Plehrat zhvatin 500 miliardë lekë taksapaguesve shqiptarë

354
Sigal

 

Investigimi bombë i rrjeteve ndërkombëtarë

 Lidhjet e ministrit Arben Ahmetaj me biznesmenin në hije të inceneratorëve, ccfarë thuhet në akt-gjykimin e Gjykatë së Kumanovës për incidentin ku udhëtonin Ahmetaj dhe Mertiri, dhe pse SPAK duhet të rihap dosjen e “Albtelekom” me Kompaninë “Hermes” ku Ahmetaj ishte edhe Zv/Ministër I linjës edhe aksioner. Ja raporti I KLSH

 

Në një pasdite vere me shi më 16 korrik 2017, ish-ministri i Financave, Arben Ahmetaj dhe tre burra të tjerë po ktheheshin nga një udhëtim treditor në një makinë “Range Rover”, kur për një çast gjithçka u kthye përmbys. Ndërsa po udhëtonin në autostradën Tabanoc-Kumanovë, rruga që lidh Serbinë me Maqedoninë e Veriut, ata u përfshinë në një aksident të dyfishtë. Në një kryqëzim pranë qytetit të Kumanovës, fuoristrada shtoi gazin, doli nga korsia e djathtë e rrugës dhe tentoi të parakalonte një autobus, por u përplas pas tij. Ajo goditi edhe një automjet të dytë përpara se të ndalonte me gomat në ajër rrëzë trafikndarëses në anën e kundërt të rrugës. Kur seria e përplasjeve mbaroi, 12 persona u nxorrën të plagosur nga makinat, mes të cilëve Ahmetaj dhe dy nga miqtë e tij. Një hetim u nis më pas nga Prokuroria e Kumanovës. Aksidenti i tre viteve më parë do të ishte një kronikë e arkivuar, nëse emrat në regjistrat e drejtësisë fqinje nuk do të zbulonin një lidhje të pavolitshme dhe të fshehur me kujdes prej vitesh. Sipas akt-gjykimit të Gjykatës Themelore të Kumanovës, të cilën “BIRN” e disponon, ministri Ahmetaj po udhëtonte në shoqërinë e Mirel Mërtirit -një personazh kontrovers që qëndron në hijen e koncesioneve të inceneratorëve në Shqipëri dhe me tentakula të shtrira së fundmi deri në Afrikë. Të dhënat e siguruara përmes dokumenteve zyrtare, hetimeve të arkivuara dhe burimeve njerëzore tregojnë se Mërtiri, 42 vjeç, ka siguruar prej  gati dy dekadash një duzinë kontratash për punë publike dhe koncesionesh me vlerë qindra milionë euro, pa u ekspozuar asnjëherë personalisht. ‘Perandoria’ e biznesit të tij u ndërtua nga sfondi i një rrjeti të gjerë kompanish satelite në Shqipëri dhe në zona “offshore”, ndërsa në vitrinë u shfaqën bashkëpunëtorët e tij më besnikë. Koncesionet e mbetjeve urbane janë simboli më i debatuar i politikave të partneritetit publik-privat të qeverisë së kryeministrit Edi Rama dhe sipas një vlerësimi të Kontrollit të Lartë të Shtetit, parashikohet t’u kushtojnë mbi 350 milionë euro taksapaguesve shqiptarë për tre dekadat e ardhshme. Mërtiri është i lidhur ngushtë me firmëtarët zyrtarë të dy prej kontratave – Stela Gugallja –partnerja e tij dhe Klodian Zoto –jurist dhe bashkëpunëtor i hershëm. Ndërsa qeveria shqiptare e përqendroi biznesin e trajtimit të mbetjeve rreth projekteve të tre inceneratorëve në Elbasan, Fier dhe Tiranë, akuza në rritje për korrupsion u drejtuan nga Partia Demokratike në opozitë. Në fund të gushtit, edhe Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar regjistroi një procedim penal me akuzën e “shkeljes së barazisë në tendera”. Afërsia e Mërtirit me ish-ministrin e Financave Ahmetaj – sot ministër shteti për Rindërtimin –ngre pikëpyetje për konflikt të mundshëm interesi në përzgjedhjen e fituesve të tre koncesioneve të mbetjeve urbane. Por ajo nuk është lidhja e vetme në radhët e politikës. Zyrtarë dhe ish-zyrtarë nga të dyja krahët apo familjarë të tyre bashkëpunuan me kompanitë e lidhura me Mërtirin –ndërsa këto biznese po arkëtonin gjithnjë e më shumë para nga buxheti i shtetit. Në dy vitet e fundit, ambiciet dhe lidhjet politike i kapërcyen kufijtë e Shqipërisë dhe mbërritën deri në Afrikë, ku Mërtiri u ekspozua ndërsa pozonte në takime të dedikuara përkrah presidentit të Zimbabves, Emmerson Mnangagwa dhe ministrit të akuzuar të Shëndetësisë, Obadiah Moyo. I kontaktuar nëpërmjet telefonit, Ahmetaj refuzoi të komentonte marrëdhënien e tij me Mërtirin dhe nuk iu përgjigj pyetjeve të detajuara të BIRN.  Edhe Mërtiri nuk pranoi t’u përgjigjej një liste të gjatë pyetjesh mbi aktivitetet e tij të biznesit, lidhjet me koncesionet e mbetjeve e deri tek udhëtimi i tij në Afrikë. Kryeministri Rama nuk iu përgjigj gjithashtu një kërkese për koment deri në publikimin e këtij shkrimi. Ndërkohë, ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka – firmëtar i 3 kontratave koncesionare i  mbrojti projektet për impaktin e tyre pozitiv në mjedis. “Sot Shqipëria është shumë më e pastër dhe trajtimi i mbetjeve shumë më i mirë edhe falë këtyre projekteve që përbalten vazhdimisht,” tha Koka.

Pikënisja nga “Albtelekom”

Në përpjekje për të rindërtuar të shkuarën e mjegullt të Mirel Mërtirit, “BIRN” analizoi me mijëra faqe dokumente nga rreth 40 kompani biznesi të lidhura me të ose me bashkëpunëtorë të tij dhe të regjistruara jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Maltë, Seychelles, Holandë, Zvicër apo Bullgari.  Njohja me ministrin Ahmetaj nuk kufizohet vetëm në aksidentin fatkeq të Kumanovës, por duket se shkon dy dekada pas në kohë, kur të dy kishin biznese të ngjashme të telefonisë rurale dhe operonin përmes marrëveshjeve të debatueshme të intekonjeksionit me kompaninë asokohe shtetërore “Albtelekom”. Marrëveshjet e Albtelekomit me operatorët privatë shkaktuan stuhi politike në fundin e mandatit të qeverisë socialiste të Fatos Nanos në vitin 2004, kur ngritja e një Komisioni Hetimor Parlamentar ekspozoi abuzime të dyshuara prej miliona eurosh dhe nxiti disa hetime të Prokurorisë. Në shenjestër u vendos edhe Arben Ahmetaj – asokohe një zv.ministër i ri i qeverisë “Nano” dhe ish-aksioner i kompanisë së telefonisë rurale “Hermes”. Hetimet e mëvonshme e shfajësuan Ahmetajn nga akuzat. Për herë të parë në biznes, Mërtiri shfaqet në moshën 24-vjeçare si aksioner i kompanisë “Eden” sh.a me emrin e tij të lindjes, Klodian Mërtiri. “Eden” Sh.a u themelua në shtator 2002 me aksionerë Shkëlqim Rakipaj me 40%, Mërtiri me 35% dhe një shtetas belg me 25% të aksioneve. Kompania u përfshi vrullshëm në biznesin e telefonisë me kartë të parapaguar në marrëveshje me “Albtelekom”, por biznesi qe jetëshkurtër. Në mesin e vitit 2003, “Albtelekom” e akuzoi “Eden” se i kishte shkaktuar një dëm prej 260 milionë lekësh përmes një skeme asokohe popullore të devijimit të trafikut kombëtar dhe ndërkombëtar të telefonatave. E përfaqësuar nga Mërtiri, “Eden” e kundërshtoi si të paligjshme ndërprerjen e kontratës nga “Albtelekom” dhe fitoi një sigurim padie në shkallë të parë dhe në Apel. Por një vendim i vitit 2004 i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë i dha të drejtë “Albtelekomit”. Shkëlqim Rakipaj, ish-aksioner i “Eden” sh.a kujton se bashkëpunimi me Mërtirin nuk zgjati as një vit, ndërsa fajësoi kompaninë “Albtelekom” për konfliktet gjyqësore.  “Albtelekomi na faturoi dy herë; edhe si abonentë edhe si operatorë, por u pagua kokërr më kokërr” – tha Rakipaj në një bisedë telefonike me “BIRN”. I pyetur nëse “Eden” kishte pasur marrëdhënie biznesi edhe me kompaninë “Hermes”, Rakipaj u përgjigj se të gjithë operatorët kishin lidhje me njëri-tjetrin. “Një klient i imi merrte në telefon një klient të një operatori tjetër. Ka qenë e pamundur të mos bëje biznes me njëri-tjetrin,” tha ai, ndërsa shtoi se kjo zgjidhej me kontrata mes palëve. Gjurmët e kompanisë “Eden” sh.a shuhen në vitin 2005, ndërsa një kompani e re e quajtur It-Tel 2005 themelohet në të njëjtën kohë. Ndër të pakëtat gjurmë të lëna prej tij online, Mërtiri e quan veten pronar të It-Tel, por kompania u regjistrua në emrin e partneres së tij, Stela Gugallja. Nga zyrat e It-Tel, përballë disco “Calvin” në rrugën e Elbasanit në Tiranë, lindën kompani të reja dhe bashkëpunime të rëndësishme për çiftin Mërtiri-Gugallja. Gjashtë kompani përdorën më pas të njëjtën adresë, përfshi “KL Group LTD” –një kompani e regjistruar më vonë në Maltë dhe e ekspozuar gjatë rrjedhjes masive të të dhënave mbi industrinë offshore të Panama Papers. Në shtator 2008, kompanisë “It-Tel” iu  bashkua si aksioner Arenc Myrtezani – shofer dhe pjestar i rrethit familjar të ministrit të Financave, Ridvan Bode në qeverinë e djathtë të Sali Berishës. Në qershor 2009, aksioner u bë edhe Flamur Rogu, ish-deputet i Partisë Socialiste dhe zv.drejtor i mëvonshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë. Në vitin 2004, Rogu kishte qenë nënkryetar i Komisionit Hetimor Parlamentar për “Albtelekomin”. Nga zyrat e “IT-Tel”, Mërtiri themeloi në vitin 2008 kompaninë “Fiber Network Albania” me objekt ndërtimin e rrjeteve të telekomunikacionit dhe u bë shpejt një ndër katër kompanitë e autorizuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve për shtrimin e fibrave optike drejt zonave kufitare. Por kontrata ishte sërish jetëshkurtër. Në dhjetor 2009, ish-ministri i Transporteve, i ndjeri Sokol Olldashi i anuloi të katër kontratat me argumentin se nënshkrimi i tyre nuk ishte në tagrin e Drejtorisë së Rrugëve. Më vonë, biznesi i fibrave optike u përqendrua në duart e një kompanie të vetme, të lakuar për lidhje të afërta me qeverinë “Berisha”. Me anulimin e kontratës, Mërtiri duket se e humb interesin për kompanitë e veta të telekomunikacioneve dhe eksploron mundësi të reja biznesi. Ai i gjen shpejt dyert hapur tek ndërmarrjet e zhytura në borxhe të ujësjellësve lokalë. Një biznes i ri lindi në vitin 2010; sistemi elektronik i matësve wireless të ujit.

Një lidhje simbiotike Mërtiri-Zoto

Në fillim të vitit 2010, drejtuesit e Ujësjellësit të Fierit zbuluan papritur se faturimet e ujit në katër fshatra ishin më të ulëta sesa konsumi mesatar për familje dhe vendosën të bënin një investim të madh. Në qershor 2010, mbi tryezën e ish-drejtorit Agim Plepi mbërriti në një ofertë prej 5.5 milionë eurosh për instalimin e një sistemi elektronik të matësve të ujit nga një bashkim kompanish greko-amerikane. Pas perdes qëndronte kompania “Fiber Network Albania” e Mërtirit, e cila kishte siguruar një kontratë ekskluziviteti me prodhuesin kinez të sistemit elektronik të matësve të ujit. Matësit ëireless iu ofruan Ujësjellësit të Fierit për 120 euro copa dhe zyrtarisht, investimi parashikohej të shlyhej me këste mujore për gjashtë vite radhazi. Megjithatë, ofertuesit e kushtëzuan Ujësjellësin që të garantonte që në fillim investimin e tyre. Marrëveshja u firmos më 30 korrik 2010 në vlerën e 5.3 milionë eurove me kompanitë “Teotec S.a” dhe “Seci Inc” –të përfaqësuara nga shtetasi grek, Konstantinos Aloupis. Një amendim i dytë në vjeshtë i kaloi të drejtat e kontratës tek kompania bijë e “Teotec” në Tiranë –“Teo Alb”, ndërsa investimi u garantua nga Ujësjellësi i Fierit me një kredi bankare prej 2.4 milionë eurosh. “BIRN” siguroi të dhëna që tregojnë se Mërtiri kontrolloi paralelisht si përfaqësues ligjor edhe kompaninë “Teo Alb”, edhe kompaninë “Fiber Network Albania”, e cila e zbatoi projektin në terren. Për llogari të dy kompanive nisi të punonte në nëntor 2010 edhe Klodian Zoto –një jurist që kishte punuar gjithashtu më parë për “Albtelekomin”. Projekti i Ujësjellësit të Fierit u bë zanafilla e një lidhjeje të gjatë simbiotike mes Mërtirit dhe Zotos dhe e lindjes së kompanisë “Integrated Technology Services”, ITS –e lidhur me të tre koncesionet e inceneratorëve. “ITS”  u regjistrua në nëntor 2010 në emër të Zotos, bashkë me një kompani të dytë të quajtur “FMO”. Ndërrimi i viteve solli ndryshime në krye të Ujësjellësit të Fierit dhe telashe për projektin e saponisur të Mërtirit. Në janar 2011, drejtori i ri, Ervin Muskaj bllokoi në fillim të janarit 2011 pagesën e parë prej 539 mijë eurosh dhe kërkoi ndërprerjen e punimeve. Në një kallëzim të dorëzuar në Prokurorinë e Fierit, Muskaj pretendoi se ishte shkelur ligji i prokurimit publik, mungonte një preventiv ekonomik dhe se matësit objekt kontrate ishin zëvendësuar vetëm tre vjet më parë, përmes një kredie të Bankës Botërore. Ai u ankua gjithashtu se pagesat e parashikuara në kontratë ishin të papërballueshme për Ujësjellësin e Fierit. Muskaj bëri përpjekje për zgjidhjen e kontratës dhe kur u paralajmërua me arbitrazh, kërkoi ndihmën e Kontrollit të Lartë të Shtetit si dhe Avokaturës së Shtetit. Nëntë vjet më vonë, ai kujton se e gjeti veten mes dy zjarresh –pasi të gjithë po merreshin me të dhe jo me kontratën. “Unë isha në pozitën që po të mos e bëja [bllokoja kontratën] do më thonin që pse s’e bëre dhe po ta bëja, pse e bëre,” tha Muskaj, inxhinier nafte në profesion. “Institucionet nuk m’u përgjigjën dhe unë isha shumë i vogël për ta ndaluar,” shtoi ai. Në godinën e Ujësjellësit të Fierit, një zyrë e dedikuar për Mërtirin qëndroi e mbyllur deri në shtator 2011, kur Muskaj u shkarkua nga detyra. Kontrata u zhbllokua më pas, por hetimi i Prokurorisë së Fierit qëndroi i hapur deri në dhjetor 2012. Stuhia e ngritur mbi projektin e Fierit i frenoi projektet e Mërtirit, por nuk i ndali ato. Gjatë vitit 2011, ai siguroi njohjen e matësve të tij të ujit nga Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë  dhe regjistrimin e markës në Drejtorinë e Përgjithshme të Patentave dhe Markave. Në shtator 2012, në krye të projekteve të ujësjellësve u avancua kompania deri në atë kohë e fjetur, “Integrated Technology Services”, e cila trashëgoi patentën e ekskluzivitetit të matësve të ujit nga Fiber Netëork Albania. Në dhjetor 2012, Integrated Technology Services lidhi kontratën e parë me vlerë 1.5 milionë euro me Ujësjellësin e Pogradecit dhe tre muaj më vonë, e zgjeroi aktivitetin e vet edhe me 3.3 milionë euro të tjera në Ujësjellësin e Korçës. Në verën e vitit 2013, biznesit të matësve të ujit i bashkohet edhe Arenc Myrtezani përmes blerjes së kompanisë deri në atë kohë pa aktivitet, FMO. Myrtezani i tha BIRN se ishte njohur me Mërtirin në vitet 2002-2003 nëpërmjet vjehrrit të këtij të fundit, i cili punonte gjithashtu si shofer në selinë e Partisë Demokratike. Ai kishte ruajtur lidhje miqësore me Mërtirin dhe më vonë ishte njohur edhe me Zoton. Myrtezani shtoi se ishte punësuar prej tyre pas rënies së PD-së nga pushteti në vitin 2013 dhe përjashtoi çdo lidhje të ish-ministrit të Financave, Ridvan Bode. “Unë jam angazhuar në projektet me ujësjellsat kur mbeta pa punë dhe zgjedhja tjetër ishte të largoheshim nga Shqipëria. U jam mirënjohës që më dhanë punë,” tha Myrtezani, aktualisht punonjës në kantierin e trajtimit të mbetjeve në Fier. “Unë nuk kam guxuar kurrë që të diskutoj ndonjëherë me Ridvanin gjëra të tilla. Nuk ka pasur kurrë asnjë shans,” shtoi ai. Në vitet 2012-2014, projektet e matësve elektronikë të ujit u shtrinë në gjashtë qytete dhe u aplikuan nga kompanitë “Integrated Technology Services”, “FMO” dhe “Miklo Construksion”. Ato u kushtuan ndërmarrjeve të ujësjellësve më shumë se 18 milionë euro në total. Kontratat u kritikuan nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili  vlerësoi se financimet përmes kredive të shtrenjta i zhytën ndërmarrjet lokale të ujësjellësve në një spirale borxhesh dhe falimenti. Në janar 2014, KLSH kallëzoi në prokurori edhe ish-drejtorin e Ujësjellësit të Korçës, Petrit Tare për shpërdorim detyre në lidhjen e marrëveshjes me “Integrated Technology Services”. Në kallëzim, KLSH evidenton si shkelje lidhjen e kontratës jashtë procedurave të prokurimit publik dhe moszbatimin e ligjit “Për huamarrjen e qeverisjes vendore”. “Për këtë investim në vlerën 3 376 000 (pa tvsh) kjo shoqëri [Ujësjellësi] ka vendosur qëllimisht t’i shmangë këto procedura, duke rënduar së tepërmi gjendjen e shoqërisë në favor të interesave të subjektit privat,” thuhet në kallëzim. Hetimet e nisura nga Prokuroria e Fierit dhe ajo e Korçës u pushuan të dyja, duke shfajësuar nga përgjegjësitë zyrtarët lokalë. Në vitin 2014, negociatat zbarkuan në bashkinë e Elbasanit –pronare 100% e Ujësjellësit të qytetit. Përveç lidhjes së një kontrate prej 3.8 milionë eurosh në emër të një kompanie të lidhur, u hodhën gjithashtu themelet për ndërtimin e një inceneratori. Nga Aleksandra Bogdani dhe Besar Likmeta – “BIRN”

(Vijon nesër)

Nesër do të lexoni:

Fijet pas Sharrës

Lidhje politike

Aventura afrikane