Odhise Porodini:  Nëse injorohet e kaluara nga ke ardhur, kurrë nuk mund të kesh një të ardhme dinjitoze

425
Sigal

Rishikimi i Historisë/ Intervista me Odhise Porodini, kreu i Organizatës së Veteranëve të LANÇ: Shqipëria, pa LANÇ nuk do të arrinte të fitonte në Luftën e Dytë Botërore. Nëse injorohet e kaluara, kurrë nuk mund të kemi të ardhme

 

 Flet Odhise Porodini, Kryetar i Organizatës së Veteranëve të LANҪ-it të popullit shqiptar

 Nëse injorohet e kaluara nga ke ardhur, kurrë nuk mund të kesh një të ardhme dinjitoze

 

Intervistoi: Bashkim KOÇI

 

Odhise Porodini ka lindur më 20 gusht 1930, në fshatin Labovë e Vogël, të krahinës së Rrëzës, por rritur në fshatin  e nënës së vet në Karjan, të krahinës së Lunxhërisë, në Gjirokastër. Pas mbarimit të shkollës fillore shkon si punëtor krahu në qytetin e Vlorës.  Në  nëntor 1943, aktivizohet në Organizatën e Pionierëve Antifashistë “Debatik” dhe zgjidhet drejtues i saj, duke kryer aktivitete të ndryshme  në mbështetje të Luftës Nacionalçlirimtare. Në pranverën e 1944 vjen në Tiranë dhe merr pjesë në Grupin e Dytë Ushtarak të Pezës, duke kryer një seri aktivitetesh, veçanërisht në luftën për çlirimin e Tiranës. Pas  çlirimit merr pjesë në aksionet e rinisë për rindërtimin e vendit. Për rreth 40 vjet  kreu detyra të rëndësishme si jurist, fakultet që e mbaroi me rezultate shumë të mira në vitin 1962.  Nga viti 2010, Odhise Porodini kryen detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm në Komitetin Kombëtar të Veteranëve të LANҪ-it, ndërsa tani, ai është zgjedhur në postin e lartë të kryetarit të Komitetit të Veteranëve të Luftës NÇ.  Për merita lufte dhe pune i  janë akorduar 10 urdhëra e medalje. Mban titullin “Krenaria e Qarkut të Gjirokastrës” dhe “ Nderi i Organizatës së LANҪ-it, “Nderi i Kombit”.

-Ju veteranët e LANÇ-it, pas dëshmorëve të Atdheut, mbeteni “skalioni i parë “ për kontributin që keni dhënë për Atdheun, Shqipërinë. Cili është motivi që mbetet përjetësisht idealist, të palëkundur për të mbrojtur vlerat dhe lavdinë e LANÇ-it?

 

-Populli Shqiptar ka luftuar në shekuj për lirinë e pavarësinë e vet. Por asnjëherë nuk e kish arritur dot atë për të cilën kish derdhur lumenj gjaku. Edhe pavarësia që u mundësua më 1912, shumë shpejt u fashit. Ishte LANÇ, kjo epope e lavdishme e cila grumbulloi rreth Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar, gjithë shtresat e e popullit, sidomos moshat e reja dhe arriti fitoren e shumëkërkuar, pa asnjë ndihmë nga jashtë.

Pa këtë Luftë çlirimtare, e cila e radhiti vendin tonë në krahun e fitimtarëve, në Koalicionin e Madh Botëror Antifashist Anglo-Sovjeto-Amerikan, jo vetëm nuk mund të arrihej fitorja, por as nuk mund të sigurohej pavarësia e vendit tonë. Nëse vendi ynë do kish kaluar në drejtimin e gabuar, në krahun e humbësve, sikurse u bashkuan disa shtete me boshtin Romë-Berlin-Tokio, shtetet shoviniste ishin gati ta copëtonin Shqipërinë.

Prandaj Organizata e Veteranëve, gjithë veteranët, Organizata e Familjeve të Dëshmorëve dhe Shoqata e Invalidëve të LANÇ dhe pasardhësit, vlerat dhe idealet e kësaj epopeje të lavdishme, të ushqyera e të motivuara nga atdhedashuria, nga ai gjak i derdhur dhe nga ato sakrificat e mëdha që bëri populli shqiptar, jemi të vendosur t’i mbrojmë ato me të gjitha mundësitë dhe mjetet demokratike, për të mos u cënuar e denigruar, mohuar e falsifikuar sikurse bëhen përpjekje aktualisht nga subjekte e persona të caktuar për qëllime të mbrapshta antihistorike e antikombëtare.

Mënyra e mjetet me të cilat Organizata e Veteranëve të LANÇ  janë veprimtaritë përkujtimore për ngjarje e data të lidhura në historinë e LANÇ, për të rënët, veprimtari këto që kryhen me solemnitet e me një pjesëmarrje të gjerë e në bashkëpunim të ngushtë me pushtetin lokal. Botime me temë nga LANÇ të cilat promovohen në mënyrë të organizuar, organizim bisedash, në shkolla e institucione, replika e ballafaqime me kundërshtarët tanë, botim i gazetës “Kushtrim brezash”, vizita në muze të LANÇ, foto, ekspozita, etj.

-Ju kini qenë pjesëtar në formacionet partizane, por, meqë kanë kaluar më shumë se 75 vjet nga ajo Luftë, mendoj se për moshën që kini sot, atëherë  kini qenë në një fare mënyre “Partizani i vogël Velo”. Ç’është  regjistruar në memorien tuaj nga ajo Luftë?

 

-Ashtu sikurse jetën, edhe luftën e kam nisur shumë shpejt. Në moshën 11 vjeç për të nxjerrë bukën e gojës, u detyrova të punoj punëtor krahu në Vlorë, kur pushtuesit italianë po ndërtonin fushën  e Aviacionit. Aty përjetova jo vetëm rropatjen, por edhe  urrejtjen ndaj pushtuesit të huaj italian. Disa punëtorë të rinj që më mbanin afër, më kultivuan edhe më shumë këto ndjesi.

Në fshatin Karjan të Lunxhërisë Gjirokastër, kur unë u ktheva aty, gjeta një gjendje edhe më të rëndë. Kishte nisur LANÇ. Ishin këta faktorë që në nëntor 1943, në moshën 13 vjeç, kur erdhi i deleguari i qarkorit të Gjirokastrës, Sofo Papajani, dhe krijoi Organizatën e pionierit antifashist “Debatik”, u zgjodha drejtues i saj. Një varg veprimtarish kryenim bashkë me 6 shokë të tjerë pionierë  debatikas. Mblidhnin informacione mbi lëvizjen e armikut, çonim letra nga një fshat në tjetrin, grumbullonim  materiale për forcat partizane, i shpërndanim partizanët nëpër baza, e  të tjera.

Por, duke gjykuar se lufta kërkonte kontribute edhe më të mëdha, në pranverën e vitit 1944 erdha në Tiranë. Këtu, nëpërmjet kushëririt të nënës Polo Vasi, u lidha me grupin e dytë ushtarak Pezës, i drejtuar nga qarkori i Tiranës, i kryesuar ky grup nga Selaudin Imami. Duke qenë se ky grup vepronte brenda  në qytetin e Tiranës e në Pezë, kishte disa baza si shtëpia e Bajram Hetës, e Spiro Kolxhionit etj, të cilat kanë qenë një mbështetje e fuqishme për gjithë veprimtarinë e grupit. Unë si më i riu, më ishin  besuar detyra sa të thjeshta, aq dhe të rrezikshme. Lidhja pjesëtarët e grupit, riprodhoja e shpërndaja komunikata, grumbulloja armë e municione të cilat i nisnim për në Pezë, merrja kontakt me ushtarë italianë të mbetur pas kapitullimit, të cilët gjithashtu, i nisnim në Pezë.

Veprimtaria jonë si grup, kulmoi sidomos gjatë luftës për çlirimin e Tiranës, ku do të veçoja katër ngjarje nga më të vështirat e të rrezikshmet:  Në banesën e Llazo Pinës, pranë asaj të Bajram Hetës, kishim magazinën ku patëm të grumbulluar armë e municione, aparate telefonike, veshmbathje etj, të cilat herëmbashere i nisnim në Pezë. Një mbrëmje në orët e vona, në rrugën  “Bogdani” u ndje një zhurmë e madhe mjetesh të blinduara. Duke menduar se nazistët mund të na kishin zbuluar e po drejtoheshin tek baza jonë, u larguam nga një deriçkë, duke dalë në një bahçe ngjitur. Ishim tre shokë. Me vete kishim dhe një ish ushtar italian. Mario quhej. Po nuk ndodhi asgjë, zhurma u largua dhe ne u kthyem sërish në bazë.

Rasti i dytë: I ngarkuar me një letër për ta kaluar nga zona e okupuar e Tiranës, në atë të çliruar, tek ish kafe “Bellavenecia” bri bulevardit të madh, tentova të kaloja në krahun tjetër tek “Bilardo Amerikane”. Sapo dola në qendër të këtij bulevardi, më diktoi bunkeri i vendosur në qendër të sheshit të madh (sot sheshi Skënderbej), bunker ky, me të cilin nazistët kontrollonin  gjithë rrugët që dilnin në shesh. Ai shtiu kundër meje. Ndjeva predhat që më kaluan afër. Rashë përtokë për të krijuar përshtypje se u vrava dhe, kur bunkeri u kthye në krahun tjetër, u ngrita me shpejtësi dhe kalova matanë.

Ngjarja e tretë: Duke qenë tek bazat në shtëpinë e Spiro Kolxhionit në rrugën (sot ‘Islam Alla’), kur po dilja prej saj, u përballa me një patrullë gjermane SS. Ata sa më panë, hoqën automatikun nga krahu për të më qëlluar. Në këtë situatë, unë ndërrova drejtimin. Ndjeva breshëri. Shtiva edhe unë me një ‘beretë’ që kisha me vete. Kthesa në rrugë më shpëtoi edhe nga kjo përballje me nazistët.

Ngjarja e fundit lidhet me faktin se në shtëpinë e kushërirës time Vasilika, e martuar me Petro Çukën anëtarë të Grupit, pra në shtëpinë e Bajram Hetës ku ata banonin, shpesh bëheshin mbledhjet e grupit dhe unë aty kisha disa komunikata e shënime të mijat. Në mënyrë të papritur, në këtë shtëpi, shkuan forca të ballit dhe nazistë, të cilët gjatë kontrollit gjetën këto materiale dhe pyetën se ku ndodhesha unë. Kushërira Vasilikë dhe i shoqi i saj u thanë se Odhisea është larguar prej disa ditësh dhe nuk dimë ku ndodhet. Ata i arrestuan të dy dhe i çuan në burgun e Tiranës. Por meqenëse kushërira ishte shtatzënë e liruan, ndërsa të shoqin Petron e internuan në kampin e përqendrimit  nazist në Prishtinë. Fati e deshi që ai pas çlirimit të kthehej i gjallë nga andej.

Me çlirimin e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, u ktheva në fshatin tim në Karjan, ku do të nisja betejat e tjera, në aksionet e rinisë për ndërtimin e hekurudhës e veprimtari të tjera me organizatën e rinisë. Më pas u zgjodha kryetar lokaliteti në krahinën time, pastaj u inkuadrova në forcat e ministrisë  së Punëve të Brendshme, për të marrë pjesë në luftën kundër bandave që tentonin të rrëzonin pushtetin e popullit.

 

– Ka njerëz që jetojnë të vdekur, ka të vdekur që jetojnë nëpër  breza. Këta të fundit besoj se janë dëshmorët, ata që dhanë jetën për çlirimin e Atdheut nga nazifashistët dhe bashkëpunëtorët e tyre. Mendimi juaj shoku Odhise për vlerësimin dhe mbajtjen lart të idealeve te tyre nga Organizata e Veteranëve dhe instancat shtetërore?

 

-Gjatë LANÇ-it, që ju imponua  popullit shqiptar nga pushtuesit e huaj nazifashist dhe bashkëpunëtorët e tyre, pati humbje të mëdha materiale, por  sidomos humbje njerëzore. Ranë në fushën e betejës 28.000 mijë dëshmorë, 12650 mbetën invalidë, 19.000 shqiptarë u internuan e u burgosën nga pushtuesit. Vetëm në betejën për çlirimin e Tiranës, ranë 311 dëshmorë. Ndërsa për çlirimin e vëllezërve tanë kosovarë, ranë 6000 partizanë.

Akti që kryen partizanët e rënë dëshmorë, të cilët u flijuan në lule të rinisë, për një mision të lartë Atdhetar, sikurse ishte çlirimi i Atdheut nga pushtuesit  e huaj, i ngriti ata në altarin e pavdekësisë, për të cilën populli shqiptar, brezat e sotëm dhe atë që do të vijnë më pas, do tu jenë atyre mirënjohës, duke u përkulur me respektin më të thellë para altarit të tyre.

Për këto arsye, Organizata e Veteranëve, Organizata e Dëshmorëve dhe ajo e Invalidëve të LANÇ do ti përkujtojnë  në vazhdimësi të rënët, me organizimet e posaçme solemniteti, duke filluar nga 5 Maji e në vazhdim. Ndërkohë bëhen përpjekje të mëdha për rregullimin  varrezave të dëshmorëve, të lapidarëve, të busteve e memorialëve, të cilat përjetojnë rënien e tyre. Gjithashtu në shtypin tonë periodik “Kushtrim brezash”, në revistën “Pavdekësia” apo në “Fjala e Invalidit”, si dhe në botime të shumta e të posaçme, sikurse janë 20 vëllime “Yje të Pashuar”, apo vëllimet “Ballëndriturit”, u bëhet jehonë veprës së tyre të pavdekshme.

Por, gjatë periudhës së tranzicionit nga forcat ekstremiste të djathta neofashiste, shumë nga veprat që përjetojnë dëshmorët e heronjtë janë dëmtuar e shkatërruar, janë hequr emrat e tyre nga shumë rrugë, shkolla e institucione të tjera duke vendosur emra kriminelësh e bashkëpunëtorësh të okupatorëve. U hoq shpërblimi simbolik që u jepej familjeve të tyre, e për më tepër bëhen përpjekje për të baltosur figurën e tyre të ndritur. Kish të drejtë poeti i shquar Jorgo Bllaci, vëllai i dëshmorit Thimio Bllacit, ku ndër të tjera i shkruante: “ Sot s’kam ardhur të të qaj vëlla, një brengë e kam që s’di me kë ta ndaj, se s’më shkonte mendja kurrë, të arrinte marrëzia gjer këtu, që me buqeta lulesh e flamur, të rivarroseshin vrasësit e tu”.

Lidhur me këto veprime antihistorike e antikombëtare dhe antiligjore, që kanë ndodhur, organizatat tona kanë luftuar e luftojnë me forcë, jo vetëm duke i demaskuar ato, por dhe duke ndërhyrë në Qeveri dhe në organet e pushtetit lokal, sa për rregullimin e dëmtimeve, aq dhe për të korigjuar ato veprime armiqësore ndaj të rënëve. Kemi kërkuar gjithashtu që si varrezat, ashtu edhe simbolet e LANÇ-it të merren në mbrojtje nga shteti, duke i trajtuar sikurse monumentet e tjera me vlera historike e kombëtare. Por kërkesat tona gjer tani thuajse kanë rënë  në vesh të shurdhët. Vetëm në disa rrethe ka interesime e rregullime të këtyre simboleve të LANÇ si në Berat, Fier, Shkodër, Sarandë, Skrapar, Vlorë, Kuçovë, Gjirokastër etj. Ndërsa  individë patriot apo pjesëtarë të familjeve të dëshmorëve, me shpenzimet e tyre kanë bërë disa rregullime.

Me një keqdashje të qëllimshme është hedhur për diskutim se gjoja numri prej 28 mijë dëshmorë nuk është i vërtetë. Në të vërtetë ky është një abuzim, sepse numri prej 28.000 është konfirmuar qysh prej vitit 1946 në Konferencën e Paqes në Paris.

Ajo që na ka shqetësuar së tepërmi, ka qenë një lajm i botuar në media se, Qeveria ka programuar që në vitin e ardhshëm, të spostojë Varrezat e Dëshmorëve të LANÇ, nga aty ku janë sot, në periferi të Tiranës, në Babru. Do të ishte një marrëzi e madhe dhe një vrasje e dytë po qe se bëhet ajo që është thënë. Ndërsa  reagimi i ynë do jetë i fuqishëm dhe gjithëpërfshirës.

 

– Gjatë sistemit të kaluar socialist u shkruan shumë vepra për të përjetësuar heroizmin partizan, u xhiruan me dhjetëra filma me tematikën e Luftës, u realizuan me dhjetëra piktura e skulptura për të përjetësuar atë Epope të lavdishme. Si i përjetoni ju veteranët e LANÇ-it  këto vite të tranzicionit ku nuk kemi parë e dëgjuar të trajtohen tema e LANÇ-it?

 

-Po bëhet 30 vjet që po përjetojmë një tranzicion tepër të vështirë. Kjo periudhë, ashtu si shumë shqiptarë na zhgënjeu së tepërmi edhe ne veteranët e LANÇ-it. Prisnim që gjatë kësaj periudhe ato vlera e krijimtari të cilat i përkisnin epopesë së lavdishme të LANÇ-it, jo vetëm të ruheshin si një pasuri kombëtare, si pjesë e historisë së vendit tonë , por si të tillë ato të popullarizoheshin e të propagandoheshin. Përkundrazi ato, në një farë mënyre, janë “burgosur”. Qeveritë e djathta edhe mund të justifikohen, sepse ata siç kanë treguar me veprimtarinë e tyre, ju shërbejnë atyre forcave  që dje bashkëpunuan me pushtuesit. Por fatkeqësisht, qëndrime të tilla të një shkujdesje, mungesë vlerësimi e neglizhence, apo dhe mungesë kurajoje, për t’i ngritur e vënë në vend këto dukuri që bien ndesh me të vërtetat historike, i gjejmë edhe tek qeveritarët e politikanët e të majtës shqiptare.

Na duket i pajustifikuar qëndrimi i deputetëve të votuar nga populli organizatat tona nga veteranë e pasardhës , nga familjet e dëshmorëve e bazat e LANÇ, që të mos flitet aq sa duhet për LANÇ, për vlerat e saj, për idealet e gjakun e derdhur. Mirëpo, nëse injorohet e kaluara nga ke ardhur, nuk mund të kesh një të ardhme dinjitoze. Bota e qytetëruar ku kërkojmë të shkojmë, i ka të shenjta këto vlera.

 

– Dëgjojmë jo pak zëra që ulërasin për të rishkruar historinë e Luftës. Cilët janë ata që e kërkojnë dhe për ç’qëllime e bëjnë këtë?

 

-Historia e LANÇ-it është e shkruar me gjakun e atyre që ranë në beteja  për çlirimin e Shqipërisë që gëzojmë sot.  Pse është e tillë ajo histori, është nga më të vërtetat. Këtë histori, populli shqiptar dhe ne veteranët e LANÇ që e kemi përjetuar, është konsoliduar e u konfirmuar gjatë më se 75 e kusur viteve. Madje edhe nga studiues e historianë, nga institucione prestigjoze shkencore, por dhe nga studiues të huaj, dashamirës të Shqipërisë. Rrjedhimisht, çdo përpjekje për ta ndryshuar atë është e destinuar të dështojë. Kështu do të dështojnë dhe ato pak teza që kërkojnë për ta ndryshuar historinë e LANÇ. Tezat e hedhura prej tyre se, LANÇ paska qenë luftë civile, se këtë luftë ia imponoi jugu-veriut e të tjera brroçkulla si këto, ju ka dalë boja. për fallcitetin e tyre. Kjo edhe për faktin se ata që përpiqen për një gjë të tillë, ju përkasin  bijve a nipave  të kolaboracionistëve të djeshëm, baballarët e të cilëve  bashkëpunuan me pushtuesin kundër popullit. Ndërsa të tjerë pseudohistorianë,   janë vënë në shërbim të së keqes për interesa të vockla e meskine. Por nuk do të mundin kurrë tu qesh buza. Shpifjet që ata fabrikojnë për të ulur vlerat e LNҪ janë  si  ata grushtat e xhuxhmaxhuxhit mbi trupin e gjigantit.

 

Dëgjoja një ditë një veteran të Luftës teksa i thoshte nipit të tij: Lufta

biri im, është mallkim për Botën. Mendimi juaj, shoku Odhise, për  luftërat që bëhen sot në Botë dhe si do t’i drejtoheshit ju brezit të ri, i cili nuk ka përjetuar luftëra si ajo e Luftës së Dytë Botërore?

 

-Luftërat janë shkatërruese për njerëzimin. Këtë e tregoi bilanci tragjik që solli Lufta e Dytë Botërore: 55 milionë njerëz u vranë, 35 milion u plagosën e mbetën invalidë, 3 milion të tjerë humbën pa nam e nishan. Ja këtë gjëmë solli lufta.

Por  lufta kur është e drejtë, siç ishte ajo kundër murtajës naziste, e cila bashkoi të gjithë popujt e Botës, nuk u shmangesh dot. Nuk u shmangesh dot as pasojave që ajo sjell në humbjen e jetëve të njerëzve apo shkatërrimit ekonomik. E tillë ishte lufta jonë Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Fatkeqësisht edhe sot zhvillohen në zona të ndryshme të Botës këto dy lloj luftërash, pra të drejta e të padrejta. Në këto kushte shtrohet si një nevojë e domosdoshme që popujt përparimtarë të mos gjenden të papërgatitur përpara forcave regresiste, të çdo shfaqje neofazhismi. Më vjen mirë të citoj një thënie të Napolon Bonapartit: “Ekzistojnë vetëm dy fuqi në botë: shpata dhe mendja. Në afat të gjatë, shpata gjithmonë është e mposhtur nga mendja.” Jam i mendimit që në këtë botë të zhvilluar, mendja do të dalë fitimtare mbi luftën.

 

Vijon

Sot 20 Korrik, Dita e Veteranit

 

 

-Dëshiroj të mos e anashkaloj një pyetje të rëndësishme që lidhet me figurën e udhëheqësit të LANÇ-it, Enver Hoxhës. Ju, ndërkohë, mbani detyrën e Kryetarit të Organizatës së Veteranëve të LANÇ-it  të Popullit Shqiptar. Cili është mendimi dhe vlerësimi i veteranëve për Enver Hoxhën?

 

-Enver Hoxha ka qenë dhe mbetet një figurë e madhe historike e vendit tonë. Ai ishte udhëheqës dhe komandant i UNÇSH-së, i cili organizoi dhe drejtoi me guxim dhe largpamësi LANÇ-in  të popullit  shqiptar kundër pushtuesve nazifashistë dhe bashkëpunëtorëve të tyre, gjer në fitoren përfundimtare. Jo më kot, populli e ka përjetësuar Enver Hoxhën në këngën: “ Historia siç të deshi, Komandant e Komisar”.

Ishte pikërisht aftësia dhe largpamësia, që së bashku dhe me drejtues të tjerë, organizuan Konferencën historike të Pezës, me të cilën u krijua Fronti i gjerë Antifashist Nacionalçlirimtar, pas të cilës u ngrit në luftë populli shqiptar dhe bijtë e tij partizanë  mbushën çetat, batalionet e brigadat partizane. Ishte aftësia dhe zgjuarsia e Enver Hoxhës, i cili diti që LANÇ-in  ta çonte në drejtimin e duhur, duke e radhitur Shqipërinë  në Koalicionin e Madh Antifashist Botëror Anglo-Sovjeto- Amerikan, në krahun e fitimtarëve.

Nëse nuk do të ishte LANÇ dhe mbrojtja që i bëri Enver Hoxha në Konferencën e Paqes në Paris në vitin1946,  asaj dhe pavarësisë së vendit tonë, Shqipëria do ishte copëtuar më keq se në vitin 1913 nga shtetet shoviniste, që kishin shkuar në këtë Konferencë me synime ogurzeza.

Enver Hoxha është gjithashtu,  arkitekti i Shqipërisë së Re, që u rindërtua e u ndërtua pas çlirimit të vendit. I takon merita atij për ato transformime e reforma të mëdha që u kryen në vendin tonë në 45 vjet. Nga një vend i prapambetur me  95% analfabetizëm,  u krijuan shkolla të niveleve të ndryshme deri tek universitet. Nga kandili, u ngritën hidrocentrale të fuqishme, nga një vend i parapambetur ekonomik u ngritën uzina, fabrika, kombinate, rrugë, hekurudha, telefonizimi i vendit, qytete të reja, bonifikimi, kanalizim nga parmenda në bujqësi, u shkua në mekanizmin dhe modernizimin e saj, etj. Por që për fat të keq, me ndryshimin e sistemit, çdo gjë u vodh e u shkatërrua në mënyrë kriminale.

Këto vlera e merita të Enver Hoxhës, për fat të mirë, i kanë njohur edhe personalitete e burra shteti në mbarë botë. Presidenti i Republikës Franceze, Fransua Miteran e ka përcaktuar Enver Hoxhën “… personalitet i fuqishëm që ka vënë vulën në historinë e Shqipërisë”; Presidenti i Republikës Turke, Kenan Evren e cilësoi “Burrë shteti i madh dhe i vlerësuar nga mbarë bota”, ndërsa  Kancelari i Federal i Austrisë, kur vdiq Enver Hoxha shënoi: ‘Shqipëria humbi një personalitet që ka hyrë në Historinë e Europës”. Vlerësime po kaq të spikatura kanë dhënë burra shteti si Xhulio Andreoti, Manolis Glezos, Roland Dyma, Karolios Papulias etj.

Mjafton të vemë në dukje se në enciklopedinë botërore të vitit 2005, Enver Hoxha cilësohet si personalitet botëror. Prandaj ne krenohemi që kemi patur një komandant të tillë legjendar gjatë LANÇ-it dhe udhëheqës  mbas çlirimit të vendit.

 

– Në debatet që janë bëre e bëhen me temën e Luftes, ka individë që kanë  hedhur mendime se “janë mbajtur qëndrime ekstremiste  lidhur me zbatimin e Ligjit të Luftës ANÇ”. Cili eshtë mendimi juaj, shoku Odhise?

 

-Luftërat, sikurse kam vënë në dukje edhe më lart, sjellin pasoja të rënda. E tillë ishte dhe lufta që na u imponua dhe ne si populli nga pushtuesit nazifashistë. Ne veteranët që kemi marrë pjesë direkt në LANÇ, ndryshe nga forcat e tjera ballisto e zogistë, që u bashkuan me pushtuesit e u shërbyen atyre, kemi qenë tepër të vëmendshëm për të mos goditur e dëmtuar njerëzit e thjeshtë, qofshin ata dhe nga radhët e kundërshtarëve.  Madje kur ka qenë puna edhe nga radhët e pushtuesve. Sa herë janë zënë robër, jo vetëm ushtarë italianë, por edhe gjermanë, janë trajtuar me korrektësi, duke i çuar pranë shtabeve përkatëse. Aty janë bërë diferencime e gjykime dhe si mbas veprimtarisë së tyre, janë marrë edhe vendime përkatëse. Krimet janë dënuar rëndë. Ndërsa të tjerët janë trajtuar konform ligjeve të luftës.

Kështu u veprua edhe me italianët që u dorëzuan pas kapitullimit të Italisë fashiste. Ata drejtues që kishin kryer krime kundër popullit shqiptar, u dënuan me vdekje nga gjyqi partizan, kurse të tjerët u liruan. Nga këta të fundit, një numër jo i vogël, u inkuadruan në formacionet partizane, sikurse ishin dhe ata që krijuan batalionin “Antonio Gramshi”. Ndërsa një numër tjetër u shpërndanë nëpër fshatra gjerisa u çlirua Shqipëria dhe u riatdhesuan. Kështu ka ndodhur dhe me ballistë dhe zogistë të kapur rob. Ata që ishin mashtruar, u liruan dhe shkruan në shtëpi pranë familjarëve, ndërsa një pjesë prej tyre u radhitën në formacionet partizane.

 

– Pinjollët e kolaboracionistëve dhe të tradhtarëve, të atyre që iu erdhën në ndihmë kuislingëve, pushtuesve nazifashìstë, herë-herë trimërohen, duke hedhur balte mbi heroizmin partizan dhe dëshmorët e Luftes Nacionalçlirimtare. Një përgjigje nga ana juaj shoku Odhise si pjesëtar aktiv në atë luftë të lavdishme?

 

-Që të hedhësh baltë mbi heroizmin partizan, mbi ata trima që luftuan me guxim e trimëri kundër pushtuesve, për ato sakrifica të panumërta që bënë  përballë armiqve të egër nazifashistë dhe bashkëpunëtorëve të tyre, në ato kushte të vështira moti, mungesë ushqimesh e veshmbathjesh, për më tepër të përgojosh ata që në përleshje me armiqtë nuk kursyen  jetën e tyre në lulen e rinisë, që luftuan për një kauzë aq të madhe sikurse ishte çlirimi i atdheut dhe sigurimi i pavarësisë së Shqipërisë nga pushtuesit e huaj,  është pak të thuash se është një qëndrim kriminal nga pinjollët e kolaboracionistëve të djeshëm. Është njësoj sikur ti rivrasësh edhe njëherë ata trima. Por nga piedestali i lartë i pavdekësisë ku janë vendosur ata të rënë në luftë për çlirimin e atdheut, kurrë nuk do të mund tu humbasë lavdia nga përpiekjet ogurzeza të pinjollëve të bashkëpuntorëver të nazifashistëve e të ish kolaboracionistëve. Qëndrimet ndjellakeqe të tyre indinjojnë e revoltojnë jo vetëm ne veteranët dhe bashkëluftëtarët,  të partizanëve e të dëshmorëve, por edhe familjet e tyre, madje gjithë popullin përparimtar shqiptar, i cili i ka përjetuar këto ngjarje, sa tragjike po aq dhe heroike. Nënat dhe motrat shqiptare, u kanë shërbyer si bij e vëllezër të tyre, të rënëve u kanë thurur vargje dhe vaje. Ndërsa më pas populli i ka përjetësuar në këngë: “O djema ç’është kështu, vitet tutje e ju tëhu”.

Para kësaj dashurie, respekti e mirënjohje që ka populli shqiptar për dëshmorët dhe partizanët, përpjekje që bëjnë pinjollët për ti cenuar, ngjet si një zë në shkretëtirë që se dëgjon njeri. Kjo dhe për faktin se njihet qëllimi i tyre, i cili s’është gjë tjetër veç një përpjekje e dëshpëruar për të nxjerrë nga bataku ku kanë rënë baballarët dhe gjyshërit e tyre.

 

-Veteranët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare rrallohen nga dita në ditë. Koha do të bëjë të vetën, është ligj i Natyrës që nuk i shmangemi dot. Cila është porosia juaj, shoku Odhise, për pasardhësit e veteranëve, per të rinjtë e të rejat, per të gjithë shqiptarët rreth ruajtjes së vlerave të Luftës Nacionalçlirimtare, për të nderuar Dëshmorët që dhanë jetën në atë Luftë, për trashëgiminë e ndjenjave të patjetërsueshme patriotike?

 

-Mençuria dhe largpamësia e Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve të LANÇ, e drejtuesve të saj, ishte ndër të tjera që, për të siguruar mbijetesën dhe vazhdimësinë e egzistencës së Organizatës së lavdishme të Veteranëve të LANÇ, qysh në Konferencën e 5-të Kombëtare vendosi që të përfshijë si pasardhës veterani në Organizatën e Veteranëve bijtë dhe bijat, nipërit dhe mbesat e partizanëve dhe të dëshmorëve të LANÇ, një masë e vendim ky që u sanksionua edhe në statutin e programin  kësaj organizate.

Rrjedhimisht, gjatë  këtyre viteve e deri sot, në Organizatën e Veteranëve janë radhitur mbi 35 mijë pasardhës veterani në të 40 komitetet e veteranëve të rretheve e me më shumë se 2 mijë organizata. Ata bëjnë pjesë si anëtarë të rregullt me detyra e të drejta statusore, në të gjitha organizatat e veteranëve në blloqe, lagje e zona të qyteteve, si dhe në fshatra e krahina të rretheve.

Sot në rradhët tona janë  rreth një mijë veteranë. Sigurisht ky numur nga viti në vit zvogëlohet, por duke parë që Organizata jonë shumohet nga dita në ditë me djem e vajza, me të rinj e të reja që përciellin e vlerësojnë me shumë dashuri heroizmat e baballarëve, të gjyshërve e gjysheve, të të gjithë veteranëve të Shqipërisë, Organizata e Veteranëve të LANҪ-it do të jetë më e fuqishme. Organizatën e Veteranëve ka përtëritur strukturat drejtuese të saj, me djem e vajza të kulturuar e rezultativ, të cilët jo në pak raste, janë zgjedhur dhe kryetarë komitetesh veteranësh dhe gjer, në Komitetin Kombëtar të Veteranëve.