Një vit më parë, çdo javë 2000 vizitorë, sot asnjë! Voskopojarët: Në fund të pandemisë të gjithë të shkundur

595
Sigal

Nga Vepror Hasani

Një vit më parë fshati turistik i Voskopojës priste çdo javë 2000 vizitorë vendas dhe të huaj, kurse tashmë asnjë. Pandemia Covid-19 nuk lejon askënd të udhëtojë drejt vendeve turistike, qoftë kjo Voskopoja, Vithkuqi, Dardha, Boboshtica apo vende të tjera të parapëlqyera prej tyre. “Nëse do të vijohet kështu, – na thonë voskopojarët, – në fund të verës të gjithë do të jemi të shkundur, pasi Voskopoja mbahet me të ardhurat që sigurohen prej vizitorëve dhe turistëve. Aktualisht këtu gjithçka është e shkretë: rrugët të boshatisura, hotelet pa frekuentues dhe lokalet pa asnjë klient. Sot Voskopoja duhej të ishte në ditët më të bukura të saj, e gjallëruar prej pranisë së njerëzve dhe zërave të tyre. Pikërisht në këtë kohë, numri i viztorëve niste të bëhej gjithnjë më i madh duke u rritur përgjatë gjithë vitit për të arritur pikun në muajin gusht”. Voskopjës  i vlerësohej pastërtia, mikpritja, freskia, trashëgimia kulturore, akomodimi, kulinaria etj. Të veçantë e bën Voskopojën edhe vendosja në pllajën e Oparit 1100 metra mbi nivelin e detit dhe  rrethimi prej lëndinave, kullotave, pyjeve dhe ujërave të shumtë, përfshi këtu edhe lumenjt e vegjël që lagin Voskopojën në të gjitha anët e saj. Në çdo hap që hedh gjen emra shenjtorësh, si lumi i Shën Harallambit, lumi i Shën e Premtes dhe lumenjë të tjerë, por vetëmturistë nuk gjen.

 

Pse s’është e mundshme vizitorë me maska dhe doreza?

Gjithashtu banorët e Voskopojës  kërkojnë të kenë një përgjigje për pyetjen: “Pse vizitorët të mos frekuentojnë vendet turistike duke mbajtur maska dhe dorëza, këtu vendi është i gjerë dhe gjelbërimi në çdo cep, distanca mund të mbahet nga gjithkush; dorezat dhe masakt mund të vendosen në rastet kur vizitorëve u duhet të ndodhen pranë njeri-tjetrit; gjithkush është i ndërgjgjshëm për rrezikun e virusit dhe çdonjëri është i aftë të vlerësojë vetëmbrojtjen”.

“Në Voskopojë kemi një sërë kishash dhe manastiresh, – vijojnë rrëfimin e tyre voskopojarët, – si kisha e Shën Dionisit, kisha e Shën e Premtes, manastiri i Shën Prodhromit, i Shën Marisë, Shën Kollit etj. Dikur Voskopoja kishte 36 kisha. Gjithashtu 24 qershori ka qenë përherë një festë e madhe, i përkushtohet manastirit të Shën Prodhromit, i cili gjendet pranë hotelit “Akademia”. Me këtë Manastir kështu ka ndodhur që nga zanafilla e tij; organizoheshin panaire, tregtarët që merrnin pjesë vinin nga Selaniku, Sofja, Shkupi, Manastiri, Janina, Xhenova, Trieste, madje dhe nga Hungaria dhe Austria, pa përjashtuar tregtarët vendas nga Shkodra, Vlora, Berati e qytetë të tjera. Shpresojmë që kjo gjendje të marrë një zgjidhje sa më shpejt që të jetë e mundur, pasi në ditët që do të vijnë vështirësitë ekonomike të gjithsescilit do të jenë edhe më të mëdha”.

Për herë të parë jemi pa miqtë tanë

“Miqtë tanë të Voskopojës nuk na kanë tradhtuar asnjëherë, kanë qenë të pranishëm çdo vit. Është herë e parë që nuk po vijnë dot. Ata janë mësuar të shohin këtu, nëpër afresket e kishave, punën e mjeshtrave të mëdhenj të piktorëve të mesjetës. Tek kisha e Shën Kollit, e ndërtuar në vitin 1721. gjejnë afresket e pikturuara nga David Selenica, nga Kostandini dhe Anastasi, ndërsa te kisha e Shën Mëhillit dhe e Shën Thanasit, pikturat e vëllezërve Kostandin dhe Athanas Zografi; të surprizuar kanë mbetur edhe të kishat e tjera. Tashmë turizmin familjar e gjen pothuajse në çdo familje Voskopojare”. Banorët e këtij fshati i presin me shumë dashuri miqtë e tyre, mikpritja voskopojare është e njohur nga shumëkush, ndaj janë të shumtë ata që ndihen të dëshpëruar nga mungesa e mysafirëve. “Gjithkush prej turistëve që pati rastin të vijë në Voskopjë, mbeti më shumë se i kënaqur, dhe kjo na është pohuar nga vetë ata, sepse jo vetëm mikpritja, por edhe bukuritë e këtij vendi nuk janë fantazi, ndaj gjatë viteve të kaluara, madje dhe një vit më parë, numri i vizitorëve të ardhur  arrinte në 2000 veta çdo javë. Vetëm kaq mjafton për të kuptuar se  në çfarë humbjesh ndodhet realisht Voskopoja këtë vit. Të gjithë do ta gjejmë veten të shkundur”.

 

 

 

 

 

 

.