Prof. Dr. Ago Nezha : Zëri i Zemrës të Sabit Brokaj, birit të denjë të Labërisë  

641
Sigal

 

Labëria është një minierë Ari ku jo rrallë kanë dalë njerëz të shquar, patriotë dhe dijetarë që kanë bërë emër në zërin e kombit. Çdo kohë ka heronjtë e vet. Njerëzit i bën të respektueshëm sjellja dhe vepra në shërbim të shoqërisë. Fshati i lindjes të Dr. Sabitit,  Brati, dhe trungu familjar nga janë ngjizur cilësitë karakteriale të tij janë një binom që kanë përcjellë në breza traditën dhe zakonet e Labërisë si trimërinë, burrërinë, bujarinë dhe mençurinë popullore. Nuk është e rastit që gjyshi i Sabitit, Muhamet Brokaj, ka marrë Medaljen për “Veprimtari Patriotike”. Dhe si katarakt zbret lavdia e trimëria në luftërat për liri e pavarësi duke kaluar te fisi e te babai e nëna e Sabitit, që janë veteranë të Luftës Nacional-Çlirimtare. Nga ky mjedis familjar erdhi në jetë Sabiti në 7 Janar 1942. Nisi shkollimin në shkollën e fshatit Brataj ku mbaroi klasën e parë dhe vazhdoi shkollën 7- vjeçare në shkollën “1 Maji”,  në Skelë të Vlorës. Ai edhe pse u largua fëmijë nga vendlindja, nuk ju nda për asnjë çast simfonia e zërave të bukur të natyrës së fshatit. Në vitin 1955-1959, kreu Politeknikumin Mjekësor Tiranë. Pasi mbaroi shkollën e mesme në vitet 1959-1964, ka punuar si Ndihmës/Mjek oficer në Brigadën e Nëndetëseve Pashaliman. Aty tregoi jo vetëm profesionalizëm, por edhe korrektesë dhe dashuri për detyrën dhe njerëzit. Ishte ky motiv që u dërgua për studime të larta në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë. Fakultetin e kreu me rezultate të larta në vitet 1964-1969 dhe për rrjedhojë u mbajt në fakultet për specializim në sektorin e Kardiologjisë. Njeriu me zemër të madhe, u testua nga profesorët më në zë të kardiologjisë se do bëhesh një mjek që në të ardhmen do shëronte shumë pacient të sëmurë nga organi më delikat i trupit të njeriut, zemra. Opinioni i tyre nuk gaboi. Doktor Sabiti ndoqi specializimet njëri pas tjetrit nga Tirana në Paris ku shkoi dy herë në vitet 1979, për Kardiologji dhe 1982, për Echokardiografi. Ndërsa në vitin 1989, shkoi për specializim në Gjermani, për Echo-Doopler. Këto specializime të njëpasnjëshme bën të mundur që të rriten aftësitë dhe kompetenca profesionale.

NOA

Në autostradën e shkencës

Profesor Sabiti, i ka ngjitur shkallët e shkencës duke kombinuar dhe vënë në garë brenda vetes studimin me eksperimentimin shkencor. Veprimtaria e tij shkencore ka qenë shumë e pasur nëpërmjet referimeve në institucione kombëtare dhe ndërkombëtare, brenda dhe jashtë vendit. Ai, është përfshirë në disa forume me aktivitete shkencore me studime, ku ka drejtuar simpoziume, seminare, e seanca shkencore në Konferenca Ndërkombëtare. Me punën e tij krijuese ka mundur të jetë autor dhe bashkautor i disa librave e monografive në fushën e Kardiologjisë. Kontributi i tij shkencor është i larmishëm duke qenë pjesëmarrës si autor dhe bashkautor në shumë artikuj të publikuara në revista dhe buletine shkencore brenda dhe jashtë vendit. Kontributi i gjerë në fushën e botimeve është edhe privilegj i njohjes së disa gjuhëve të huaja me akses ndërkombëtar si Anglisht, Frëngjisht dhe Rusisht. Këto gjuhë të huaja nuk i ka parë si stoli, por si një kapital intelektual për t’i vënë në shërbim të shoqërisë. Profesor Sabiti ka një karrierë të pasur edhe në fushën e arsimit mjekësor. Atë e gjen si Profesor në mësimdhënie në auditorët e universitetit, si drejtues katedre dhe dekanati, si udhëheqës shkencor i disa doktoraturave si dhe recensent dhe oponent i mjaft punimeve shkencore në fushën e kardiologjisë. Doktori i zemrës Sabit Broka,  ka ndihmuar shumë koleg të rinj për tu orientuar e afirmuar në autostradën e shkencës mjekësore. Shkallët e shkencës i ka ngjitur  me vullnet dhe punë, papasur asnjë përkrahje politike apo shoqërore. Në vitin 1982 fitoi titullin Kandidat i Shkencave Mjekësore, duke vijuar me Docent, Doktor i Shkencave Mjekësore dhe duke marrë titullin e lartë Prof. Dr. në vitin 1990. Bilanci i punës së tij në fushën e mësimdhënies është tejet i pasur. Ai ka qenë afërsisht 40 vjet pedagog në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tiranës. Fillimisht karriera e mjekut ka nisur në shërbim të formacioneve ushtarake si Shef i Shërbimit Shëndetësor në Brigadën e Shijakut në vitet 1969-1972. Prej aty është transferuar si Mjek Kardiolog në Spitalin Ushtarak të Tiranës, që ka punuar për 12 vjet, në vitet 1972-1984, ku është aktivizuar edhe si  pedagog i jashtëm në Fakultetin e Mjekësisë. Në vitin 1984-1991, ka punuar si pedagog efektiv në Fakultetin e Mjekësisë, ku për disa vite ka kryer edhe detyrën e Zv/Dekanit dhe Dekanit të këtij Fakulteti. Pra, siç shihet karriera e tij pedagogjike është e pasur jo vetëm numerikisht por edhe cilësisht.

Jeta Politike

Me ndryshimet post komuniste, me vendosjen e pluralizmit politik dhe ardhjen e demokracisë, Profesor Sabiti ka dhënë një kontribut të shquar në situata të turbullta kthese, si intelektual me vizion të qartë dhe ekuilibër qëndrimesh ndaj ekstremizmit të djathtë, që u përfshi në shkatërrimin e ekonomisë kombëtare. Gjithmonë ka qenë pikë referimi i qetësisë në gjykime, mençurisë në veprime, dhe i saktë në vendime. Krahas aktivitetit të pasur pedagogjik dhe shkencor, Dr. Sabiti ka edhe një aktivitet të admirueshëm dhe të pastër politik. Rrallë kanë shpëtuar pa u ndotur politikanët tanë të majtë apo  të djathtë qofshin, në këto 25 vjet “demokraci” apo anarshi, që i shkon më shumë për shtat. Në fillimet e demokracisë në muajt Shkurt-Dhjetor, ka kryer detyrën e Ministrit të Shëndetësisë. Njëkohësisht është zgjedhur deputet në pesë legjislatura nga viti 1991-2008, ku ka dhënë një kontribut të çmuar si intelektual për të emancipuar veprimtarinë e Parlamentit. Ka marrë pjesë si rrallë kush në mënyrë aktive për shëndoshjen e politikës dhe demokracisë së brishtë shqiptare, nëpërmjet shkrimeve publicistike me frymë kritike dhe shoqërore duke botuar mbi 1000 shkrime duke shprehur mendimet intelektuale edhe për zhvillimet e sotme politike.  Gjatë viteve1997-1998, ka qenë Ministër i Mbrojtjes për ringritjen e ushtrisë, që u shkatërrua në vitin e zisë për shqiptarët. Në vitet 1998 deri në 2004, ka qenë Këshilltar për Sigurinë Kombëtare pranë Presidentit të Republikës, si një Ekspert i Çertifikuar me diplomë për sigurinë kombëtare në Kolegjin e Sigurisë në Stokholm të Suedisë

Jeta e tij e pashtershme në dobi të shoqërisë ka pasur dhe vlerësimet e nderimet e çmuara për kontributin e dhënë gjatë dy epokave, para dhe pas 1990. Është nderuar me medalje e urdhra si me Medaljen dhe Urdhrin “Për shërbim në të mirë të popullit”, “Flamur i Kuq i Punës”, “Qytetar Nderi” në Oklahoma të SH.B.A., “Personalitet i Shquar i Labërisë”,” Qytetar Nderi i Vlorës dhe “Veteran U.Ç.K, etj.

IN MEMORIAM

Shoqata Atdhetare Kulturore “Labëria” “ Nderi i Kombit”, papritur humbi Personalitetin e Shquar të Labërisë, anëtarin e denjë të Kryesisë Prof. Dr. Sabit Brokën, intelektualin e shquar, njeriun model dhe modest, me shpirt dhe mëndje të ndritur, me karakter të fort, me ndjenja të thella patriotike atdhetare, kombëtare. Kontributi i tij jo vetëm për Labërinë por për gjithë Shqipërinë dhe Kosovën ka qënë tepër i çmuar. Dr. Sabiti me dijet dhe përkushtimin e tij të palodhur ka dhënë ndihmesë të spikatur për tranzicionin, emancipin e politikës dhe konsolidimin e demokracisë. Ndarja e tij nga jeta e parakohshme është një humbje e madhe për shoqërinë progresive shqiptare. Familja humbi njeriun e saj të dashur, Labëria birin e saj të shtrenjtë, kryesia mentarin e saj të urtë, një mik dhe bashkëpuntor  të çmuar dhe Shqipëria patriotin dhe atdhetarin kurajoz.

Kryesia e Shoqatës “Labëria” i shpreh ngushëllimet  familjes dhe të afërmve të Dr. Sabitit. U prefsh në paqe o ëngjëll i mirësisë njerëzore!