Magjia e burimeve të kristalta
Rreth 25 km larg qytetit të Krujës, mes maleve të larta deri mbi 1 700 metra mbi nivelin e detit, shtrihet një park mahnitës me vlera të rralla turistike e klimatike. Që prej vitit 1966, ai është shpallur Park Kombëtar dhe në të gjenden qindra burime të kristalta, ajër i pastër, peizazhe mahnitëse me masive pyjore, ku sundon një bimësi shumë e pasur, me kafshë e shpendë të rrallë. Ky është Parku Kombëtar i Qafë Shtamës, me një sipërfaqe 2000 ha, ku turistët mund të gjejnë të ndërthurura monumentet natyrore me ato historiko-kulturore.

Pozita gjeografike
Parku Kombëtar i Qafë Shtamës shtrihet në një zonë malore, që ndodhet midis malit të Skënderbeut (1 724 m), në veriperëndim, dhe malit të Xibrit (1 531 m), në juglindje. Në veri, kufiri i parkut ndjek kurrizin ujëndarës deri te maja e Rjepës së Qetkos (1 686 m), në lindje ndjek kurrizin që zbret nga maja e Liqenit (1 724 m), në Qafën e Shtamës (1 230 m). Në jug parku shtrihet nga kuota 1 474 m, në Qafën e Larit (1 228 m) e majën e Zethit (1 112 m), ndërsa në perëndim ndjek përroin që zbret nga shpatet perëndimore e vijon në Qafën e Cudhinit (761 m), në krah të rrugës Cudhin-Shkretë. Parku Kombëtar i Qafë Shtamës gjendet rreth 25 km në verilindje të qytetit të Krujës dhe rreth 20 km në jugperëndim të qytetit të Burrelit. Qafa e Shtamës (1 230 m) shërben si urë lidhëse midis zonës së Krujës në perëndim dhe luginës së Matit në lindje.

Kushtet natyrore
Territori i Parkut Kombëtar të Qafë Shtamës përbëhet nga shkëmbinj ultrabazikë dhe gëlqerorë. Majat e larta që rrethojnë parkun, ku spikatin maja e Hotit, ajo e Liqenit, e Bretit, e Skënderbeut, e Rjepës së Qetkos, e Zethit etj., lartësia e të cilave shkon nga 1 110 m-1 724 m, janë mjaft të thepisura, të dhëmbëzuara dhe ofrojnë pamje mahnitëse nga të gjitha anët. Bukurinë këtyre majave ua shtojnë burimet e shumta, që dalin prej tyre dhe që përbëjnë zanafillën e disa përrenjve, degë të majta të lumit Mat, si përroi i Qafë Shtamës, i Gërmenit, përroi i Zallit, si dhe disa përrenjve të tjerë të vegjël, që i bashkohen lumit të Ishmit. Malet që rrethojnë parkun, janë të skalitura me cirqe të shumta akullnajore. Në afërsi të majës së Liqenit ka pasur liqene akullnajore me formë afërsisht rrethore, që sot kanë pësuar ndryshime rrënjësore. Gjatë verës këto liqene thahen, ndërsa në stinën e dimrit, nga reshjet e shiut dhe në pranverë nga shkrirja e dëborës, mbushen me ujë.
Klima e territorit të parkut është mesdhetare malore, mjaft e shëndetshme. Kushtet e veçanta natyrore klimatike kanë favorizuar ngritjen e një qendre klimatike për sëmundjet e mushkërive, me disa bujtina pushimi. Në Parkun Kombëtar të Qafë Shtamës mbizotërojnë kryesisht tokat e kafenjta dhe të murrme pyjore.

KROI I NËNËS MBRETËRESHË
Pranë Qafës së Shtamës, në lartësinë rreth 1 100 m mbi nivelin e detit, e rrethuar nga pyje të dendura pishe, ndodhet “Kroi i Nënës Mbretëreshë”. Këtë emër ky burim i kristaltë e ka marrë që në vitet ’20 të shek XX, pasi prej këtu merrej uji që konsumonte familja mbretërore në Tiranë. Kroi i Nënës Mbretëreshë, pjesë e Parkut Kombëtar të Qafë Shtamës, është në listën e monumenteve të natyrës shqiptare (Hidromonumenteve). Uji i burimeve të shumta të Qafë Shtamës vlerësohet si i lehtë, i varfër në kripëra, por i pasur në magnez. Uji i Qafë Shtamës i plotëson të gjitha kriteret fiziko- kimike dhe bakterologjike të kërkuara nga direktivat europiane. Kroi i Nënës Mbretëreshë ka ujë gjatë gjithë vitit. Peizazhi përreth, me pyje të dendura, disa përroska, që zbresin nga malet me plot gurgullime, cicërima e shpendëve të pyllit, ajri i freskët dhe i pastër, joshin çdo vizitor.
Flora dhe Fauna
Parku Kombëtar i Qafë Shtamës ka një larmi të madhe habitatesh dhe biodiversitet të shumë llojshëm. Mbulesa bimore e parkut është shumë e pasur me drurë të llojeve të ndryshme, duke filluar nga shkurret dhe dushku e deri te halorët e ahishtat në lartësitë e mëdha. Në lartësitë nga 1 150 m-1 220 m mbi nivelin e detit, në afërsi të fshatit Cudhi, të njësisë administrative Cudhi, ndodhet një pyll i dendur e madhështor, i përbërë nga pisha e zezë (Pinus nigra). Ky pyll ka vlera shkencore, biologjike dhe ekologjike, kulturore, didaktike dhe turistike. Një prej vlerave të rralla në bimësinë e parkut është prania e grupimeve bimore me Forsythiaeuropea, e cila është një specie endemike e Shqipërisë. Në lartësitë 1 200-1 600 m shtrihen në sipërfaqe të caktuara livadhet alpine. Në pyje jetojnë kafshë të egra, si: ariu, dhelpra, derri i egër dhe shpendë të shumtë.
Trashëgimia Kulturore
Për të vizituar Parkun Kombëtar të Qafë Shtamës duhet të marrësh rrugën automobilistike Krujë-Qafë Shtamë. Në afërsi të Parkut, në Bashkinë e Krujës ndodhen edhe disa objekte te rëndësishme natyrore e monumente kulturore, që tërheqin mjaft vizitorët vendas dhe të huaj, si: qyteti antik Albanopoli (Zgërdheshi i sotëm), Shpella e Sari Salltëkut, Shkëmbi i Vajës etj.
Qyteti Antik i Albanopolit
Vetëm 10 km larg Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, gjenden mbetjet e qytetit antik Albanopoli, ndërtuar me mure me gurë poligonikë të qytetërimin antik. Ai ndodhet ndërmjet qytetit të Fushë-Krujës dhe atij të Krujës. Albanopolis ka qenë kryeqendra e fisit ilir të albanëve dhe përmendet për herë të parë në mesin e shekullit të II të erës së re, nga Ptolemeu. Arkeologët mendojnë se ai ndodhet atje ku sot shtrihet qyteti ilir i Zgërdheshit. Albanët janë fisi ilir nga i cili morën emrin e hershëm shqipëtarët. Në krahinën e banuar prej Albanëve ruhen ende toponime që lidhen me emrin e këtij fisi, s: Arbana, ( fshat në bashkinë e Tiranës), Kroi i Albanëve ( në afërsi të fshatit Zgërdhesh), etj. Periudhën e lulëzimit më të madh ky qytet e pati në periudhën e shekullit III-II para erës sonë. Gërmimet e kryera në vitet 1968-1973, nga prof. Selim Islami, dëshmojnë se ky qytet është zhvilluar mbi bazën e një vendbanimi protourban. Me kalimin e shekujve Albanopoli e humbi rëndësinë e tij si qytet, por ka lënë pas gjurmët e një qytetërimi të lashtë, që dëshmon një pjesë të historisë së shqiptarëve. Albanopoli sot është shëndërruar në një atraksion turistik që tërheq shumë turistë vendas dhe të huaj.
Shpella e Sari Salltëkut
Kjo shpellë ndodhet në lindje të qytetit të Krujës, në pjesën më të lartë të shpatit perëndimor të malit të Krujës. Disa dhjetëra metra poshtë pjesës së rrafshët të malit, në formacione karbonatike, është formuar shpella karstike e Sari Salltëkut, e cila ka një thellësi rreth 10-15 m dhe lartësi deri në 3-4 m. Sipas të dhënave historike, në vitin 1325, nga muaji maj deri në shtator erdhi e qëndroi në shpellën e malit të Krujës misionari bektashi Sari Salltëku. Që nga shek. XIV, kjo shpellë është përdorur si objekt kulti nga besimtarët bektashinj. Brenda shpellës ndodhet edhe një burim i vogël. Kjo shpellë nuk ka stalaktite e stalagmite. Prej kohësh ajo është objekt kulti dhe vizitohet shumë nga besimtarët e Krujës dhe të zonave përreth, pavarësisht besimit fetar që i përkasin. Shpella e Sari Salltëkut është monument i trashëgimisë kulturore.
Gryka e Vanave dhe Shkëmbi i Vajës
Kjo grykë ndodhet në veri të qytetit të Krujës, në shpatin e malit të Krujës, ku kalon rruga automobilistike Krujë-Qafë Shtamë. Gryka ka një gjatësi më shumë se 1 km dhe gjerësi mesatare 50 m. Shpatet e grykës kanë lartësi deri në mbi 200 m dhe pjerrësi gati vertikale. Në këtë grykë ka shumë guva dhe shpella karstike. Legjenda për Grykën e Vajës thotë se, pas pushtimit të Krujës, më 16 shtator 1478, 90 gra e vajza krutane, për të mos rënë në duart e turqve, u kapën dorë për dorë dhe u hodhën nga shkëmbi me lartësi deri 200 m. Gojëdhënat thonë se pas kësaj ngjarjeje, aty banorët hidhnin lule dhe vajtonin trimëreshat e për shkak të vajeve, shkëmbi në këtë grykë mori emrin “Shkëmbi i Vajës”. Këtë akt heroik, në fillim të shekullit të XIX, e kryenin edhe vajzat dhe gratë suliote, të cilat së bashku me fëmijët e tyre u hollën nga shkëmbi i Zallongut për të mos rënë në duart e armikut.
Tiranë, më 14.07.2023
Përgatiti :
Prof. Dr. Selman Sheme
Kanioni i lumit të Drojës
Muret poligonik të Adrianopolit
Kroi i Nënës Mbretëreshë
Shkëmbi i Vajës
Peizazh i maleve të Skënderbeut






















