Prof.Dr. Zaho Golemi: Xhevat Lluri, burri i urtësisë dhe i mënçurisë në përjetsi

271
Sigal

XHEVAT LLURI BURRI I URTËSISË DHE MËNÇURISË NË PËRJETËSI

 (In Memoriam për burrin e urtë e të mençur, njerëzorin, modelin e njeriut shoqëror, krijuesin, këmbëngulësin, vlerë e Prongjisë, Krahinës së Kardhiqit dhe mbarë Labërisë, burrrit të denjë dhe që ishte nder që ta kishe mik  Xhevat Llurin, që u shua këtë fundmarsi të 2021-it, që mbetet i pashlyer në kujtesën e shumë brezave të studiuesve, të Organizatës së Veteranëve të LANÇ-it, të Shoqatës “Labëria”, të miqve e shokëve, bashkëfshatarëve të Prongjisë, si model i mirësisë dhe vlerave njerëzore, një emër i dashur shoqëror, një familjar i përkushtuar për tre vajzat, një gjysh i dashur, një babaxhan dhe veprimtar shoqëror që la vepra të figurave kombëtare, i qetë dhe i dashur, i thellë dhe i menduar, shpirtbardhë, mendimpjekur, që me trashëgiminë që la është ndriçues për brezat duke i bërë një shërbim të denjë vendlindjes, krahinës, Labërisë).

 

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

Përnjëherë u krijua një boshllëk në shpirt. Nga jeta iku një njeri i mirë, që dy vjet më parë në “Telegraf”, kisha shkruar “Burri lab i Prongjisë, Mirënjohje e Labërisë”. Para sysh më del jeta e tij plot sakrificë, një jetë e mbushur me dinjitet urtësi dhe krenari. Ai ishte njeriu i urtë që dinte të përballonte çdo sfidë dhe të triumfonte mbi të keqen. Po ja në mbrëmjen e ditës së djeshme lexoj një ikje, një dhimbje, një largim të parakohshëm të burrit të nderuar; Xhevat Lluri. Lexoj dhe nuk besoj një status që kishin bërë në fb, dhëndurrët e tij, njerëz të nderuar dhe respektuar, miqtë tanë Agim Çiraku dhe Engjëll Musai: “Ikja e një miku të paqtë dhe vjehrrit Xhevat Lluri! Një lajm i hidhur dhe një ditë e trishtë. Largohet nga kjo jetë vjehrri, shoku dhe miku ynë Xhevat Lluri. Familja e Xhevatit sot ka më pak dritë dhe më shumë trishtim. Mes shumë kujtimesh një gjë na vjen ndër mend: Urtësia, qetësia, dashuria për njerëzit dhe sakrifica për të bërë vetëm mirësi. Qofsh në dritë, o shpirt i madh dhe me vlera humanizmi!”. U detyrova ta rilexoj këtë status që nuk do doja të shkruhej kurrë, për një mik të mirë, për një veprimtar, për një lab, për një nder dhe krenari të krahinës së Kardhiqit dhe mbarë Labërisë. Por, e tillë është jeta. Qindra komente e ngushëllime për këtë burrë janë pak, sepse e tillë është veprimtaria e tij e përkushtuar, të tilla janë gjurmët e tij, të thella atdhedashurie e përkushtimi, deri në palcë model i Komitetit Kombëtar të Veteranëve të LANÇ-it të popullit shqiptar. Ai veproi në të gjithë Shqipërinë dhe shkroi emrin e mirë kudo, prandaj edhe do të ngelet shok, mik, krenari, për bashkëpuntorët e tij në të gjithë Shqipërinë, një ish-ushtarak me vlera të spikatura, që shërbeu me devotshmëri e përkushtim në dhjetra detyra të rëndësishme e delikate në radhët e organeve të MPB-së si në Elbasan, Cërrik, Tiranë, Shkodër, në Tiranë e gjetkë. Aktiviteti i gjerë e i larmishëm lidhet pikërisht me kontributin e tij edhe në organizatën e nderuar të veteranëve si dhe kryesisht në Zonën tre si kryetar deri ditën e fundit ku ai interesohej hap pas hapi për veteranët, për pasardhësit e tyre, për mbrojtjen e luftës së madhe antifashiste të shqiptarëve, për gazetën “Kushtrim Brezash” etj.

 Një proverb lab plotësisht i vërtetuar tek burri i urtë i Prongjisë

Nuk është e rastit që në Labëri dhe jo vetëm të dëgjosh maksimën proverbial: “Bëmë baba të të ngjaj”. Babai i Xhevatit, Majko Lluri, ështëi njohur në trevën labe e në mbarë krahinën e Kardhiqit . Është fakt se “Bëmë baba të të ngjaj”, është sit ë thuash “Bëmë baba të eci i sigurt në gjurmët e tua”, në gjurmët e atdhetarisë, të besës të trimërisë e urtësisë. Vlera e padiskutushme e trashëgimisë prindërore qëndron pikërisht edhe për të shprehur bindshëm konsideracionim që përcillet në trashëgiminë popullore labe. Majko Lluri ka qenë frymëzuesi dhe mëkuesi i karakterit të fortë e patriotik, që në Labëri është e natyrshme që bijtë mësohen nga baballarët por edhe mëkohën me qumështin e nënave. Majko Lluri ishte një burrë i njohur në krahinë e Labëri, i cili ka ndihmuar e furnizuar me ushqime, veshmbathje e municion çetën lavdiplotë patriotike të heroit kombëtar Çerçiz Topulli kur u strehua në fshatin Prongji, në këtë çerdhe të përhershme dhe strehë të sigurt të patriotëve dhe të patriotizmit. Ka qenë koha kur Çerçiz Topulli me çetën e tij përndiqej nga kosharet osmanë, të cilin populli e mori në mbrojtje pas vrasjes së bimbashit turk në marsin e vitit 1908, dhe si i thonë populli di të fshehë edhe “nën gjuhë”, pra që hasmi nuk mund ta gjente kurrë, sepse “po të mori populli nën mbrojtje je si në mbrojtje të perëndisë”. Majkua edhe në vitet 1913-1914 përsëri ka shpëtuar Barjam Ligun ish-luftëtarin e çetës  së Çerçiz Topullit, që grekët e arrestuan dhe e torturuan pa mëshirë. Më vonë ishte edhe pjesëmarrës në luftën e Vlorës, më 1920-n. Për këtë aktivitet patriotik Këshilli Qarkut Gjirokastër me vendim Nr. 7 datë 4 mars 2008, e ka nderuar me titullin “Patriot i Shquar“ me motivacion: “Për veprimtarinë e tij si patriot në shërbim të çështjes Kombëtare shqiptare”. Në 10 prillin e vitit 1914 ka marrë pjesë në kuvendin antiandart në Shtëpëz në këtë Ballkon të të gjithë Labërisë dhe Lunxhërisë, që është një roje e përjetshme që hasmi të mos shkelë vatanin, truallin arbëror. Familja e tij ka qenë tërësisht  e lidhur me LANÇ dy vëllezërit e tij, Ruzhdi Lluri ka qenë partizan në Brigadën VI “Heroinë e popullit” dhe Petref Lluri korier i shtabit partizan në Cepo-n historike, ndërsa babai në batalionin territorial të krahinës se Kardhiqit bashkë me komandantin fushbardhas trimin e paepur Karafil Bello. Veprimtarinë patriotike të Majko Llurit e përshkruan me saktësi edhe publicisti Sevo Tarifa në vëllimin e 2-të librit “Shpirtra të gdhendur “.

Jetë e gdhendur në shërbim të atdheut, për atdheun dhe për kombin

Burri i mençur i Prongjisë, i urti dhe i miri Xhevat Lluri ishte lindur më 15 qershor 1939 në fshatin Prongji të krahinës së Kardhiqit, rrethi Gjirokastër. Ai lindi në ditë të errëta pushtimi, kishte parë e prekur të djeshmen, luftën, punën, vështirësitë, fshatin ku lindi dhe u rrit, ku u mëkua me atdhedashuri, për t’u bërë njeri i vlerave të rralla. Xhevati kishte kryer arsimin fillor e 7-vjeçar në fshatin e lindjes, në Prongji të krahinës së njohur të Kardhiqit; ndërsa arsimin e mesëm e kreu në Teknikumin Bujqësor në Fier, në vitet 1954 -1958, me rezultate të shkëlqyera. Më vonë kreu edhe arsimin e lartë juridik. Iu përgjigj thirrjes për të kryer shërbimin ushtarak në vitet 1958 deri 1960, ku kreu me sukses shërbimin e detyrueshëm ushtarak në Elbasan, ku me pas ka kryer edhe një kurs profesional për t’u formuar plotësisht në rrugën e mundimshme të jetës. Xhevati i apasionuar pas studimeve, duke parë arsimimin, sikurse thoshte Sami Frashëri, si “mendjen e një kombi”, përfundoi suksesshëm Fakultetin Juridik të Universitetit Shtetëror në Tiranë në vitin 1976 dhe është titulluar “Jurist”. Detyra në një kohë të trazuar për shqiptarët e thirri në një front të vështirë dhe lebërit nuk e kanë zakon të tërhiqen nga vështirësitë, por dinë ta tregojnë veten denjësisht e krenarisht. Kështu në vitin 1961 titullohet Oficer dhe shërben me korrektësi në organet e Punëve të Brendshme në disa rrethe të Shqipërisë, ku e kërkonte detyra, nderi, Atdheu. Nga viti 1971 deri në vitin 1992 shërbeu në Aparatin Qendror të Ministrisë Punëve të Brendshme, duke gëzuar nderimin, respektin dhe konsideratën e shokëve, eprorëve dhe vartësve. Era e re demokratike e gjen Xhevat Llurin relativisht në moshë të re, por kushtet e rrethanat dhe sidomos një tranzicion i formatit të shtetit bëri që, sikurse shumë kuadro të tjerë pas vitit 1992 të dalë në rezervë pas reformës së ndërmarrë dhe pas ndryshimeve demokratike me gradën e lartë “Nënkolonel”, që gjatë punës së tij ishte vlerësuar me tre dekorata: dy urdhra dhe një medalje. Xhevati në vitin 1994 ka dalë në pension, por pensioni nuk ishte për të, pasi ka kryer detyra shoqërore në shërbim të komunitetit ku banon në Tiranë, në Organizatën e Veteranëve të LANÇ si pasardhës veterani dhe atë të dëshmorëve; Në vitin 2016 është zgjedhur Kryetar i Nëndegës së Shoqatës Kulturore-Atdhetare “Labëria”, “Nderi i Kombit”, për Njësinë Administrative nr.3, në Tiranë. Më 8 dhe 9 dhjetor 2018 ka qenë delegat i rrethit të Tiranës i mandatuar si pjesëmarrës në Kuvendin VI të SH.A.K “Labëria” që u mbajt në sallën e teatrit “Petro Marko” në Vlorë si dhe në Universitetin “Pavarësia” të Vlorës. Ai ka qenë plotësisht i denjë dhe i devotshëm i shtetit, sepse ka shërbyer me ndershmëri në detyrën oficer me gradën Nënkolonel me karrierë ushtarake 36 vjeçare, dhe ngeli me zemër aktive deri në këto ditë marsi të mërzitur nga ikja e tij në përjetësi. Ai ishte babai i tre vajzave, të cilat banojnë në qytetin e Tiranës. Xhevati  rrjedh nga një familje me rrënjë të thella atdhetare e patriotike e me kontribute për çështjen e lirisë e pavarësisë së Atdheut dhe kjo vërtetohet plotësisht edhe nga bëmat e tij në këtë jetë duke ja shtuar vlerat patriotike familjes dhe fisit Lluri.

 Amaneti i varrit të nënës

Jeta prej jetimi e kishte detyruar që shumë gjëra t’i përjetonte si jetim, ku dhimbja për nënën e shtypte vazhdimisht kraharorin dhe malli i mblidhej si lëmsh në fyt. Malli e çonte në Prongji shpesh dhe sa herë shkonte përpara i dilte hija e nënës, përfytyrimi i saj. Përfytyrimi për familjen, fëmijët, nipat, mbesat, jetën, shpresën. Ai avitej me një tufë lulesh në duar atje tek të përjetshmit, te varret, me lule për nënën, në kërkim të saj nëpër varreza, për vendprehjen e përjetshme. Ai vërtitej mos gjente ndonjë gur ku të shkruhet emri i nënës. Ecte ëndrrave, lexonte, qëndronte. I kujtohej fëmijëria tre vjeçare, të qarat, klithmat, “nënë! nëna ime! Ku je dhe ku më le tre vjeç më le kur ike në qiell… Lulet i shpërndante nëpër varre të lagura me lotët e xhanit, sepse askush se dinte vendprehjen e nënës, prandaj psherëtima e shpirtit shkonte tek amaneti i patretshëm, sepse nëna e tij mbylli sytë në atë luftë të kobshme, u varros përmes plumbave dhe plumbat e dy djemve të rritur dhe të burrit binin për liri, ndërkohë që breshëria e plumbave të tyre e shoqëroi në banesën e fundit bashkëshorten e nënën në largësi. Një vdekje prej plumbash, që nga mendja nuk ju ndanë për një jetë të tërë, për vendprehjen e saj. Ai kujtonte një grua që kur ishte fëmijë që i tha: “E di unë varrin e saj dhe do ta tregoj unë, do shkojmë bashkë..”, por kur shkoi tek gruaja kyç për enigmën e varrit të nënës, e gjeti gruan në arkivol të vdekur”. Fati i jetimit, që se mësoi kurrë varrin e nënës. Edhe një burrë që e dinte vendvarrimin e nënës edhe ai ishte i verbuar dhe jetimit nuk kishte si t’i qeshte buza. Por Xhevat Lluri e mbushi jetën plot dritë me fëmijët, nipat e mbesat.

Prongjia e shenjtëruar e Gjirokastrës, fisi “Lluri”dhe busti Bajram Prongjia

Nuk ka shqiptar e patriot në gjithë trevat shqiptare që nuk ka njohuri për bëmat e Çerçiz Topullit, Bajram Prongjisë me shokë. Kështu banorët e fshatit Prongji në Gjirokastër dallohen për burrëri, bujari, trimëri e mençuri. Fshati ka një të kaluar patriotike e me tradita të hershme atdhetare. Por prushi i atdhedashurisë rron fuqishëm në çdo shtëpi e zemër të Labërisë. Është fakt se nga gjiri vet ka nxjerrë figura të shquara patriotësh e atdhetarë që kanë nderuar mëmëdhenë duke kulmuar me pjesëmarrjen e gjerë të popullit në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Janë një sërë figurash të shquara që janë fiksuar në memorien historike, ku ndër të parët që na vjen në mendje është Barjam Ligu ose sikurse e njeh populli Bajram Prongjia, që njihet si atentatori i vrasjes së bimbashit turk, në mars të vitit 1908 në Gjirokastër, ish-luftëtar i çetës patriotike të heroit Çerçiz Topulli. I njohur për guximin e trimëritë e tij edhe në vitet e mëvonshme 1913-1914 , kur andartët grekë kërkonin të pushtonin Jugun e vendit për ta shkëputur nga qeveria e Vlorës së Ismail bej Qemalit, për të krijuar të ashtuquajturin Vorio-Epir, një absurditet të papreceptueshëm. Kur andartët grekë zbarkuan në fshatrat e krahinës së Kurveleshit dhe të Kardhiqit erdhën edhe në fshatin Prongji dhe mblodhën të gjithë burrat e fshatit dhe u kërkuan të dorëzonin armët, por hasën në rezistencën e tyre. Ishte i pari Barjam Ligu që i kundërshtoi dhe u bëri thirrje fshatarëve që të mos i dorëzonin armët. Ky qëndrim i vendosur e burrëror i tij i revoltoi shumë dhe filluan ta torturonin duke i thyer edhe brinjët, se e dinin që ishte luftëtar i çetës së Çerçiz Topullit sikurse edhe i kuvendit antiandart të Shtëpëzit të 10 prillit 1914, që u kishte kallur datën me aksionet e tij patriotike. Kështu e arrestuan dhe e izoluan në kalanë e Kardhiqit ku kishin komandën e përkohshme. Megjithëse e torturuan përsëri ai nuk u përkul dhe në shenjë hakmarrje i prenë njërin vesh për ta turpëruar para njerëzve, por ai ishte ballëlart dhe nuk e mbuloi kurrë, përkundrazi ia rriste më shumë lavdinë para njerëzve. Për këtë figurë kaq të dashur dhe kaq sinjifikative ishte Xhevat Lluri që nxiti dhe frymëzoi, por edhe udhëhoqi vetë këtë aksion madhor për t’i bërë një bust në fshatin e tij, në Prongji, si kujtesë për të gjithë brezat, se e shkuara që harrohet mund të përsëritet.

 

Arkitekti që ngriti bustin e Bajram Ligut/Prongjisë

Xhevat Lluri është zgjedhur Anëtar i Komitetit Kombëtar të Veteranëve në tre konferenca rresht dhe është pjesë e stafit të gazetës “Kushtrim Brezash“, botim dinjitoz i Komitetit Kombëtar të Organizatës Veteranëve të Popullit Shqiptar. Me aparatin e tij fotografik është kthyer në një fotografues e dokumentues të historisë të organizatës së Veteranëve, ku në 25-vjetorin e fillimit të botimit të gazetës “Kushtrim Brezash” ka marrë mesazhe të shumta falenderimi nga kryesia e këtij Komiteti, por edhe nga shumë veprimtarë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Një ndër meritat shumë të mëdha të llojit të veçantë që normalisht nuk mund të ketë shpërblim është kontributi për ringritjen dhe nxjerrjen në dritë të figurës së madhe patriotike të Bajram Ligu- Prongjia. Është fakt se Xhevat Lluri ka kryer studime dhe hulumtime të mirëfillta për njohjen dhe promovimin e figurave historike e me kontribute të veçanta siç ishte edhe rasti i patriotit prongjiotas Barjam Ligu që njihet në histori si atentatori i vrasjes së bimbashit Turk, në mars 1908, në qytetin e Gjirokastrës, dhe me insistimin dhe kontributin e tij u realizua busti prej bronzi që u inaugurua, më 18 korrik 2018 vendosur në qendër të fshatit Prongji, ku pati pjesëmarrje të gjërë nga Prefektura Gjirokastër e Fier, Shtabi i Përgjithshëm i FARSH, nga Bashkia Gjirokastër, dhe mori me meritë falënderime të shumta nga të gjithë komuniteti, krahina, prefektura, Bashkia e Qarku. Xhevat Lluri është hartuesi dhe përpunuesi i Historikut të fshatit Prongji, promovuar në një ceremoni të veçantë me pjesmarrje të madhe në Tetor të vitit 2006, ku morën pjesë edhe titullarë të qarkut dhe të Bashkisë Gjirokastër. Ai e ngjiti Prongjinë në piedestalin e kulturës, që i takon, me shkrimet e tij të pareshtura, me librin e fshatit të vet, Prongjisë. Nga ana tjetër Xhevati ka qenë bashkautor në realizimin e filmit dokumentar për 55-vjetorin e krijimit të Organizatës së Veteranëve të LANÇ, në korrik 2012. Së bashku me veteranin e LANÇ Vasil Rrapi realizuan filmin dokumentar për Heroin e Popullit, Shefqet Peçi, në Qershor 2016 me rastin e 110-vjetorit të lindjes, themeluesi i kësaj Organizate me emër në Shqipëri. Shokët e miqtë e tij e njohin mirë që në vitin 2004 me rastin e 60-vjetorit të Çlirimit të Atdheut me kërkesë të Federatës Internacionale të Rezistencës anti-fashiste në Fier, ka përgatitur një fotoekspozitë mbi rezistencën e popullit shqiptar kundër pushtuesve nga viti 1939-1945 me fotografi dhe dokumente arkivore të përgatitura në një CD, e cila është dërguar edhe Institutit të Veteranëve në Bruksel, kryeqendrën e Belgjikës.

 

Vlerësime që nuk mund të maten me dekorata

Në gjithë trevën e Labërisë ka një fjalë të urtë proverbiale: “çdo mundim kërkon vlerësim”, edhe pse Xhevat Lluri nuk ka punuar kurrë për vlerësime e dekorata ato vijnë natyrshëm kur organet kolegjale dinë të vlerësojnë njerëzit e përkushtuar si Xhevati. Kështu për gjithë aktivitetin e realizuar ka marrë dhe vlerësime si: Titullin “Nderi Organizatës Veteranëve“ dhënë nga Kryesia e Komitetit Kombëtar të veteranëve të LANÇ, në vitin 2011. Titullin “Nderi i organizatës për dëshmorët e LANÇ-it dhe dëshmorët e tjerë të Atdheut” dhënë nga Kryesia e kësaj organizate i është akorduar me rastin e 70 vjetorit të çlirimit në Nëntor 2014. Titullin “Anëtar Nderi” i Organizatës së Veteranëve dhënë nga Kryesia e Komitetit të Veteranëve të Tiranës, në vitin 2005. Dëshmi nga shoqata atdhetare për dëshmorët e atdheut për botimin e librit historik “Prongjia dhe njerëzit e saj” për përkushtimin atdhetar të treguar në veprimtaritë për dëshmorët e Atdheut. Dhe së fundi, portretizimin e aktivitetit të tij e përshkruan me mjaft realizëm publicisti i mirënjohur Sevo Tarifa në serinë e librave “Shpirtra të gdhendur” Vëllimi III-të. Xhevat Lluri është gjithmonë me lebërit dhe për lebërit, me veteranët dhe për veteranët, dhe punon pareshtur për të mbrojtur me fanatizëm emrin e ndritur të dëshmorëve, që kanë derdhur gjakun për atdheun dhe që është shprehje shumë domethënëse e karakterit të formuar të labit fisnik. Por për dëshmorët e atdheut është shkruar, kënduar e do shkruhet e këndohet gjithmonë. Në çdo varg të shkruar, aty gjen të freskët pika gjaku, nga ku lulja e lirisë qëndron ngaherë e pa vyshkur, me rrënjë ngulur në tokën tonë të ujitur nga gjaku i dëshmorëve të Prongjisë, Labërisë, Shqipërisë. Por pranë çdo aktiviteti që lidhet me LANÇ është gjithmonë burri tepër serioz dhe i papërtuar Xhevat Lluri. Ai ishte bërë njësh me historinë si dhe nga ana tjetër ka pasur dhe ka mbartur vlera të veçanta e të spikatura atdhedashurie. Xhevat Lluri ka marrë përgjatë jetës së tij një vlerësim sinjifikative dhe plotësisht të merituar nga Shoqata atdhetare patriotike ndër më vitale që ka Shqipëria, nga shoqata “Labëri”. Është një vlerësim që vjen nga Kryesia e Përgjithëshme e Shoqatës Atdhetare-Kulturore “Labëria”, “Nderi i Kombit”; një vlerësim e nderim plotësisht të gjetur në kohë për Xhevat Majko Lluri, Kryetari i Nëndegës së Shoqatës Atdhetare-Kulturore “Labëria”, në Njësinë Administrative nr.3, titulli “Mirënjohja e Labërisë”, që i jepet sot me motivacionin:  “Për kontribut të shquar në fushën e njohjes, studimit dhe promovimit të figurave të shquara patriotike të Labërisë, për punë e përkushtim të palodhur për përjetësimin në një bust prej bronxi të patriotit prongjotas Bajram Ligu (Prongjia), i njohur në historinë e kombit shqiptar si atentatori i vrasjes së bimbashit turk në mars 1908 në Gjirokastër. Aktivist i spikatur në promovimin e vlerave labe, si kryetar i nëndegës së ShKA “Labëria”, i Njësisë Administrative nr.3 në Tiranë, por edhe në fotografimin dhe evidentimin me ilustrime të aktiviteteve bashkëpunuese të Organizatës së veteranëve të LANÇ-it, Organizatës së Dëshmorëve të LANÇ-it, me Shoqatën Kulturore-Atdhetare “Labëria”, “Nderi i Kombit, Dega Tiranë”. I tillë ishte dhe mbeti deri në fund të jetës së tij në të vërtetë Xhevat Lluri-Prongjia, që gjykimet mendimet dhe idealet i ruante të shenjta, të pandryshueshme, ashtu sikurse thoshte “Klauzeviçi i madh se “ngjarjet dhe figurat historike nuk mund të kuptohen në se në analizën e tyre nuk vesh e mban parasysh “qyrkun e kohës” dhe këtu kemi parasysh “qyrkun” kur partizanët jetuan, luftuan e vepruan”.

-&-