Flet kënëgtari Nikoll Preçi: Si më zbuluan si këngëtar kur isha ndihmës kamerier në Rrëshen.
- Kur mbyllej lokali unë këndoja i vetëm sa kureshtarët mblidheshin jashtë lokalit.
- Komisioni në Komitetin e Kulturës dhe Arteve i kërkoi Gjok Becit urgjent për Festival një këngë për partinë.
- – Në vitin 1968 u shpalla “Laurat i Festivalit Folklorik 1968” me një këngë për partinë.
- – Kënga ime jepej nga Radio Tiranë kohë pas kohe.
- – Ndërsa vjen viti 1978, kur ansambli “Mirëdita” do të merrte çmimin e madh me këngën “Bie shiu rrena, rrena”.
- – Si Asamblin “Mirdita e çuan në Mal të Zi” pas tërmetit të vitit 1978!
- -Ne na shoqëronin 3 oficerë, të cilët kishin pasaportat tona.
- -Shqiptarët e Malit të Zi na pritën mes lotëve dhe duatrokitjeve, por ne nuk i pamë pasaportat tona.
-Nga Aleksandër NDOJA-
Nikoll Preçi është prej vitesh në pension. Është ai djali 14 vjeçar, që me të mbaruar shkollën fillore, në ambientet e Qelës në Kodër Rrëshen, kushtet ekonomike të asaj kohe e detyrojnë të ndërpresi shkollimin e mëtejshëm për në klasë të pestë, dhe të fillojë punë si ndihmës kamarier në një lokal të kohës në Rrëshen. Ndërsa lokali mbyllej, për kohë pushimi, shefi e mbyllte brenda kamarierin fëmijë për të kryer punët, sidomos pastrimin. Ndërsa mbaronte punë dhe brenda “kafazit” niste të këndonte, tingujt muzikorë krejt rastësisht mbërritën në veshin e legjendës së papërsëritshme të artit dhe kulturës mirditase, rapsodit dhe kant-autorit, themeluesit dhe udhëheqësit të grupit të burrave të Mirditës, Fran Vorfi.
Një përshkrim të shkurtër për lexuesin, kush është Nikoll Preçi në fillimet e tij?
Po, kam lindur në prag pranverën e vitit 1951, në ekstremin verior të fshatit Kodër Rrëshen. Jam fëmija i dytë i prindërve të mij, pasi më përpara kam një motër. Thjesht si të gjithë fëmijët e viteve 50-të jam rritur pranë prindërve, që merreshin kryesisht me bujqësi. Kjo deri kur fillova klasën e parë në qendër të fshatit ku ishte kisha dhe qela. Qela shërbente si shkollë për fëmijet e këtij fshati.
Në atë shkollë, në Qelë cilin kujtoni si mësues?
Më herët ishte Dod Arapi, sportist i mirënjohur i Mirditës, dhe babai i volejbollistëve të shquar të Minatorit. Siç dihet pallati i sportit në Rrëshen, mban emrin e njërës prej sportisteve legjendë të këtij ekipi, njërës prej vajzave të Dodës, “Ariana Arapi”. Por nuk rastisi të kisha mësues Dodën, por Nikoll Përgjetanin dhe Zef Preçin. Klasës time i kishte rastisur që të kishte nga klasa e parë deri në përfundim të fillores, mësuesin Nikoll Përgjetani, i cili përveç këngëve të tjera, kishte qef dhe këndonte. Me sa di mësues Nikolli shkonte krushk shpesh e merrte, pasi këndonte bukur, pra kur ishte rasti që krushqit të këndonin ndonjë këngë. Në orën e muzikës edhe unë këndoja. Ndoshta mësues Nikolli kishte kuptuar diçka, ndaj mua dhe një nxënës tjetër një vit pas meje, i quajtur Bardhok Lleshaj, na vinte të imitonim dasmën mirditase, duke na caktuar të realizonim këngën tipike “maje krahu”, siç quhej. Ishim fëmijë të vegjël, por e imitonim bukur duke ardhur si krushq nëpër oborrin e shkollës.
A ishte kjo premisa juaj që të involvohesh në fushën e artit?
Jo, ose ndoshta shumë pak. Pas mbarimit të fillores, kushtet ekonomike nuk më lejonin të vijoja në klasë të pestë, ndërsa në atë kohë shkollimi 8 vjeçar nuk ishte i detyrueshëm. Babai më futi në punë në qytet, në Rrëshen, si ndihmës kamarier në bufe restorant, që ishte aty ku deri kur u shëmb, për t’u ndërtuar pallati i ri quhej “klubi i vjetër”. Lokali kishte dy ndarje, njëra ishte bar-kafe, që rrinte hapur gjithë ditën, ndërsa pjesa e restorantit hapej me orar. Pra në mëngjes 06-08, në drekë 12-15, ndërsa edhe në darkë. Përgjegjës i lokalit ishte i mirënjohur Preng Frroku dhe një tjetër me emër Shpëtime, nuse e një oficeri, ndërsa nuk i kujtoj mbiemrin. Kur lokali mbyllej në 8, më mbyllnin dhe mua brenda, më linin për të pastruar. Unë pasi mbaroja punë, për të kaluar kohën deri në 12 kur hapej lokali, këndoja papushim, madje edhe me zë të lartë.
Si ndodhi që u pikase për t’u afruar pranë pallatit të kulturës?
Ka qenë rastësi dhe fati im. Teksa këndoja pranë lokalit në rrugë po kalonin mjeshtri i madh e i mirënjohur Fran Vorfi dhe një këngëtar tjetër Nikoll P Marku nga Jezulli. Ata ndalen e dëgjojnë, por nuk e kuptojnë se isha unë, por menduan se ishte harruar radio ndezur. Menjëherë ata futen te pjesa që ishte bar-kafe e hapur dhe i kërkojnë përgjegjësit Preng Frroku (Deda) të ndiztë dhe aty radion, ndërsa do pinin kafe. Kjo sepse radio sipas atyre po jepte disa këngë mjaft të mira. Prenga u thotë se po këndon punëtori aty brenda, ndërkohë hapet dera dhe më nxjerrin jashtë. Fran Vorfi dhe Nikolli kërkojnë që t’i ndiqja pas, për tek pallati i kulturës për një testim. Aty na priti drejtori i pallatit të kulturës Ndue Tusha. Teksa më thanë të këndoja unë shikoja një aparat me një shirit që rrotullohej, por nuk kuptoja asgjë. Pasi më thanë të ndaloja, mesa kujtoj këndova këngën e Dan Daroshit. Pas pak shiriti me atë rrotullimin e tij, nxirrte zërin tim me audiu shumë më të lartë…Ata po e dëgjonin me vëmendje, ndërsa unë habitesha se si zëri im ishte futur në atë kuti…Prej asaj dite Fran Vorfi më merrte çdo ditë në prova me ansamblin, por edhe në aktivitete.
Po më pas, si u zhvilluan ngjarjet?
Pas kësaj me erdhi një kërkesë e papritur të atashohesha pranë klubit të kulturës në Rubik. Kishte qenë këmbëngulja e drejtorit të këtij klubi, Bardhok Sulejmanit pasi kishte dëgjuar këngën time në atë kutinë që më vonë mësova se quhej magnetofon. Bardhok Sulejmani ndërhyri te drejtori i uzinës Frrok Pjetër Gega për të më gjetur një vend pune sa më të mirë, që të me jepte mundësi të isha pranë sektorit të kulturës aty. Ashtu u bë, ndërsa kishin filluar përgatitjet për festivalin folkloric, që do të mbahej për herë të parë, ndërsa vendi ishte caktuar për t’u mbajtur, në Gjirokastër.
Ishte festivali, që vulosi të ardhmen tënde në kulturë e ansambël. Çfarë mund të na thoni brenda një përshkrimi?
Nuk e di për çfarë arsye u vendos që i gjithë ansambli i Mirditës u caktua t’i bënte përgatitjet në Rubik. Ka qenë një vend në lagje të vjetër të këtij qyteti që kati i parë ishte librari, ndërsa kati i dytë kishte disa dhoma me krevate marinari për akomodim. Aty u mblodh i gjithë ansambli për një kohë të gjatë. Aty në Rubik bënim provat, ndërsa trajtimi ishte falas dhe mjaft i mirë. Aty hanim, pinim dhe flinim, pasi shumë artistë i kishin familjet e tyre në zona të ndryshme, pra ishin larg. Teksa mendonim se kishim bërë punë, vjen me urgjencë kryetari i komitetit Gjon Deda Moriseni, i cili kishte detyrim altimativ të paraqiteshim me një këngë speciale për partinë e asaj kohe. Kishin mbetur vetëm dy ose tre ditë. Gjok Beci ishte i papërsëritshëm për kësi situatash. Ai në kohë rekord hartoi një tekst që i përshtatej moshës time. Ma dhanë ta këndoj, pa hartuar ndonjë muzikë. Thjesht e këndova siç më erdhi. Kënga doli bukur, ndërsa e çuan me urgjencë në ministri për të marrë viston. Edhe ata e konfirmuan.
Po në Gjirokastër si u prit kjo këngë dhe vetë ansambli?
Është fakt se kënga u shoqërua me duartrokitje të forta edhe për faktin se isha vetëm 17 vjeç. Edhe komisioni përkatës e vlerësoi shumë këtë këngë duke më dhënë “Laurat i festivalit Folklorik 1968”. Ndërsa ansambli u mirëprit, por nuk është se na akorduan ndonjë çmim apo renditje nderi.
Në Mirditë si u pritët?
Në fakt unë u prita shumë mirë. Kënga ime jepej nga Radio Tirana kohë pas kohe. Kjo më jepte krenari, por edhe shanse. Unë vijova në Rubik tashmë më i çimentuar në këtë fushë. Ishte shumë i apasionuar drejtori Bardhok Sulejmani, ndërsa si përgjegjës që na fuste në prova dhe angazhime ishte Ndue Nikolli (Frani) i cili më parë kishte qenë drejtues i klubit kulturor. Kishim një grup mjaft përfekt si Ndue Nikoll Gega, Gjyste Ceka dhe unë, Nikoll Preçi dhe disa amatorë. Shkonim në aktivitete pafund në shumë zona të vendit. Ftoheshim në të gjtha kongreset e bashkimeve profesionale, por edhe çdo 28 Nëntor në Vlorë. Madje kemi marrë disa çmime. Bardhok Sulejmani na merrte edhe në shfaqje dramash apo skeçesh pranë kolektivave punonjëse, duke na futur në skenë në pushimet mes puntatave.
Në fund të vitit 1969 më morën në shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Qënia në art më dha përparësi, pasi kërkova të konkuroj për në ansambilin e ushtrisë. Ashtu u bë. Kujtoj me nostalgji bashkëpunimin me këngëtarin e mirënjohur Tonin Tërshana. Patëm marrë edhe një çmim nderi, ndërsa isha ushtar.
Po pas ushtrisë si precipitoi situata me ty?
U rrezikova të shkoja në minierë. Kjo do të më privonte mundësinë për të qenë afër kulturës. Kam shkuar me iniciativën time te kryetarja e komitetit Parashqevi Shehu, e cila më dëgjoi me vëmendje. Pas kësaj u ezaurua urdhëri, që kishtë dalë për në minierë. Fillova punë në PAM (Parku Automobilistik) në Rrëshen, pra mbeta afër me pallatin e kulturës.
Ndërsa vjen viti 1978, kur ansambli “Mirdita” do të merrte çmimin e madh, pra të parin në Gjirokastër. Çfarë mund të thoni?
Është një temë për të cilën është folur shumë, dhe vazhdohet të flitet dhe pse kanë kaluar 44 vite. Nuk mund të plotësohet kurrë portreti dhe kontributi që dhanë penda të arta si Gjok Beci, Viktor Gjikolaj, apo dhe kontributet këngëtarë si Fran Vorfi, Kol Zefi Mark Gjoka, e shumë të tjerë, përfshirë kontributin e pamatshëm në rrafshin cilësor të të mirënjohurit si kompozitor Dorian Nini, Gojard Daiut, Edmond Xhanit etj. Nuk ka për t’u harruar kurrë zëri dhe kontributi i jashtëzakonshëm artistik i Mrikë Trumshit, Mark Gjokës, Luljeta Përbashës, Anton Gjokës, Dodë Prendit, Fran Preçit, Nikollë Dedës, Servet Carës, Mark Dedës, Nikollë Kalës, Drane Lleshit, etj. Unë kisha një këngë tashmë të mirënjohur kënduar me Simon Beleshin lahutarin e paharruar dhe Drane Lleshin (Reçi). Kënga titullohej “Po bie shiu rena, rena”. Di që me të mbërritur në Rrëshen u bë festë e madhe. Ishte një finalizim i kontributit të shumë brezave që derdhën djersë në kulture për vite me rradhë, përpara kësaj date e që u vijua me po aq zell e përkushtim dhe vitet e tjera. Madje pak muaj më vonë Ansambli “Mirdita” u ftua në Mal të Zi.
Si ndodhi kur dihej situata e marrëdhënieve me ish-Jugollavinë?
Siç duket asokohe tonet ishin të zbutura. Di që atë vit kishte ra tërmeti e bërë namin në segmentin Lezhë – Shkodër, por kjo nuk na pengoi. Ministria na përgatiti pasaportat për jashtë vendit, por kurrë nuk na i dha në dorë, as për t’i parë. Tre oficerë i mbanin ato dhe i paraqisnin në kufi apo ku të na i kërkonin. Më pas nuk dihet ku i çuan pasi i morën ata. Di që kemi qëndruar 18 ditë duke dhënë koncerte të jashtëzakonshme në Vitojë, Tuz, Ulqin, Rrozhaje etj.
Çfar ishte për ju Grupi u burrave të Ansamblit “Mirdita tashmë Mjeshtër i madh?
Ishte padyshim krijesë e Fran Vorfit. kombinimi i shkëlqyer me Gjok Becin dhe më vonë me Dorian Ninin e të tjerët që përmenda më lart, bënë që ky grup të shënonte rekorde brenda e jashtë vendit. Ansambli dhe vetë grupi i burrave në përbërje të ansamblit ka shkruar historinë e artit në Mirditë dhe për këtë jam krenar që kam kontributin tim.