Rrëfim i Lasgush Poradecit/ Kur u bë Hymni i Flamurit askujt si shkonte ndërmend se do krijohej aq shpejt Shqipëria

374
Sigal

Dorëshkrime/ Dhe nëse himni u përhap në tërë Shqipërinë duke zotëruar zemrat shqiptare, kjo ngjau se populli e gjeti të pëlqyer

Himni Flamurit pranë të bashkuar ka, si poezi, frymën e tij që e përshkon fund-e-krejt

Komisioni Qëndror për kremtimin e njëzetepesvjetorit të vetëqeverimit më 1937 kishte në planin e punëve, sipas parashikimit qeveritar, dhe çështjen pak si të vështirë të krijimit të një himni zyrtar të flamurit. Ajo çështje sillej më shumë rreth interesave të larta të prestigjit shtetor, sesa rreth një himni të ri të kombit.

Dyke qënë se populli kishte prej pothuajse tridhjet vjetesh himnin e tij -himnin e tij popullor– që thuhet himni i Asdrenit, kuptohet vetiu kundërshtimi i rezervuar asaj çështjeje. Aq më shumë se në gjirin e Komisionit Qëndror gjindeshin dhe veteranë të Rilindjes dhe nga ata që ishin ritur në frymën kombëtare të përvëluar të veteranërisë.

Me gjith këtë fakt, komisioni nuk u ndalua të formulojë vendimin për të bërë një himn të ri- një himn shtetor zyrtar-, dyke i-u përgjigjur nevojësisë së njëzëshme të vendimeve të atij areopagu, të parashikuara në regulloren e gjithë planit.

Për interesin e lartë kombëtar shtetasi duhet të bëjë shumë therrorira vetijake, edhe atë të jetës së vet, dhe kësisoj, vetëm kësisoj kuptohet sesi në vendimin e komisionit më 5 Mars 1937 për krijimin e himnit të ri fytyron dhe veterani Kol Rodhe midis anëtarëve të tjerë.

Dhe kështu, në mbledhjen e VIII më 30 Mars, në vazhdim të vendimit, shpallet një konkurs midis shkrimtarëve shqiptarë që ftoheshin të marrin pjesë për himnin e ri.

Mirë gjer këtu me këtë masë e cila mund të ketë arësyen e vet, problemi i bërjes së një himni tjetër dyke qënë një punë qeveritare.

Prej vendimit dhe gjer në zbatim, komisioni i parë qëndror për kremtimin e njëzetepesvjetorit të vetëqeverimit u zëvendësua me një tjetër, të dytë, i cili në vazhdim-e-sipër të detyrës së të parit botoj dhe një vëllim të posaçmë me tekstet e poezive për konkursin e Himnit të flamurit. Vëllimi (i titulluar Konkursi për Himnin e Flamurit, Tiranë 1937) mban në vënd Parafjale shkoqitjen me titullin pyetës: Pse u ndryshua Himni i Flamurit?. Nënë atë titull sillet (për sa i përket mendimit të këtij komisioni të dytë zëvëndësonjës) shkaku i ndryshimit të himnit me këto terma: “Pas bisedimeve të shumta që rrodhën në Komisionin Qëndror për kremtimin e njëzetepesvjetorit të vetëqeverimit dhe pas shpiegimeve të disa anëtarëve të këtij komisioni, që dijnë mirë letërsinë rumune, u konstatua se himni i sotmë i flamurit kombëtar është fjalë për fjalë përkëthimi i një marshi rumun…

Komisioni, dyke marë parasysh se pas njëzetepesë vjeteve jete së lirë vazhdimi i këtij himni është një cen për ndërgjegjen kombëtare dhe për sedrën t’onë atdhetare, e pa të domosdoshme hartimin e një himni të ri”.

E lemë pas dore shprehjen e parë: që dijnë mirë letërsinë rumune, me qënë se ajo u ndreq prej vetiu me krahasimin e të dy teksteve- origjinal dhe shqipërim-; gjithashtu shprehjen e dytë: fjalë për fjalë përkëthimi i një marshi rumun, me qënë se, sikundër mundmë të shohim aty më sipër, tekstet e vëna përballë njëritjetrit dhe konstatimi jonë mi përpjesëtimin dhe raportin e elementeve të përkëthimit, adaptimit, dhe krijimit, përfundoj me sipërsinë e pjesës shqipe ndaj origjinalit në pikëpamje sasije fjalësh, vargjesh dhe strofash të shqipëruara ose të krijuara; prapë ashtu dhe fjala një cen për ndërgjegjen kombëtare dhe për sedrën t’onë atdhetare pamë se del e një kuptimi të përkundërt- jo si një cen po si një mburrje– me fillimin e lavdishmë të himnit në gji të Kollonisë në Bukuresht, me përhapjen e lavdishme të tij në Korçë dhe nër gjithë viset e Shqipërisë, me veprën e tij atdhetare dhe kombëtare të lavdishme në frymëzimin, kurajimin dhe ngazëllimin e burrave të Rilindjes dhe të çetave të lirisë.

Dhe si qëndron pra puna me frymën e himnit, me frymën e apostullatës së tij shqiptare?

Që në mbarimin e mbledhjes së parë për bisedim dhe ndryshim të Himnit, passi u shpërnda dhe iku prej sallës Komisioni Qëndror ku bënte pjesë dhe shkronjësi i këtyre radhëve, veterani Kol Rodhe i shfaqi këtij, midis katër mureve në sallën e zbrazur, dhëmbjen e madhe që ndjente dykë dëgjuar një t’atillë bisedim, dyke konstatuar një t’atillë vendim. Dhe prej mbledhjes së parë gjer ne ajo e fundit kur u shpall konkursi dyke u zgjatur koha pothuajse një muaj, përafërsisht i tërë Marsi i vitit 1937, Kol Rodhja nuk pushonte së u ankuari, nuk gjente siç duket qetësi për himnin dhe për vendimet që mund të sendësoheshin, dhe shumë herë e zotëronte një dëshpërim rreth çështjes po pa e humbur kurajën për të vepëruar. M’ i theshte të gjitha -dhe unë e kisha për nder të math çdo fjalë të tij- në lokalin e Loni Dusha-s në kryeqytet dyke ndenjur shpesh të dy rreth tryezës mënjanë, dyke e përmbledhur arësyetimin e tij në fjalët, që mua më vinin posi një refren shumë i dhemshur prej atdhetari: ne jemi ritur, kemivojtur, jemi vrarë me këtë himn, na ka hyrë ay që të gjithëve në zemër- si mund t’u ndryshuaka tashi?!

Me bindjen e një dishepulli të veteranërisë, për të cilin çdo fjalë nga goja e një veterani ka qënë një dhiatë kombëtare, e dëgjonja burrin atdhedashës të provuar dhe shpirti më mbushej me gëzim.

Arësyeja kryesore për të cilën Kol Rodhja kundërshtonte ndryshimin, ishte – siç më thesh – fryma shqiptare e himnit. Kishte të drejtë, një e drejtë kjo që vërtetohet me vetë fjalët dhe shprehjet e tekstit shqip, po në radhë të parë me qëllimin thjeshtësisht kombëtar të shqipëronjësit. Dhe kur pastaj prej Kol Rodhes dual të nënëshkruar artikujt në Gazetën e Korçës përkrah dhe me shënimet e Branko Merxhanit në të përkohëshmen Përpjekja shqiptare, të gjithë e drejtuan vërejtjen rreth kësaj çështjeje kaq me rëndësi, me qënë që më një anë vendimi i një komisioni të math nuk ish e mundur të hiqet dhe aq lehtazi, më tjetrën anë himni i rrënjosur në zemrën e popullit nuk kish mënyrë praktike çrënjosjeje prej rrënjëve të tija traditore.

Ç’ngjau atëhere?

Ngjau se, himni i dytë, i ekzekutuar prej muzikave zyrtare, ndoqi si një rymë uji e pa pritur dhe e fortë shtratin e lumit, gjith dyke mos lojtur dot nga vëndi gurin e rëndë të himnit të parë në mes të rymës…

Edhe uji vazhdoj udhën e vendosur dyke rrethuar gurin, èdhe guri i rrethuar qëndroj pa tundur në vënd.

Qëndroj i patundur sepse mirë dhe mjaftësisht i përgjigjeshe ay edhe asaj fryme shqiptare së pavërrejtur mirë, nga mosnjohja e elementeve gjuhësore dhe stilistike përbënjëse të himnit.

I prekmë lart më-të-kaluar ato elemente dhe tashi, dyke marë shkak prej evenimentit të mësipërm, do relevojmë në hollësirat e duhura dhe paraqitjen shqiptare të tyre, për të kulluar çështjen. Do t’a relevojmë dyke patur për bazë tekstin, për mburim shpiegimet gojore të Asdrenit.

Fryma kombëtare shqiptare e Himnit të Flamurit

Himni Flamurit pranë të bashkuar ka, si poezi, frymën e tij që e përshkon fund-e-krejt, dhe kjo na intereson t’a dijmë si është, ç’far është, për t’ i-a kuptuar më mirë vlerën shqiptare.

Po heqim mënjanë faktin e konstatuar më sipër prej nesh mi sipërsinë e fjalëve, të vargjeve dhe strofave që i shtoj Asdreni modelit, sikundër mundmë t’a shohim këtë prej krahasimit nër tekste, dhe po përmbledhim këtu në mënyrën dhe me përgjegjësinë më të ndërgjegjëshme shpiegimet e Asdrenit vetë rreth çështjes: kurse himni rumun ka, siç pamë, vetëm katër strofa, himni asdrenor është me gjashtë, prej të cilave dy të fundit u krijuan krejt origjinale me qëllim që himni të fitojë një fund më të lidhur me gjithë trupin e poezisë dhe më të fuqishmë kundrejt rithmës së përgjithëshme. Sepse pas mendimit të Asdrenit hovi i katër strofave të para nuk rezultonte i kurorëzuar me energjinë artistikërisht të nevojshme në mbarim. Të dy strofat e para të himnit, d.m.th. ajo që fillon me fjalët: Pranë flamurit… dhe ajo që fillon me fjalët: Prej lufte..., janë të lidhura në kuptim njëra me tjetrën, janë si motër e vëlla që i përfaqëson dyke i përmbledhur bashkërisht vargu qëllimtar i tyre i krijuar ashtu enkas prej Asdrenit:

Po vdes, po vdes si një dëshmor.

Dy strofat e tjera, d.m.th. ajo që fillon me fjalët: Në dorë armët do t’i mbajmë dhe ajo që fillon me fjalët: Se Zoti vetë tha me gojë, përbëjnë thelbin e himnit, vendimin e patundur për të luftuar kundër armikut, i formuluar në betimin e përgjithshëm që është kriteri siguronjës më i lartë i tij; për atë thelb -siç i thotë Asdreni- krijoj ay, përsëri ashtu enkas, vargun e domosdoshmë shqiptar:

Për të, për të luftojmë ne”.

Pastaj të dy strofat e tjera, të fundit, d.m.th. ajo që nis me sërën: O Flamur, Flamur, shënj’ e shenjtë dhe ajo me sërën: Trim burrë quhet e nderohet, janë apotheoza e dëshmorëve të rënë për flamurin, si kulm i therrorisë së tyre. Therrorija e tyre, dokument i përgjakur i dëshmorit shqiptar, i-u jep të drejtën e perëndishme për t’u quajtur me të vërtet shenjtorë në altarin e math të mirënjohjes dhe të adhurimit të kombit.

Kjo nuk është, siç duket me plot këtë dritë në shesh, përveç se frymë shqiptare, frymë dhe shpirt prej jetës së pavdekur të Rilindjes shqiptare, që është heroizmi romantik i ngjalljes së atdheut. Frymë e futur me shumë thjeshtësi, me shumë mjeshtëri, me shumë bukuri në çdo fjalë dhe në çdo shprehje dhe në çdo varg dhe në çdo strofë të himnit, qofshin ato në shëmbëllën rumune ose në konceptin shqiptar: unë e bëra vjershën- më shpiegon Asdreni- që t’i shërbejë qëllimit atdhetar dyke e përafëruar me fjalët e origjinalit rumun në disa vargje të katër strofave të para, strofa e pestë dhe e gjashtë dyke qënë të krijuara fund-e-krejt prej meje në frymë shqiptare”.

A është vallë Asdreni që duhet të na heqë, me gojën e vet dhe në emrin e venomit të papërshkruarshëm të autorit, çdo dyshim nga padija mi frymën shqiptare të himnit; është Kol Rodhja që na e heq, me shkrimin e vet dhe në emrin e veteranërisë atë dyshim mi frymën shqiptare të himnit: apo është himni vetë, gjuha dhe stili vetë i tij, që e ka hequr, më përpara fjalës së Asdrenit dhe më përpara letrës se veteranit atë dyshim fator, mburim i një mosmarrëveshjeje së pallogaritur?

As poeti as atdhetari, po teksti i himnit vetë, po fryma shqiptare vetë, qëllimërisht dhe dëndur nëpër ‘të e përshkruar. Titulli: Betimi mi flamur, që i ka vënë himnit Asdreni, nuk gjindet në origjinalin rumun e s’përmban një fjalë ose një koncept të tillë as në trupin e gjithë tekstit. Betimi është një koncept dhe një akt e fakt ethikërisht shqiptar, vetëm shqiptarët, vetëm kryengritësit e çetave të Rilindjes shqiptare kishin betim, betimin që për ta në atë kohë ishte siç kujtuam parolla vepëronjëse e përhapur përgjithërisht. Vetëm në frymën e himnit të Asdrenit lidhet besa shqiptare të cilën himni rumun as e njeh as ka nevojë t’a njohë në gjindjen dhe për qëllimin e atëhershëm të Rumanisë që ay ka përpara sysh. Është vargu i katërt i strofës së parë, varg i dalë plotërisht, plotërisht si trajtë dhe si përmbajtje, nga ideja e poetit shqiptar dyke mos eksistuar fare në origjinal:

Të lidhim besë për shpëtim”.

Si të gjitha fjalët e vargut, ashtu dhe fjala shpëtim këtu përfaqëson frymën shqiptare, së cilës duhet t’i themi frymë asdrenore me qënë që në mes të kaq shprehjeve të huaja ku Asdreni qe rrezik të përmbytej dyke përkëthyer, ay e pat vërrejtjen gjithnjë të ngrehur për të nxjerrë me çdo mënyrë një origjinalitet shqiptar- frymën shqiptare të qëlluar prej tij. Për shpëtim, do të thotë për t’a shpëtuar vëndin, Shqipërinë, që gjindej në robëri; Rumunët s’e kanë fjalën shpëtim në himnin e tyre, ata kanë vetëm bashkim -bashkimin që jep fuqinë- për t’a mprojtur vëndin e çliruar prej kohe, të shpëtuar prej kohe: ata deshnin bashkim-in e Rumanisë për një kohë reziku, po shqiptarët lypsej që vëndin e tyre më parë se të gjitha t’a çlirojnë prej armikut. Kjo analogji për ruajtjen në çdo rast të frymës shqiptare dhe për krijimin rishtas të saj, konstatohet pothuajse nër gjithë vargjet e himnit të shqipëruar, dhe ne po sjellim këtu nër të tjera vetëm njërën, që është në llojin e saj tipike.

Origjinali përmban fjalët:

 

“Po Rumanija jonë e shtrenjtë

Përjetë, përjetë do lulëzojë”.

Asdreni e transformon parimërisht këtë ide, për hir të qëllimit shqiptarizonjës që ay ka në vetëdije:

“Po Shqipërija do të rojë,

Për të, për të luftojmë ne”.

 

Pse kështu? Sepse kjo ka arësyen e saj! Rumanija për vjershëtorin rumun eksistonte, ishte e shpëtuar, shtet më vete. Ajo si e tilla kish nevojë vetëm për lulëzim, kur se Shqipërija duhej më përpara së gjithave të rrojë dhe prandaj shqiptarët duhej të luftonin. Sa kohë që ata s’ e kishin liruar atdheun e tyre, si do lulëzonte ky? Lulëzon një gjë që e ke në dorë, siç ish Rumanija në kohën e himnit, jo një gjë që èdhe nuk eksiston, që nuk është bërë èdhe, siç qe puna me Shqipërinë.

Anallogjija e korespondencave të kësillojshme midis shqipërimit dhe origjinalit mund të përsëritet mjaft herë dyke krahasuar, ajo është aty kudo që t’a kërkojmë nër të dy tekstet, dyke na mbajtur gjithnjë gati para syve të përfytyrimit t’onë një kujdes të math të Asdrenit: kujdesin e bërjes sa më të dobishmë shqiptarisht të përpunimit të tij, që ky të qëndrojë sa më mirë dhe sa më bukur brenda kufireve të vetëdijëshme të frymës shqiptare. Dhe me të parë pas vjetesh se i doli mirë në krye kësaj prove së vështirë dhe së mbushur me përgjigjësi, me të konstatuar se ay himn kësisoj i tija kish pushtuar gjatë kohës jo vetëm zemrat e shqiptarëve të Rumanisë po dhe gjithë shpirtin dhe jetën e mëmëdheut- të cilin e kish ndezur tej-e-për-tej me frymën e tij-, Asdreni e shtypi himnin në librën Ëndra e Lote në Bukuresht më 1912. Po në thjeshtësinë dhe modestinë që e karakterizon nuk u shmëng të shënojë në Parathënie- si për të drejtësuar një vepër që s’kish nevojë drejtësimi- se nuk do të ishte keq sikur të kemi disa këngë të huaja patriotike për t’u kënduar prej shqiptarëve.

Nër ato këngë ish vetëkuptuar dhe himni i tij, i cili, për hir të frymës së tij, hariu të bëhet himni i përzemërshëm i popullit shqiptar.

nesër do lexoni:

-Si u themelua për të parën herë në atë mërgim kisha e Shën-Gjergjit-të-Vjetër me ballin në udhën më të bukur të kryeqytetit rumun

– Fan Noli në Bukuresht më 1913- këtu, në kishën historike të Shën-Gjergjit-të-Vjetër, e mbajti ay meshën e tij të parë shqip të Rumanisë