Panairi Klik Ekspo Group model suksesi i partneritetit në rajon dhe Europë, Luel Muhametaj: Gjenerata e re shqiptare në sinkron me zhvillimin teknologjik në botë

96
Sigal

Panairi Ndërkombëtar i Tiranës, organizuar nga Klik Ekspo Group, hapi siparin dje në Pallatin e Kongreseve në kryeqytet.

Panairi nën logon “Mendo globalisht, përqafo dixhitalizimin” nisi dje zhvillimet për partneritet dhe sukses, ku të pranishëm janë mbi 250 biznese rajonale dhe europiane, duke treguar se përtej sfidave të shumta, përafrimi i qasjeve të reja teknologjike nuk mund të prevalojë mbi atë që është më e rëndësishme elementi njerëzor dhe lidhja e ngushtë midis bizneseve për bashkëpunime të reja dhe zhvillim.

Tashmë në vitin e 28-të, panairi i “Klik Ekspo Group”, çertifikuar nga UFI Approved Event, nuk vjen më si një iniciativë biznesi, por një traditë e shënjuar në zhvillimin e aktiviteteve të këtij lloji në rajon dhe më gjerë.

Luan Muhametaj, President i Panairit Ndërkombëtar të Tiranës “Klik Ekspo Group” falenderoi të ftuarit në aktivitetin hapës, duke theksuar se përtej vështirësive dhe pengesave që po kalojnë bizneset këtë kohë, organizatorët kanë vazhduar të mbajnë traditën e panairit, për 28 vite me radhë. “Ju e dini tashmë që panairi ka kaluar përtej pjesës shqipfolëse. Aktualisht, jemi duke bashkëpunuar me Turqinë, Japoninë dhe Gjermaninë”, -tha Muhametaj.

Gjenerata e re shqiptare në sinkron me zhvillimin teknologjik në botë

Luel Muhametaj, Drejtues për Partneritet Strategjik në “Klik Ekspo Group”, përshëndeti të pranishmit dhe shprehu konsideratën e tij si përfaqësues i gjeneratës së re dhe të ardhmes së saj. “Epoka e revolucionit dixhital filloi në 1980 me lindjen e internetit, ndjekur nga telefonat mobile dhe rrjetet sociale, me sistemet kompjuterike cloud, duke treguar që sot ne jemi më të lidhur se kurrë. Kështu duke lejuar kompanitë të zhvillojnë marketimin dixhital përtej hapësirave gjeografike dhe krijuar universin dixhital’, tha Muhametaj.

Duke vazhduar fjalën ai tha se pandemia Covid-19 tregoi se bizneset duhet të mbështeten në qasje të reja teknologjike dhe detyruan organizatat në të gjithë botën që të përshpejtojnë transformimin dixhital, i cili është drejt finalizimit, me kompjutera kuantike, Inteligjenca Artificiale, dhe teknologjitë inovative janë disa nga shembujt e ndryshimeve që priten në vitet në vijim, dhe pa dyshim kjo do ndikojë në veprimet tona në të ardhmen, u shpreh Muhametaj. “Edhe pse bota po ndryshon shpejt drejt një transformimi dixhital, një faktor mbetet konstant, ai njerëzor. Dixhitalizmi nuk mund të ndryshojë biologjinë tonë dhe eksperiencën njerëzore. Prandaj jemi këtu jo të lidhur në meta apo përmes rrjeteve sociale, por fizikisht pranë njëri-tjetrit, duke vepruar me shumë institucione të ardhura nga 30 shtete, me një qëllim të përbashkët, krijimin e një partneriteti për lidhje të reja bashkëpunimi. Kjo nuk do të thotë që të mohojmë teknologjinë ose të kundërtën, ajo është e përfshirë dhe e përdorur si mjet për zhvillim”, tha Luel Muhametaj, Drejtues për Partneritet Strategjik në “Klik Ekspo Group”. Duke shtuar se sa i përket panairit rajonal në Shqipëri, ndryshime pozitive po afrohen dhe është i gatshëm të ndajë me të pranishmit arritjet e fundit.

Bashkia e Tiranës, të gatshëm për një partneritet dhe interlocutor të fuqishëm me biznesin, dhe për vendosjen e lidhjeve të reja bashkëpunimi.

Andi Seferi, nënkryetar i Bashkisë së Tiranës, në fjalën e tij përshëndetëse gjatë hapjes së panairit përshëndeti bizneset pjesëmarrëse, dhe vlerësoi punën e palodhur dhe energjinë e grupit organizator të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës “Klik Ekspo Group”, tashmë traditë prej vitesh, duke kthyer ditën e sotme në një manifestim të biznesit rajonal, Europian dhe më gjerë. “Jam i lumtur që jemi sot në vitin e 28-të të tij, sepse aktorët prezentë në këtë panair janë dëshmitarë të suksesit, se si Tirana, ka evoluar vit pas viti edhe në fushën e biznesit. Tirana sot është qendra e zhvillimit ekonomik rajonal, jo vetëm në sektorin infrastrukturor, por edhe në atë social, bujqësor, dhe shumë sektorë të tjerë duke bërë të mundur që në kryeqytet të jetojnë, punojnë, studiojnë dhe kontribuojnë më shumë se 140 kombësi të ndryshme, në respektim të kulturave dhe traditive të njëri-tjetrit”, tha Andi Seferi, nënkryetar i Bashkisë së Tiranës.

Ai shtoi se Tirana, është bërë qendra e turizmit, në 12 muajt e vitit, si vendi më i ndërlidhur në Ballkan me rreth 105 fluturime në ditë, kryeqyteti i sportit, ku zhvillohen aktivitete europiane si ai i Champions League, dhe kampionate të tjera, duke e shpallur Tiranën, Kryeqyteti i Sportit Europian për vitin 2023. Duke renditur arritjet e Bashkisë së Tiranës, si kryeqyeti i kulturës që vetëm gjatë këtij viti u bënë rreth 2000 aktivitete, si dhe qendra e dixhitalizmit. “Bota e ICT që dukej shumë larg për të gjithë ne, sot është një realitet i përditshëm, qoftë nga veprimtaria. E qendrës TUMO, e cila do të përgatisë gjeneratën e re për të ardhmen, por edhe ish-Piramida që brenda vitit 2023 do të jetë në funksion të Tiranës dixhitale, duke e bërë kryeqytetin jo vetëm një magnet të qendrës europiane, jo vetëm në aspektin politik si ai i zhvillimeve të Samitit të Vendeve të Ballkanit Perëndimor me Europën”, tha Andi Seferi, nënkryetar i Bashkisë së Tiranës.

Nënkryetari i Bashkisë Tiranë theksoi se vështirësitë, si tërmeti i nëntorit 2019, pandemia COVID me ndikim të gjatë në ekonominë dhe historinë e vendeve tona, kanë bërë që Tirana të tregojë forcimin më tej të lidhjes së qytetarëve me biznesin dhe institucioneve qeverisëse. Duke vijuar me luftën në Ukrainë, e cila ka ndikuar në inflacion dhe krizën e energjisë dhe pasigurinë.

“Ky vit është i veçantë, pasi tregon se sa është e rëndësishme është lidhja me njëri-tjetrin, duke filluar që nga aspekti institucional, midis qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, me mbledhjen e përbashkët të Parlamentit, si dhe kulmuar me aktivitetin e  Unionit të Bashkive Shqiptare të rajonit, për të qenë në sinergji midis institucioneve lokale dhe këshillave bashkiakë, për marrjen e vendimeve të duhura me impakt pozitiv në turizëm, në vlera dhe në mbështetje të biznesit rajonal. Duke besuar se ky aktivitet do sjellë këtë qasje për mundësinë e ndërlidhjes së bizneseve dhe për të konsoliduar bashkëpunimin mes tyre, në tejkalimin e sfidave që vitet sjellin”, tha Seferi. Duke shtuar se një model të suksesshëm tregoi rinia e Tiranës, e cila mësoi se me ura bashkëpunimi me gjithë bashkëmoshatarët në Europë, mund të kemi një produkt të sukseshëm.

Gjatë fjalës së tij, Seferi shpehu gatishmërinë për të gjithë bizneset prezente nga Kosova, Mal i Zi, Turqia, Serbia, Greqia, Italia, Franca, Danimarka, Gjermania dhe Holanda, që ta konsiderojnë Bashkinë e Tiranës si një derë të hapur, për një partneritet dhe interlocutor të fuqishëm për biznesin dhe për vendosjen e lidhjeve të reja bashkëpunimi.

President i Odës Ekonomike të Kosovës: Panaire të këtij lloji tregojnë se modeli i suksesshëm ekonomik është qendra e këtij bashkëveprimi

I pranishëm në inagurimin e Panairit Ndërkombëtar të Tiranës, mori fjalën Lulzim Rafuna, President i Odës Ekonomike të Kosovës, i cili shpehu kënaqësinë e veçantë që kjo ngjarje e rëndësishme ja ka dalë të bëjë bashkë përfaqësues të biznesit nga i tërë rajoni dhe më gjerë, duke marrë parasysh sfidat post pandemike dhe luftës së Ukrainës. “Është me rëndësi që gjithë bizneset tona të kenë mundësi të takohen, të diskutojnë për arritjet e tyre dhe të kërkojnë për bashkëpunime me njëra-tjetrën. Vlen për tu vlerësuar presence e përfaqësuesve të institucioneve shtetërore, përkrahje e të cilave është e rëndësishme për tejkalimin e sfidave të kohës”, tha Rafuna. Duke shtuar se suksesi është në qendër të këtij bashkëveprimi, për të na nxitur në bashkëpunime dhe tejkalim të pengesave dhe sfidave në ekonomi, duke u bërë motor që shtyn politikën të kërkojë bashkëpunime dhe tejkalim të pengesave midis shteteve dhe më gjerë. Panari i këtij lloji në Tiranë bëhet katalizator i ndryshimeve që prekin shumë më gjerë sesa ekonomitë e vendeve tona, përfundoi fjalën e tij Lulzim Rafuna, President i Odës Ekonomike të Kosovës.

Bashkia e Korçës vlerësohet me çmimin “Shqiponja e Artë”

Një traditë e panairit është edhe vlerësimi i personaliteteve të ndryshme, në politikë, në biznes dhe kulturorë. Luan Muhametaj, President i Panairit Ndërkombëtar të Tiranës “Klik Ekspo Group”, vlerësoi personalitetin e këtij viti, Bashkinë e Korçës. “Është kënaqësi që panairi ka në gjenezë të saj një medalje “Shqiponja e Artë”, ku janë vlerësuar personalitete si Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, ministër mbrojtje, kryeminisitra, e të tjerë. Grupi i UFI ka bërë një vlerësim për dy vjet, dhe ka shpallur Bashkinë e Korçës me medaljen “Shqiponja e Artë”, për kontributin e dhënë në zhvillimin ekonomik kulturor dhe promovimin e vlerave të qytetit të Korçës”,- tha Muhametaj.

Medalje një vepër arti prej argjendi dhe ari, ju dha kryetarit të Bashkisë Korçë, Sotiraq Filo, gjatë ceremonisë së hapjes së panairit. Filo u shpreh i vlerësuar për çmimin dhe për kontributin e dhënë qytetit të Korçës. “Në vitet e fundit, Korça ka njohur një zhvillim të jashtëzakonshëm në disa sektorë, ku kryesori pa dyshim është turizmi, duke u shndërruar atë në një prej qendrave kryesore turistike të Shqipërisë, të festimeve të ndryshme me kontribut të shumë faktorëve, ku është edhe puna e bashkisë të qytetit në drejtim të orientimit të investimeve të ndryshme që t’i shërbejnë jo thjesht përmirësimit të cilësisë së jetës të qytetarëve të Korçës, por edhe për ti dhënë këtë dimension të ri të zhvillimit ekonomik të qytetit, siç është turizmi”, u shpreh kryetari i Bashkisë Korçë.

Duke shtuar se Korça është pjesëmarrëse në këtë panair të rëndësishëm, me 28 vjet histori, i cili ofron pika takimi midis ofruesve të shërbimeve dhe blerësve të tyre, dhe në pozicionin e blerësit shprehu interesin për të vizituar stendat e kompanive shqiptare, por edhe ato të rajonit e më gjerë. “Në cilësinë e ofruesit kam kënaqësinë të prezantoj qytetin e Korçës, kryesisht dimensionin e tij turistik, por jo vetëm. Gjithashtu, vlerësoj organizatorët për qasjen e trendit botëror, të përqafimit të teknologjisë, ku mes të tjerave Filo vlerësoi se Korça ka bërë zhvillime të rëndësishme në këtë fushë.