Gjon Bruçi: Kush i trimëron neoballistët të përbaltin LANÇ-IN? Rilindja tradhton heronjtë dhe gjakun e dëshmorëve

615
Sigal

Nga  GJON BRUÇI

O Balo, të hëngërt tenja,

E ke të ligën nga brenda!                                                                                     

                                                                                                                                 populli-

Është absolutisht e sigurtë se, asnjë soj ballisti, zogisti apo kolaboracionisti, i kohës së luftës apo pinjoll i tyre, nuk do të guxonte të thoshte qoftë edhe një fjalë të vetme kundër LANÇ, dhe Dëshmorëve të saj, nëse nuk do të gjenin mbështetje tek disa prej institucioneve tona politike, shkecore dhe shtetërore, dhe individë të zgjedhur apo të emëruar në krye të tyre. Ndaj unë dua të përsëris vargun e mirënjohur  popullor: “O Balo, të hëngërt tenja/ E ke të ligën nga brënda! – që vura në nëntitull të shkrimit. Në këtë skotë të çuditshme bastardësh futen intelektualë, historianë dhe politikano-pushtetarë, që përbëjnë edhe elitën e shoqërisë së një vendi. Kjo duket qartazi edhe në veprimtarinë e pushtetarëve aktualë, me në krye Kryeministrin me poture orienti e atlete oksidenti, i cili e meriton plotësisht edhe detyrën e Kryetarit të ballisto-kolaboracionistëve të periudhës së Luftës.  Kryeministri aktual dhe njëherësh Kryetar i PS, megjithëse i ndërroi partisë emrin dhe ngjyrën; megjithëse e shkalafiti atë duke e kthyer nga një subjekt politik shprehëdhënës në një klan mafiozësh; megjithëse çdo ditë po zëvendëson emrat dhe bustet e Heronjëve të Luftës me tradhëtarët e kolaboracionistët e saj; mjaft të ketë të shkruara në gjoks germat P e S, dhe i ka të sigurta duatrokitjet socialiste.

Militantët socialistë, por edhe të tjerë mbas tyre, edhe pse Kryeminstër-Kryetari i tyre ua thotë shkoqur se nuk është socialist, por neofashist, ata për hir të dy germave të mësipërme, vendosur në gjoksin e larosur me figura abstrakte, e brohorasin duke e quajtur Kryetarin dhe Kryeministrin më të mirë deri tek krahasimi me Skënderbeun! Këta intelektualë me poste, megjithëse i shohin “çudirat” e Kryeminstër-Kryetarit socialist, përfshi dhe rehabilitimin e nderimin e kryetradhëtarit të Ballit Kombëtar, Mitat Frashërit – alias Lumo Skëndos, dhe veprimin më të fundit atë të heqjes së  emrit të Qemal Stafës nga ish stadiumi që pati hyrë në histori, përsëri recitojnë refrenin: “Ne jemi me Ramën”, duke  shtuar edhe frazën e kopjuar nga vetë kryetari, se ai (Rama), “vërtet ka dhe gabime, por më të mirë se ai, as nuk ka patur e as nuk do të ketë”. Inkurajim në sulmet e ballisto-kolaboracionistëve kundër LANÇ dhe Dëshmorëve të saj, japin edhe vetë drejtuesit e Organizatës së Veteranëve dhe të asaj të Dëshmorëve të Atdheut. Dhe kjo, jo me fjalë, por me veprime, sa absurde, aq dhe të dëmshme.

Së pari: Drejtuesit e Organizatës së veteranëve dhe ata të organizatës së Dëshmorëve, nga qendra në bazë, të trembur nga stihia e ballisto-kolaboracionistëve, veçanërisht kundër epokës së ndërtimit socialist, menduan ta veçojnë LANÇ nga periudha e pasluftës. Duke sakrifikuar periudhën e socializmit, mendonin e mendojnë ata, do të arrihej të mbronin LANÇ. Mirëpo rezultatet ishin dhe mbeten mjerane.  Veteranët tanë, harruan se Epoka e LANÇ dhe ajo e Socializmit, janë dy epoka komplementare, të cilat nuk mund të ndahen nga njëra-tjetra. Këto dy epoka, janë vijim i njëra – tjetrës; po ra njëra, bie edhe tjera. Edhe periudha e Socializmit, ashtu si dhe Lufta Çlirimtare, u drejtua në pjesën më të madhe nga të njëjtët liderë. Vini re: “I ashtuquajtiri Instituti i dënimit të krimeve të komunizmit”, i njohur si instituti “Tufa”, nxori dhe “pagëzoi” si kriminelë, jo pak por plot 265 komandantë e drejtues të rëndësishëm të LANÇ. Shumica e këtyre “kriminelëve”, kishin qenë edhe drejtues të rëndësishëm të ndërtimit Socialist. Nxjerrja jashtë “loje”  e kësaj armate kuadrosh, sipas kriterit “Tufa”, përdhoste socializmin, por nxirtte jashtë loje edhe LANÇ. A nuk po përdoret kjo “skemë” antikombëtare edhe me drejtuesit e UÇK, me qëllimin e vetëm degradimin e Luftës Çlirimtare që populli shqiptar i Kosovës realizoj në fund të shekullit që kaloi?!

Së dyti: Në një takim – analizë të Organizatës së veteranëve, titullari kryesor i saj, nga dëshira për të mbrojtur me sa mundet LANÇ dhe dëshmorët e saj, i specifikoi këta të fundit, duke i korrnizuar në vitet 1939 – 1944. Lind pyetja: Po ata që ishin partizanë  në front të luftës, apo të terrenit, që dolën gjallë nga lufta dhe që u vranë në vitet 1944 – 1953 nga bandat reaksionare – kontigjentë të ish ballisto-zogistëve dhe kolaboracionistëve, si do të quhen, dëshmorë të Luftës, apo të Paqes?!  Llogjika më e thjeshtë dhe më e drejtë e thotë se, ata vërtet janë dëshmorë të konsolidimit të pushtetit të vendosur pas LANÇ, por janë me të njëjtin status të Dëshmorëve të Luftës. Kjo, si për nga qëllimi, ashtu dhe për nga personazhet e kësaj historie.

Së treti: Në të gjitha eventet dhe manifestimet që lidhen me LANÇ, drejtuesit e Veteranëve të nderuar dhe ata të Organizatës së Dëshmorëve, e kalojnë në heshtje (nuk guxojnë ta përmendin), udhëheqjen politike të kësaj lufte, Partinë Komuniste dhe Komandantin e Përgjithshëm të saj, Enver Hoxhën. Po cila luftë fitimtare gjatë shekullit të njëzet ka arritur objektivat e saj pa udhëheqjen politike? Nëse në LANÇ të popullit shqiptar, do të kishte munguar udhëheqja politike e Partisë Komuniste, është e sigurtë se lufta nuk do të arrinte as pjesëmarrjen, as organizimin e as sukseset që ajo arriti më 29 nëntor 1944. Përkundrazi, faktet dhe zhvillimet e ngjarjeve vertetojnë se nëse do të mungonte udhëheqja e Partisë Komuniste, ballisto-zogisto-kolaboracionistët do ta kishin çuar Shqipërinë në ankandin e Konferencës së Paqes së Parisit të vitit 1946, dhe konkretisht në bankën e akuzës, siç kërkonte kryeministri grek i kohës, Caldaris.  E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Komandantin legjendar Enve Hoxha. Gjeneralin shqiptar të Luftës së II Botërore, Enver Hoxhën, që bota e njohu në luftë dhe në paqe, kurrë dhe askush nuk e shmangu nga drejtimi i merituar i LANÇ. Por, edhe sikur zotësia e tij të mos ishte në përmasat që e njohu Aleanca e Madhe Antifashiste Botërore, emri i Komandantit të Luftës, dhe i Partisë Komuniste që e udhëhoqën Çlirimin e vendit nga nazifashistët dhe tradhëtarët e vendit, nuk mund të veçohen e as të zhvlerësohen. Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare Shqiptare, nuk ishte thjeshtë një betejë disa ditore, por një luftë 5 vjeçare, në rrugën e së cilës kemi disa evente politike e ushtarake tepër të rëndësishme, që siguruan fitoren përfundimtare. Siç dihet, në Pezë me 16 shtator 1942 u hodhën themelet e Bashkimit Politik të Popullitt shqiptar pa dallim feje, krahine e ideje kundër pushtuesit dhe për çlirimin e vendit.  Në 10 korrik 1943 u krijua Shtabi i Përgjithshëm i UNÇ.  Me 24 Maj 1944 u mbajt Kongresi famëmadh i Përmetit me atributet e Pushtetit të ardhshëm. Me 22 tetor 1944 ne Berat kemi Konferencën e Dytë Nacionaçlirimtare që zgjodhi Qeverinë Provizore. Këto kollona politike e ushtarake, mbi të cilat eci LANÇ, ishin vepër e drejtpërdrejtë e Partisë Komuniste dhe Komandantit të Përgjithshëm, Enver Hoxha.

Rrëzimi i Enver Hoxhës, rrëzon edhe kollonat në fjalë dhe vetë Luftën Nacionalçlirimtare. Ndaj dhe goditjet e ballisto-kolaboracionistëve të djeshëm dhe neoballistëve të sotëm, për të shembur LANÇ, u përqëndruan dhe vijojnë të godasin figurën e Enver Hoxhës, çka për fat të keq nuk është kuptuar nga Organiazta e Veteranëve dhe Dëshmorëve të kësaj lufte, mbrojtësit më të parë të saj. Pikërisht se Drejtuesit e Organizatës së Veteranëve dhe asaj të Dëshmorëve, kanë rënë në një grackë të tillë, sot detyrohen t’i drejtohen një kryeministri neoballist, me kërkesën në formë lutje, për organizimin e kremtimeve të 75 vjetorit të Çlirimit, ngjarjes më madhore të historisë së popullit shqiptar. Kur duhet të ndodhë e kundërta. Kryeministri i vendit duhet të kërkojë ndihmën e Veteranëve, të cilët me përvojën e tyre, mund të ndihmojnë Kryeministrin dhe Qeverinë, në realizimin e detyrës shtetërore ndaj Jubileut të  Madh të Çlirimit dhe në nderim të gjakut të derdhur nga Armata 28 mijëshe e Dëshmorëve të Atdheut. Ndër tetë pikat e kërkesës së Veteranëve drejtuar Qeverisë, ishte dhe propozimi që në Kremtimet e Festës së 75 Vjetorit të Çlirimit, të ftoheshin edhe përfaqësues nga ish Alenaca e Madhe Antifashiste e Luftës së Dytë Botërore. Pse u dashka që Veteranët t’i propozojnë apo marrin leje qeverisë dhe kryeministrit se kush duhet të marrë pjesë ne Festën e tyre?  Si Qeveria, edhe Kryeministri i saj, kanë lindur mbas Luftës dhe si të tillë ata nuk kanë asnjë të drejtë morale të hartojnë ftesa. Aq më tepër që kjo qeveri dhe ky Kryeministër, ashtu si simotrat e sivëllezërit e tyre, që nga “lindja” e gjer tani, në vend të mbrojtjes së LANÇ dhe veteranëve e dëshmorëve të saj, i ka sulmuar ata, apo ka lejuar e inkurajuar stihinë ballisto-kolaboracioniste kundër saj.