Regjisori Anastas Nika: Arti shqiptar është në ditë të vështira.Premierat dhe takimet e mia nga Enveri tek Rama

710
Sigal

Vijon nga numri i kaluar

Në sa filma keni marrë pjesë dhe cilët veçoni?

Kam marrë pjesë në disa filma në role modeste “Dritat e qytezës” me regji të Fehmi Hoshafit në rolin e Merqezit, në filmin “Butrinti” me regji të Vladimir Priftit në rolin e ekonomatit të Ugolinit,në filmin “ Mysafiri” të Papadhimitri Produksion  në rolin e bisnesmenit amerikan, në filmin “Amnistia” me regji të Bujar Alimanit  shefi i guzhinës së spitalit , në filmin Kosovar “Një zemër në dy jetë” rolin e një bisnesmeni shqiptar ,në filmin ‘’ Unë si ty” në rolin e gjykatësit”. Dua të theksoj se megjithëse janë role episodike , jam vlerësuar për lojën organike.(i vërtetë në ato që bën e thua )

Sigurisht që unë i njohur në ekran jam bërë me realizimet e mia si videoklipe poetike , e ku tani kemi arritë në filma me metrazh të shkurtër dhe të mesëm si “Statuja e Babait”, “Kënga e Ringjalljes”.” Kamenica” dhe së fundi “Enea trojani në Butrint” të gjitha me regji të tim biri Eneas.


Cila ka qenë dita më e bukur dhe më e vështirë si aktor dhe regjisor?

 

Dita më e vështirë si aktor! Dita më e vështirë që s’do ta harroj kurrë, e që do të ishte dita fatale e jetës sime është nata e parë e premierës së tragjedisë “Antigona “ të Sofokliut në Tiranë, ku unë interpretoja rolin e  mbretit Kreont.

Sapo filloi muzika dhe në skenë çfaqet aktorja në rolin e vdekjes, e cila fillon të ndërtojë rrethin e gjakut, pas një a dy minutash  do të çfaqem unë duke ngjitur disa shkallë të larta  rreth 40 cm ,dhe në shkallën e pestë do të ndaloja të mbaja fjalimin para popullit të Tebës duke shpjeguar pse unë e marrë në dorë pushtetin,dhe për të nderuar Eteoklin, i cili ra heroikisht, dhe për të lënë pa varr Polinikun, i cili luftoi kundër popullit e vëllait të vet. Për një moment bëj të kujtoj tekstin. Isha në shkallën e tretë. Nuk më kujtohej asgjë! O zot mendova , po tani çfarë të bëj? Ngjitem në shkallën e katërt! Bëj të kujtoj ! E pamundur! As fjala e parë! Atëherë i thashë vetes, se kjo do të ishte nata ime triumfatore , duke interpretuar një nga rolet më të vështirë, maja të dramaturgjisë botërorë, por jo, kjo ishte nata fatale finale e imja ku do ta mbyllja me turp, para një auditori tejet intelektual, ambasadorë të gjitha shteteve, qeveritarë, klerikë, artistë, Kisha akoma dhe dy-tri hapa për të ndaluar.Atë çast nuk e di se si , por m’u çfaq fytyra e gjyshes sime e  cila kishte rreth 20 vite larguar …Hoqi shaminë e zezë nga koka , dhe e flaku në tokë. U ngrit një pluhur i bardhë që e mbuloi të tërën. Dhe pastaj ajo u zhduk! Unë pata një si trallisje, sikur humba shikimin, dhe pastaj gradualisht fillova të shikoj rreshtat e parë të publikut. Ndjeva që kombi në grykë m’u lirua duke bërë një zhurrmë “kllak” sa u dëgjua në publik. (Këtë ma tha pas çfaqjes një aktor i njohur ) E në vend të fjalëve të faljes fillova tekstin e monologut….dhe ajo nga një natë fatale u kthye në triumfin tim aktorial. Dhe e gjitha nga një ëngjëll si gjyshja!

Dita më e vështirë si regjisor !

 

Ndërsa nata e” zezë”si regjisor do të ishte kur po vija një premierë estrade. Atë ditë  gruaja ime kishte shkuar në maternitet për të lindur fëmijën e parë. Policia dy ditë më parë më kishte sjellë një urdhër që duhet të largohesha nga shtëpia , se ishte e dikujt tjetër, ndryshe do të nxjerrim me forcë. Po atë ditë kisha dhe premierën e çfaqjes. E kuptohet gjëndja ime shpirtërore. Një grua që po lindëte. E pas lindjes s’kishte shtëpi ku të kthehej!!!! E këtej do të ishte premiera e estradës që bëhej çmos me çdo mënyrë , të sabotohej!

Ishte një natë e paharruar për shumë gjëra. Por…Gruaja lindi djalin e parë. Policia anulloi vendimin e daljes sonë  nga shtëpia. Premiera vetëm duartrokitej! Të gjithë atje gëzonin. Vetëm njëri fshehur diku zyrës hante veten me dhëmbë ! Kur të gjithë kishin ikur , u ula në skenë dhe thashë “ Zoti ekziston’ Dhe unë do të ndjekë gjithë jetën time”! Dhe çdo ditë e natë qysh atëherë falenderoj e do të falenderoj Zotin ! Sigurisht gjithë artisteët dhe publikun e asaj mbrëmje !

 

Cilat janë arritjet tuaja  si regjisor?

Sigurisht që në qytetin tim, kam realizuar vepra skenike si komedia “ Jo të gjithë hajdutët vijnë për të keq” të nobelistit  Dario Fo, apo komedia tjetër “ Konti i Monte Petrelës” të autorit Jani Duri.

Spektakli i “Miss Saranda 2003”  i titulluar  “Qytet i bukur, njerëz të bukur” ku u thyen dyer e dritare nga publiku ishin rreth 700 vetë në një sallë me 450 vende, ku rrinin në anësoret dhe në gjunjët e njëri tjetrit dhe kjo për katër orë rresht. Për herë të parë e të fundit ishte një staf si në eventet kombëtare e botërore me pesë parukierë, katër stilistë, kameramanë, aktorë, dhjetëra këngëtarë dhe kryesorja vajza shumë të bukura.:)

Sfilata në Lëkurës me punët e stilistes Eva Gega dhe e ftuar Jonida Maliqi.

Do të veçoja teatrin poetik “Nëntoriada”( ku aktorët Spiro Guma , Pranvera Brinja , Flamur Oruçi,e ftuar aktorja e mirnjohur e Gjirokastrës Liliana Kumbaro në rolin e plakës Nicë , kori i vajzave dhe koreografia e Fatmir Saraçit ishin në një nivel të lartë profesional , ku do t’i kishin zili trupa serioze teatri ). Komedia “ Fejesa “ e Çehovit ku aktoret Spiro Guma dhe Valentina Boçi , do të sillnin karaktere për t’u admiruar, e fatkeqësi që nuk pati fatin të shkojë në festival, se vërtet do të ishte një konkurente e denjë për vënde nderi. Dhe dua të veçoj komedinë “Pas Vdekjes” me Trupën e të Rinjve të Teatrit, të cilët shkëlqyen me interpretimin e tyre në Teatrin e Metropolit në Tiranë.

Cilët nga udhëheqësit e asaj kohe keni takuar dhe çfarë kujtimesh ruani?

Kujtoj një ndodhi, që për atëherë klasifikohej e rrallë. Kam takuar fare rastësisht Enver Hoxhën. Po kaloja në bulevardin qendror fare i vetmuar. Atje ku qe busti i Stalinit. Shastisa. Qe pasdite. E shtunë! Çuditërisht  nuk kishte këmbë njeriu që thonë. Në krah tim ndaloi një makinë e madhe e zezë. Të them të drejtën u tremba. U hap porta dhe doli një djalë i ri i fuqishëm ,i cili shkoi tek porta e pasme , e hapi dhe para meje, ishte Enver Hoxha. Ma bëri me gisht , dhe unë me këmbët që lëviznin sikur kishin gurrë brënda këpucëve, u afrova afër portës së pasme. Zgjati dorën dhe më përkëdheli tek flokët duke buzëqeshur. Porta u mbyll me buzëqeshjen e tij, dhe unë kisha mbetur si budalla në mes të rrugës. Nuk e besoj dot si ndali , ai që atë kohë ishte si Perëndi…Edhe sot më duket ëndërr ! Më vonë morra vesh që një nga shoqëruesit e tij më njihte… Ndoshta! Nuk e di…! Kur  u ktheva në shkollë, në mbrëmje vonë , kur të tjerët flinin, unë shkova në sallën e televizorit , dhe në një cep aty , gjeta një vepër të Enver Hoxhës dhe  fillova të lexoja  me zë duke u përpjekur të imitoja zërin e tij. Dhe këtë gjë fillova ta bëj shpesh ! Por në një nga netët , kujdestari i konviktit, duke kontrolluar ambjentet, dëgjoi një zë që lexonte një fjalim kongresi. U afrua , skërmiti dhëmbët , më mori veprën nga duart duke thënë “ E shohim nesër këtë punë…”  Dhe pas pak ditësh,e pashë vërtet! Duke më vendosur një arsye tjetër (mungesa pa arsye ) më përjashtuan nga shkolla. E pathëna dhe e pashkruara ( e thëna vetëm me mua si në hetuesi) ishte se tallej me zërin e  figurën e …Unë me lot në sy i thosha se nuk tallem, e bëja që t’i ngjaja atij. Pra më përjashtuan se imitova Enver Hoxhën? Jo,thjesht se nuk pranova të isha spiun i drejtoreshës!

Udhëheqësit e partisë në rrethin e Sarandës në monizëm a e frekuentonin teatrin?

Teatri atë kohë në Sarandë (si dhe në gjithë vendin ) frekuentohej si nga njerëzit e thjeshtë, por sidomos nga udhëheqësit. Në provën gjenerale do të merrte pjesë një nga sekretaret e komitetit të partisë, drejtori i arsim-kulturës, dhe shpesh kryetarja e komitetit ekzekutiv. Shiko se çfarë interesi kishte, kuptohet që ishte më shumë arsye politike, sidomos në estradë, që ishte dhe tehu i kritikës së fenomeneve të jetës së përditshme. Por dua të them se artistët ishin tejet të privilegjuar.Vetëm këtë të mendosh  që Artisti qe me studio, ndërsa sot nuk kanë as shtëpi, si unë, pale rroga pastaj. Artisti qe më i vlerësuar në atë kohë…

Një takim i rrallë me Edi Ramën

Ndërsa Kryeministrin e sotëm e kam takuar një mbrëmje kur në Butrint zhvillohej “Fyelli magjik “ dhe unë isha moderator i këtij aktiviteti vërtet madhor. E pas aktivitetit , në darkën që u shtrua në lokalin e fotografit të njohur sarandiot Luan Qëndro, unë do të isha përballë Edi Ramës (atë kohë ministër i Kulturës ).Të gjithë të pranishmit i thoshin me fjalët më superlative “O shef, ta marrim Anastasin në Tiranë. Është aktor i shkëlqyer ….” Dhe Edi duke buzëqeshur lehtë më tha” Këtu je o Caci i Fllokos , në Sarandë? “ Po ,– i thashë –këtu nuk kam lëvizur, nuk më pëlqen të shkoj jashtë”.“I martuar je ?-më tha paskësaj.

“Po –i thashë-kam dy fëmijë , dy djem”.

E duke buzëqeshur e kthyer kokën majtas e djathtas nga të pranishmit më tha: “ Në provincë je, i martuar je, i vdekur je !” Të gjithë filluan të qeshin.

“Nuk e di pse, por di që nuk dua të ikë nga Saranda…”- i thashë ashtu nëpër dhëmbë.

Dhe ja mbusha sot afro katër dekada që jap kontributin tim si aktor, skenarist e regjisor në këtë qytet, dhe jam krenar që njerëzit e këtij qyteti më nderojnë e respektojnë. Por dhe unë i dua , ndaj kam bërë e bëj të pamundurën  për t’u sjellë gëzim e buzëqeshje! Ajo kohë qe më e interesuar për teatrin, të jem i ndershëm. Sot, megjithëse arti quhet i lirë, po kjo liri sjell edhe shumë pisllëqe sociale. Sot primar shihet kapitali, ndërsa në atë kohë njeriu vlerësohej më shumë, çdo moshë artisti. Artisti qe me studio, ndërsa sot nuk kanë as shtëpi, si unë, pale rroga pastaj. Artisti qe më i vlerësuar në atë kohë…

Cilat janë rolet tuaja më të vlerësuara?

Vlerësimet…

Kam interpretuar  mbi 150 role në lloje e gjini  të ndryshme të artit skenik.

Kam shkruar e vënë në skenë, duke qenë vetë aktori kryesor në këto premiera: “Po të mos kesh kokë”, “Një shqiptar në hënë”, “No coment”, “Syri jeshil në kohë të tretë” si dhe komeditë “Marrëzia e një të mënçuri”, “Amaneti i nënës”, “Dhëndri nga Amerika” si dhe komedi me një akt “Vaji i dashurisë”, “Këngën ma dëgjoni nesër”, “Gjyq në fund të shekullit” dhe “Krijimi i Partisë Lakuriqe”.  Në vitin 1992 kam vendosur me shumë sukses komedinë e Nobelistit të njohur Italian Dario Fo “Jo të gjithë hajdutët vijnë për të keq”

Në vitin 2000 kam ngritur në skenë komedinë e Jani Durit ‘’Konti i Monte Petrelës’’,dhe ku do të isha vete aktor protagonist.

Në vitin  2003 rregjisori  i njohur dhe i talentuar Spiro Duni morri dhe ai rrugën  për në Sarande  për të vënë në skenë  komedinë e autorit kroat Miro Gavran  ‘’Burri gruas sime’’,ku unë do të interpretoja në rolin e  Tonit .Kjo u cfaq dhe ne teatrin ’’Skampa’’…

Në vitin  2004  në Sarandë rregjisori  tanimë i njohur i tragjedive  ‘’Antigona ‘’ dhe ‘’Medea’’dhe  miku im  i vërtetë( (unë punoj vetëm me miq..!)  Mikel Kalemi  vuri në skenën e Butrintit  tragjedinë  e Sofokliut ‘’Antigona’’-ku unë do të interpretoja rolin kryesor , atë të Kreontit.

Kjo tragjedi  u  çfaq në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrove  ’Butrinti 2000’’, dhe ishte një nga  netët më të bukura  jo vetëm të miat, por të vetë  teatrit shqiptar, ku publiku kishte mbushur ç’do cep të  amfiteatrit si asnjëherë tjetër,se ishte e para tragjedi e konceptuar e  ndërtuar me elemente moderne e kjo një risi në historinë e teatrit të ri  shqiptar.

Në vitin 2006 do të rivihet në skenën  ”Black Box” të Universitetit të Arteve tragjedia e Sofokliut ”Antigona ”, ku unë përsëri do të isha anë rolin e Kreontit.

Në vitin  2006 do të interpretoj në kalanë e Gjirokastrës monologun e pashait nga ’’Tri këngë zie për Kosovën’’ –të Ismail Kadaresë , në ditën e 70 vjetorit të tij , përkrah aktorëve Raimonda Bulku ,Vangjel Toçe,Myzafer Zyfla.

Në  vitin  2006 ish aktori i Teatrit  Kombëtar Shefet Bregu erdhi  në Sarandë dhe vuri në skenë monodramën ‘’I çmënduri që bëhet mbret’’-përshatur prej tregimit të Nikollaj Gogolit  ‘’Ditari i një të çmenduri’’-ku unë do të interpretoja  për  një orë e  ca  i vetëm  në skenë rolin e Poprishinit.