 

Nga cikli “Visare trashëgimie” 

Sot tingëllon e pa besueshme. por ishte vetëm dymbëdhjetë vjeçe kur me zërin dhe interpretimin e saj do të bënte që e gjithë salla e teatrit “P. Marko” në Vlorë të çohej në këmbë e të pushtohej nga duartrokitjet e ovacionet. Ishte koncert qeveritar, këndohej “Bilbili që dëgjon bota” me vet prezencën e atij që i kushtohej e ku Lefter Çipa, udhëheqësi i grupit të Pilurit, kishte guxuar të sfidonte me një vajzë vetëm në klasën e gjashtë. Kishte guxuar se si duket i kishte studiuar mirë cilësitë dhe aftësitë e vajzës që ca vite më vonë do tundte Kalanë e madhe të Argjirosë dhe do bëhej këngëtarja më e madhe e polifonisë labo-himariote në një hark kohor gjysëm shekullor.

Dashurinë për këngën ja dedikon mjedisit dhe klimës këngëdashëse që në Pilurin e saj kishte djepin, por edhe genit nga prindërit e sidomos nëna, e cila më  parë kishte kënduar me grupin e fshatit. Ishte koha kur një nga bijtë e vendlindjes, grupit të krijuar nga ai vetë, kishte nisur t’i jepte udhën e lavdisë e të  nderimit të madh. Me shkollën 8 vjeçare lidhet fillimi i pjesëmarrjes në grupet polifonike e nga  ku shumë shpejt do të shquante mbi shoqe. Zëri, sidomos, dallonte qysh atë kohë për një timbrikë të veçantë, por edhe për fuqi shprehëse jo të zakonshme duke dhënë shënjat e para të një vokali e interpretimi unik. Ishte ky vocal, por edhe një dëshirë e brëndshme shpirtërore që mbas përfundimit të shkollës 8 vjeçare do ta përballte me dy konkurime mes moshatarësh, në Vlorë e Tiranë. Në të dy doli fituese dhe pas kësaj shkolla e mesme e muzikës në Tiranë do të bëhej baza e edukimit dhe punës së jetës. Edhe sot kujton me nostalgji mësuesin e saj Vangjo Nova, por edhe të gjithë ata që krahas dhuntisë natyrale e veshën vokalin e saj me regjistrin e kultivuar të notave e pentagramit duke e kompletuar edhe më shumë  profesionalisht veshin e saj muzikor.

Dy idhuj ka patur në jetë; të motrën,  Katerina, e njohur si Katina e Pilurit dhe Dhimitër Varfin, të madhin e të pa përsëritshmin e këngës himariote. Katina kishte vënë vulë në këngën monumentale për dëshmorët (Nga kjo baltë e kësaj toke, Merr një grusht e shtrydhe fort, Pika gjaku do pikojnë, Luftën e madhe tregojnë), ndërsa Varfi i brigjeve të Himarës me zërin e tij të kristaltë endte historinë e dytë të këngës bregase në gjurmët e Neço Mukos me shokë. Me këtë adhurim në gji, Ermioni Mërkuri, atë kohë një vajzë njëzet vjeçare do të ngjitej në skenën e Kalasë së Gjirokastrës për t’i dhënë korpusit të polifonisë shqiptare një nga perlat e saj më të jashtëzakonshme. Ishte koha e Festivalit Folklorik Kombëtar 1978 kur Lefter Çipa, arkitekti i grupit famoz të Pilurit do të ngjiste në Kala  Naim Frashërin e bilbiltë, Naim Shqipërinë. E kujt tjetër mund t’ia besonte Çipa i madh këtë këngë himn polifonik, këtë uverturë pa pentagram e nota, por sa dhjetë simfoni bashkë. Në “Bilbili i vëndeve të mia”, Ermioni Mërkuri si marrëse e interpretuese, Qiriako Bala në pozicionin e kthyesit, Vitori Mërkuri në rolin e hedhëses, Vasillo Koka me ndërhyrjen që të shpie në një nga kombinacionet më të veçanta në polifoninë shqiptare dhe grupi si një detashment polifonësh, kanë “shkruar” kryekëngën e Lefter Çipës në kuptimin muzikor e profesional. Pa asnjë mëdyshje kjo këngë shënon majën e këndimit polifonik shqiptar. Nuk ka realizim të dytë në gjithë këndimin e këngëve me iso që të mbart të tillë përsosmëri zërash, një simfoni e rrallë iso-polifonike. Një det i tërë emocionesh dridhëruese.

Teksti është pa dyshim stofi po i tëri kthehet në kadife zërash me një kombinacion marramendës, duhet të përqëndrohesh mirë ose ta dëgjosh disa herë me radhë që t’ia shijosh të gjitha nuancat mbasi nuk e kupton fare nga dalin gjithë ato zëra të destinuara për të krijuar një unitet muzikor të pa ngjashëm e të pa përsëritshëm. Dhe vetëm kaq të kishte bërë në jetë Lefter Çipa dhe grupi i tij famëmadh, Ermioni Mërkuri si marrëse, do ta meritonin të ngrihej një memorial kënge m’u aty në Llogara, në Qafën ku ndan e bashkon dete dhe histori. Për Ermionin kjo mbetet kënga më e arrirë profesionalisht ndërkohë që më e dashura po dhe më himnizuesja për të mbetet “Këngët e Atdheut tim”. Kjo njëkohësisht mbetet më monumentalja ndër këngët polifonike pasi në palcë ka indin shpirtëror e krijues të Atdheut, dashurinë për këngën që na vjen si trashëgimi shpirtërore nga brezat e shkuar.

“Do t’ja marr siç merret kënga,

kënga shqipëtare,

Siç ma ka mësuar nëna,

kthejani, o male.

Këngët e Atdheut tim,

janë ilaç, janë shërim…”

Këngë që lidhet me dy emra të mëdhenj: Lefter Çipa – krijuesi,  Ermioni Mërkuri –  interpretuesja e saj. Në korpusin e shumtë të këngëve të Pilurit, Ermioni numëron me dhjetra këngë të kënduara nga ajo vetë po edhe në duete. E mrekullueshme në këngët lirike, si e prerë për to në këngët epike, e jashtëzakonshme në ato elegjike, krejt e veçantë në monofonike. Ndërsa gjithëshka e lidh vetëm me një emër, rapsodin e krijuesin e vendlinjes së saj, Lefter Çipa, i cili jo vetëm krijonte por edhe i organizonte e drejtonte,  përpunonte vijat melodike e gjithëshka që lidhej me këngën deri sa ja “dorëzonte” popullit të vet. Ermioni thotë se ai ishte dhe mbetet shkolla e vërtetë për të, atij ja dedikon karrierën e saj gati gjysëm shekullore. Me të i ka selitur një aradhë këngësh që mbeten të arta në fondin e këngës polifonike shqiptare, të cituarat më lart, por edhe shumë të tjera, ndër të cilat: “Vijnë djemtë  nëpër vapë”, “Në të marrça manushaqe”,

“Dil o lundërtar”, “O shokë vdeksha nga kënga”, “Ra një lot e lagu syrin”, ” O more deti me valë”, “Vito, Vito pëllumbesha” e sa e sa të tjera që Ermioni i ka “skalitur” me gjithë fuqinë e shpirtit. Janë të pa përsëritshme këngët duete të realizuara me Polo e Janulla Çipën, Qirjakulla e Vasillo Llapën e deri me Arjan Shehun e Gjirokastrës. E pa zëvëndësueshme mbetet Ermioni Mërkuri edhe në vitet e pas nëntëdhjetës ku së bashku me Lefterin, Qiriako Balën dhe Piron, bashkëshortin e bashkëudhëtarin e pa ndarë në këngë e në jetë, do të ishin ndër themeluesit e grupit folklorik “Bilbili” të Vlorës. E vlerëson shumë këtë pjesëmarrje jo vetëm se me këtë grup shënon pjesëmarrjen në Festivalin e parë botëror të folklorit në Hollandë në vitin 1996, por edhe se pati rastin të bashkëpunojë e këndojë me emra të mëdhen të polifonisë labe.

Kujton jo pa nostalgji kur këndonte me Arjan Shehun e Mehmet Vishën, por edhe të tjerë këngëtarë të mëdhenj të Labërisë si Arap Çeloleskaj, Sinan Gjoleka e Spiro Çino ku së bashku në një kohë të vështirë për këngën realizuan koncerte në Vlorë, Gjirokastër e Tiranë.

Tani Ermioni ka mbi njëzet vite që jetën e ndan mes Selanikut dhe vendlindjes, Pilurit, të cilit i është gjëndur sa herë e ka ftuar për këngë. Me grupin “Bejkë e bardhë” drejtuar nga një tjetër pinjoll e mjeshtër i fjalës, Kristo Çipa, ka mundur të realizojë disa këngë, përsëri të bukura e plot emocione siç ajo di t’i këndojë e interpretojë. Në emigracion, bashkë me Piron, ka realizuar një sërë monofonish e elegjish që janë nga më të bukurat në Labëri. Ermioni me talentin dhe vokalin e saj mbetet unike edhe në këtë zhanër të folklorit gojor të Bregut e Labërisë. Nga më të vështirat ditë ka përjetuar ndarjen nga jeta të njeriut që bëri aq shumë për të e për këngën e Pilurit, krijuesin e udhëheqësin legjendar të grupit Lefter Çipa.

Dhimbjen e derdhi në elegji, në vaj sipas zakonit:

“Shpirti i tij në dritë të hënës,

kërkon që t’ja marrin këngës,

Do që yjet ta dëgjojnë,

ti hapin portën të shkojë.

Në yjet e gjithësisë,

shkon Princi polifonisë…”

Ndërkohë që në këngë Bardit të Bregut do t’i kushtonin një nga këndimet elegjike më të veçanta kënduar ndonjëherë nga ndonjë grup polifonik. Përmes tingujve në vaj të instrumentistëve Milto  Gjiçali e Polikron Mërkurit, Ermioni do të derdhte si rrallë herë pikëllimin e pikuar në vargjet e Kristo Çipës dhe ashtu harmonizuar me zërin drithërimë të Eleni Mërkurit e Dhimitraq Balës do bënin të gjithë bashkë një himn polifonik për atë që në gjallje i ngriti himne polifonisë piluriote e shqiptare.

“Djem e vajza polifone,

këngën që e njohu bota,

Lefter Çipës në çdo kohë,

do t’i’a këndojmë te koka.

 

Shkoni breza, merrni dritë,

tek dheu që fle poeti.

Këngën ta doni si sytë,

Atdheu është amaneti”

 

Krejt i veçantë zëri e interpretimi i Ermioni Mërkurit, plot pathos e emocion si askush tjetër ndër këngëtaret e Bregut e Labërisë, unike për nga temperamenti dhe fuqia  shprehëse e interpretative.

Duket se Ermioni nuk ka kënduar, ajo ka gdhëndur dhe ka bërë histori të kënduari. Kënga polifonike për të është pasioni, frymëzimi, ushqimi, oksigjeni dhe jeta vetë. Magjike në çdo këngë. Ndërkohë që për të, Kristo Çipa, “Mjeshtër i Madh”, tani udhëheqës i grupit polifonik “Bejka e bardhë” më thotë: “Ermioni është mitologjia dhe realiteti i polifonisë pilurjote dhe asaj shqiptare”. Ermioni Mërkuri është dhe do të mbetet Diva polifone e Bregut, më e madhja ndër të gjallë dhe ç’kanë shkuar,  vlerësuar në mënyrën më meritore me titullin e lartë, “Mjeshtër i madh”.