Prof. Bernard Zotaj: Karikaturat dhe krijimtaria e Kosta Rakës

822
Sigal

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

 

Fillimet e krijimtarisë në karikaturë

Kosta Raka ka studiuar për instrumentin e violinës, në vitet 1962-1968. Më tej vazhdoi studimet për pikturë kavalete, skulpturë dhe skenografi. Ndërsa karikaturën e ka filluar rreth vitit 1979, krejt rastësisht, nisur nga disa rrethana të momentit. Me vullnet dhe dëshirë për karikaturën krijoi lidhje me disa organe shtypi, të cilat shtuan kërkesat ndaj karikaturave të tij. Ky ka qenë dhe momenti kur Kosta tregoi interes për këtë gjinie të vështirë, por të bukur të arteve figurative.

Për karikaturën çdo gjë i erdhi natyrshëm. Më 1979 bëri karikaturat e para dhe në vitin 1980 fitoi çmimin e parë në këtë gjini të re. Më tej u shpall nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë për tre vjet rresht karikaturisti më i mirë i vitit. Ai asnjëherë nuk e kishte menduar se karikatura do zinte një vend kaq qendror në krijimtarinë e tij. Kështu vlerësimet e detyruan të angazhohesha plotësisht me të. Ndaj dhe mori pjesë me tablo të formatit të madh në ekspozitat kombëtare të çelura në Tiranë, ku kishte realizuar punime dhe në skulpturë. Ai ishte dhe skenograf i Trupave Artistike të Ushtrisë për gati 20 vjet. Gradualisht atij po i bëhej publicitet në shtyp dhe në emisione televizive. Natyrshëm erdhi dhe pjesëmarrja e parë në Konkurset Botërore të Karikaturës në vitin 1985 në Montreal të Kanadasë.

Pasioni për karikaturën iu kthye në “sëmundje”. Në çdo çast mendonte për krijime të reja. Numri i organeve të shtypit që botonin karikaturat e tij u shtua vrullshëm. Kërkesat për punimet e tij ishin të pandalshme, po ashtu dhe çmimet e përvitshme. Ftesat në konkurset ndërkombëtare u shtuan dhe pjesëmarrjet e tij arritën në afro 60 ekspozime, ku ka fituar 4 çmime botërore, si dhe 7 diploma nderi.

Idhujt në karikaturë dhe pasionin artistik

Gjinia e karikaturës u bë pasion dhe shtysë ishin dhe karikaturist model që botonin në revistën “Hosteni” si Zef Bumçi, Dhimitër Ligori, Enriko Veizi, Bardhyl Fico, Sabaudin Xhaferi, Panajot Vasili etj., duke u bërë kështu kolegu dhe miku i tyre.

Punimet e tyre i pëlqente, por asnjëherë nuk kishte menduar të punonte si ata, pra t’i imitonte. Qenia unik në krijimtari është shumë e vështirë, por jo e pamundur, prandaj dhe këtë devizë e kishte parasysh në fillesat e tij për karikaturën. Më këmbëngulje brenda dy viteve, më 1981, çeli ekspozitën e parë me 73 karikatura të formatit të madh të titulluar “Skena dhe prapaskena”, ku ishin gërshetuar më së miri gjetjes së fabulës, elemente artistikë dhe realizimi.

Karikaturë e mbushur me detaje

Ai është “partizan” i detajeve, brenda të përgjithshmes, pasi shikuesi nuk duhet ta kalojë karikaturën me një vështrim, sa hap e mbyll sytë, në karikaturën e tij, sa më shumë të shikohet, aq më shumë burime informacioni merr. Karikatura veç mesazhit të parë, brenda saj shikuesi gjen informacione të tjera.

Në karikaturë thjeshtësia nuk duhet identifikuar me sasinë e pakët të elementë vizualë, por me thjeshtësinë e të kuptuarit. Karikatura e tij ka në gjetjen e saj një urti popullore, një simbolikë të njohur nga njerëzit. Kjo e ka bërë karikaturën e Kosta Rakës të perceptueshme në kohë të shkurtër, sepse ajë është e mbështetur në humorin popullor.

Ai në jetën e tij ka zhvilluar disa lloje karikaturash duke pasur në bazë urtinë popullore, në karakterin filozofik të mbështetur mbi simbolikë, në karikaturat miqësore, si dhe në punime humoristike, që ndryshe i quhen art për art. Në jetë dhe në punimet e tij ka preferuar dy kategoritë e para.

Në natyrën e punës së tij ka realizuar dhe karikatura miqësore për një kategori personash, që ndonëse janë njerëz publikë, s’kanë lidhje me politikën apo pushtetin ekzekutiv, pra, nuk u shkaktojnë probleme shtresave të ndryshme të popullsisë. Këtu janë futur artistë, njerëz të shkencës, studiues etj.

Vlerë e humorit popullor

Shkollë për karikaturë nuk ka në asnjë vend të botës. Ndërsa aftësia për ta ushtruar atë duhet të jetë e lindur. Karikaturist nuk mund të bëhesh pa studiuar, si dhe karikaturisti duhet të jetë një vizatues i shkëlqyer.

Karikaturistët janë ndër vizatuesit më të famshëm. Në çdo deformim që bën karikaturisti duhet të jetë i ndërgjegjshëm dhe në funksion të idesë. Karikaturisti duhet të ketë aftësinë që edhe pse e deformon personazhin, ai përsëri nuk duhet ta humbasë ngjashmërinë. Deformimi i vullnetshëm duhet të shkaktojë situata gazmore e të pëlqyeshme.

Në vite ka realizuar me mijëra persona konkretë dhe nga të gjitha fushat. Personazhet fillojnë nga presidentët e deri tek njerëzit më të zakonshëm, të bashkëngjitur me problematikat e tyre. Në jetë karikaturisti ka vënë re se sa më lart të jenë në shkallët hierarkike, aq më vetullngrysur i kanë parë karikaturat e tij.

Në punën e bërë në RTSH, pranë një programi televiziv, ka realizuar karikaturat e afro 600 personazheve të ftuar në emision, duke filluar nga Presidenti, Kryeministri, deputetë e ministra e figura publike. Shumica e tyre kanë rrudhnin buzët, jo aq nga deformimi trupor që u bënte, sesa nga problematika që unë u bashkëngjisja. Personin e karikaturës e ka bërë njësh me problemin për të cilin ka pasur pretendime nga njerëzit e thjeshtë. Ai ka luajtur ironinë me ta, dhe kjo askujt nuk i ka pëlqyer, por s’kishin se ç’farë të bënin. Gjuha e karikaturës është therëse, por që shkaktonte buzëqeshje të hidhur.

Karikatura gjini popullore, por e paktë në faqet e shtypit të përditshëm

Karikaturisti Kosta Raka ka shumë të njohur në politikë dhe në pushtetin ekzekutiv, por miqtë e tij të përhershëm janë njerëzit e thjeshtë me të cilët bashkëjeton në çdo sekondë të ditës. Shumë prej tyre e pyesin se nga buron gjithë kjo krijimtari. Në disa vjet rresht, ai ka botuar nga dy karikatura të reja në ditë. Deri tani ka botuar mbi 30.000 të tilla në shtypin e shkruar.

Burimi i ideve të tij janë bisedat me njerëzit e thjeshtë, të shtresave e kategorive të ndryshme. Prej tyre karikaturisti marr shumë informacione sesa nga njoftimet zyrtare e për më tepër i marr në psikologjinë e gjuhën popullore. Kjo mënyrë i ka bërë karikaturat e tij më të kuptueshme për njerëzit e thjeshtë dhe më therëse për politikanët e inkriminuar dhe pushtetarët e korruptuar.

Ai kujton se dikur ishim 32 karikaturistë, ndërsa tani kemi mbetur vetëm dy. Të tjerët, ose e kanë braktisur karikaturën, ose kanë “braktisur” atdheun, kanë ikur nga sytë këmbët. Dhe më e keqja është se perspektiva e kësaj gjinie pothuajse është drejt fundit.

Po i marrin “frymën” karikaturës

Interesat komerciale janë ato të cilat sa vete dhe po i marrin “frymën” karikaturës dhe po e nxjerrin atë jashtë faqeve të shtypit të përditshëm. Më pas qëndron fakti që shtypi tek ne nuk është plotësisht i pavarur dhe pronarët e medias nuk duan përplasje me pushtetin politik dhe ekzekutiv. Së fundi duhet theksuar dhe vlerësimi financiar shumë i dobët që i bëhet kësaj gjinie të publicistikës.

Karikatura cilësore është më me vlerë se një artikull i tërë. Njerëzit sot nuk kanë kohë e durim të lexojnë faqe të tëra me analiza politike dhe ekonomike, por informacionet i marrin, sa hap e mbyll sytë, e shpreh më parë një karikaturë. Kjo nuk zë shumë hapësirë në gazetë, por “flet” më shumë se mijëra fjalë të artikujve të ndryshëm. Karikatura është art, analizë politike, ekonomike e shoqërore e për më tepër gjuha më popullore e të shprehurit publik.